Shërbesa e leximeve

Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E martë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Pjesëtar i dritës atërore,

   ai vetë dritë drite e ditë,

   me këngë ne e thyejmë natën:

   kërkuesve gjendu pranë.

 

   Hiqi errësirat e mendjeve

   zhduki turmat e djajve,

   largo me forcë dremitjet,

   mos t’ua kalojnë përtacëve.

 

   Kështu, o Krisht, ne të gjithëve

   që në ty besojmë, mëshirona,

   të jetë për dobi të lutësve,

   që këndojmë duke prirë me këngë.

 

   Ty, Krisht, mbret krejt i shenjtë,

   me Atin të qoftë lavdia,

   dhe me Shpirtin Ngushëllues,

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Trini krejt e shenjtë,

   që urdhëron çdo gjë që krijove,

   ditën për punë caktove,

   natës prehjen ia fale.

 

   Si n’agim edhe në t’errur,

   natë e ditë për ty këndojmë;

   ti ne në lavdinë tënde

   na ruaj në të gjitha kohët.

 

   Pranë teje shtrirë për dhe

   të adhurojmë si robër,

   kushte e uratë të lutësve

   bashko me himnet e qiellorëve.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjtë,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëron në të gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 U lartësoftë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij.

 

   Psalmi 68 /67/ Hyrja ngadhënjimtare e Zotit

 

   Kur u ngrit në lartësi i mori me vete robërit dhe u dha dhurata njerëzve. Ai që »zbriti«, është po Ai që »u ngrit« mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë (Ef 4, 8. 10).

 

   I (2-11)

 

U ngrittë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, *

   u zhdukshin prej syve të tij ata që e urrejnë!

 

Si zhduket tymi ashtu ti i shpërndan, †

   si shkrihet dylli përballë zjarrit, *

   ashtu të zhbihen keqbërësit përpara Hyjit!

 

Kurse të drejtët le të gëzohen në praninë e Hyjit, *

   le të galdojnë e le të brohorasin me hare.

Këndoni Hyjit, madhërojeni Emrin e tij, *

   bëni udhë Atij që kalëron mbi re:

»Zot« është Emri i tij, *

   vallëzoni në praninë e tij!

 

Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave *

   është Hyji në banesën e vet të shenjtë.

 

Hyji u siguron banesën të pashtëpive, †

   u hap të burgosurve derën e lirisë, *

   kundërshtarët i flak në shkretëtirë të thatë.

 

O Hyj, kur dilje para popullit tënd, *

   kur ti kaloje nëpër shkretëtirë:

trandej toka, qielli rigonte *

   para Hyjit të Sinait, para Hyjit të Izraelit.

 

Shi të mbushullimtë lëshoje, o Hyj, *

   e ripërtërije trashëgimin tënd të lodhur.

Gjëja e gjallë jotja banonte në atë vend *

   që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 U lartësoftë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij.

 

Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon, ai na liron nga vdekja.

 

   II (12-24)

 

Zoti shpall një lajm *

   e vajzat sihariqtare janë një ushtri e tërë:

»Mbretërit e ushtrive ikin e ikin *

   e bukuroshja e shtëpisë prenë e ndan!

 

Ndërsa ju pushoni në mesin e grigjave, †

   krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë si argjendi, *

   e pendlat e saj porsi ari i verdhë.

 

Ndërsa aty i Gjithëpushtetshmi mbretërit i thyente, *

   Selmoni zbardhonte me dëborë!«

 

Mali i Hyjit, mali Basan, *

   mal i thepisur, mali Basan!

Përse ju, o male të thepisura, me smirë shikoni †

   malin ku Hyjit i pëlqeu të banojë? *

   Zoti në të do të banojë gjithherë!

 

Qerret e Hyjit dhjetëra mijëra mijërash: *

   Zoti vjen nga Sinai në Shenjtërore!

