Shërbesa e leximeve
Java e dymbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Është koha e mesit natës;
nxit zëri profetik
t’i këndojmë lavde Hyjit,
Atit gjithmonë e Birit,
Si edhe Shpirtit të Shenjtë:
Trinia e përsosur
e një gjëje të vetme
nga ne gjithmonë duhet lavdëruar.
Kjo kohë ka edhe tmerrin,
ku engjëlli shkatërrues
vdekjen i solli Egjiptit,
shfarosi të parëlindurit.
Kjo orë shpëtim qe për të drejtët,
pse atëherë po atje engjëlli
s’kishte guxuar t’ndeshkonte
nga frika e shenjës s’gjakut.
Egjipti rëndë vajtonte
nga shuarja e rreptë e djemve;
veç Izraeli gëzonte
mbrojtur nga gjaku i qengjit.
Izraeli i vërtetë ne jemi:
në Ty, o Zot, gëzohemi,
duke shpërfillë armikun dhe të keqen,
mbrojtur nga gjaku i Krishtit.
Na bëj të denjë, o mbreti i madhrueshëm,
lavdia e mbretërisë s’ardhshme,
që t’meritojmë me lavde
t’amshueshme ty t’këndojmë. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Falemi o ditë, lavdia e ditëve,
fatlume ditë fitore e Krishtit,
ditë e denjë gëzimi i zgjedhës,
dita e parë.
Dritë hyjnore u ndriçon të verbëtve,
në cilën Krishti shkreton ferrin,
vdekjen e mposhtë dhe pajton rishtas
t’ultat me t’lartat.
Vendimi i mbretit të amshuar
nën mëkat fund u dha të gjithave;
që hiri i lartë në ndihmë t’u vinte
njerëzve të dobët.
Virtyti i Hyjit e dija
mërinë me mirësi zbuti
atëherë kur bota në greminë
tërësisht po rrokollisej.
I lirë u ngjall përsëri nga ferri
restaurator i farës njerëzore
delen e vet mbi supa duke e mbartur
në vise t’epra.
Bëhet paqëtues i engjëjve me njerëzit,
rritet plotësimi i radhëve qiellore,
lavdi i ka hije Hyjit ngadhënjimtar,
lavdia e amshuar.
Harmonia e atdheut qiellor
përkoftë me zërin e Nënës Kishë,
“Aleluja” sot grumbulloftë me turma
grigjat besnike.
Me triumfin e mbretërisë mbi vdekjen,
të përfitojmë nga gëzimi triumfal:
paqe në tokë, dhe brohoritje
qofshin ndër qiej. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Kur psalmi që vijon është lutur në Ftesë, atëherë në vend të tij lutet psalmi 94 /93/ (fq. 499).
Psalmi 24 /23/ (1-10) Zoti hyn në Shenjtëroren e vet
Dyert e qiellit i janë hapur Krishtit Zot, kur u ngjit në qiell (Shën Ireneu).
E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete, *
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *
ai që nuk përbehet në rrenë.
Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †
Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!«
Kush është ky Mbreti i lavdisë? †
Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *
Zoti, Ngadhënjyes në luftë!
Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †
lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!
»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *
Ai, Zoti i Ushtrive,
ai vetë është Mbreti i lavdisë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë, ai e shpëtoi jetën tonë, aleluja.
Psalmi 66 /65/ Himn falënderimi në rastin e flijimit
Në lidhje me ringjalljen e Zotit dhe kthimin e paganëve (Esichio).
I (1-12)
Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit, †
këndoni lavdisë së Emrit të tij, *
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuani Hyjit: »Sa të mrekullueshme janë veprat e tua! *
Pse je tejet i fuqishëm,
armiqtë e tu të përkëdhelin.
Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë, *
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!«
Ejani e shikoni veprat e Hyjit: *
bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!
Ai e shndërroi detin në terik, †
këmbë e kaluan lumin *
për këtë galdojmë me gëzim.
Ai sundon për amshim me pushtetin e vet, †
sytë e tij vërejnë përmbi popuj *
që të mos çojnë krye njerëzit kryengritës.
Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë *
dhe shpalleni lavdinë e tij!
Ai i dha shpirtit tonë jetën, *
këmbët na i ruan nga hapat e gabuar.
Ti vetë, o Hyj, na vure në provë, *
porsi argjendin nëpër zjarr na kalove.
Ti vetë na qite në leqe, *
barrë të rëndë na ngarkove mbi shpinë.
