Shërbesa e leximeve
Java e dymbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
E hënë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Tani është për ne ajo koha
ku nga zëri ungjillor
besohet do vijë dhëndri,
Autori i mbretërisë qiellore.
Rendin virgjëreshat shenjte
kur t’vijë me i dalë përpara,
duke mbajtë llamba t’ndritshme,
me gëzim t’madh t’hareshme.
T’marrat që s’luajnë nga vendi,
të shuara i kanë llambat,
pa dobi n’derë trokasin
është mbyllë pallati i mbretit.
Tani me urti t’rrijmë zgjuar
duke i mbajtë mendtë të qarta,
që kur të vijë Zotynë
të denjë t’i dalim para.
Na bëj të denjë, mbret i madhnueshëm,
lavdia e mbretërisë s’ardhshme,
që t’meritojmë me lavde
ty të këndojmë t’amshueshme.Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Jeta e shenjtorëve, rruga, shpresa e shpëtimi,
o Krisht, dhuruesi i mirësisë e i paqes
autori i madh, ne ty me zëra e ndjenja
himnim të qesim.
Që ke virtytin tërësisht të dukshëm (njohur)
që t’drejtët munden, kanë, e që me zemër
me gojë e vepra i lakmojnë, të ndezur
nga zjarri i dashurisë.
Paqen e kohrave, e ruajtjen e besës,
kujdes, përkrahje ndër shkarje të dobëta,
jepu të gjithëve krahas me dhuratat
e jetës s’lumtur.
Lavdi e njëjtë lartësoftë Prindin e Epërm
dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë n’përjetësi,
e të buqasë lumnia e Shpirtit Shenjtë
nëpër gjithë botën. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 I mirë është Zoti me të drejtët dhe të pastrit në zemër.
Psalmi 73 /72/ Përse vuan i drejti
I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua (Mt 11, 6).
I (1-12)
Sa i mirë është Hyji për njerëzit e drejtë, *
Zotynë për ata që janë të pastër në zemër.
E mua veçse nuk më rrëshqitën këmbët, *
për pak që nuk më lëshuan këmbët,
sepse ua pata lakmi krenarëve *
duke parë mirëqenien e keqbërësve.
Sepse për ta vuajtje nuk ka, *
shëndoshë e plot dhjamë është trupi i tyre.
Nuk jetojnë në vuajtje të vdekatarëve, *
nuk i rreh frushkulli i vështirësive të njerëzve.
Prandaj edhe gjerdan për qafë e kanë madhështinë *
e dhunën për petk që i mbulon.
Nga zemra e majme u kullon e keqja, *
dhelpëritë u shpërthejnë nga zemra.
Përqeshin e dijekeqas flasin, *
me dhunë kërcënohen krenarisht prej së larti.
Vënë gojë edhe kundër qiellit, *
gjuha e tyre e përshkon dheun.
Prandaj lart e vendosin veten *
dhe ujërat e shumta nuk arrijnë tek ata.
Kështu edhe thonë: »Si mund ta dijë Hyji? *
A mund të dijë gjë i Tejetlarti?«
Ja, këta janë mëkatarët: *
gjithmonë të qetë e grumbullojnë pasuri.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 I mirë është Zoti me të drejtët dhe të pastrit në zemër.
Ant. 2 Keqbërësit që sot qeshin, nesër do të qajnë.
II (13-20)
Atëherë thashë: »Vallë kot e paskësh ruajtur
të pastër zemrën time *
dhe në pafajësi i lava duart e mia,
kot e frushkullova veten përditë *
duke bërë pendesë që herët në mëngjes!«
Të kisha thënë: »Do të flas porsi ata«, *
unë do ta tradhtoja fisin e bijve të tu.
U mundova ta kuptoja këtë gjë: *
porse disi mjerisht sytë m’u morën.
Derisa disi hyra në shenjtëroren e Hyjit: *
atëherë pashë mbarimin e tyre.
Vërtet i vë në vend rrëshqitës, *
i lejon të shkojnë në rrënim.
Oh, sa me vrap mbaruan, *
u zhdukën, mjerimi i përpiu!
Po, sikurse ëndrra e atij që zgjohet, o Zot, *
kur të zgjohesh e bën asgjë fytyrën e tyre.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Keqbërësit që sot qeshin, nesër do të qajnë.
Ant. 3 Kush largohet prej teje do të birret: kënaqësia ime është të qëndroj në praninë tënde, o Zot.
III (21-28)
Kur shpirtin e kisha të trazuar, *
mundohesha në brendinë e zemrës sime,
isha i marrë e nuk kuptoja, *
isha bërë si bagëti para teje.
Por unë qysh tash gjithmonë do të jem me ty, *
sepse më more për dorën time të djathtë.
Ti do të më prish me këshillën tënde *
për të më marrë pastaj me lumturi.
Kë tjetër pos teje kam unë në qiell? *
Edhe në tokë s’dua tjetërkënd veç teje!
