Shërbesa e leximeve
Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Krijuesi i madh i sendeve,
sunduesi ynë, shikona;
ne nga pushimi i dëmshëm
zhytur në plogështi shpëtona.
Ty, o Krisht i Shenjtë, të lusim;
Ti na i fal fajet tona,
për t’i rrëfyer ngrihemi,
gjumin e natës prishim.
Po ngremë lart mendje e duar,
për të kaluar netët
siç na mësoi profeti
që e vlerësoi dhe Pali.
Ti e sheh të keqen që vuajtëm;
të fshehtat tona i hapim,
me ofshamë po i derdhim lutjet,
na shlyej çka ne mëkatuam.
Ty të qoftë, Krisht, mbret i drejtë,
dhe ty, o Atë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Hyj i diturive,
ty të qoftë brohoritja,
që i shikon zemrat tona
e i ngroh me hirin tënd.
O bari i shkëlqyer,
ndërsa ruan të mirin, të humburin kërkon,
në kullota shumë të gratshme
në grigjë të zgjedhur na bashko.
Tmerri i mërisë së gjykatësit
mos të na bashkojë me dhi të pahijshme,
me ty gjykatës të jemi
dhen në kullotë t’amshuar.
Ty, shpërblimtar, lavdi,
nderim, virtyt, fitore,
që sundon mbi të gjitha
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.
Psalmi 89 /88/ (2-38) Mëshira e Zotit ndaj shtëpisë së Davidit
Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin (Vap 13, 23).
I (2-19)
Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj, *
brez pas brezi goja ime
do të shpallë besnikërinë tënde.
Sepse the: »Hiri im qëndron për amshim«, *
në qiell është e themeluar besnikëria jote!
»Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim, *
i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:
Farën tënde do ta ruaj për amshim, *
froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.«
Qiejt i këndojnë veprat e tua, o Zot, *
kuvendi i shenjtërve besnikërinë tënde!
E kush ndër re është i barabartë me Zotin? *
Kush është i ngjashëm ndër zota me Zotin?
I tmerrshëm është Hyji në logun e shenjtërve, *
i madh e i përfrigueshëm mbi të gjithë
ata që i rrinë përreth.
O Zot, Hyji i ushtrive, kush është si ti? *
I pushtetshëm je, o Zot, e besnikëria të rrethon!
Ti zotëron kreninë e detit, *
ua ul kryet valëve të tërbuara.
Ti e copëtove Rahabin dhe e shqelmove, *
me krah të fuqishëm armiqtë i shpërndave.
Yti është qielli, jotja është Toka, *
ti e krijove tokën dhe gjithçka ajo përmban.
Veriun e jugun ti i krijove, *
Tabori e Hermoni i brohoritin Emrit tënd.
Krahu yt është plot fuqi, *
e fortë është dora jote, e lartësuar e djathta jote!
Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd, *
dashuria dhe e vërteta gjithkund të shkojnë përpara.
Lum ai popull që di të brohorasë, *
që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!
Përherë do të gëzojë në Emër tënd, *
e do të mburret në drejtësinë tënde.
Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre *
e me hirin tënd rritet fuqia jonë.
Sepse i Zotit është shqyti ynë, *
mbreti ynë i Shenjtit të Izraelit!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.
Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.
II (20-30)
Dikur, në një vegim, fole me miqtë e tu e u the: †
»Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time, *
e lartësova një djalosh nga populli.
Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, *
e leva me vajin tim të shenjtë.
Dora ime gjithmonë do të jetë me të, *
dhe krahu im përherë do ta kërthndez.
Armiku askurrë nuk do të ngadhënjejë mbi të, *
i paudhi nuk do të mund ta ndrydhë.
Unë do t’i thyej para tij armiqtë e tij, *
do t’i zhbij kundërshtarët e tij.
Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të, *
në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti.
Dorën e tij do ta shtrij mbi det, *
të djathtën e tij përmbi lumenj.
