Shërbesa e leximeve
Zemra e papërlyer e Virgjërës Mari
Të shtunën që vijon pas së dielës II pas Rrëshajëve
Përkujtim
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Zemra e papërlyer e Virgjërës Mari
Të shtunën që vijon pas së dielës II pas Rrëshajëve
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.
Himni
Toka deti e qielli
Nderojnë, adhurojnë e shpallin
atë që sundon tri botërat,
e mbart n’krahnor Maria.
Atë që i vijnë rreth ndër shekuj
hëna, dielli e të gjitha,
për hir të reshur t’qiellit
Atë Virgjëra nën zemër bart.
E lumja Nënë e ndershme,
Ndërtuesi hyjnor i botës,
që mban në grusht tërë rruzullimin,
është mbyllur n’arkë t’krahnorit.
Zëri i qiellit t’bëri fatbardhë,
Shpirti i Hyjit të mbuloi,
Prej teje na erdh Shpëtimtari,
Që populli e dëshiroi.
Lavdi ty, o Jezus,
I lindur nga Virgjëra Mari,
me Atin e me Shpirtin
e Shenjtë përherë në amshim. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Vetëm ti, o Zot, bën mrekulli të mëdha: e amshueshme është dashuria jote.
Psalmi 136 /135/ Himni i Pashkëve
Të shpallësh veprat e Zotit do të thotë ta lavdërosh atë (Cassiani).
I (1-9)
Lavdëroni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdëroni Hyjin e hyjnive, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdëroni Zotin e zotave, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i vetmi bëri mrekulli të mëdha, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Me dije të madhe Ai e krijoi qiellin, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e forcoi tokën mbi ujëra, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i krijoi dritëdhënësit e mëdhenj, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Diellin që ta sundojë ditën, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Hënën dhe yjet që ta sundojnë natën, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Vetëm ti, o Zot, bën mrekulli të mëdha: e amshueshme është dashuria jote.
Ant. 2 Prej robërimit e lirove popullin tënd, o Zot, me dorë të fortë e me krah të fuqishëm.
II (10-15)
Ai e goditi Egjiptin në të parëlindurit e tij, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e nxori Izraelin nga mesi i tyre, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Me dorë të fortë e me krah të fuqishëm, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e ndau dysh Detin e Kuq, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E kaloi Izraelin për mjedis të tij, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E plandosi faraonin e ushtrinë e tij në Detin e Kuq, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
saqë foli marrëzisht me buzë të veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Prej robërimit e lirove popullin tënd, o Zot, me dorë të fortë e me krah të fuqishëm.
Ant. 3 Lavdërojeni Hyjin e qiellit, sepse ai na shpëtoi prej armiqve tanë.
III (16-26)
E udhëhoqi popullin e vet nëpër shkretëtirë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i goditi mbretërit e mëdhenj, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Vrau mbretër të fuqishëm, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Sehonin, mbretin e amorrenjve, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Edhe Ogun, mbretin e Basanit, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Dhe i dhuroi tokën, pronën e tyre, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
për trashëgim Izraelit, popullit të vet, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai na kujtoi në përvujtërimin tonë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai na shpëtoi nga armiqtë tanë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai u jep ushqim të gjitha gjallesave, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdërojeni Perëndinë e qiellit, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lavdërojeni Hyjin e qiellit, sepse ai na shpëtoi prej armiqve tanë.
D Më udhëheq, o Zot, udhës sate,
C m’i mëso shtigjet e tua.
Leximi i parë
Prej librit të Jozuehut 24, 1-7. 13-28
Në tokën e premtuar përtërihet besëlidhja.
Jozuehu i bashkoi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem dhe i grishi pleqtë, prijësit, gjyqtarët dhe udhëheqësit. Këta qëndruan në praninë e Hyjit. Atëherë Jozuehu iu drejtua mbarë popullit kështu:
“Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: 'Dikur, moti, etërit tuaj, Tarehu, baba i Abrahamit e i Nakorit, jetonin përtej Lumit dhe u shërbenin hyjnive të huaja. Prandaj unë e mora Abrahamin, babën tuaj, prej tokës së Mesopotamisë, e shpura nëpër mbarë tokën e Kanaanit dhe e shumova farën e tij. Ia dhurova Izakun. Izakut mandej i fala Jakobin dhe Ezaun. Prej tyre, Ezaut i dhashë për pronë bjeshkët e Seirit, kurse Jakobi e bijtë e tij zbritën në Egjipt.
