Shërbesa e leximeve
Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë natës apo shumë herët në mëngjes.
Përtërirë në gjymtyrë nga gjumi,
braktisur shtratin, ngrihemi:
Neve, Atë, që ty të thërrasim
na u gjend pranë të lutemi.
Të parin ty këndoftë goja,
ty të lakmoftë afshi i zemrës,
ti, o i shenjtë, të jesh burimi
për ndjekësit e tu ndër vepra.
Terri t’ia lëshojë vendin dritës,
dhe nata yllit të ditës,
fajin që e sjell nata
ta zbusë dhurata e dritës.
Po ne lutësit të lypim
na i fal të gjitha fajet,
nga gojët që ty të këndojnë
n’amshim të lavdërohesh.
Na ruaj, Atë mëshirëploti
dhe o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëron në gjithë shekujt. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë ditës.
Hyjni, drita e amshueshme,
në Trini e njësuar,
Ty të rrëfejmë ne të dobëtit,
Ty nxehtësisht të lutemi.
Besojmë Prindin e epërm,
dhe të vetmin Bir të Atit,
dhe Shpirtin që i bashkon
lidhjet e dashurisë.
O dashuri, o e vërteta,
o qëllimi dhe mirësia,
bëj të shpresojmë, të besojmë,
na bëj të duam t’arrijmë.
Ti je mbarimi e nisja,
burimi i të gjitha sendeve,
ti vetëm je ngushëllimi,
shpresa e sigurt e besimtarëve.
Vetëm ti i bën të tëra,
veç ti u mjafton të gjithëve,
për të gjithë je drita e vetme
dhe çmimi i shpresëtarëve.
Lusim Krishtin dhe Atin,
e Krishtit e t’Atit Shpirtin;
Trini, fuqia e vetme
për të gjitha, ngrohi lutësit. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Hyji ynë po vjen, nuk fshihet dhe nuk hesht.
Psalmi 50 /49/ Kulti që i pëlqen Zotit
Krishti nuk erdhi për ta asgjësuar Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta asgjësuar Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).
I (1-6)
Flet Zoti, Hyji i hyjnive *
dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.
Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *
Hyji ndriçon!
Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: †
para i shkon zjarri që përpin, *
përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.
E thërret qiellin prej së larti *
edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:
»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *
që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«
Qiejt shpallin drejtësinë e tij *
sepse Hyji është gjykatës!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Hyji ynë po vjen, nuk fshihet dhe nuk hesht.
Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.
II (7-15)
»Dëgjo, populli im, dua të flas, †
o Izrael, dëshmoj kundër teje: *
unë Hyji jam, Hyji yt!
Nuk të qortoj për flitë e tua, *
flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!
S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *
as cjap prej tufave të tua.
Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *
me mijëra kafshë në malet e mia.
I njoh të gjithë shpendët e ajrit *
dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!
Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *
imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.
Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *
e pi gjak cjepsh?
Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *
dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,
e më thirr në ditën e travajit: *
unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.
Ant. 3 Dashuri dua, e jo therore: jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.
III (16-23)
Mëkatarit Hyji i thotë: †
»Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *
Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,
kur ti e urren disiplinën, *
pas shpine i hedh urdhrat e mi?
Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *
e me lavire vazhdimisht merr pjesë.
Gojën tënde e përdor për fitme, *
gjuha jote thur dredhi.
Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *
çnderon djalin e nënës sate.
Kështu veprove e unë heshta. †
A mendon ti se unë jam si ti? *
Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë
mëkatet e tua.«
Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †
mos me bëni t’ju fut në thonj *
se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.
Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †
do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *
atij që ecën udhës së drejtë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Dashuri dua, e jo therore: jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.
D Dëgjo, o populli im, dëshiroj të flas:
C unë jam Hyj, Hyji yt.
Prej librit të Gjyqtarëve 4, 1-24
Debora dhe Baraku.
Rifilluan, pra, bijtë e Izrealit të bëjnë të keqen para syve të Zotit pas vdekjes së Aodit. Zoti i lëshoi në duar të Jabinit, mbretit të Kanaanit, që mbretëronte në Asor. Për prijës të ushtrisë së vet kishte Sisarën që jetonte në Harosetin Pagan.
Izraelitët i lëshuan kushtrimin Zotit. E Jabini kishte nëntëqind karroca hekuri dhe për njëzet vjet i ndrydhte pa mëshirë izraelitët.
