Shërbesa e leximeve
Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Për të tjerët koha e dita
e tetë shkëlqen më e shenjtë
në ty që e shenjtëron, Jezus,
i pari i të ringjallurve.
Me ty ti shpirtrat tanë
tash sa më parë bashkë ngjalli;
për ty të ngjallën trupat
të lirë në vdekjen e dytë.
Dhe Ty ndër re së shpejti
o Krisht të dalim para
me ty në vazhdim fitues:
ti jeta dhe ringjallja.
Duke parë fytyrën tënde,
të shëmbëllejmë lavdinë,
të njohim ty siç je:
drita e vërtetë, kënaqësia.
Mbretërinë me shtatë mirosje
të mbushur plot me Atin,
tek ti ne gjejmë gazmim,
Shenjtja Trini do t’i kryejë. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve lutet gjatë ditës:
Në krye të gjitha ditëve
kur u krijua tërë bota
ja kur Krijuesi i ngjallur,
mposht vdekjen, na liron.
Duke flakur larg mpirjet
më shpejt të gjithë të ngrihemi,
të drejtin të kërkojmë natën,
sikur njohëm Profetin.
Lutjet tona të dëgjojë,
të shtrijë dorën e djathtë,
e ky selitë ndoshta
me fli t’i pastrojë,
Që ne secilit në kohën
e shenjtë të kësaj dite
psalim në orë të pushimit,
të na falë dhunti të pasura.
Hyjit Atë i qoftë lavdia
dhe Birit të tij të vetëm,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Çdo ditë të lavdëroj dhe të bekoj, o Zot, aleluja.
Psalmi 145 /144/ Lavdi Zotit - Mbretit të gjithësisë
E pashqyrtueshme është pasuria e Krishtit. Del në dritë para të gjithëve me anë të Kishës të synuar qysh prej amshimit e të zbatuar nëpër Jezu Krishtin, Zotërinë tonë (Krh. Ef 3, 8-11).
I (1-9)
Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im, *
dhe do ta bekoj Emrin tënd përgjithmonë e jetë.
Çdo ditë do të të bekoj *
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
përgjithmonë e jetë.
Zoti është i madh e i lavdërueshëm, *
e pashqyertueshme është madhëria e tij!
Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua *
dhe do ta shpallin pushtetin tënd.
Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate, *
do t’i tregojnë mrekullitë e tua.
Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, *
do t’i kumtojnë veprat e madhërishme të tuat.
Do ta përhapin kujtimin e hirësisë sate të madhe, *
do t’i brohorasin drejtësisë sate.
Zoti është vetë butësia e mëshira, *
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë, *
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Çdo ditë të lavdëroj dhe të bekoj, o Zot, aleluja.
Ant. 2 Mbretëria jote, o Zot, është mbretëri e amshueshme, aleluja.
II (10-13)
Le të të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua *
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate, *
le të kuvendin për pushtetin tënd,
për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde *
dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.
Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme, *
pushteti yt prej breznie në brezni.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Mbretëria jote, o Zot, është mbretëri e amshueshme, aleluja.
Ant. 3 Besnikëri në të gjitha fjalët e Zotit, dashuri në të gjitha veprat e tija, aleluja.
III (14-21)
Besnik është Zoti në të gjitha premtimet e veta, *
i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti ua jep dorën atyre që u merren këmbët, *
i çon ata që rrëzohen.
Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty, *
ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ti e hap dorën tënde *
dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.
I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta *
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin, *
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.
E plotëson dëshirën e atyre që e druajnë, *
ua dëgjon britmën dhe i shpëton.
Zoti i ruan të gjithë ata që e duan, *
kurse të paudhët të gjithë do t’i shuajë.
Goja ime do ta shfaqë lavdinë e Zotit, †
çdo njeri do ta bekojë Emrin e tij të shenjtë *
përgjithmonë e jetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Besnikëri në të gjitha fjalët e Zotit, dashuri në të gjitha veprat e tija, aleluja.
D Biri im, dëgjoji fjalët e mia,
C vërja veshin fjalës sime.
Leximi i parë
Prej librit të Gjyqtarëve 2, 6 – 3, 4
Situata e përgjithshme në kohën e gjyqtarëve.
Në ato ditë Jouzehu e nisi popullin të shkojë dhe bijtë e Izraelit shkuan secili në pronën e vet për ta marrë në trashëgim tokën. I shërbyen Zotit gjatë gjithë jetës së Jozuehut e të pleqve që jetuan një kohë të gjatë pas tij e që i kishin parë të gjitha veprat e mëdha të Zotit, që i kishte bërë për Izraelin. Vdiq Jozuehu, biri i Nunit, shërbëtori i Zotit, njëqind e dhjetë vjeç, dhe e varrosën në pronën e tij në Tamnatares, në malin e Efraimit, në anën veriore të malit Gaas. Po edhe mbarë ajo brezni u bashkua me etërit e vet dhe lindën të tjerë pas tyre që nuk e njihnin Zotin as veprën që kishte bërë për Izraelin.
