Shërbesa e leximeve

Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E enjte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Nata e zezë mbulon ngjyrat

   e çdo sendi të tokës:

   duke u rrëfyer të lypim,

   gjyqtar i drejtë i zemrave,

 

   që të na shlyesh fajet

   të na lash ndyrësinë e mendjes,

   e të japësh, o Krisht, hirin

   e të na shporren krimet.

 

   Nga prapësitë mpihet mendja,

   që e bren faji i dëmshëm;

   lakmon të çrrënjosë t’errtat,

   të kërkojë ty, Shëlbues.

 

   Dëbo tymin e mjegullën

   nga brenda sa më tepër,

   të gëzohet duke u vendosur

   në dritën e uruar.

 

   Ty, o Krisht, mbret gjithë i shenjtë,

   dhe Atit i qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   në shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Krisht, jepu shenjën, lutemi

   shërbëtorëve të tu që luten,

   kjo mbrapshti e shekullit

   të mos na robërojë fenë.

 

   Të mos mendojmë pa mëshirë,

   të mos kemi smirë askënd,

   të fyer të mos marrim hak,

   me të mirë ta mundim të keqen.

 

   Qoftë larg nga zemrat tona

   mëri, mashtrim, kreni;

   të marrë fund koprracia,

   rrënja e gjithë të këqijave.

 

   Të ruajë lidhjet e paqes

   dashuria pa mashtrime;

   pa njolla qoftë pastria

   që vuan nga mizoria.

 

   Ty, o Krisht, mbret tërë i shenjtë,

   dhe Atit i qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   në shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Shikoje, o Zot, përvujtërimin e popullit tënd.

 

   Psalmi 89 /88/ (39-53) Ankimi mbi gërmadhat e shtëpisë së Davidit

 

   E ngriti Shpëtimtarin tonë në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet (Lk 1, 69).

 

   IV (39-46)

 

Por tani e flake dhe e përbuze, *

   u zemërove kundër të shuguruarit tënd.

E prishe Besëlidhjen me shërbëtorin tënd, *

   në llom e hodhe kezën e tij.

 

I rrënove të tërë muret e tij, *

   rrënoja të frikshme kështjellat e tij.

Pre po e bëjnë gjithsa udhës kalojnë, *

   për të gjithë fqinjët u bë i neveritshëm.

 

E lartësove të djathtën e armiqve të tij, *

   i gëzove të gjithë armiqtë e tij.

Tykë ia bëre tehun e shpatës së tij, *

   e nuk deshe në luftë t’i jepje ndihmë.

 

I dhe fund shkëlqimit të tij, *

   e përdhe fronin ia rrëzove.

Ia shkurtove ditët e rinisë, *

   e mbulove me poshtërim e turp.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Shikoje, o Zot, përvujtërimin e popullit tënd.

 

Ant. 2 Krishti është filizi i rrënjës së Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit.

 

   V (47-53)

 

Po deri kur, o Zot, do të fshihesh kështu, *

   flakë do të ndizet hidhërimi yt?

 

Të të bjerë në mend sa e shkurtër është jeta ime! *

   Vallë, thua kot i krijove njerëzit?

 

Kush i gjallë vdekjen s’do ta shohë, *

   prej Nëntokës kush do të shpëtojë jetën?

Ku janë, Zot, mëshirat e dikurshme të tuat *

   që me be ia premtove Davidit?

 

Të shërbëtorëve të tu, Zot, kujto çnderimin; *

   në zemër e mbaj poshtërimin e paganëve,

që na bënë armiqtë e tu, o Zot, *

   çnderojnë gjurmët e të shuguruarit tënd.

 

Qoftë bekuar Zoti për amshim. *

   Amen! Amen!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Krishti është filizi i rrënjës e Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit.

 

Ant. 3 Ditët tona kalojnë si bari: por ti, o Zot, je përgjithmonë.

 

   Psalmi 90 /89/ (1-17) Mirësia e Zotit qoftë mbi ne

 

   Te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme (2 Pjt 3, 8).

 

O Zot, ti u bëre strehimi ynë *

   nga breznia në brezni.

 

Para se të lindnin malet, †

   para se të bëhej toka dhe rruzulli, *

   prej amshimit të amshimit ti je Hyj!

 

Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: *

   »Kthehuni, bijtë e Adamit!«

 

Sepse mijëra vjet për sy të tu †

   janë si dita e djeshme që kaloi, *

   porsi ndërresa e rojës së natës!

 

Ti i zhbin në ngjasim të gjumit *

   që në mëngjes kalon si bari;

lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, *

   në mbrëmje korret edhe vyshket!

 

Sepse na shkatërroi felgrimi yt, *

   na tmerroi furia e zemërimit tënd.

Para vetes i vure fajet tona, *

   të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.

 

Ditët na shkuan në hidhërimin tënd, *

   si një ofshamë mbaruan vitet tona.

 

Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, *

   po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,

por shumica me mundim e dhembje, *

   kalojnë shpejt e ne prej këndej fluturojmë.