 

U ngjite lart, skllave skllavërinë e bëre, †

   dhuratë njerëzit i more, *

   që edhe kryengritësit të banojnë te Zoti Hyj.

 

Qoftë bekuar Zoti si një ditë për ditë! *

   Për ne kujdeset Hyji i shëlbimit tonë.

Hyji ynë është Hyj që shëlbon, *

   e Zotit, e Zotit është dera e vdekjes!

 

Patjetër Hyji armiqve të vet kryet do t’ua thyejë, *

   butin flokëshumë të atyre që ecin në udhë të këqija.

 

Tha Zoti: »Nga Basani do t’i kthej, *

   do t’i kthej nga thellësia e detit,

 

që ta lash këmbën tënde në gjak, *

   që edhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesë në armiq!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon, ai na liron nga vdekja.

 

Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës, këndoni Zotit himne.

 

   III (25-36)

 

U panë, o Hyj, procesionet e tua, *

   procesionet e Hyjit tim, mbretit tim në Shenjtërore:

 

Përpara këngëtarët, muziktarët pas, *

   në midis vashat duke u rënë defave!

 

»Të gjithë bekojeni Hyjin në bashkime, *

   bekojeni Zotin, o bijtë e Izraelit!«

 

Aty djaloshi Beniamin u prin, †

   princat e Judës me togat e veta, *

   princat e Zabulonit, princat e Neftaliut!

Tregoje, o Hyj, fuqinë tënde, *

   përforcoje, o Hyj, çfarë bëre për ne,

prej Tempullit tënd në Jerusalem. *

   Mbretërit le të sjellin dhurata!

 

Kërcënoju egërsirës së kallamit, †

   lorisë së mëzetërve e viçave të popujve, *

   le të përulen e le të sjellin pllaka argjendi;

 

shpërndaji popujt që luftës i gëzohen! †

   Do të vijnë bujarët nga Egjipti, *

   Etiopia do t’i drejtojë duart nga Hyji!

 

Mbretëri të tokës, këndoni Hyjit, *

   këndoni Zotit, këndoni Hyjit,

që kalëron mbi qiellin e qiellit të amshueshëm. *

   Ja, ai e ngre zërin, zërin e fuqishëm:

 

»Pranojeni gjithëpushtetësinë e Hyjit!« †

   Mbi Izraelin madhëria e tij, *

   përmbi re fuqia e tij!

 

I mrekullueshëm je, o Hyj, nga Shenjtërorja jote! †

   Hyji i Izraelit i jep pushtet e fuqi popullit të vet. *

   Qoftë bekuar Hyji!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës, këndoni Zotit himne.

 

   D Do ta dëgjoj fjalën e Zotit:

   C ai i flet për paqe popullit të vet.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Gjyqtarëve 6, 1-6. 11-24a

 

   Thirrja e Gjedeonit.

 

   Në ato ditë, prapë bijtë e Izraelit bënë të keqen ndër sy të Zotit dhe Zoti i lëshoi në duar të madianëve për shtatë vjet. Dora e madianëve erdhi gjithnjë duke u rënduar mbi izraelitët. Izraelitët prej frikës së tyre jetonin shpellave të maleve e në vende të papërshkueshme. Kur izraelitët mbillnin, vinin madianët, amalekët e të tjerë të popujve të lindjes, i ngulnin çadrat e veta ndër ta, dhe siç ishin në kullota, rrënonin gjithçka deri në hyrje në Gazë dhe nuk linin asgjë në Izrael që nevojitet për jetesë as dele, as lopë, as gomarë. Sepse vinin me bagëtitë e tyre me çadra me shumicë të madhe si karkalecat dhe mbulonte gjithçka shumica e madhe e njerëzve dhe e deveve, kështu që çkado preknin, shkretëronin.

   Kështu Izraeli ra në mjerim tejet të madh për shkak të madianëve.