Atëherë bijtë e Izraelit bënë ç'është e keqe para syve të Zotit e u shërbyen baalëve dhe e lanë Zotin, Hyjin e etërve të vet, që i kishte nxjerrë prej tokës së Egjiptit. Shkuan pas zotave të huaj, pas zotave të popujve që banojnë përreth tyre, i adhuruan ata dhe bënë të hidhërohet Zoti duke e lënë atë e duke i shërbyer Baalit e Astarotit. Zoti u hidhërua dhe i lëshoi në duar të cubave që i plaçkitën. Ua shiti armiqve të tyre që banonin përreth dhe nuk qenë të zotët t'u qëndrojnë përballë armiqve të vet. Ngado donin t'ia mbanin, dora e Zotit ishte mbi ta për të zezën e tyre, sikurse u kishte thënë dhe u ishte përbetuar. Ishin s'ka si më zi.
Atëherë Zoti u ngriti gjyqtarët që t'i shpëtonin nga dora e atyre që i plaçkitnin. Por izraelitët nuk donin t'i dëgjonin as ata, po lavirësonin me hyjni të huaja dhe i adhuronin ato. Shpejt e lanë rrugën nëpër të cilën ecën etërit e tyre që i mbanin urdhërimet e Zotit. Këta bënë gjithçka në kundërshtim. Kur Zoti u ngrinte gjyqtarët, Zoti ishte me gjyqtarin dhe i çlironte prej dorës së armiqve të tyre gjatë tërë kohës së gjyqtarit, sepse Zoti prekej në zemër dhe i dëgjonte gjëmat e të ndrydhurve. Por, posa vdiste gjyqtari, ata përsëri binin në paudhësi edhe më të liga e bënin edhe më keq seç kishin bërë etërit e tyre, duke i ndjekur hyjnitë e huaja, duke u shërbyer atyre e duke i adhuruar: nuk iu shmangën veprave të veta as udhës së vet të mbrapshtë, nëpër të cilën e kishin bërë zakon të ecnin.
Flakë atëherë u ndez hidhërimi i Zotit kundër Izraelit e tha: “Pasi ky popull e shkeli Besëlidhjen time, që e kisha lidhur me etërit e tyre, dhe përbuzën ta dëgjojnë zërin tim, as unë nuk do t'i shpërngul popujt që i la Jozuehu pasi vdiq me qëllim që t'i vë në provë izraelitët me anë të tyre nëse do ta ruajnë udhën e Zotit e do të ecin nëpër të, siç e ruajtën etërit e tyre, ose jo.”
Kjo pra, ishte arsyeja që Zoti i la këta popuj e nuk i dëboi me të shpejtë, as nuk i lëshoi në duar të Jozuehut.
Këta janë popujt që Zoti i la pa i zhdukur për t'i mësuar izraelitët, të gjithë ata që nuk i sprovuan luftërat e kanaanëve. Qëllimi ishte që të mësonin të luftonin me armiq bijtë e Izraelit ‑ brezat që nuk e kishin sprovuar mjeshtërinë e luftës ‑:
mbetën pesë princa filistenj, të gjithë kananejtë, sidonasit, e hevenjtë, që banonin në malet e Libanit prej malit Baalhermon deri në hyrje të Ematit. Bëri kështu për t'i vënë në provë izraelitët nëse do t'i dëgjojnë urdhërimet e Zotit që ua kishte urdhëruar etërve të tyre me anë të Moisiut apo s'do t'i dëgjojnë.
Përgjigjja Ps 106 /105/, 40. 41. 44. 45; krh. Gjq 2, 16
C Flakë u ndez Zoti me hidhërim kundër popullit të vet, i lëshoi në duar të paganëve. Përsëri i priri sytë e vet mbi ta kur e dëgjoi uratën e tyre. * I ra ndër mend Besëlidhja me ta dhe i erdhi keq sipas përdëllimit të vet të madh.
D Atëherë Zoti u ngriti gjyqtarët që t’i shpëtonin nga dora e atyre që i plaçkitnin.
C I ra ndër mend Besëlidhja me ta dhe i erdhi keq sipas përdëllimit të vet të madh.
Leximi i dytë
Nga traktati “Mbi Ati ynë” i shën Ciprianit, ipeshkëv dhe martir
(Nr. 4-6; CSEL 3, 268-270)
Le të shpërthejë lutja nga një zemër e thjeshtë.
