Shërbesa e leximeve
11 qershor Shën Barnaba, apostull
Përkujtim
Lindi në ishullin e Qipros dhe qe njëri prej besimtarëve të parë të Jerusalemit. Predikoi në Antioki dhe e shoqëroi shën Palin në udhëtimin e tij të parë apostolik. Qe i pranishëm në koncilin e Jerusalemit. Pasi u kthye në vendin e vet, aty e shpalli Ungjillin dhe aty vdiq.
Nga Përbashkorja e apostujve të kohës së Pashkëve (fq. ???) përpos atyre që vijojnë.
Ftesa
V. O Zot, hapi buzët e mia!
P. E goja ime do të shpall lavdinë tënde!
Ant. E adhurojmë Shpirtin e Hyjit që flet në profetët dhe në mësuesit e Kishës.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. E adhurojmë Shpirtin e Hyjit që flet në profetët dhe në mësuesit e Kishës.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. E adhurojmë Shpirtin e Hyjit që flet në profetët dhe në mësuesit e Kishës.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. E adhurojmë Shpirtin e Hyjit që flet në profetët dhe në mësuesit e Kishës.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. E adhurojmë Shpirtin e Hyjit që flet në profetët dhe në mësuesit e Kishës.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. E adhurojmë Shpirtin e Hyjit që flet në profetët dhe në mësuesit e Kishës.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. E adhurojmë Shpirtin e Hyjit që flet në profetët dhe në mësuesit e Kishës.
11 qershor Shën Barnaba, apostull
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
O burrë i lumë me Apostuj
pjesëtar zelltar i punëve
përkrahës i flijimit,
prano lavdet e lutjet.
Nëpër lajmëtarë të Krishtit
u shfaqën shumë të gëzueshëm,
shekujt e së vërtetës
të paqes dhe haresë.
Dhe ti i pëlqyer nga qielli
pjesëmarrës në shumë detyra,
njëlloj n’lavdi je i njohur
dhe në pushtet i ngritur.
Ti, mbjellës i ndriçimit,
me diell të gjallë të Krishtit
bëj kudo t’blerojnë mugujt
për të mbushur hambarët e qiellit.
Dhe bashkë me më kryesorët
rri pranë gjykatësit t’epër,
bëj të na shlyhen mëkatet,
na bëj nga hiri të ngrohemi.
Lavdi i qoftë Trinisë Shenjte,
që në çdo kohë të na japë
së bashku me ty të gëzojmë
çmimet e saj qiellore. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Në mbarë botën jehon predikimi i tyre; deri në skajet e botës, fjala e tyre.
Psalmi 19 /18 A/ (2-7)
Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *
kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!
Dita ditës ia përsërit këtë gjë *
e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *
po as zë që do të mund të dëgjohet,
megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *
diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
Diellit në to ia ngrehu tendën: †
del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *
thua vigani pash më pash i bie sheshit!
Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †
udha e tij kapet në skajin tjetër, *
asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Në mbarë botën jehon predikimi i tyre; deri në skajet e botës, fjala e tyre.
Ant. 2 I shpallën veprat e Hyjit, i kumtuan mrekullitë e tija.
Psalmi 64 /63/ (2-11)
Dëgjoje, o Hyj, zërin e vajtimit tim, *
ma ruaj jetën prej tmerrit të armikut,
më mbro nga përbetimi i të mbrapshtëve, *
prej grumbullit të atyre që veprojnë keq.
Prej atyre që e mprehën gjuhën e vet si shpatë, †
që vjellin si shigjeta fjalë të helmuara, *
për ta shigjetuar në moh të pafajshmin;
e shigjetojnë papritmas e frikë nuk kanë. *
Ata marrin guxim në synimet e veta të këqija,
shestojnë si t’i vënë fshehtas leqet e veta *
e thonë: »Kush mund t’i shohë?«
Synojnë paudhësi, i çojnë në vend synimet e parapara, *
humnerë është njeriu, greminë zemra e tij!
Por Hyji i shigjetoi ata, *
papritmas i mbuluan plagët.
Gjuha e vet ata i sharroi, *
kush i sheh, i habitur, luan kokën.
