Shërbesa e leximeve

Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Hy i mëshirës s’epër

   krijuesi i makinës së botës,

   një i vetëm me pushtet,

   tri veta në persona,

 

   prano me këngë të përshpirtshme

   mirësisht vajtimet tona,

   në mjerim me zemër të pastër

   të gëzojmë ty më tepër.

 

   Me zjarr të hijshëm dashurie

   ti na i ngroh mirë këllqet

   që të jenë gjithnjë të përveshur

   dhe gati n’ardhjet e tua.

 

   Që, disa orë të netëve

   ne tash me këngë i thyejmë,

   me dhunti t’atmes shenjte

   gjerësisht të gjithë të pasurohemi.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues në gjithë shekujt. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Autori i lavdisë së përjetshme,

   që besimtarëve Shpirtin

   u jep me hir shtatë formash,

   i butë qëndroju pranë të gjithëve.

 

   Dëbo sëmundjet prej trupave,

   hiqja pengesat mendjes,

   dërrmo fuqitë e krimeve,

   largo dhembjet e zemrave.

 

   Bëji mendjet të kthjellta

   kryeje veprën e ndershme,

   prano lutjet e lutësve,

   jepu jetën e amshuar.

 

   Në rrjedhat e shtatë ditëve

   tash çdo kohë shtjellohet,

   e teta ajo e fundit,

   do të jetë dita e gjyqit.

 

   Në të cilën Shëlbues, të lutemi,

   mos na padit me mllef,

   por na liro nga e majta,

   vendosna në të djathtën.

 

   Që kur shpirtmirë Ti lutjet

   t’ia pranosh turmës tënde,

   të gjithë lavdi t’i thurim

   për amshim Trinisë Shenjte. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për dashurinë e tij: për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve.

 

   Psalmi 107 /106/ Falënderim për lirim

 

   Kjo është Fjala që Hyji u dërgoi izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve (Vap 10, 36).

 

   I (1-16)

 

Lavdërojeni Zotin sepse është i mirë, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij.

Le të thonë të shpërblyerit prej Zotit, *

   që i çliroi nga kthetrat e armikut

 

dhe i bashkoi nga vendet e ndryshme †

   nga ku lind dielli e ku perëndon, *

   nga veriu e nga ana e detit.

 

U endën në shkretëtirë, në vend të thatë, *

   nuk e gjetën udhën drejt qytetit të banimit.

 

Të uritur e të etur *

   shpirti i tyre ishte mekur në ta!

 

Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *

   dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.

 

Ai i qiti në udhën e drejtë *

   që të shkonin në qytetin e banimit.

 

Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, *

   për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve,

 

që ngiu shpirtin e të eturit, *

   e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.

 

Banonin në errësirë e në hijen e vdekjes, *

   të lidhur në mjerim edhe në pranga,

sepse kishin kundërshtuar urdhrin e Hyjit *

   dhe kishin përbuzur këshillën e të Tejetlartit.

 

Prandaj zemrën ua mposhti me vuajtje, *

   rrëzoheshin e s’kishte kush t’u ndihmonte.

 

Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *

   dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.

 

I nxori nga errësira dhe nga hija e vdekjes *

   e i këputi zinxhirët e tyre.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *

   për mrekullitë e tij ndaj bijve të njerëzve,

 

sepse i theu dyert e bronzta *

   dhe i këputi shulat e hekurt.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për dashurinë e tij: për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve.

 

Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua, mrekullitë që ti bëre për ne.

 

   II (17-32)

 

Të marrë për shkak të jetës së paudhë, *

   të mjeruar pse ndoqën udhën e mëkatit,

shpirtit të tyre iu neverit çdo ushqim, *

   arritën në dyert e vdekjes.

 

Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *

   Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

 

E dërgoi fjalën e vet dhe i shëroi, *

   i shpëtoi nga gropa e varrit.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të mëshirës të tij, *

   për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve,

 

le t’i flijojnë flinë e lavdit, *

   me hare le t’i shpallin veprat e tij!

