Shërbesa e leximeve
Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Ti, Njëni e Trinisë,
që me pushtet sundon gjithë botën,
mbaj vesh këngët e lavdeve
që këndojmë në përgjime.
Pse ne nga shtrati ngrihemi
në kohë të qetë të natës,
nga ti me ngulm të lypim
shërimin e të gjitha plagëve.
Ku gjithçka që gabuam
ndër net nga gënjeshtra e djajve,
atë e shleftë nga qielli
pushteti i lavdisë sate.
Me besë të shpirtit të lusim,
na mbush me dritën tënde,
për çka në rrjedhë të ditëve
të mos ngelim pa asnjë vepër.
Bëj, o Atë krejt i shenjti,
dhe o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
sundues për të gjithë shekujt. Amen..
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Krisht, gjendu pranë zemrave,
dashuri e lartë e të shpërblyerve,
diko ndër zërat tonë
vajtim të zjarrtë, të lutemi.
Ty, Jezus, krejt i shenjti,
me fe t’i drejtojmë lutjet,
shlyej, o Krisht, me vepra,
të keqen që bëjmë, të lutemi.
Me shenjë të Kryqit tënd,
me trupin tënd hyjnor
na mbro ne si bij
të gjithë, kudo, Ty të lusim.
O Krisht, mbret i tërë shenjti,
Ty e Atit ju qoftë lavdia
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim.
Psalmi 69 /68/ (2-22. 30-37) Më përpin zelli për shtëpinë tënde, o Zot
I dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth (Mt 27, 34).
I (2-13)
Më shpëto, o Hyj, *
sepse ujët më arriti deri në fyt!
Jam ngulur thellë në baltë, *
s’kam ku ta vë këmbën time në të fortë:
kam rënë në pellgun e ujërave *
e valët po më mbulojnë.
U këputa duke lëshuar kushtrim, †
m’u tha krejtësisht gurmazi, *
m’u mor drita e syve duke pritur Hyjin tim.
Më shumë se flokët e kresë sime *
janë ata që më urrejnë pa të drejtë.
U forcuan ata që më salvuan,
armiqtë e mi rrenacakë: *
çka nuk vodha më duhej të ktheja?
O Hyj, ti e njeh marrëzinë time, *
fajet e mia nuk janë të fshehura para teje.
Mos lejo të skuqen në mua *
ata që shpresojnë në ty, o Zot, Zoti i ushtrive,
mos lejo të turpërohen në mua *
ata që të kërkojnë ty, Hyji i Izraelit!
Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin, *
marrja ma mbuloi fytyrën,
u bëra i huaj për vëllezërit e mi, *
i panjohur për bijtë e nënës sime.
Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, *
përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.
E ndëshkova veten me agjërim, *
por kjo m’u kthye në çnderim;
për petk vesha grathoren, *
përrallë e lodër u bëra për ta.
Kundër meje flasin ata që rrinë në derë, *
pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim.
Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.
II (14-22)
E pra, unë ty të lutem, o Zot, *
në kohën e përshtatshme, o Hyj,
më vështro pashë dashurinë tënde, *
pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!
Më nxirr nga lymi të mos humbas, †
më shpëto prej atyre që më urrejnë, *
prej ujërave të thella!
Mos lejo të më mbulojnë valët e ujërave, †
mos lejo të më përpijë thellësia, *
të mos e mbyllë pusi gojën e vet mbi mua!
Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt, *
shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe,
mos e fsheh fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, *
sepse jam tepër ngushtë, më shpëto pa vonesë!
Afroju shpirtit tim e shpaguaje atë *
për shkak të armiqve të mi, më shpërble.
Ti e sheh çnderimin tim, †
marrjen time e »nderimin« tim: *
para teje janë të gjithë ata që më salvojnë.
Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, †
prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, *
ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.
Në ushqim më qitën vrer *
e në etje më dhanë të pi uthull.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.
Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.
III (30-37)
Mua të mjerin e të pikëlluarin: *
më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt!
Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, *
do ta lartësoj me këngë falënderjeje.
Kjo i pëlqen Zotit më tepër se mëzati, *
më tepër se demi me brirë e me thundra!
Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen; *
kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.
Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, *
s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.
Le ta lavdërojnë qielli e toka, *
detet dhe gjithçka lëviz në to.
Sepse Hyji do ta shpëtojë Sionin, †
Ai do t’i rindërtojë qytetet e Judës, *
aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.
Fara e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojë, *
në të do të ngulë kush e do Emrin e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.
D Zoti na i mësoftë udhët e veta:
C dhe ne do t’i ndjekim shtigjet e tija.
Leximi i parë
Prej librit të Gjyqtarëve 13, 1-25
Lajmërimi i lindjes së Samsonit.
Në ato ditë, të bijtë e Izraelit përsëri bënë të keqen ndër sy të Zotit dhe Ai i lëshoi në duar të filistenjve për dyzet vjet.