Të gjithë njerëzit do t’i kapë frika, †
do t’i kumtojnë veprat e Hyjit, *
mirë do ta kuptojnë ç’bëri Ai.
I drejti do të gëzohet në Zotin, †
në Të do ta ketë shpresën, *
me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 2 I shpallën veprat e Hyjit, i kumtuan mrekullitë e tija.
Ant. 3 Ia shpallën botës drejtësinë e Hyjit: mbarë popujt e sodisin lavdinë e tij.
Psalmi 97 /96/ (1-12)
Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *
le të gëzohen ishujt e shumtë!
Re e errësirë janë përreth tij, *
e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.
Zjarri shkon përpara tij *
dhe i djeg armiqtë e tij përreth.
Vetëtimat e tija e shndritin botën, *
sheh Toka e dridhet!
Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *
para fytyrës së Zotit të mbarë botës!
Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *
të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.
I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †
të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *
Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!
Dëgjoi Sioni e u gëzua, †
galduan bijat e Judës. *
për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.
Sepse ti je, o Zot,
i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *
ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.
Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †
Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *
i shpëton prej dorës së mëkatarit.
Lindi drita për të drejtin, *
e gëzimi për zemërmirët.
Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *
nderojeni Emrin e tij të shenjtë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3 Ia shpallën botës drejtësinë e Hyjit: mbarë popujt e sodisin lavdinë e tij.
D E shpallën fuqinë e Zotit,
C dhe mrekullitë që ai i bëri.
Leximi i parë
Prej letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 4, 1-16
Gjithkush le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit e për mbarështues të mistereve të Hyjit. Tashti, në fund të fundit, prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik. Sa për mua, aspak nuk jam në kujdes se më gjykoni ju apo çfarëdo gjyqi njerëzor. Por as vetë nuk e gjykoj vetveten. Vërtet, ndërgjegjja ime nuk më padit për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti. Prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti! Ai do të qesë në dritë çka është e fshehur në errësirë dhe do t'i zbulojë synimet e zemrave. Atëherë gjithkush do të marrë prej Hyjit lavdinë që i përket.
Me këto fjalë, vëllezër, e mora për shembull veten e Apolin për mësimin tuaj, që në ne ta kuptoni fjalën. 'Jo përtej se çka është e shkruar!' që të mos krenoheni me njërin kundër tjetrit. E njëmend, kush ta jep ty përparësinë? Çka ke që nuk e ke marrë? E, nëse e ke marrë prej tjetërkujt, pse krenohesh kinse s'e ke marrë? Tani u ngitë! Tani u bëtë të pasur! Pa ne u bëtë mbretër! Ku të merrej ai fat, se vërtetë u bëtë mbretër, që të mbretëronim edhe ne me ju!
E pra, unë mendoj se Hyji ne, apostujve, na ka vënë në vendin e fundit, si të dënuar për vdekje: lojë për botën, për engjëjt e për njerëzit;
ne të marrë për shkak të Krishtit, ju të urtë në Krishtin,
‑ ne të dobët,
ju të fortë, ju të nderuar e ne të përbuzur,
deri tani s'ngihemi me bukë as me ujë, jemi të zhveshur e të shtypur, të paplang e të pashtëpi, lodhemi duke punuar me duart tona.
Na shajnë e ne flasim mirë për ta,
na salvojnë e ne durojmë;
na shpifen e ne ngushëllojmë.
U bëmë deri në sot porsi plehrat e botës, porsi të fshirat e gjithkujt!
Nuk po jua shkruaj këto që t'ju turpëroj, por që t'ju qortoj si fëmijët e mi të dashur. Sepse, edhe po t'i kishit në Krishtin dhjetë mijë mësues, nuk do të kishit shumë etër, sepse, me anë të Ungjillit, unë ju linda në Jezu Krishtin. Prandaj, ju përbej: më përngjani!
Përgjigjja Gjn 15, 15; Mt 13, 12
C Nuk ju thërras më shërbëtorë, por miq: * ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.
D Ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit: lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë:
C ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.
Leximi i dytë
Nga “Traktatet mbi ungjillin sipas Mateut” të shën Kromacit, ipeshkëv.