 

Kush ia di fuqinë zemërimit tënd, *

   felgrimin tënd siç e lyp frika jote?

 

Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona *

   që zemra jonë dijen ta mbërrijë.

 

Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? *

   Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

Na e diko në mëngjes mëshirën tënde *

   e do të gëzohemi e do të galdojmë

   të gjitha ditët e jetës sonë.

 

Gëzona për ditët që na mundove, *

   për vjetët që i kaluam në mjerim.

Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu, *

   shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!

 

Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, †

   bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, *

   të përparojë vepra e duarve tona.

 

Ant. 3 Ditët tona kalojnë si bari: por ti, o Zot, je përgjithmonë.

 

   D Në ty, o Zot, është burimi i jetës;

   C në dritën tënde ne e shohim dritën.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Gjyqtarëve 8, 22-23. 30-32. 9, 1-15.19-20.

 

   Populli i Hyjit kërkon të zgjedhë për vete një mbret.

 

   Atëherë izraelitët i thanë Gjedeonit: “Ji sundimtari ynë ti, djali yt e djali i djalit tënd, sepse na çlirove prej dorës së Madianit.” Ai iu përgjigj: “Unë nuk do të jem sundimtari juaj, as nuk do të jetë sundimtari juaj im bir, por Zoti do të jetë sundimtar.”

   Gjedeoni, biri i Joasit, vdiq në pleqëri të thellë dhe qe varrosur në varrin e t'et, Joasit në Efrën e bijve të Abiezerit.

   U çua Abimeleku, biri i Jerobbaalit, e shkoi në Sikem te vëllezërit e s'ëmës dhe u tha atyre e mbarë farefisit të nënës së vet: “Bisedoni me të gjithë burrat e Sikemit e u thoni: Ç'është më mirë për ju: t'ju sundojnë shtatëdhjetë burra ‑ të gjithë të bijtë e Jerobbaalit, apo të sundojë mbi ju një njeri i vetëm? E mos harroni se unë jam ashti juaj e mishi juaj.” Vëllezërit e nënës së tij biseduan me të gjithë njerëzit e Sikemit për të e u treguan të gjitha fjalët e tija dhe ua mbushën mendjen për ta përkrahur Abimelekun. Sepse thoshin: “Është vëllai ynë.” I dhanë edhe shtatëdhjetë sikla të argjendtë prej faltores së Baalberitit e me to pagoi disa njerëz të poshtër e rrugaçë që e përcillnin. Shkoi në shtëpinë e t'et në Efër dhe i vrau vëllezërit e vet, bijtë e Jerobbaalit, shtatëdhjetë vetë mbi të njëjtin gur. Shpëtoi vetëm Joatami, më i vogli djalë i Jerobbaalit, sepse u fsheh. U bashkuan, pra, të gjithë burrat e Sikemit e të shtëpisë së Melos e shkuan dhe e bënë mbret Abimelekun te qarri që gjendej te Sikemi.

   E njoftuan për këtë Joatamin. Ky shkoi e zuri vend në majë të malit Garizim, bërtiti me sa zë pati e tha: “Më dëgjoni, zotërinj të Sikemit, dhe Hyji ju dëgjoftë ju.

   Moti u nisën për rrugë lëndët për të shuguruar një mbret mbi vete e i thanë ullirit: 'Mbretëro mbi ne!'

   Por ulliri u përgjigj: 'A të heq dorë nga vaji im, me të cilin nderohen zotat e njerëzit, e të vij të luhatem përmbi lëndë?!'

   I thanë pra, lëndët edhe drurit të fikut: 'Eja e mbretëro mbi ne.'

   Edhe fiku u përgjigj: 'A të heq dorë nga ëmbëlsia ime e nga frutat e mia të shijshme që të luhatem përmbi lëndët e tjera?!'

   Atëherë lëndët i thanë hardhisë: 'Eja ti e na sundo!'

   E hardhia u përgjigj: 'A të heq dorë nga vera ime që gëzon zota e njerëz e të vij që të bashkëluhatem mbi lëndët e tjera?!'

   Të gjitha lëndët atëherë i thanë ferrëmanzës: 'Eja e mbretëro mbi ne!'

   Ferrëmanza u përgjigj: 'Nëse vërtet po më bëni mbret tuajin, ejani e pushoni nën hijen time. Por në qoftë se nuk është ashtu daltë zjarri prej ferrëmanzës e i përpiftë cedrat e Libanit!'

   në qoftë, pra, se vepruat drejt e pa të keq ndaj Jerobbaalit e shtëpisë së tij sot, atëherë e gëzofshi Abimelekun e Abimeleku ju gëzoftë ju. Por, në qoftë se s'është ashtu: daltë zjarri prej Abimelekut e i përpiftë banorët e Sikemit e Shtëpinë Melo; daltë zjarri prej njerëzve të Sikemit e Shtëpisë së Melos dhe e përpiftë Abimelekun!”