Ishte asokohe një njeri prej Sarasë i fisit të Danit me emrin Manueh. Gruan e kishte beronjë. Kësaj iu dëftua engjëlli i Zotit e i tha: “Ja, pra, je barkshuar, e pa fëmijë. Por do të ngjizësh e do të lindësh një djalë. Pra, kujdes, mos pi verë as pije dehëse dhe mos ha asgjë, të papastër, sepse do të ngjizësh e do të lindësh një djalë. Kryet e tij të mos e prekë brisku rrues: sepse fëmija qysh në kraharorin e nënës do të jetë i kushtuar Hyjit ‑ nazaré ‑ dhe ai do të fillojë ta shpëtojë Izraelin prej dorës së filistenjve.”
Gruaja shkoi dhe i tregoi burrit. I tha: “Një njeri i Hyjit erdhi tek unë. Kishte një pamje si të një engjëlli të Zotit, jashtëzakonisht të tmerrshme. Nuk e pyeta nga ishte dhe as nuk ma tregoi emrin. Por më tha: “Ja, do të ngjizësh e do të lindësh një djalë. Por kujdes: mos pi verë as pije dehëse dhe mos ha asgjë të papastër: sepse fëmija do të jetë nazaré i Hyjit qysh prej kraharorit të nënës deri ditën e vdekjes së tij.”
Atëherë Manuehu iu lut Zotit e tha: “Po të lutem, o Zot, që të vijë prapë ai njeriu i Hyjit që e dërgove ti, e të na mësojë çfarë na duhet të bëjmë me fëmijën që do të lindë.” Zoti e dëgjoi uratën e Manuehut dhe engjëlli i Hyjit erdhi përsëri te gruaja që po rrinte në fushë. Porse Manuehu, burri i saj, nuk ishte me të. Prandaj ajo nxitoi me vrap dhe e lajmëroi burrin e i tha: “Ja, m'u dëftua ai njeriu, që pat ardhur tek unë atë ditë.” Ky u ngrit dhe shkoi me gruan e vet e, kur arriti tek ai, i tha: “A je ti që ke folur me këtë grua?” Ai iu përgjigj: “Unë jam.” Manuehu i tha: “ Çfarë rregulle na duhet të mbajmë dhe ç' na duhet të bëjmë rreth fëmijës kur të plotësohet fjala jote?” Atëherë engjëlli i Zotit i tha Manuehut: “Le të përmbahet, prej të gjithave që i kam treguar gruas sate. Të mos hajë asgjë që del prej hardhisë, verë e pije dehëse të mos pijë, të mos hajë asgjë të papastër, e le të mbajë gjithçka i urdhërova.”
Mandej Manuehu i tha engjëllit të Zotit: “Na urdhëro, të lutemi, e po të përgatisim një edh.” Engjëlli i Zotit iu përgjigj: “Po edhe sikur të më ndalësh, unë nuk e ha bukën tënde; po nëse do të kushtosh fli shkrumbimi, atëherë kushtoja Zotit.” Por Manuehu nuk e dinte se ishte engjëlli i Zotit, prandaj edhe e pyeti: “Si e ke emrin që të mund të të nderojmë me ndonjë send kur të shkojë në vend fjala jote?” Engjëlli iu përgjigj: “Përse me pyet për emër? Emri im është mister?”
Atëherë Manuehu mori një edh dhe endës për fli kushtimore dhe i vuri përmbi gur e ia kushtoi Zotit që bën punë të mrekullueshme. Ndërsa Manuehu dhe gruaja e tij po vërenin, tek po ngjitej flaka prej lterit në qiell, panë se edhe engjëlli po ngjitej gjithashtu. Posa e panë Manuehu dhe gruaja e tij, ranë me fytyrë përdhe. Engjëlli i Zotit nuk u duk më. Manuehu e mori vesh menjëherë se ishte engjëlli i Zotit dhe i tha gruas së vet: “Do të vdesim sepse kemi parë Hyjin.” Gruaja iu përgjigj: “Zoti, po të kishte dashur të na vriste, nuk do të pranonte prej duarve tona flinë e shkrumbimit e flinë kushtimore; nuk do të na i dëftonte të gjitha këto, as nuk do të na i thoshte gjërat e tilla.”
Gruas i lindi djali dhe ia ngjitën emrin Samson. U rrit djali dhe Zoti e bekoi. Shpirti i Zotit nisi ta pushtojë në Fushimin e Danit, ndërmjet Sarasë e Estaolit.
Përgjigjja Krh. Lk 1, 13. 15; Gjq 13, 7, 3. 5
C Engjëlli i tha Zakarisë: Elizabeta, gruaja jote, do të lindë një djalë. Ti ngjitja emrin Gjon. Nuk do të pijë verë as pije dehëse dhe do të jetë plot me Shpirtin Shenjt qysh në kraharorin e s’ëmës. * do të jetë nazaré i Hyjit.
D Engjëlli i Zotit iu dëftua gruas së Manuehut dhe i tha: Do të ngjizësh e do të lindësh një djalë. Kryet e tij të mos e prekë brisku rrues:
C do të jetë nazaré i Hyjit.
Leximi i dytë
Nga traktati “Mbi Ati ynë” i shën Ciprianit, ipeshkëv dhe martir
(Nr. 23-24; CSEL 3, 284-285)
Ne që jemi bijtë e Hyjit, të mbesim në paqen e Hyjit.