Ligështuar më janë trupi dhe zemra: *
ti je Hyji i zemrës sime, pjesa ime, Hyji i amshueshëm.
Po se do të sharrojnë të gjithë ata që largohen prej teje, *
ti zhbin të gjithë ata që të tradhtojnë.
Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, *
ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim,
që t’i shpall të gjitha veprat e tua *
në dyert e Qytetit Sion.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Kush largohet prej teje do të birret: kënaqësia ime është të qëndroj në praninë tënde, o Zot.
D Të ëmbla për gojën time janë fjalët e tua, o Zot,
C më të ëmbla se mjalti i nxjerrë prej shkëmbit.
Leximi i parë
Prej librit të parë Samuelit 17, 1-10. 32. 38-51
Davidi lufton kundër Goliatit gjigant.
Në ato ditë, Filistenjtë i bashkuan togat e veta për luftë. U mblodhën në Soko të Judës dhe fushimin e ngulën ndërmjet Sokos e Azekës në Efesdomim. Po edhe Sauli dhe trimat e Izraelit u mblodhën e erdhën në luginën e Terebintit dhe u vunë në rreshta për të luftuar kundër filistinëve. Filistinët qëndronin në njërën anë të malit e izraelitët në anën tjetër të malit, ndërmjet kishin luginën.
Doli një dyluftues prej aradheve të filistenjve, me emrin Goliati prej Getit. Ishte i lartë gjashtë kute e një pëllëmbë. Mbi krye kishte përkrenaren e bronztë, vishej me pancir me luspa; vetëm panciri i peshonte pesë mijë sikla bronzi. Ishte i mbathur me bronz deri në ijë e krahaqafë mbante një heshtëz bronzi. Shtiza e heshtës së tij ishte si shul tezgjahu, kurse vetë hekuri i heshtës së tij peshonte gjashtëqind sikla hekuri. Përpara i shkonte shqytari i tij.
Qëndronte përballë togave të Izraelit e u thoshte: “Pse keni ardhur e rreshtoheni për të luftuar? Pse, a nuk jam unë filisteas e ju shërbëtorët e Saulit? Zgjidhni ju një njeri prej jush dhe le të më dalë në dyluftim! Nëse guxon të luftojë me mua dhe nëse më fiton, do të jemi skllevërit tuaj; e nëse do ta mund unë, ju do të jeni skllevërit tanë e do të na shërbeni.”
Filisteu shtonte: “Unë sot po i hedh mollën e dyluftimit aradhes së Izraelit: Qiteni njeriun që do të hyjë në dyluftim me mua.”
Kur e sollën Davidin te Sauli, i tha: “Askënd të mos e lëshojë zemra për shkak të atij filisteu! Unë, shërbëtori yt, do të shkoj të luftoj me atë filiste!”
Sauli e veshi Davidin me petkat e veta, i vuri në kokë përkrenaren e bronztë dhe e ngjeshi me pancir. I ngjeshur kështu Davidi me shpatën e tij përmbi petkat e tija, provoi të lëvizë nëse i armatosur kështu do të mund të ecte, sepse nuk ishte i mësuar. Prandaj Davidi i tha Saulit: “Nuk mund të eci kështu, sepse nuk jam i stërvitur.” Dhe i hoqi. Atëherë mori kërrabën e vet në dorë, i zgjodhi pesë gurë të lehtë nga përroi, i qiti në strajcën e bariut, të cilën e përdorte si strajcë gurësh, mori në dorë bahen dhe u nis drejt filisteut.
Pash e më pash po afrohej edhe filisteu kundër Davidit dhe po i printe armëmbajtësi i tij. Filisteu, kur e pa Davidin, e përbuzi. Vërtet ishte një djalosh kuqlosh e i bukur nga duka. Filisteu i tha Davidit: “A mendon se jam unë qen që po vjen kundër meje me shkop?”, dhe shau filisteu Davidin e zotat e tij, dhe i tha Davidit: “Eja tek unë e do t’ua jap mishin tënd shpendëve të ajrit e egërsirave të pyllit.” E Davidi i ktheu gjegje filisteut: “Ti po më sulmon me shpatë, me heshtë e me patërshanë, kurse unë sulem kundër teje në emër të Zotit të Ushtrive, Krisht të aradheve të Izraelit, të cilat i nguce ti. Ty sot Zoti të lëshoi në dorën time: do të të vras e do të ta këpus kokën tënde e do ta marr, kurse kufomën tënde dhe kufomat e okërdha të filistenjve do t'ua jap sot shpendëve të ajrit e egërsirave të pyllit, që ta dijë mbarë bota se ka Hyj në Izrael. Le ta dijë mbarë kjo bashkësi se Zoti nuk shpëton as me shpatë as me heshtë: zotërues i luftës është ai! Ai do t’ju lëshojë në duar tona!”