 

Ata që me anije lundruan deteve *

   që nëpër ujëra të mëdha të bënin tregti,

ata i panë veprat e Zotit, *

   mrekullitë e tij në thellësitë e detit.

Ai urdhëroi dhe u ngrit era e stuhisë, *

   lart u ngritën valët e stuhishme.

 

Ngrihen deri në qiell, †

   zbresin deri në pështjerrë: *

   shpirti i tyre mekej prej së keqes.

 

Çohu e rrëzohu si të ishin të dehur, *

   asgjë s’u ndihmonte mjeshtëria e tyre.

 

Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *

   Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

 

Stuhinë e shndërroi në puhi *

   e valët e detit e shuan gjëmën e vet.

Iu gëzuan qetësimit të valëve, *

   ai i qiti në portin e dëshiruar.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *

   për mrekullitë e tij ndaj bijve të njerëzve,

 

le ta madhërojnë në kuvendin e popullit, *

   le ta lavdërojnë në kuvendin e pleqve.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua, mrekullitë që ti bëre për ne.

 

Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit, le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.

 

   III (33-43)

 

Ai i shndërroi lumenjtë në shkretëtirë, *

   në vende të thata burimet e ujërave,

tokën e pëlleshme në këneta *

   për shkak të veprave të këqija të banorëve.

 

Shndërroi shkretëtirën në liqen me ujëra, *

   tokën e thatë e begatoi me burime të gjalla.

Aty i vendosi njerëzit e munduar nga uria, *

   dhe themeluan qytetin e banimit.

 

Mbollën arat e vunë vreshtat *

   dhe u prodhuan fruta me shumicë.

Zoti i bekoi e ata u shumuan fort, *

   as grigjat e tyre nuk u pakuan.

 

Mandej qenë dhjetuar e munduar *

   nga vuajtjet edhe nga dhembjet.

Ai që e shfryn përbuzjen mbi princa, *

   i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë.

 

I shpëtoi skamnorët nga mjerimi *

   dhe i shumoi si grigjat familjet.

 

Shohin të drejtët e le të gëzohen, *

   kurse mbrapshtia le ta mbyllë gojën e vet.

Kush është i mençur le t’i kujtojë këto, *

   do ta shohë mirësinë e Zotit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit, le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.

 

   D Besnikëria jote, o Zot, është deri në re,

   C gjyqi yt, sikurse humnera e pafund.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Gjyqtarëve 16, 4-6. 16-31

 

   Dinakëria e Dalilës.

 

   Në ato ditë Samsoni zuri mikeshë një grua që jetonte në luginën e Sorekut. Ajo quhej Dalilë. Erdhën tek ajo krerët e filistinëve e i thanë: “Tradhtoje dhe nxirrja në se ka gjithë atë fuqi, zbuloje si do të mund ta zotërojmë, ta lidhim e ta mposhtim. Nëse na e bën këtë, do të të japim secili nga një mijë e njëqind para argjendi.”

   Këndej edhe Dalila i tha Samsonit: “Po të lutem, më trego ku të qëndron gjithë ajo fuqi dhe si do të mund të lidhesh e të zotërohesh?”

   Pasi u mërzit dhe për shumë ditë rrinte duke e ngacmuar vazhdimisht dhe duke mos ia ndarë të keqen, ia këputi shpirtin dhe e molisi për vdekje. Atëherë ia zbuloi krejtësisht zemrën e vet. I tha: “Brisk rrues askurrë nuk ka kaluar mbi kryet tim, sepse jam “nazaré” ‑ i shuguruar Hyjit qysh në kraharorin e nënës sime. Po të rruhej koka ime, do të largohej prej meje fuqia ime e do të bëhesha i ligsht si çdo njeri tjetër.”