Krishti dëshiron që ne t’i kërkojmë Hyjit faljen e mëkateve tona, por e ka kushtëzuar faljen hyjnore me faljen që ne duhet t’u japim fajtorëve tanë. Duhet pra, të kujtohemi se nuk është e mundur të fitojmë çka kërkojmë për mëkatet tona, nëse edhe ne nuk do të kemi bërë të njëjtën gjë ndaj atyre që kanë mëkatuar kundër nesh. Për këtë arsye në një vend në ungjill thuhet: “Me atë masë që matni, me atë edhe juve do t’ju matet” (Mt 7, 2). Për këtë arsye u mbyll në burg shërbëtori i cili, megjithëse iu fal tërë borxhi prej zotërisë së tij, nuk deshi të përdorë të njëjtën mirësi me shërbëtorin që ishte shok i tij. Nuk deshi të ishte i mëshirshëm me mikun e tij në skllavëri, dhe kështu humbi edhe atë që i kishte falur zotëria i tij.
Ky detyrim përsëritet në mënyrë shumë të vendosur nga Krishti dhe vuloset me tërë autoritetin e tij. Ai vetë thotë: “Kurdo të ngriheni për t’u lutur, falni nëse keni ndonjë send kundër ndokujt, që Ati juaj që është në qiell, t’jua falë edhe juve fajet.” (Mk 11, 25). Asnjë arsyetim nuk do të mbetet në ditën e gjyqit, kur do të gjykohesh sipas të njëjtit kriter të cilin ti vetë e ke përdorur me të tjerët, dhe çka t’u kesh bërë të tjerëve do të marrësh edhe ti vetë. Dhe vërtet, Hyji ka caktuar që të jemi paqedashës, të një mendimi dhe një zemre në shtëpinë e tij. Ashtu si na bëri me lindjen e dytë, ai do që të tillë të qëndrojmë, domethënë në gjendjen e të rilindurve. Nëse jemi bij të Hyjit, të qëndrojmë në paqen e Hyjit, dhe ata që kanë një shpirt të vetëm, le të kenë edhe një zemër dhe një ndjenjë të vetme. Hyji nuk e pranon flinë e atij që është në mospajtim, por në të kundërtën, ai urdhëron që të kthehemi prej lterit dhe të pajtohemi më parë me vëllain tonë. Vetëm kështu lutjet tona do të frymëzohen në paqe dhe do t’i pëlqejnë Hyjit. Flija më e madhe për t’i kushtuar Hyjit është paqja jonë dhe harmonia vëllazërore, është populli i bashkuar në njësinë e Atit, të Birit dhe të Shpirtit Shenjt.
Edhe në flinë që kushtuar të parët, Abeli dhe Kaini, Hyji nuk i shikoi dhuratat, por zemrat e tyre, kështu që në dhuratë ai e pranoi atë që i pëlqente në zemër. Abeli, njeri i paqes dhe i drejtësisë, i kushtoi Hyjit flinë e tij në pafajësi, dhe kështu mëson se edhe të tjerët, kur t’i bëjnë një dhuratë lterit, duhet t’i afrohen atij me frikën e Zotit në zemër, me një zemër të thjeshtë, me ligjin e drejtësisë, në paqe dhe në harmoni. Abeli është i tillë në flinë që ia kushton Hyjit; dhe në vazhdim ai i është kushtuar vetë Hyjit si fli. Në këtë mënyrë, duke u bërë i pari prej martirëve, arriti të fillojë, me lavdinë e gjakut të tij, mundimin e Zotit, sepse e kishte në vete të drejtën dhe paqen e Zotit. Vetëm ata që do të sillen kështu do të kurorëzohen prej Hyjit. Vetëm këta në ditën e gjyqit do ta ndajnë së bashku lavdinë e Zotit.
Dhe përkundrazi, ai që jeton në mospajtim, ai që është në përçarje dhe nuk ka paqe me vëllezër, ashtu sikurse tregojnë Apostulli i lumtur dhe Shkrimi i Shenjtë, nuk do t’u shmanget ndëshkimeve që u takojnë shkaktuesve të përçarjes vëllazërore, as me kusht se do të vdesë për emër të Krishtit, sepse është shkruar: “Kushdo e urren të vëllain, është vrastar.” (1 Gjn 3, 15), e vrastari nuk e fiton mbretërinë e qiellit dhe nuk jeton me Hyjin. Nuk mund të jetë me Krishtin ai që ka zgjedhur ta ndjekë Judën, i Judës më tepër se i Krishtit.
Përgjigjja Krh. Ef 4, 1. 3. 4; Rom 15, 5. 6
C Jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë; ruajeni njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. * jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes tuaj.
D Hyji bëftë që ju të jeni plotësisht në përkim njëri me tjetrin, në mënyrë që, një mendimi e një goje, ta lëvdoni Hyjin.
C Jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes tuaj.
Lutja
O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që në zbatim të urdhërimeve tua të të pëlqejmë ty me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.