Ai do të më thërrasë: ‘Ati im, *
Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’,
kurse unë do ta bëj të Parëlindurin tim, *
më të madhin ndër mbretërit e tokës.
Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën, *
Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej. –
Trashëgiminë e tij do ta bëj të amshueshme, *
fronin e tij porsi ditët e qiellit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.
Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: fara jote do të qëndrojë për amshim.
III (31-38)
Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim, *
e në mos ecshin ligjeve të mia,
po nuk zbatuan vendimet e mia, *
po i shkelën urdhërimet e mia,
me thupër do t’i ndëshkoj mëkatet e tyre, *
me frushkull të rreptë paudhësitë e tyre.
Por nuk do ta këpus dashurinë me të *
as nuk do ta prish besnikërinë time.
Nuk do ta thyej besëlidhjen time *
as s’do t’i zhbëj premtimet e mia.
Një herë u përbetova me shenjtërinë time: *
‘Askurrë Davidin nuk do ta lë në rrenë!’
Fara e tij do të qëndrojë për amshim, *
froni i tij para meje si Dielli,
do të qëndrojë për amshim si Hëna, *
dëshmitare besnike mbi re.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: fara jote do të qëndrojë për amshim.
D Dritë dhe urti për njeriun e thjeshtë
C është zbulesa e fjalës sate, o Zot.
Leximi i parë
Prej librit të Gjyqtarëve 6, 33 - 7, 8. 16-22
Gjedeoni fiton me një ushtri në numër shumë të vogël.
Në ato ditë, mbarë Madiani, Amaleku dhe popujt e Lindjes u bënë së bashku, kaluan Jordanin dhe ngulën fushimin në luginën e Jezraelit. Shpirti i Zotit e pushtoi Gjedeonin, i cili i ra borisë dhe e grishi barkun e Abiezerit që të shkonte pas tij. Dërgoi kasnecë në mbarë Manaseun. Edhe këta të gjithë e ndoqën. Dërgoi edhe lajmëtarë të tjerë në Aser, në Zabulon e në Neftali, dhe të gjithë ngarendën tek ai.
Atëherë Gjedeoni i tha Hyjit: “Nëse do ta shpëtosh Izraelin me dorën time, sikurse ke thënë, do të vë bashkën e leshit në lëmë: nëse bie vesa vetëm në bashkë, ndërsa mbarë toka gjetiu mbetet e thatë, do ta di se me të vërtetë, përmes dorës sime do ta shpëtosh Izraelin sikurse the.” Ashtu edhe u bë. Gjedeoni u çua herët në mëngjes, e shtrydhi bashkën: një kupë plot me vesë. Përsëri i tha Hyjit: “Të mos ndizet flakë hidhërimi yt kundër meje, nëse edhe një herë po marr guxim të kërkoj shenjën në bashkë. Të lutem: le të jetë vetëm bashka e thatë, ndërsa mbarë toka të ketë vesë.” Sikur kishte kërkuar ky, ashtu bëri Hyji atë natë: e thatë ishte vetëm bashka, ndërsa mbi mbarë tokën kishte rënë vesa.
Jerobaali, d.m.th. Gjedeoni mëngoi dhe me të mbarë populli dhe e nguli fushimin te burimi që quhet Harad. Taborret e Madianit ishin në luginë, në krahun verior të kodrës Moreh.
Zoti i tha Gjedeonit: “Ke tepër shumë popull me ty që të mund të lëshoj Madianin në duart e tija, sepse Izraeli mund të lëvdohet e të thotë: 'Me forcat e mia u çlirova!' Fol me popull dhe shpalle ku mund të të dëgjojnë të gjithë: 'Kush trembet dhe është frikacak, le të kthehet e le të kalojë nëpër malin Gjelboé.'“ Prej popullit u kthyen njëzet e dy mijë burra. Mbetën vetëm dhjetë mijë vetë.