Asokohe ishte në Izrael gjyqtare një grua, profetesha Deborë, gruaja e Lapidotit. Ajo rrinte nën Palmën e Deborës ndërmjet Ramës e Betelit, në Malësinë e Efraimit. Tek ajo shkonin izraelitët për çështje pleqërie. Ajo çoi e thirri Barakun, birin e Abinoemit prej Cedesit të Neftaliut, dhe i tha: “Të ka urdhëruar Zoti, Hyji i Izraelit: Shko e sille ushtrinë në malin e Taborit. Merri me vete dhjetë mijë luftëtarë prej bijve të Neftaliut e bijve të Zabulonit. Unë do ta dërgoj kundër teje, në vendin e përroit Cison, Sisarën, prijësin e ushtrisë së Jabinit, karrocat e tija dhe mbarë aradhet e tija dhe do ta lëshoj në duar të tua.” Baraku iu përgjigj: “Nëse vjen ti me mua, shkoj; po s'erdhe ti me mua, unë nuk do të nisem.” Ajo i tha: “Do të vij, po, me ty; por kësaj here nderi nuk do të mbesë ty! Sepse Zoti do t'ia lëshojë në dorë Sisarën një gruaje.”
U ngrit, pra, Debora dhe shkoi me Barakun në Cedes. Baraku i thirri Zabulonajt e Neftaliajt në Cedes dhe u nis me dhjetë mijë luftëtarë. Me të ishte edhe Debora.
Haberi cineas ishte ndarë prej cineasish të tjerë vëllezër, bijtë e Hobabit, kunatit të Moisiut dhe e kishte ngulur tendën te Qarri i Saananimit, përbri Cedesit.
E lajmëruan edhe Sisarën se kishte dalë në malin Tabor Baraku, i biri Abinoemit. Sisara i bashkoi të gjitha nëntëqind karrocat e hekurta edhe mbarë ushtrinë që ishte me të qysh prej Harosetit Pagan deri në përruan Cison.
Debora i tha Barakut: “Ngrihu: erdhi dita kur Zoti po ta lëshon në dorë Sisarën! Qe, vetë Zoti po të prin!”
Zbriti, pra, Baraku prej malit të Taborit e me të edhe dhjetë mijë luftëtarët. E Zoti ia shtiu frikën Sisarës, mbarë karrocave dhe ushtrisë së tij prej shpatës së Barakut, aq sa Sisara zbriti prej karroce e iku këmbë, e Baraku i ndoqi karrocat e mbarë ushtrinë deri në Harosetin Pagan dhe mbarë ushtria qe prerë deri në shfarosje.
Duke ikur Sisara arriti në çadrat e Jahelës, gruas së Haberit cineas; Jabini, mbreti i Asorit, ishte në paqe me shtëpinë e Haberit cineas. Jahela i doli para Sisarës e i tha: “Hyr tek unë, imzot! Hyr e mos u tremb!” Ai hyri në çadër dhe ajo i qiti sipër një mbulojë. Sisara i tha: “Të lutem, më jep pak ujë se jam etshëm.” Ajo e çeli rrëshiqin dhe i dha të pijë qumësht, pastaj e mbuloi. Sisara i tha: “Qëndro para derës së tendës e, nëse vjen ndokush e të pyet e të thotë: 'A mos është kush këtu?' përgjigjju: 'Askush.'“
Jahela, gruaja e Haberit, mori një kunj çadre po ashtu edhe një çekiç, hyri brenda fshehtas e në heshtje, ia vuri kunjin në tëmthin e kresë së tij, i solli me çekiç dhe ia nguli tejpërtej në tru, saqë kunji u ngul në dhe. Sisara duke e shoqëruar gjumin me vdekje, vdiq. Dhe, ja, po vinte Baraku duke ndjekur Sisarën. Jahela i doli përpara e i tha: “Eja e do të ta tregoj njeriun që kërkon.” Baraku, kur hyri, e pa Sisarën të shtrirë vdekur me kunj të ngulur në tëmth.
E përuli, pra, Hyji atë ditë Jabinin, mbretin e Kanaanit, para bijve të Izraelit. Izraelitët forcoheshin dita‑ditës dhe dora e tyre gjithnjë e më fort rëndonte mbi Jabinin, mbretin e Kanaanit, derisa ia tretën farën.
