Shërbesa e leximeve
E kremtja e zemrës së Krishtit
E premtja pas të dielës II pas Rrëshajëve
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ta adhurojmë zemrën e Krishtit, të plagosur prej mëkateve tona.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta adhurojmë zemrën e Krishtit, të plagosur prej mëkateve tona.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta adhurojmë zemrën e Krishtit, të plagosur prej mëkateve tona.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta adhurojmë zemrën e Krishtit, të plagosur prej mëkateve tona.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta adhurojmë zemrën e Krishtit, të plagosur prej mëkateve tona.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta adhurojmë zemrën e Krishtit, të plagosur prej mëkateve tona.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta adhurojmë zemrën e Krishtit, të plagosur prej mëkateve tona.
E kremtja e zemrës së Krishtit
E premtja pas të dielës II pas Rrëshajëve
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.
Himni
Zemër, arkë që ruan ligjin
jo të robërisë së vjetër,
por të hirit e të faljes,
edhe të mëshirës.
Zemër, shenjtërore e pastër
e besëlidhjes së re,
tempull më i shenjtë se i vjetri
dhe vel më i vyer se i çari.
Ty me goditje të dukshme
të plagosi dashuria,
që ne të nderojmë plagët
e dashurisë së padukshme.
Nën këtë simbol dashurie
të përgjakshme e mistike vuajti
dhe këto dy flijime
Krishti meshtar blatoi.
Kush s’e shpërblen të dashurin?
E kush do pa u shpërblyer
e me dashuri paprerë
lakmon t’i ngjitet Krishtit?
Ty, Jezus, të qoftë lavdia,
që në zemër dikon hirin,
me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Në Ty është burimi i jetës: Ti na jep të pimë në lumin e mirësisë sate.
Psalmi 36 /35/ (2-13)
Paudhësia pëshpërit mu në zemër të bakeqit, *
frika e Hyjit s’është para syve të tij.
Vetë mëkatari ia mbyll sytë vetvetes, *
të mos e shohë paudhësinë e të mos e urrejë.
Fjalët e gojës së tij janë paudhësi e dhelpëri, *
për urtësi e vepra të mira nuk e vret veshin.
Në shtrojën e vet sendërton paudhësinë, †
ecën vazhdimisht udhës së keqe, *
djallëzinë nuk e urren.
Mirësia jote, o Zot, deri në qiell, *
bujaria jote deri në majë të reve!
Drejtësia jote si malet, më të lartat, †
gjyqet e tua porsi Humnera e madhe: *
njerëz e kafshë ti, o Zot, i shpëton.
Sa e çmueshme është mëshira jote, o Hyj! *
Njerëzit strehohen nën hijen e krahëve të tu.
Ngihen me begatinë e Shtëpisë sate, *
u shuan etjen nga përroi i kënaqësisë sate.
Sepse te ti është burimi i jetës, *
në dritën tënde ne shohim dritën.
Shtrije mëshirën tënde mbi ata që të njohin, *
drejtësinë tënde mbi ata që zemrën e kanë të pastër.
Mos më shkeltë këmba e madhështorit, *
mos më grahtë dora e mëkatarit.
Këtu u thyen bakëqijtë, *
ranë e më s’mund u ngritën!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Në Ty është burimi i jetës: Ti na jep të pimë në lumin e mirësisë sate.
Ant. 2 Prej ngushticës së zemrës sime të thërras: Më ngrit, o Hyj, përmbi shkëmb.
Psalmi 61 /60/ (2-9)
Urata e një të treturi
Vështroje, o Hyj, britmën time, *
dëgjoje uratën time!
Nga skaji i dheut të thërras në ndihmë, †
se më ka lëshuar zemra: *
më ço te shkëmbi ku s’mund të afrohem.
Sepse ti je shpresa ime, *
kala e fortë përballë armikut.
Përjetë do të banoj në tendën tënde, *
do të gjej mbrojtje nën sqetullën tënde,
sepse ti, o Hyji im, i pranon kushtet e mia, *
u jep trashëgim atyre që e druajnë emrin tënd.
Ditë mbi ditë shtoji jetës së mbretit, *
vjetët e tij zgjati nga breznia në brezni!
Le të mbretërojë gjithmonë ndër sytë e Hyjit: *
rojë iu bëfshin hiri dhe e vërteta!
Kështu do t’i këndoj këngë Emrit tënd pa pushim, *
do t’i plotësoj kushtet e mia si një ditë për ditë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Prej ngushticës së zemrës sime të thërras: Më ngrit, o Hyj, përmbi shkëmb.
Ant. 3 Kufijtë e tokës e panë shëlbimin e Hyjit tonë.
Psalmi 98 /97/ (1-9)
Këndoni Zotit një këngë të re, *
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet, *
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
Zoti e dëftoi shpëtimin e vet, *
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet *
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë *
shëlbimin e Hyjit tonë.
Mbarë Toka le t’i brohorasë Zotit, *
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
Këndoni Zotit me harpë, *
me tinguj veglash muzikore,
me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt, *
brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!
Le të buçasë deti me ç’ka në të, *
rruzulli me banuesit e tij;
lumenjtë le të duartrokasin †
e malet le të gërthasin me hare, *
para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi *
e popujt me maturi.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Kufijtë e tokës e panë shëlbimin e Hyjit tonë.
D I kujtoj veprat e Zotit,
C do t’i kujtoj mrekullitë e tij të lashta.