   Kur pa Dalila se ia kishte hapur krejtësisht zemrën e tij, çoi t'i thërrisnin krerët e filistinëve e u tha: “Ejani vetëm edhe kësaj here, se tani ma ka zbuluar krejt zemrën e vet.” Ata erdhën e me vete i morën paratë, që ia kishin premtuar. Ajo e vuri në gjumë mbi gjunjët e vet, thirri një rrustar dhe ia rroi shtatë bishtalecat e tij e zuri ta vërë në lojë: sepse forca u largua menjëherë prej tij. Atëherë bërtiti: “Samson, të kapën filistinët!” Kur i doli gjumi tha vetë me vete: “Do t'ia dal si bëra më parë e do të çlirohem”, sepse nuk e dinte që Zoti ishte larguar prej tij. E kapën filistenjtë, ia nxorën sytë dhe e çuan në Gazë. E lidhën me dy palë hekura të bronzta dhe e ndrynë në burg. Aty sillte gurin e mullirit.

   Ndërkaq flokët që ia kishin rruar, filluan t'i rriten. Prijësit filistenj ishin mbledhur së bashku për t'i kushtuar fli të madhërueshme Dagonit, zotit të tyre, dhe për t'u gostitur. Thoshin:

   “Zoti ynë na lëshoi në dorë armikun tonë, Samsonin!”

   Po edhe populli, kur e pa, lëvdonte zotin e vet dhe i thoshte po ato fjalë:

   “Zoti ynë na e dorëzoi kundërshtarin tonë që shkretoi tokën tonë dhe vrau shumë prej tanëve.”

   Tashti, pasi u bënë në qejf, kërkuan të sillej Samsoni e të bënte lojëra para tyre. E prunë prej burgut dhe ai po luante para tyre. E bënë të zërë vend ndërmjet dy shtyllave. Ky i tha djaloshit që e merrte për dore: “Më lër t'i prek shtyllat, në të cilat pushon shtëpia, të mbështetem e të pushoj sa një fije.” E shtëpia ishte plot me trima e me gra; ishin aty të gjithë paria e filistenjve, po edhe nga pullazi rreth tri mijë vetë, burra e gra, e shikonin Samsonin tek po luante. Samsoni iu lut Zotit e tha: “O Zot, Hyj, të të bjerë ndër mend për mua! Ma kthe vetëm edhe kësaj here forcën e mëparshme, o Hyj, që t'u hakmerrem filistenjve njëherë për të dy sytë e mi!” I kapi dy shtyllat e mesme, mbi të cilat mbështetej shtëpia, njërës i vuri dorën e djathtë e tjetrës të majtën, e tha: “Le të mbarojë jeta ime me filistenj!” Dhe i tundi për së forti shtyllat, shtëpia ra përmbi të gjithë prijësit e mbi mbarë popullin që ishte brenda. Duke vdekur vrau më shumë sesa kishte vrarë më parë sa ishte gjallë.

   Atëherë zbritën vëllezërit e tij e mbarë farefisi, e morën trupin e tij dhe e varrosën ndërmjet Sarasë e Estaholit, në varrin e t'et, Manuehut.

   Për njëzet vjet qe gjyqtar i Izraelit.

 

   Përgjigjja Krh. Ps 43 /42/, 1; 31 /30/, 4; Gjq 16, 28

 

   C Ma jep të drejtën, o Hyj, mbroje çështjen time prej gjindes së pafe. * Sepse forca ime e strehimi im ti je.

   D Të të bjerë ndër mend për mua, o Zot, më bëj të fortë.

   C Sepse forca ime e strehimi im ti je.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga traktati “Mbi Ati ynë” i shën Ciprianit, ipeshkëv dhe martir

   (Nr. 2 8-30; CSEL 3, 287-289)

 

   Duhet lutur jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.