Kur u ngrit pra, filisteu e po ecte duke iu afruar Davidit, Davidi këmbështoi e, vrap, u sul në luftim kundër filisteut. Futi dorën në strajcë, nxori gurin dhe e gjuajti me bahe. E qëlloi filisteun në lule të ballit dhe pesha iu ngul në ballë. Ra filisteu me fytyrë përdhe! E mundi Davidi filisteun me bahe e me një gur okërdhak: e goditi dhe e vrau filisteun! E, pasi nuk kishte shpatë në dorë, Davidi vrapoi dhe kërceu mbi filisteun, kapi shpatën e tij, e nxori nga milli i saj, e vrau dhe ia shkurtoi kokën.
Kur panë filistenjtë se e pat vigani i tyre, ua dhanë këmbëve.
Përgjigjja Krh. 1 Sam 17, 37; Ps 57 /56/, 4. 5
C Zoti më shpëtoi prej kthetrave të luanit e të ariut, * ai do të më shpëtojë prej duarve të armiqve.
D Krisht do ta dërgojë mëshirën e të vërtetën e vet: shpirti im banon midis luanëve që i përpijnë bijtë e njerëzve.
C Ai do të më shpëtojë prej duarve të armiqve.
Leximi i dytë
Nga traktati “Ideali i përkryer i të krishterit” i shën Gregorit nga Nisa, ipeshkëv
(PG 46, 254-255)
I krishteri është një Krisht tjetër.
Pali e ka njohur Krishtin më thellë se çdokush tjetër, dhe me sjelljen e me mësimin e tij ka thënë shumë qartë se si duhet të jetë ai që e ka marrë emrin e vet prej Krishtit. E ka imituar me aq përpikëri saqë ka treguar shumë qartë në vetvete tiparet e Krishtit dhe i ka shndërruar ndjenjat e zemrës së tij në ato të zemrës së Krishtit, saqë nuk dukej se fliste më ai. Pali fliste, por ishte Krishti që fliste në të. Të dëgjojmë prej gojës së tij se sa vetëdije të qartë kishte ai ndaj këtij privilegji: “Ju kërkoni provën se në mua flet Krishti” (2 Kor 13, 3) dhe ende: “Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti” (Gal 2, 20).
Ai vetë na ka treguar se sa fuqi të madhe ka ky emër i Krishtit, kur tha se ai është fuqia dhe urtia e Hyjit, kur e quajti paqe dhe dritë të paarritshme, në të cilën banon Hyji, larje e mëkateve dhe shëlbim, prift i madh, Pashkë, pajtues i shpirtrave, shkëlqim i lavdisë dhe shëmbëllesë e substancës hyjnore, krijues i shekujve, ushqim dhe pije shpirtërore, shkëmb dhe ujë, themel i fesë, gur i këndit, shëmbëllesë e Hyjit të papashëm, Hyj i lartëmadhëruar, kryet e trupit që është Kisha, zanafilla e krijimit të ri, model i të ringjallurve dhe i parëlindur mes shumë vëllezërve, ndërmjetës mes Hyjit dhe njerëzve, Bir i njëlindur i kurorëzuar me nder dhe lavdi, zotërues i lavdisë dhe fillimi i çdo gjëje, mbret i drejtësisë, mbret i paqes, mbret i gjithë mbretërve, që ka në pronë një mbretëri e cila nuk përkufizohet me asnjë skaj.
E quajti me këta emra dhe me emra të tjerë të ngjashëm, të cilët janë aq shumë saqë nuk mund të numërohen. Po të ballafaqoheshin në mes tyre të gjitha këto shprehje dhe po të merrej kuptimi i çdonjërës prej tyre, do të na tregonin fuqinë e mrekullueshme të emrit të Krishtit dhe të madhërisë së tij, e cila nuk mund të shpjegohet me fjalë. Por do të na zbulonin vetëm aq sa mund të kuptohet prej natyrës sonë dhe prej mendjes sonë.
Mirësia e Zotit tonë, pra, na bëri pjesëtarë të këtij emri që është i pari, më i madhi e më hyjnori mes gjithë të tjerëve, e ne, të stolisur me emrin e Krishtit, i themi vetes “të krishterë”. Rrjedh pra në mënyrë të domosdoshme, se të gjithë emrat që përfshihen në këtë fjalë të shihen njësoj të shprehur në një farë mënyre në emrin që ne bartim. E pra, që të mos duket se ne quhemi rrejshëm “të krishterë” është e nevojshme që jeta jonë ta pohojë dhe ta dëshmojë këtë gjë.
Përgjigjja Ps 5, 12; krh. 89 /88/, 16-17
C Le të gëzohen ata që mbështeten në ty, le të galdojnë përherë e në amshim. * Le të gëzohen në ty të gjithë ata që e duan Emrin tënd.
D Ecin në dritën e fytyrës sate, o Zot, dhe përherë e gëzojnë Emrin tënd.
C Le të gëzohen në ty të gjithë ata që e duan Emrin tënd.
Lutja
Po të lutemi, o Zot, bëj ta kemi frikën e emrit tënd por edhe njëkohësisht ta duam, sepse kurrë nuk ua mungove drejtimin tënd atyre që i ke përforcuar në dashurinë tënde. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.