Leximi i parë
Prej letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve 8, 28-39
Dashuria e Hyjit u shfaq në Jezu Krishtin
Vëllezër, ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur. Sepse, ata që ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi.
Çka, pra, të themi tjetër lidhur me këtë? Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? Ai as Birin e vet nuk e kurseu, por e dorëzoi të flijohet për të gjithë ne, e si atëherë, bashkë me Të, nuk do të na japë çdo gjë? Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Hyjit? Hyji shfajëson! Kush do të dënojë? Krishti [Jezus] vdiq, për më tepër edhe u ngjall! Ai qëndron në të djathtën e Hyjit, ‑ Ai ndërmjetëson për ne! Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata? Sikurse është në Shkrim shenjt: 'Për shkak tënd na vrasin si një ditë për ditë, na çmojnë porsi dele të caktuara për t'u prerë.' E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur.
Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë.
Përgjigjja Krh. Ef 2, 5. 4. 7
C Ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, Hyji na ngjalli bashkë me Krishtin: * në saje të dashurisë së madhe, me të cilën na deshi.
D Që ta tregojë në shekujt e ardhshëm pasurinë e vet të patregueshme:
C në saje të dashurisë së madhe, me të cilën na deshi.
Leximi i dytë
Nga “Veprat” e shën Bonaventurës, ipeshkëv
(Opusc. 3, Druri i jetës, 29-30. 47; Opera omnia 8. 79)
Pranë teje gjendet burimi i jetës
Kije parasysh edhe ti, o njeri i shëlbuar, se kush, sa i madh dhe prej cilës natyre është ai që varet në kryq për ty. Vdekja e tij u jep jetë të vdekurve, në kalimin e tij qielli dhe toka vajtojnë, ndërsa shkëmbinjtë e fortë plasin.
Veç kësaj, me qëllim që prej kraharorit të Krishtit të vdekur në kryq të themelohej Kisha dhe të përmbushej Shkrimi që thotë: “Do ta shohin Atë që shporuan” (Gjn 19, 37), u lejua sipas planit hyjnor që një ushtar ta shporonte dhe të hapte atë kraharor të shenjtë. Rrodhi gjak dhe ujë, çmimi i shëlbimit tonë. Rrjedhja prej një burimi të tillë, domethënë prej fshehtësisë së zemrës, u jep sakramenteve të Kishës aftësinë që të mund të japin jetën e amshuar dhe për ata që jetojnë në Krishtin është pije e burimit të gjallë “që rrjedh në jetën e pasosur” (Gjn 4, 14).
Ngrihu, pra, o shpirt mik i Krishtit. Ji porsi pëllumbi “që e ndërton çerdhen në faqet e humnerës së përfrigueshme” (Jer 48, 28). Porsi “trumcaku që e gjen bunin e vet” (krh. Ps 84 [83], 4), mos pusho së përgjuari në këtë shenjtërore. Atje, porsi pëllumbesha, fshihi të vegjlit e tu, që kanë lindur prej dashurisë së pastër. Atje afroje gojën tënde për të marrë ujëra prej burimit të Shëlbuesit (krh. Is 12, 3). Dhe vërtet, prej këtu rrjedh burimi që zbret në qendër të Parajsës, e cila, e ndarë në katër lumenj (krh. Zan 2, 10) dhe së fundi, e shpërndarë nëpër zemrat që digjen prej dashurisë, e ujit dhe e bën të frytshme mbarë tokën.
Shko me vrap tek ky burim i jetës dhe i dritës me dëshirë të gjallë, kushdo që të jesh, o shpirt i kushtuar i Hyjit, dhe me fuqinë e thellë të zemrës klith drejt tij: “O e pashprehshmja bukuri e Hyjit të shkëlqyeshëm, o shkëlqim krejt i pastër i dritës së amshuar! Ti je jetë që gjallëron çdo jetë, dritë që ndriçon çdo dritë dhe që i ruan në shkëlqim të amshuar pishtarët e larmishëm, të cilët shkëlqejnë para fronit të hyjnisë sate, që prej agimit të parë.
O rrjedhë e amshuar dhe e padepërtueshme, e shkëlqyer dhe e ëmbël, e burimit të fshehtë para syve të të gjithë të vdekshëmve! Thellësia jote është e pafund, lartësia jote nuk ka mbarim, gjerësia jote është e pakufi, pastërtia jote e patrazueshme!
Prej teje rrjedhin rrëketë e lumit që “do ta gëzojnë qytetin e Hyjit” (Ps 46 [45], 5), në mënyrë që “me këngë në procesion kremtues” (krh. Ps 42 [41], 5) të mund të këndojnë këngë lavdi, duke treguar, me dëshminë e përvojës, se “tek Ti është burimi i jetës, në dritën tënde ne shohim dritën” (Ps 36 [35], 10).
Përgjigjja Krh. Ps 103 /102/, 2. 4; 34 /33/, 9
C Bekoje, shpirti im Zotin, e mos i harro bamirësitë e tija. * Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti.
D Ai ta shpëton jetën prej varrit, ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.
C Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti.
Himni Te Deum
Të dielave, në të kremte dhe në festa, pas leximit të dytë dhe përgjigjes së shkurtër kryhet himni që vijon:
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimb për ne, o Zot, * ki dhimb për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm, po e nderojmë me gëzim Zemrën e Birit tënd të dashur dhe po i përkujtojmë mrekullitë e dashurisë së tij ndaj nesh, bëj të fitojmë prej këtij burimi të pashtershëm begatinë e hireve të tua. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.