 

   Ç’mrekulli, vëllezër fort të dashur, nëse “Ati ynë” është lutja që na e ka mësuar Hyji? Ai me mësimin e tij ka përmbledhur të gjitha lutjet tona në këto fjalë shëlbimi. Kjo gjë qe profetizuar nëpërmjet Isaisë profet, kur ai, i mbushur plot me Shpirtin Shenjt, kishte folur për madhërinë dhe për mëshirën e Hyjit dhe për fjalën që përmban çdo gjë dhe gjithçka përmbledh sipas një domethënieje e shëlbimi. Profeti pati thënë edhe se Hyji do t’i drejtohej mbarë tokës me fjali të shkurtra e të thella. Dhe vërtet, kur Fjala e Hyjit, domethënë Zoti ynë Jezu Krishti, erdhi tek të gjithë njerëzit, dhe pasi bashkoi të dijshëm dhe të padijshëm, i përhapi çdo gjinie dhe çdo moshe urdhërimet e tija, bëri një përmbledhje të madhe të urdhërimeve të veta, në mënyrë që mendja e nxënësve të mos lodhej tepër në mësimin qiellor, por të mësonte menjëherë atë që është e nevojshme për fenë e thjeshtë.

   Kështu, duke mësuar se çka ishte jeta e amshuar, e përfshiu me një shkurtësi të madhe dhe hyjnore misterin e jetës, duke thënë: “Kjo është jeta e pasosur: që të njohin ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin” (Gjn 17, 3). Në mënyrë të ngjashme, duke dashur që të krasisë prej Ligjit dhe prej Profetëve urdhërimet kryesore dhe themelore, tha: Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde! Ky është urdhri i parë. Urdhri i dytë është: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten! Në këta dy urdhra përmblidhen i tërë Ligji dhe Profetët (krh. Mk 12, 29-31). Dhe prapë: “Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëni edhe ju atyre! Ja, vërtet Ligji e Profetët.” (Mt 7, 12).

   Hyji na ka mësuar të lutemi jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, duke u lutur ai vetë shumë shpesh dhe duke treguar me dëshminë e shembullit të tij se çka duhet të bëjmë edhe ne, ashtu si është shkruar: “Jezusi tërhiqej në vende të vetmuara e lutej” (Lk 5, 16); dhe prapë: U ngjit në një mal për t’u lutur. Natën e kaloi duke iu lutur Hyjit (krh. Lk 6, 12).

   Kuptohet se Zoti nuk lutej dhe nuk ndërmjetësonte për vetveten – çka duhet të kërkojë për vetvete një i pafajshëm? – por lutej për mëkatet tona. Këtë gjë e shpall ai vetë kur i thotë Pjetrit: “Simon, Simon, qe, Satani kërkoi t’ju shoshitë porsi grurin! Por unë u luta për ty, që feja jote të mos mungojë(Lk 22, 31-32). Dhe pas kësaj gjëje ai i lutet Atit për të gjithë, duke thënë: “Nuk po të lutem vetëm për këta, por edhe për të gjithë ata, që, për shkak të fjalës së tyre, do të besojnë në mua: që të gjithë të jenë një. Sikurse ti, Atë, që je në mua dhe unë në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne(Gjn 17, 20-21).

   E madhe ishte mirësia e Hyjit për shëlbimin tonë dhe e madhe mëshira e tij! Nuk i mjaftoi të na shëlbonte me gjakun e tij, por deshi edhe të lutej për ne. Dhe shikojeni se cila ishte dëshira e tij ndërsa lutej: që sikurse Ati dhe Biri janë një gjë e vetme, kështu edhe ne të qëndrojmë në të njëjtën njësi.

 

   Përgjigjja Ps 25 /24/, 1-2. 5

 

   C Te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim; * Hyji im, në ty shpresoj: mos lejo të turpërohem!

   D Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je hyji im, Shëlbuesi im, në ty shpresoj gjithmonë.

   C Hyji im, në ty shpresoj: mos lejo të turpërohem!

 

   Lutja

 

   O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që në zbatim të urdhërimeve tua të të pëlqejmë ty me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.