Por Zoti i tha Gjedeonit: “Prapë ka shumë popull. Çoji tek ujët dhe aty do t'i vë në provë. Ai për të cilin do të të them unë të vijë me ty, le të vijë; atij që t'ia ndaloj të vijë, le të kthehet.” Gjedeoni e çoi popullin tek ujët, e Zoti i tha: “Cilindo që të llapë ujin me gjuhë, siç e kanë zakon të llapin qentë, ndaje veçmas; kurse ata që të pinë duke u ulur në gjunjë, qiti në anën tjetër. Ata që me dorë e avitën te goja ujët dhe e llapën, qenë treqind vetë, kurse mbarë populli tjetër u ul në gjunjë dhe piu.
Atëherë Zoti i tha Gjedeonit: “Me treqind vetët që llapën ujët, do t'ju çliroj dhe do ta lëshoj Madianin në dorën tënde. Mbarë gjindja tjetër le të kthehet në vendin e vet.”
Pasi mori, sipas numrit të njerëzve, ushqimet dhe boritë, mbarë popullit tjetër i urdhëroi të kthehej në çadrat e veta. Me vete ndali vetëm ata treqind vetë.
Fushimi i madianëve ishte nën të, në luginë.
Gjedeoni i ndau treqind luftëtarët në tri grupe. Secilit i dha në dorë borinë, poçin e zbrazët dhe në poç dritëzën e u tha: “Çfarë të shihni se bëj unë, bëni edhe ju. Unë do t'i afrohem brezit të fushimit dhe, çfarë të bëjë unë ashtu bëni edhe ju. Kur të bjerë boria në dorën time e të të gjithëve që janë me mua, atëherë edhe ju rreth e rreth fushimit bjeruni borive dhe lëshoni kushtrimin e luftës: “Për Zotin e për Gjedeonin!”
Gjedeoni e treqind burrat që ishin me të, arritën buzë rrethit të fushimit atëherë kur po ndërrohej roja e mesnatës.
Posa i vunë rojet, ata u ranë borive e i thyen poçet që i kishin në dorë. Kur jehuan boritë e tri togave dhe, pasi i thyen poçet e i morën në dorën e majtë dritëzat e në dorën e djathtë boritë, bërtitën: “Shpata për Zotin e për Gjedeonin!” dhe secili qëndroi në vendin e vet rreth fushimit të armikut. Mbarë tabori u pështjellua dhe madianët, duke ulëritur, u vunë në të ikur.
Ndërsa treqind vetët vazhdonin t'u binin borive, Zoti bëri që të gjithë madianët të ngrinin shpatën kundër njëri‑tjetrit e të vrisnin njëri‑tjetrin.
Përgjigjja Krh. 1 Kor 1, 27-29; Lk 1, 52
C Hyji zgjodhi të marrët në sy të botës për t’i turpëruar të mençurit dhe të dobëtit në sy të botës i zgjodhi Hyji, * në mënyrë që asnjë njeri të mos mburret para Hyjit.
D Hyji i rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvujtët,
C në mënyrë që asnjë njeri të mos mburret para Hyjit.
Leximi i dytë
Nga traktati “Mbi Ati ynë” i shën Ciprianit, ipeshkëv dhe martir
(Nr. 13-15; CSEL 3, 275-278)
Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote.
“Ardhtë mbretëria jote”. Ne kërkojmë që të vijë tek ne mbretëria e Hyjit, ashtu sikurse kërkojmë që të shenjtërohet në ne emri i tij. Por, a thua mund të ketë ndonjë kohë në të cilën Hyji nuk mbretëron? Ose, kur mund të fillojë tek Zoti një gjë që gjithmonë ka qenë dhe kurrë nuk ka përfunduar? Nuk është kjo që ne kërkojmë, por që të vijë mbretëria jonë, ajo mbretëri që Hyji na e premtoi dhe që u fitua për ne me anë të gjakut dhe mundimit të Krishtit, në mënyrë që ne, të cilët më parë ishim skllevër të botës, të mund të mbretërojmë në të ardhmen nën zotërimin e Krishtit. Kështu premton ai vetë, duke thënë: “Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës!” (Mt 25, 34).