(Trakt.5, 1.3-4; CCL 9, 405-407)
Ju jeni drita e botës
“Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. As nuk ndizet llamba për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar, për t'u bërë dritë të gjithëve në shtëpi” (Mt 5, 14-15).
Zoti i quajti nxënësit e vet “kripë të tokës” sepse, me anë të urtisë qiellore, i bënë të shijshme zemrat e njerëzve, të cilat prej djallit ishin bërë të amështa. Tash i quan edhe “dritë të botës” sepse, të ndriçuar nga ai i cili është drita e vërtetë dhe e amshuar, janë bërë edhe vetë dritë që shkëlqen në errësirë.
Ai është dielli i drejtësisë. Me shumë të drejtë, pra, i quan “dritë të botës” edhe nxënësit e tij, meqenëse, me anë të tyre sikur nëpër rreze të shkëlqyer, e ndriçoi mbarë botën me dritën e së vërtetës së tij. Duke e përhapur dritën e së vërtetës, ata e larguan terrin e gabimit prej zemrave njerëzore.
Edhe ne qemë shndritur me anë të tyre, kështu që u shndërruam prej territ në dritë, sikurse thotë Apostulli: “Dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin. Jetoni porsi bij të dritës” (Ef 5, 8). Edhe: Ju nuk jeni bij të natës e të territ, por bij të dritës e të ditës (krh. 1 Sel 5, 5). Me të drejtë, pra, edhe shën Gjoni shkroi në letrën e vet: “Hyji është dritë” (1 Gjn 1, 5) e kush qëndron në Hyjin gjendet në dritë. Pra, pasi gëzohemi se qemë liruar prej territ të gabimit, kuptohet se si bij të dritës duhet të ecim gjithmonë në të.
Për këtë arsye, Apostulli thotë: Ndriçoni porsi yje në këtë botë, duke e mbajtur me besnikëri fjalën e jetës (krh. Fil 2, 15-16).
Nëse nuk do ta bëjmë këtë, ne do ta fshehim e do ta errësojmë me perden e pabesisë sonë, duke i sjellë dëm vetes dhe të tjerëve, atë dritë që shkëlqen në dobi të të gjithëve. Mirë e dimë se, siç lexuam, ai shërbëtor, në vend që ta çonte në bankë talentin që iu dha për ta fituar qiellin, parapëlqeu ta fshinte, e kështu qe ndëshkuar me dënim të drejtë.
Ajo llambë shpirtërore që u ndez që ne ta përdorim për shëlbimin tonë duhet të shkëlqejë gjithmonë në ne. Pranë nesh është llamba e urdhërimeve të Hyjit dhe e hirit shpirtëror, për të cilën Davidi thotë: Urdhërimi yt është llambë për hapat e mi dhe dritë në shtigjet e mia (krh. Ps 118, 105). Për të flet edhe Salomoni kur thotë: Urdhri i ligjit është porsi llambë (krh. Fu 6, 23).
Pra, nuk duhet ta mbajmë të fshehur këtë llambë të ligjit dhe të fesë. Madje, duhet ta mbajmë lart në Kishë, porsi mbi pishtar, që t'i sjellë shëlbim shumëkujt, që edhe ne të ngushëllohemi në dritën e së vërtetës e të gjithë besimtarët të shndriten prej saj.
Përgjigjja Krh. Vap 11, 23-24
C Kur Barnaba arriti në Antioki dhe e pa hirin e Zotit, u gëzua: * ky ishte njëmend njeri i mirë, plot me Shpirt Shenjt e me fe.
D I nxiti të gjithë të qëndrojnë me gjithë shpirt në Zotin:
C ky ishte njëmend njeri i mirë, plot me Shpirt Shenjt e me fe.
Lutja
O Hyj, ti e zgjodhe Barnabën, njeri me fe të gjallë e plot me Shpirt Shenjt, për misionin ndër paganët: bëj që Ungjilli i Krishtit, të cilin ai e predikoi me guxim, të shpallet gjithnjë me fjalë e me vepra, me besnikëri të vërtetë. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.