Përgjigjja Krh. 1 Kor 1, 27. 29; 2Kor 12, 9; 1Kor 1, 28
C Hyji i zgjodhi të marrët në sy të botës për t’i turpëruar të mençurit në mënyrë që asnjë njeri të mos mburret para Hyjit. * Fuqia e tij shfaqet në dobësinë tonë.
D Hyji i zgjodhi mu ata që nuk janë, që t’i asgjësojë ata që janë.
C Fuqia e tij shfaqet në dobësinë tonë.
Leximi i dytë
Nga traktati “Mbi Ati ynë” e shën Ciprianit, ipeshkëv dhe martir
(Nr. 8-9; CSEL 3, 271-272)
Lutja jonë duhet të jetë publike dhe e përgjithshme.
Para së gjithash mësuesi i paqes dhe i njësisë nuk deshi që lutja të jetë vetëm individuale dhe private, domethënë egoiste, ashtu si atëherë kur një njeri lutet vetëm për vete. Ne nuk themi: “Ati im, që je në qiell”, as: “Bukën time të përditshme ma e jep sot”, as nuk kërkon çdonjëri që t’i falet faji i tij, as që vetëm ai të mos bjerë në tundim apo të lirohet nga i keqi. Për ne lutja është publike dhe e përgjithshme, e kur të lutemi, ne nuk lutemi vetëm për një njeri të vetëm por për të gjithë popullin, sepse i gjithë populli formon një gjë të vetme.
Hyji i paqes dhe mësuesi i harmonisë, ai që e mësoi njësinë, deshi që çdonjëri të lutej për të gjithë, ashtu sikurse edhe ai i barti të gjithë në një person të vetëm.
Këtë ligj të lutjes e mbajtën tre djelmoshat e mbyllur në furrën e zjarrtë, kur u akorduan me një zë në lutje dhe ishin të një zemre në akordet e shpirtit. E pohon Shkrimi hyjnor. Duke na thënë se janë lutur të bashkuar, na jep një shembull për ta ndjekur, në mënyrë që edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë. Atëherë këta të tre, pothuajse një zëri e lavdëronin, e madhëronin dhe e bekonin Hyjin (krh. Dan 3, 51). Flisnin si një zëri, e pra Krishti nuk u kishte mësuar ende atyre që të luteshin.
Pikërisht pse luteshin kështu, fjalët e tyre ishin të frytshme dhe u plotësua lutja e tyre: lutja e frymëzuar nga paqja, e thjeshtë dhe e brendshme e fiton mirëdashjen e Hyjit. E gjejmë të shkruar se apostujt luteshin kështu së bashku me nxënësit pas ngjitjes së Zotërisë në qiell. Thuhet: “Të gjithë këta ishin të përqendruar prore së bashku në uratë me disa gra, me Marinë, Nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij” (Vap 1, 14). Ishin të përqendruar dhe të një zëri në lutje, duke shfaqur si me përqendrueshmërinë e lutjes së tyre ashtu edhe me harmoninë e tyre, se Hyji, i cili bën që të banojnë në një shtëpi ata që janë të një zemre, nuk pranon kënd tjetër në banesën hyjnore dhe të amshuar përpos atyre që luten në njësi të zemrave. Vëllezër të dashur, cilat dhe sa janë zbulesat e lutjes së Zotit! Ato gjenden të përmbledhura në një lutje shumë të shkurtër, por të mbushur plot me fuqi shpirtërore. Nuk ka absolutisht asgjë që nuk përfshihet në këtë lutje lavdërimi dhe kërkese. Ajo, pra, formon një përmbledhje të vërtetë të doktrinës qiellore.
Njeriu i ri, i rilindur dhe i riformuar prej Hyjit të vet nëpërmjet hirit të tij, në radhë të parë thotë “Atë”, sepse tanimë ka filluar të jetë biri i tij. Kështu është shkruar: “Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij” (Gjn 1, 11-12).
Pra, ai që ka besuar në emrin e tij dhe është bërë bir i Hyjit, duhet të fillojë prej këtu, duke falënderuar dhe duke dëshmuar se është bir i Hyjit, pasi tregon se Hyji i është Atë në qiell.
Përgjigjja Ps 22 /21/, 23; 57 /56/, 10
C Do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd, * do të të lavdëroj në kuvendin e dheut.
D Do të të lavdëroj ndër popuj, o Zot, ty do të të këndoj ndër kombe;
C do të të lavdëroj në kuvendin e dheut.
Lutja
O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që në zbatim të urdhërimeve tua të të pëlqejmë ty me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.