Atëherë dërgova Moisiun e Aronin dhe e godita Egjiptin me shenja të mrekullueshme që i bëra në mesin e tij e pastaj ju nxora prej andej. Unë i nxora etërit tuaj prej Egjiptit dhe arritët deri te deti. Egjiptianët i ndoqën etërit tuaj me karroca e me kalorësi deri te Deti i Kuq. Ata kërkuan ndoren e Zotit dhe Ai lëshoi terrin ndërmjet jush dhe egjiptianëve dhe shtyri mbi ta detin që i mbuloi. Patë me sytë tuaj çfarë bëra në Egjipt. Mandej jetuat në shkretëtirë për një kohë të gjatë.
Unë jua dhashë tokën që nuk e keni punuar, qytetet që nuk i keni ndërtuar e banoni në to; ju dhashë vreshta e ullishta që nuk i mbollët, e po hani prej tyre!”
“Tani, pra, druani Zotin e shërbeni Atij me zemër të përsosur e plotësisht besnike! Flakni tej zotat të cilëve u shërbyen etërit tuaj në Mesopotami e në Egjipt dhe shërbeni Zotit! Por, në qoftë se u duket punë e ligë që t'i shërbeni Zotit, zgjidhni ju sot se kujt doni t'i shërbeni: zotave të cilëve u shërbyen të parët tuaj në Mesopotami, apo zotave të amorrenjve, në tokën e të cilëve banoni. Sa për mua e për shtëpinë time, ne do t'i shërbejmë Zotit!”
Populli u përgjigj: “Zoti mos e thëntë që ta lëmë Atë e t'u shërbejmë zotave të huaj! Zoti, Hyji ynë, Ai na nxori ne dhe etërit tanë nga toka e Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërimit. Ndër sy tanë bëri shenja mrekullisht të mëdha dhe na ruajti në çdo udhë ngado kaluam dhe në mes të gjithë popujve, ndër të cilët kaluam. Mandej, Zoti i dëboi para nesh të gjithë këta popuj, posaçërisht amorrenjtë, banorët e këtij vendi, në të cilin hymë ne. Pra, edhe ne do t'i shërbejmë Zotit, sepse Ai është Hyji ynë!”
Atëherë Jozuehu i tha popullit: “Ju nuk do të mund t'i shërbeni Zotit. Ai është Hyj i shenjtë, Hyj ziliqar që s'mund t'i durojë dot paudhësitë e mëkatet. Nëse do ta lini Zotin e do t'u shërbeni zotave të huaj, Ai do të kthehet kundër jush, do t'ju ndëshkojë e do t'ju shpartallojë, pasi ju ka bërë gjithë ato të mira.”
Populli i tha Jozuehut: “Assesi! Ne do t'i shërbejmë Zotit!”
Atëherë Jozuehu i tha popullit: “Pra, ju vetë jeni dëshmitarë kundër vetvetes, se ju vetë e zgjodhët Zotin për t'i shërbyer.”
U përgjigjën: “Jemi dëshmitarë!”
Jozuehu shtoi: “Hiqni pra, tani, zotat e huaj që janë ndër ju, dhe ktheni zemrat tuaja te Zoti, Hyji i Izraelit!
E populli iu përgjigj Jozuehut: “Do t'i shërbejmë Zotit, Hyjit tonë, dhe do t'i dëgjojmë urdhërimet e tija.”
Kështu, pra, Jozuehu në këtë ditë lidhi me popull Besëlidhjen në Sikem. Caktoi ligje dhe rregullore. Atëherë këto fjalë i shënoi në Librin e Ligjit të Hyjit. Mandej mori një gur tejet të madh dhe e vendosi aty nën qarr, që ishte në Shenjtëroren e Zotit, dhe i tha mbarë popullit: “Ja, ky gur le të jetë dëshmitar kundër jush, sepse i dëgjoi të gjitha fjalët e Zotit që i tha ndër ne, që më vonë të mos keni se si ta mohoni e të rreni Zotin, Hyjin tuaj.”
Atëherë e la popullin të shkojë secili në pronën e vet.
Përgjigjja Krh. Joz 24, 16. 24; 1Kor 8, 5-6
C Zoti mos e thëntë që ta lëmë Zotin e t’ju shërbejmë zotave të huaj. * Do t’i shërbejmë Zotit, Hyjit tonë, dhe do t’i dëgjojmë urdhërimet e tija.
D Edhe pse ka të ashtuquajtura hyjni në qiell ose në tokë, për ne s’ka veç një Hyj.