 

   Përgjigjja Krh. Gjq 8, 23; Zb 5, 13

 

   C Unë nuk do të jem sundimtari juaj, as nuk do të jetë sundimtari juaj im bir: * Zoti do të jetë sundimtari juaj.

   D Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim nder e pushtet në shekuj të shekujve:

   C Zoti do të jetë sundimtari juaj.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga traktati “Mbi Ati ynë” i shën Ciprianit, ipeshkëv dhe martir

   (Nr. 18. 22; CSEL 3, 280-281, 283-284)

 

   Pas ushqimit, kërkohet falja e mëkatit.

 

   Duke e thënë uratën e Zotit, ne kërkojmë: “Bukën tonë të përditshme na e jep sot!”. Kjo gjë mund të merret si në kuptim shpirtëror po ashtu edhe në kuptim material, sepse si njëri kuptim, po ashtu edhe tjetri, në ekonominë hyjnore, na duhen për shëlbim. Dhe vërtet, buka e jetës është Krishti, e kjo bukë nuk u përket të gjithëve, por me siguri na përket neve. Dhe ashtu si themi “Ati ynë”, sepse është Atë i atyre që kuptojnë dhe besojnë, në të njëjtën mënyrë kërkojmë edhe “bukën tonë”, sepse Krishti është buka e atyre që, sikurse ne, ushqehen me trupin e tij.

   Kështu pra, ne kërkojmë që çdo ditë të na jepet kjo bukë. Ne jetojmë në Krishtin dhe çdo ditë marrim Eukaristinë e tij porsi ushqim shëlbimi. Mos të ndodhë që, për shkak të mëkateve të rënda, të na mohohet buka qiellore, dhe kështu duke mos pasur të drejtë që të marrim kungimin, të ndahemi edhe prej korpit të Krishtit. Ai vetë shpalli: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im – për jetën e botës” (Gjn 6, 51).

   Thotë se nëse ndokush do të hajë prej bukës së tij, ai do të jetojë në amshim. Është shumë e qartë pra, se jetojnë ata të cilët e shijojnë korpin e tij dhe e marrin Eukaristinë me anë të së drejtës së kungimit. Nga kjo gjë kuptohet se, nëse ndokush i shmanget Eukaristisë, ai ndahet prej trupit të Krishtit, dhe mbetet larg prej shëlbimit, e kjo gjë duhet të na brengosë. Ta lusim Zotin që një gjë e tillë të mos ndodhë. Ai vetë e bën këtë kërcënim, duke thënë: “Nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete!” (Gjn 6, 53). Për këtë arsye të kërkojmë që çdo ditë të na jepet buka jonë, domethënë Krishti, në mënyrë që ne, të cilët mbetemi dhe jetojmë në Krishtin, të mos largohemi prej jetës së tij hyjnore.

   Pas këtyre gjërave lutemi edhe për mëkatet tona, duke thënë: “Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë”. Pasi e kemi kërkuar ndihmën e ushqimit, kërkojmë edhe faljen e mëkateve.

   Vërtet, sa e nevojshme, e urtë dhe e shëndetshme të jemi të vetëdijshëm se jemi mëkatarë, dhe të jemi nxitur të lutemi për mëkatet tona! Në këtë mënyrë, ndërsa i kërkojmë falje Hyjit, shpirti e zgjon ndërgjegjen e vet. Me qëllim që të mos ndodhë që ndokush të parapëlqejë vetveten porsi të ishte i pamëkat dhe, duke u lartësuar, të mos rrëzohet në një mënyrë edhe më rrënimtare, atij personi i tregohet dhe i bëhet e ditur se mëkaton çdo ditë, dhe për këtë arsye i kërkohet që të lutet çdo ditë për mëkatet e veta.

   Kështu qorton edhe shën Gjoni në letrën e tij, duke thënë: “Nëse themi: ne nuk kemi mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. Por, nëse i pranojmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë: do të na i falë mëkatet dhe do të na pastrojë nga çdo padrejtësi” (1 Gjn 1, 8-9). Në letrën e tij i ka bashkuar të dy gjërat: se duhet të lutemi për mëkatet tona dhe se kur lutemi fitojmë faljen e mëkateve. Me këtë gjë e ka quajtur edhe Hyjin besnik, sepse ai i mban premtimet e veta për të na i falur mëkatet. Dhe vërtet, ai që na ka mësuar të lutemi për gabimet dhe për mëkatet tona, na ka premtuar edhe mëshirën e tij atërore dhe faljen.

 

   Përgjigjja Ps 31 /30/, 2. 4; 25 /24/, 18

 

   C Në ty, o Zot, shpresoj: mos lejo të turpërohem për amshim, sepse forca ime e strehimi im ti je, * pashë Emri tënd më pri e më sundo.

   D Shihe përvujtërimin tim dhe mundimin dhe m’i fal të gjitha fajet e mia;

   C pashë Emri tënd më pri e më sundo.

 

   Lutja

 

   O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që në zbatim të urdhërimeve tua të të pëlqejmë ty me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.