   Erdhi engjëlli i Zotit e ndenji nën qarr që ishte në Efër e ishte i Joasit, prej barkut të Abiezerit. Ndërsa Gjedeoni, biri i tij, po e fshinte me shqupi e po e pastronte grurin për ta fshehur prej madianëve, iu dëftua engjëlli i Zotit e i tha: “Zoti me ty, o burrë i fortë!” Gjedeoni iu përgjigj: “Më fal, Imzot; nëse Zoti është me ne, pse na gjetën të gjitha këto të zeza? Ku janë të gjitha ato mrekullitë e tija, për të cilat na folën etërit tanë e na thanë: 'Zoti na nxori nga Egjipti!?' Por tash Zoti na la edhe na lëshoi në duar të Madianit.” Zoti ia nguli sytë dhe i tha: “Hajt me atë fuqi që ke dhe çliroje Izraelin prej dorës së Madianit! Dije se unë të dërgova!”

   Por Gjedeoni iu përgjigj: “Më fal, o Zot, po si do ta çliroj Izraelin? Qe, barku im është më i vogël në Manasé e unë më i vogli në shtëpinë e tim ati!” E Zoti i tha: “Unë do të jem me ty. Ti do ta zhbish Madianin si të ishte një njeri i vetëm.” Gjedeoni vijoi: “Nëse vërtet gjeta hir para teje, më jep një shenjë se je ti që po flet me mua. Mos u largo prej këndej para se të kthehem e të të sjell një dhuratë për ta kushtuar.” Ai iu përgjigj: “Do të të pres derisa të kthehesh.”

   Gjedeoni hyri në shtëpi, përgatiti një edh dhe një ef miell bukë ndore. Mishin e qiti në shportë e lëngun e mishit në vegsh, i pruri të gjitha nën qarr dhe ia shtroi përpara.

   Atëherë engjëlli i Hyjit i tha: “Merre mishin dhe bukët ndore e vëri në atë gur dhe hidh mbi ta lëngun e mishit.” Kur ai bëri ashtu, engjëlli preku me majë të shkopit që kishte në dorë mishin dhe bukët ndore. Shpërtheu zjarri prej qetës dhe përpiu mishin e bukët e pabrume. Atëherë engjëlli i Zotit u zhduk prej syve të tij. Kur pa Gjedeoni se kishte qenë engjëlli i Zotit, tha: “Heu! Keq për mua, o Zot Perëndi! Po unë e pashë engjëllin e Zotit faqe‑faqas!” Por Zoti i tha: “Paqja me ty! Mos u tremb! Jo, nuk do të vdesësh!”

   Gjedeoni në atë vend ndërtoi një lter për nder të Zotit dhe e quajti: “Zoti ‑ Paqe.”

   Edhe sot e kësaj dite gjendet në Efër të bijve të Abiezerit.

 

   Përgjigjja Krh. Is 45, 3-4; Gjq 6, 14; Is 45, 6

 

   C Unë jam Zoti, Hyji i Izraelit, që të thirra për emër. Për dashuri të shërbëtorit tim Jakobit e të Izraelit, të të zgjedhurit tim. * Hajt me atë fuqi që ke dhe çliroje Izraelin.

   D Le të dihet prej lindjes në perëndim, se pos meje, askush tjetër s’është Zot.

   C Hajt me atë fuqi që ke dhe çliroje Izraelin.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga traktati “Mbi Ati ynë” i shën Ciprianit, ipeshkëv dhe martir

   (Nr. 11-12; CSEL 3, 274-275)

 

   U shenjtëroftë emri yt.