Në të vërtetë, o vëllezërit e mi fort të dashur, vetë Krishti mund të jetë mbretëria e Hyjit, ardhjen e së cilës ne e kërkojmë çdo ditë, dhe ardhjen e së cilës kemi dëshirë ta shohim sa më shpejt. Dhe vërtet, ai është ringjallja, sepse ne në të ringjallemi. Për këtë arsye ai mund të mbahet si mbretëri e Hyjit, meqë në të do të mbretërojmë. Me të drejtë pra, kërkojmë mbretërinë e Hyjit, domethënë mbretërinë qiellore, sepse ka edhe një mbretëri tokësore. Por, ai që tashmë i ka rënë mohit botës të së keqes, qëndron më lart se nderimet dhe mbretëria e saj.
Duke vazhduar në lutje themi: “U bëftë vullnesa e jote si në qiell ashtu në tokë”, jo aq me qëllim që Hyji të bëjë atë çka dëshiron, por që ne të bëjmë atë çka dëshiron Hyji. E kush është i zot ta pengojë Hyjin të bëjë atë që dëshiron? Ndërsa, jemi ne që nuk bëjmë çka dëshiron Hyji, sepse kundër nesh ngritet djalli për të na penguar kështu që ne të mos mund ta drejtojmë zemrën tonë dhe veprat tona sipas vullnetit hyjnor. Për këtë arsye ne lutemi dhe kërkojmë që të bëhet në ne vullneti i Hyjit. E që të bëhet kjo gjë në ne, kemi nevojë për vullnetin e Hyjit, do të thotë kemi nevojë për fuqinë dhe për mbrojtjen e tij, sepse askush nuk është i fortë në saje të fuqisë së vet, por bëhet i fortë në saje të mirëdashjes dhe të mëshirës së Hyjit. Në fund të fundit edhe Zoti, duke treguar se edhe në të ishte e pranishme dobësia që i përket njeriut, tha: “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh!” (Mt 26, 39). Dhe për t’u dhuruar një shembull nxënësve të tij që ata të mos bënin vullnetin e tyre, por atë të Hyjit, shtoi: “Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti.”.
Vullneti i Hyjit pra, është ai që Krishti bëri dhe mësoi. Është përvujtëri në bisedim, qëndrueshmëri në fe, maturi në fjalë, në veprime drejtësi, në vepra mëshirë, në sjellje seriozitet. Vullneti i Hyjit është të mos bëjmë padrejtësi dhe të durojmë padrejtësinë që na bëhet, të ruajmë paqen me vëllezër, të duam Hyjin me gjithë zemër, ta duam si Atë, ta druajmë si Hyj, të mos vëmë asgjë përpara Krishtit, sepse as ai vetë nuk deshi diçka tjetër më shumë se ne. Vullneti i Hyjit është që ne të qëndrojmë të bashkuar me pandashmëri në dashurinë e tij, të rrimë pranë kryqit të tij me guxim dhe forcë, t’i japim dëshmi me vendosmëri kur është në diskutim emri i tij dhe nderi i tij, të tregojmë sigurinë e çështjes së mirë, kur të luftojmë për të, të pranojmë me shpirt të gatshëm vdekjen kur ajo të na vijë për të na çuar tek shpërblimi.
Kjo do të thotë të duam të jemi bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, kjo do të thotë të kryejmë urdhrin e Hyjit, kjo do të thotë të bëjmë vullnetin e Atit.
Përgjigjja Mt 7, 21; Mk 3, 35
C Ai që e kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell, * do të hyjë në Mbretërinë e qiellit.
D Kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, ai është vëllai im, motra ime e nëna:
C do të hyjë në Mbretërinë e qiellit.
Lutja
O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që në zbatim të urdhërimeve tua të të pëlqejmë ty me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.