Ti lejove të na hipin në qafë njerëzit, †
na përshkove nëpër zjarr e ujë, *
por më vonë na dhe pushim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë, ai e shpëtoi jetën tonë, aleluja.
Ant. 3 Dëgjoni të gjithë ju që e keni frikën e Zotit, sa shumë bëri Hyji për mua, aleluja.
II (13-20)
Me fli shkrumbimi në Shtëpinë tënde do të hyj, *
para teje do t’i çoj në vend kushtet,
që i premtova me buzët e mia, *
që i thashë me gojë kur isha në rrezik.
Do të kushtoj fli shkrumbimi të majme, †
bashkë me dhjamë të erëndshëm deshësh, *
do të të kushtoj qe edhe cjep!
Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin, *
do t’ju tregoj çfarë i bëri shpirtit tim.
Me gojën time e thirra në ndihmë, *
dhe me gjuhën time e madhërova.
Po të mendoja të keqen në zemrën time, *
Zoti nuk do të ma dëgjonte uratën.
Prandaj Hyji ma dëgjoi uratën, *
i vuri vesh zërit të lutjes sime.
Qoftë bekuar Hyji
që s’ma hodhi poshtë lutjen time *
e nuk ma mohoi mëshirën e vet!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Dëgjoni, të gjithë ju që e keni frikën e Zotit, sa shumë bëri Hyji për mua, aleluja.
D Fjala e Zotit është e gjallë dhe vepruese,
C më përshkuese se shpata dy teheshe.
Leximi i parë
Prej librit të parë Samuelit 16, 1-13
Davidi shugurohet mbret.
Në ato ditë, Zoti i tha Samuelit: “Deri kur do ta qash Saulin pasi unë e flaka tej që të mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe bririn tënd me vaj e eja të të çoj tek Isai betlehemas: sepse gjeta për vete mbretin ndër bijtë e tij.” Samueli i tha: “Po si të shkoj? Do të dëgjojë Sauli e do të më vrasë.” E Zoti i tha: “Merre me vete një viçe e thuaj: 'Erdha të flijoj për nder të Zotit.' Thirre në fli Isain dhe atëherë unë do të të tregoj se çfarë të duhet të bësh. Pastaj lyeje atë që të të them unë.”
Samueli bëri sikurse i kishte urdhëruar Zoti dhe erdhi në Betlehem. Pleqtë e qytetit i kapi frika, i dolën para dhe i thanë: “A është e paqme hyrja jote?” Ai u përgjigj: “E paqme. Erdha për t'i bërë kushtim Zotit. Shenjtërohuni dhe ejani me mua që të flijoj.” Pastaj shenjtëroi Isain dhe bijtë e tij dhe i grishi ata në fli.
Kur hynë, Samueli e pa Eliabin e tha: “S'ka dyshim se para Zotit është i shuguruari i tij.” Por Zoti i tha Samuelit:”Mos e shiko fytyrën e tij dhe lartësinë e shtatit të tij, sepse e kam përjashtuar. Unë nuk gjykoj sipas pamjes së njerëzve: njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën.” Atëherë Isai thirri Abinadabin dhe e solli para Samuelit, i cili tha: “As këtë nuk e ka zgjedhur Zoti.” Isai e solli Samën, për të cilin tha: “As këtë nuk e ka zgjedhur Zoti.” Kështu Isai i solli shtatë djemtë e vet para Samuelit dhe Samueli i tha Isait: “Prej këtyre Zoti nuk ka zgjedhur asnjërin.”
Samueli i tha përsëri Isait: “A janë vetëm këta bijtë e tu?” Ai iu përgjigj: “Kam edhe një, më të voglin, është duke kullotur delet.” Samueli i tha Isait: “Ço e sille këtu! Nuk do ta shtrojmë bukën derisa të vijë ai këtu.” Dërgoi pra, dhe e solli. Ishte kuqlosh, i bukur e i hijshëm nga pamja. Zoti i tha: “Çohu e lyeje, sepse ky është.”
Atëherë Samueli e mori bririn dhe e shuguroi midis vëllezërve të tij. Shpirti i Zotit e pushtoi Davidin prej aso dite e më tutje. Samueli u ngrit e shkoi në Ramë.
Përgjigjja Krh. Ps 89 /88/, 20. 22. 21
C Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time, e lartësova një djalosh nga populli im. * Dora ime gjithmonë do të jetë me të.
D Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, e leva ma vajin tim të shenjtë.