 

   Sa i çmueshëm është hiri i Zotit, sa i lartë është denjimi i tij e sa e mrekullueshme është mirësia e tij ndaj nesh! Ai deshi që ne ta kremtonim lutjen tonë para tij dhe ta thirrnim me emrin “Atë”, dhe ashtu sikurse Krishti është Biri i Hyjit, edhe ne të quheshim bij të Hyjit. Askush prej nesh nuk do të guxonte ta shqiptonte këtë emër në lutje, po të mos na kishte lejuar ai vetë të luteshim kështu. Duhet pra, vëllezër të dashur, të kujtohemi dhe të dimë se, nëse themi se Hyji është Ati ynë, duhet të sillemi si bij të Hyjit, kështu që, sikurse ne përgëzohemi në Hyjin Atë, kështu të përgëzohet edhe ai në ne.

   Të sillemi si tempull i Hyjit, në mënyrë që të shihet se Hyji banon në ne. Dhe sjellja jonë mos të jetë në kundërshtim me shpirtin, sepse, pasi kemi filluar të jemi krijesa shpirtërore dhe qiellore, nuk duhet të mendojmë as të kryejmë vepra të tjera përpos atyre shpirtërore dhe qiellore, meqë vetë Zoti thotë: “Unë do t’i nderoj ata që më nderojnë, kurse ata që më përbuzin, do të jenë të përbuzur” (1 Sam 2, 30).

   Edhe Apostulli i lumtur në njërën prej letrave të tija ka shkruar: “Nuk i përkitni vetvetes; sepse jeni blerë me çmim të lartë. Prandaj, jepni lavdi Hyjit në trupin tuaj!” (1 Kor 6, 19-20).

   Pas kësaj themi: “U shenjtëroftë emri yt”, jo sepse dëshirojmë që Zoti të shenjtërohet prej lutjeve tona, por sepse i kërkojmë Zotit që në ne të shenjtërohet emri i tij. Nga ana tjetër, prej kujt mund të shenjtërohet Hyji, kur është ai vetë që shenjtëron? Ai tha: “Jini të shenjtë, sepse edhe vetë jam i shenjtë” (Lev 11, 45). Për këtë arsye ne kërkojmë dhe lutemi që, të shenjtëruar me anë të pagëzimit, të jemi të qëndrueshëm në atë çka kemi filluar të jemi. E këtë gjë e kërkojmë çdo ditë. Dhe vërtet, ne kemi nevojë për një shenjtërim të përditshëm. Pasi që mëkatojmë çdo ditë, duhet të pastrohemi prej mëkateve tona me një shenjtërim të pandërprerë.

   Se cili është shenjtërimi që kryhet në ne prej mëshirës së Hyjit, këtë e shpall Apostulli duke thënë: “As fëlligështarët, as idhujtarët, as kurorëthyesit, as homoseksualët e çdo lloji, as vjedhësit, as pijanecët, as shpërrallësit, as cubat nuk do të kenë pjesë në Mbretërinë e Hyjit. Pra, të tillë ishit disa, por u latë, por u shenjtëruat, por e fituat shfajësimin në saje të Emrit të Jezu Krishtit Zot dhe të Shpirtit të Hyjit tonë” (1 Kor 6, 9-11). Na thotë: u shenjtëruat në emër të Jezu Krishtit Zot dhe të Shpirtit të Hyjit tonë. Ne lutemi që ky shenjtërim të mbetet në ne. E meqë Zoti dhe gjykatësi ynë bën që të mos mëkatojnë më ata që janë shëruar apo ringjallur prej tij, kështu që të mos u ndodhë diçka më e keqe, t’i kërkojmë ditë e natë që të ruajë në ne atë shenjtëri dhe atë jetë, që vjen prej hirit të tij.

 

   Përgjigjja Ez 36, 23. 25. 26. 27; Lev 11, 44

 

   C Do ta shenjtëroj emrin tim. Do të zbraz mbi ju një ujë të pastër; do t’ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, * do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia e t’i zbatoni gjyqet e mia.

   D Jini të shenjtë sepse unë jam i shenjtë:

   C do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia e t’i zbatoni gjyqet e mia.

 

   Lutja

 

   O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që në zbatim të urdhërimeve tua të të pëlqejmë ty me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.