Për ata që luten, fjalët dhe lutja le të bëhen në mënyrë të tillë që të përfshijnë në vete heshtjen dhe druajtjen. Të mendojmë se gjendemi në praninë e Hyjit. Është e nevojshme t’i pëlqejmë syve hyjnor si me qëndrim të trupit ashtu edhe me tonalitetin e zërit. Dhe vërtet, ashtu si është vetí e çapkënëve të bëjnë potere me gërthitje, kështu, në të kundërtën i ka hije atij që është i edukuar mirë që të lutet me maturi e përqendrim. Veç kësaj, Zotëria na ka urdhëruar dhe mësuar të lutemi në fshehtësi, në vende të mënjanuara dhe të largëta, në vetë vendbanime. Është vetí që i përket fesë, të dimë se Hyji është i pranishëm në çdo vend, se ai i dëgjon dhe i sheh të gjithë, dhe se me plotësinë e lartmadhërisë së tij ai përshkon edhe vendet më të fshehta, sikurse është shkruar: A kujton se unë jam Hyj vetëm nga afër – është fjala e Zotit – e prej së largu më s’jam Hyj? A mund të fshihet kush në ndonjë skutë, ku unë atë nuk mund ta shoh? Vallë, s’i mbushkam unë qiell e tokë?” (krh. Jer 23, 23-24). Dhe prapë thotë: “Sytë e Zotit janë në çdo vend: i vrojtojnë të marrët e të urtët” (Fu 15, 3).
E kur të bashkohemi me vëllezër dhe t’i kremtojmë me meshtarin e Hyjit misteret hyjnore, duhet të kujtojmë respektin dhe edukimin e mirë: mos t’i valëvisim në çdo anë lutjet tona me zëra të parregullt, e mos të shprehim me llafazanëri një lutje që duhet t’i besohet Hyjit me një qëndrim të përvuajtur dhe të devotshëm. Hyji nuk e dëgjon zërin, por e dëgjon zemrën. Nuk është e nevojshme të bërtasim për ta fituar vëmendjen e Hyjit, sepse ai i sheh mendimet tona. Këtë gjë e tregon shumë mirë kur thotë: “Pse mendoni keq në zemrat tuaja?” (Mt 9, 4). Dhe në një vend tjetër thotë: “Dhe të gjitha kishat do ta dinë: unë jam ai që shqyrton ndjenjat dhe zemrat” (Zb 2, 23).
Për këtë arsye në librin e parë të Mbretërve, Ana, që mbante në vetvete figurën e Kishës, i ruan dhe i mban ato gjëra që i kërkonte Hyjit, duke mos ia kërkuar me zë të lartë, por qetë dhe me kujdes, madje, në vetë fshehtësinë e zemrës. Fliste me lutje të fshehtë, por me fe të shfaqur. Fliste jo me zë, por me zemër, meqë e dinte se Hyji kështu dëgjon. Fitoi atë që kërkoi, sepse e kërkoi me besim. Këtë gjë e pohon në mënyrë shumë të qartë Shkrimi hyjnor: Fliste në zemrën e vet, luante vetëm buzët e zëri nuk i dëgjohej fare, e Zoti e dëgjoi lutjen e saj (krh. 1 Sam 1, 13). Në të njëjtën mënyrë lexojmë edhe në psalme: Përsiatni në zemrat tuaja dhe në shtrojat tuaja (krh. Ps 4, 5). Nëpërmjet Jeremisë Shpirti Shenjt këshillon dhe mëson duke thënë: Vetëm Ty duhet të të adhurojmë në ndërgjegjen tonë, o Zot!” (krh. Bar 6, 5).
Prandaj, o vëllezër fort të dashur, ai që lutet le të marrë parasysh se në ç’mënyrë u lut tagrambledhësi bashkë me fariseun në tempull. Nuk i mbante sytë e lartësuar në qiell me pafytyrësi, nuk i ngrinte duart në mënyrë të papërmbajtur, por duke e rrahur kraharorin e vet dhe duke i dënuar mëkatet e veta që gjendeshin në thellësinë e intimitetit të tij, kërkonte me lutje mëshirën hyjnore. Dhe ndërsa fariseu kënaqej me vetveten, qe tagrambledhësi ai që meritoi të dalë i shfajësuar, sepse lutej në mënyrë të drejtë dhe nuk e kishte vënë shpresën e shëlbimit në besim ndaj pafajësisë së vet, meqë askush nuk është i pafajshëm. Lutej pasi që i kishte rrëfyer me përvujtëri mëkatet e veta. Dhe kështu ai që i fal të përvuajturit, e dëgjoi lutjen e tij.
Përgjigjja
C Ja qëndrimi ynë para Hyjit dhe para engjëjve të tij: * në këndim të psalmeve, shpirti ynë le të akordohet me zërin.
D Jo në saje të fjalëve të shumta, por në saje të zemrës së pastër dhe të pendesës së thellë ne e dimë se dëgjohet lutja jonë,
C në këndim të psalmeve, shpirti ynë le të akordohet me zërin.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që në zbatim të urdhërimeve tua të të pëlqejmë ty me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.