C Do t’i shërbejmë Zotit, Hyjit tonë, dhe do t’i dëgjojmë urdhërimet e tija.
Leximi i dytë
Nga “ligjëratat” e shën Sofronit, ipeshkëv
(Disc. 2 Për Lajmërimin e Marisë, 2122. 26; PG 87, 3, 3242-3250)
Bekimi i Atit u shndrit njerëzve nëpërmjet Marisë
Të falem hirplote, Zoti me ty (krh. Lk 1, 28). Çfarë mund të jetë më i madhërueshëm se ky gëzim, o Virgjër Nënë? Apo, çka mund të jetë më i madh se ky hir të cilin e pate fat ta fitosh prej Hyjit? Apo çka mund të sajohet më i gëzueshëm dhe më i shkëlqyer se ai hir? Çdo gjë është shumë e largët në krahasim me hirin që shihet në ty, çdo gjë është më e ulët se hiri yt; çdo gjë qëndron në vend të dytë, edhe ato që janë më të pastrat dhe gjithçka ka një shkëlqim absolutisht më të ulët.
Zoti me ty! E kush është ai që ka guxim të vihet në garë me ty? Hyji po vjen tek ti, e kush nuk do të linte hapin e parë e nuk do të jepte përparësinë dhe epërsinë? Për këtë arsye, duke shikuar privilegjet e tua të larta, më të madhërishme se të të gjitha krijesave, thërras me të madhe edhe unë me lavdërime të mëdha: Të falem hirplote, Zoti me ty. Vërtet prej teje gëzimi iu përhap jo vetëm njerëzve, por iu është dhuruar edhe fuqive qiellore. Vërtet “e bekuar je mbi të gjitha gratë”, sepse e ktheve në bekim mallkimin e Evës. Ti bëre që Adami, i cili më parë ishte i shtrirë prej goditjes së mallkimit, të bekohej nëpërmjet teje. Je me të vërtetë e bekuar mbi të gjitha gratë, sepse për hir tëndin bekimi i Atit i shndriti njerëzit dhe i liroi ata nga mallkimi i vjetër. Vërtet e bekuar je mbi të gjitha gratë sepse nëpërmjet teje stërgjyshërit e tu gjetën shëlbimin: ti, pra, do të lindësh Shëlbuesin i cili do t’u dhurojë atyre shëlbimin hyjnor.
Vërtet je e bekuar mbi të gjitha gratë, sepse pa ndërhyrjen njerëzore e prodhove atë fryt, i cili i jep bekimin tokës mbarë dhe e shëlbon nga ai mallkim i cili lindte vetëm ferra.
Vërtet e bekuar je mbi të gjitha gratë, sepse edhe pse je grua me gjendjen tënde natyrore, prapë se prapë do të bëhesh vërtet nëna e Hyjit. Në fakt, Ai që duhet të lindte nga ti është vërtet Hyji i mishëruar, ndërsa ti me të drejtë dhe me plot meritë quhesh lindësja e Hyjit meqë në të vërtetë prej teje lind Hyji.
Ti në fshehtësinë e kraharorit tënd mban vetë Hyjin i cili banon në ty sipas mishit dhe që del prej teje si një dhëndër: ai që e fiton për të gjithë gëzimin dhe u shpërndan të gjithëve dritën hyjnore.
Vërtet, në ty, o Virgjër, si në një qiell të kthjellët dhe të pastër, Hyji e vendosi tendën e vet dhe del prej teje porsi dhëndri nga dhoma martesore (krh. Ps 19 /18/, 6) si gjigant ka vrapuar rrugës në jetën e tij duke u sjellë shëlbimin në çdo gjë njerëzve të gjallë, i cili duke u shtrirë që nga pika më e lartë e qiellit deri në qiejt më të lartët, do të mbushë çdo gjë me nxehtësinë hyjnore dhe në të njëjtën kohë me shkëlqim jetëdhënës.
Përgjigjja
C Më e bekuara mbi të gjitha gratë: e ktheve mallkimin e Evës në bekim; * për shkakun tënd, i shndriti njerëzit bekimi i Atit.
D Nëpërmjet teje, paraardhësit e tu e gjetën shëlbimin:
C për shkakun tënd, i shndriti njerëzit bekimi i Atit.
Lutja
O Hyj, ti përgatite në Zemrën e shën Marisë Virgjër një banesë të denjë për Shpirtin Shenjt: bëj, që edhe ne, me ndërmjetësinë e saj, të meritojmë të bëhemi tempulli i lavdisë sate. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.