C Dora ime gjithmonë do të jetë me të.
Leximi i dytë
Nga traktati “Mbi Trininë” i Faustin Luciferianit
(Nr. 30-40; CCL 69, 340-341)
Krishti mbret dhe prift në amshim.
Shëlbuesi ynë u bë vërtet “Krisht” sipas mishit e në të njëjtën kohë mbret i vërtetë dhe prift i vërtetë. Ai është së bashku njëra dhe tjetra gjë, që Shëlbuesit të mos i mungojë asnjëra prej gjërave që kishte si Hyj.
Ai vetë e pohon denjësinë e tij mbretërore, kur thotë: “Unë e kam shuguruar mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë!” (Ps 2, 6). Ndërsa Ati e vërteton denjësinë priftërore të Birit me fjalët: “Ti je prift për amshim në mënyrën e Melkizedekut.” (Ps 110 /109/, 4).
Në ligjin e vjetër i pari që u shugurua prift me vajin e shugurimit ishte Aroni. Por nuk thuhet “sipas urdhrit të Aronit”, në mënyrë që të mos mendohet se edhe priftëria e Shëlbuesit i është dhënë sipas trashëgimisë. Priftëria e Aronit kalohej prej një njeriu në tjetrin sipas trashëgimisë, por priftëria e Krishtit nuk është kështu, sepse ai vetë mbetet prift për amshim. Dhe vërtet thuhet: “Ti je prift për amshim në mënyrën e Melkizedekut”.
Shëlbuesi, pra, sipas mishit është mbret dhe prift. Por, vajimi që iu bë atij nuk është material, por shpirtëror. Dhe vërtet, ata që tek Izraelitët shuguroheshin mbretër dhe meshtarë me vajimin material, bëheshin mbretër dhe priftërinj, por jo të dyja së bashku: çdonjëri prej tyre ishte ose mbret ose prift. Vetëm Krishtit i përket përsosmëria dhe plotësia në çdo gjë, sepse ai vetë erdhi për ta përsosur ligjin.
Por, prapëseprapë, sado që asnjëri prej tyre nuk ishte mbret dhe prift së bashku, ata që ishin shuguruar me vajim material, ose mbretër ose meshtarë, quheshin “krishta”. Porse, Shëlbuesi që është Krishti i vërtetë, u vajua me Shpirtin Shenjt, në mënyrë që të plotësoheshin fjalët që ishin shkruar për të: “Prandaj të shuguroi Hyji, Hyji yt, me vaj gëzimi si çmoskëndin ndër shokët e tu” (Ps 45 /44/, 8).
Vajimi i tij shkëlqen përmbi të gjitha vajimet e shokëve të tij, sepse ai u vajua me vaj gëzimi që nuk do të thotë tjetër përpos Shpirtit Shenjt.
Se kjo gjë është e vërtetë, këtë e dimë prej vetë Shëlbuesit, i cili, pasi që e mori librin e Isaisë profet dhe lexoi: “Shpirti i Zotit është mbi mua sepse Ai më shuguroi!” (Lk 4, 18), shpalli para atyre që po e dëgjonin se profecia kishte shkuar në vend në personin e tij.
Edhe Pjetri, prijësi i apostujve, dëshmon se ai vaj, prej të cilit u shfaq Shëlbuesi, është Shpirti Shenjt, domethënë vetë fuqia e Hyjit, kur në Veprat e Apostujve në mes të tjerash i thotë Kornelit centurion, njeri plot fe dhe hir: “Duke filluar nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtet të djallit” (Vap 10, 37-38).
Edhe Pjetri pra, pohon se Jezusi njeri u vajua me Shpirtin Shenjt dhe me pushtet. Është e vërtetë pra, se vetë Jezusi u bë “krisht”në cilësi të njeriut, sepse me vajimin e Shpirtit Shenjt u shugurua mbret dhe prift në amshim.
Përgjigjja
C Kundrojeni lavdinë e Zotit: ai hyn në botë për të shpëtuar popujt. * Ai është mbreti i drejtësisë: mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
D Jezusi për ne hyri porsi pararendës, u bë kryeprift përgjithmonë në mënyrë të Melikizedekut.
C Ai është mbreti i drejtësisë: mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
Po të lutemi, o Zot, bëj ta kemi frikën e emrit tënd por edhe njëkohësisht ta duam, sepse kurrë nuk ua mungove drejtimin tënd atyre që i ke përforcuar në dashurinë tënde. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.