Shërbesa e leximeve
Java e dymbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
E martë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Duke u ngritë natën, të gjithë të rrimë zgjuar,
përherë në psalme thellë le të mendohemi
me tërë fuqitë ne le t’i thurim Zotit
ëmbëlsisht himnet.
Mbretit të drejtë baras duke i kënduar,
me shenjtorë të tij të meritojmë të futemi
n’tremen e qiellit, të kalojmë së bashku
jetën e lume.
E këtë na e dhëntë neve Hyjnia e lume
e Atit, e Birit, baras dhe e Shpirtit
të Shenjtë, lavdia e t’cilëve lart ushton
nëpër mbarë botën. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Lutjeve tona veshët e hyjnueshëm,
o Zot, drejtoji, vetëm nga mëshira;
prano premtimet e shërbëtorëve tu
të përgjërohemi.
Qetësisht kujdesu nga Selia e Shenjtë
me fytyrë t’ëmbël, dhe ndriçoji llambat
e vajit tonë, dhe errësitë të gjitha
dëbo nga zemrat.
Me shumë mëshirë çlirona ne nga krimet,
këputi prangat, laj papastërtitë,
ki ndjesë për mëkate, me të djathtën tënde
ngre të rrëzuarit.
Lavdi i qoftë Hyjit Atë të amshuar,
dhe ty përherë, o Bir lindur prej Atit,
me t’cilin baras sundon Shpirti i Shenjt
nëpër gjithë shekujt. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Britma ime le të arrijë te ti, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje.
Psalmi 102 /101/ Lutja në fatkeqësi
Qoftë bekuar Hyji... që na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona (2 Kor 1, 4).
I (2-12)
O Zot, dëgjoje lutjen time *
e britma ime le të mbërrijë tek ti.
Mos e fsheh fytyrën tënde para meje *
në ditën time të vështirë,
prire veshin tënd drejt meje: *
kurdo të të thërras, më dëgjo shpejt!
Sepse ditët e mia po zhduken si tymi, *
e eshtrat e mia po digjen si zjarri.
Zemra po më thahet si bari i kositur *
e po harroj të ha edhe bukën time.
Prej gjëmave të mia të mëdha *
u bëra asht e lëkurë.
U bëra i ngjashëm me pelikanin në shkretëtirë, *
u bëra porsi kukuvajka në rrënoja.
Rri zgjuar e rënkoj *
porsi trumcaku qyqe vetëm mbi pullaz.
Gjithë ditën më fyejnë armiqtë e mi, *
kur më zemërohen, e nëmin emrin tim.
Ha hi porsi bukë, *
e pijen time e përziej me lot.
Për shkak të zemërimit të felgrimit tënd, *
sepse më lartësove e më mposhte.
Ditët e mia janë porsi hija e zgjatur *
e unë u thava porsi bari.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Britma ime le të arrijë te ti, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje.
Ant. 2 Vështroje, o Zot, lutjen e të varfrit.
II (13-23)
Por ti, o Zot, qëndron për amshim, *
prej breznie në brezni Emri yt.
Ngrihu, ki dhembje për Sionin: †
ka ardhur koha të kesh mëshirë për të *
- shi tani është koha!
Sepse shërbëtorët e tu i duan gurët e tij *
e u dhembet edhe pluhuri i tij.
Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot, *
të gjithë mbretërit e tokës lavdinë tënde.
Sepse Zoti e ndërtoi Sionin, *
u dëftua në lavdinë e vet.
E mori parasysh lutjen e të vobektëve *
dhe nuk e përbuzi uratën e tyre.
Le të shënohet kjo për brezninë e ardhshme *
dhe populli që do të vijë le ta lavdërojë Zotin.
Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë, *
nga qielli ai vrojton mbi tokë,
për t’i dëgjuar ofshamat e robërve, *
për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje,
që në Sion të shpallet Emri i Zotit *
e lavdia e tij në Jerusalem,
kur të mblidhen së bashku popujt e mbretëritë *
për t’u vënë në shërbimin e Zotit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Vështroje, o Zot, lutjen e të varfrit.
Ant. 3 Qysh në fillim e themelove tokën, edhe qielli është vepër e duarve të tua.
III (24-29)
Udhës m’i shpenzove fuqitë e mia, *
ditët m’i shkurtove.
Do të them: »Hyji im, †
mos më rrëmbe në gjysmën e ditëve të mia, *
vitet e tua zgjasin nga breznia në brezni.
Qysh në fillim themelove Tokën *
edhe qielli është latim i duarve të tua.
Këto do të mbarojnë ndërsa ti mbetesh për amshim, †
gjithçka do të vjetrohet si petku. *
Ti i shndërron porsi të veshmet e zhduken,
kurse ti i vetmi je gjithmonë i njëjtë, *
- vitet e tua kurrë nuk kanë të sosur.
Fëmijët e shërbëtorëve të tu do të jetojnë në paqe, *
pasardhësit e tyre do të qëndrojnë para teje.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Qysh në fillim e themelove tokën, edhe qielli është vepër e duarve të tua.
D Populli im, vërja veshin mësimit tim,
C dëgjoji fjalët e gojës sime.
Leximi i parë
Prej librit të parë Samuelit 17, 57 – 18, 9. 20
Zilia e Saulit ndaj Davidit.
Në ato ditë, kur u kthye Davidi pasi kishte vrarë filisteun, Abneri e mori dhe e paraqiti te Sauli ndërsa Davidi e kishte në dorë ende kokën e filisteut. Sauli e pyeti:”I biri i kujt je, o djalosh?” Davidi iu përgjigj: “Jam biri i shërbëtorit tënd Isait të Betlehemit.”
Tashti, posa kreu Davidi bisedën me Saulin, zemra e Jonatanit u lidh ngushtë me zemrën e Davidit dhe Jonatani e deshi Davidin si vetveten. Po atë ditë Sauli e ndali Davidin tek ai e nuk i dha leje të kthehej në shtëpinë e t'et. Jonatani e Davidi lidhën miqësi të ngushtë: Jonatani e donte si vetveten. Jonatani e zhveshi këmishën e vet që kishte veshur, e ia dha Davidit. Ia dha edhe petkat e veta të tjera, deri edhe shpatën, harkun dhe brezin e vet. Në të gjitha detyrat e veta, kudo e dërgonte Sauli, Davidi shkonte e dilte faqebardhë. Sauli e vuri prijës të ushtrisë. I pëlqeu mbarë popullit edhe oborrtarëve të Saulit.
Porse, në kthim, kur Davidi po kthehej pasi vrau filisteun, u dolën përpara gra prej të gjitha qyteteve të Izraelit, duke kënduar e vallëzuar para Saulit mbret me daulle, me këngë hareje e me cetra. Gratë këndonin, kërcenin e thoshin: “Vrau Sauli me mijëra, vrau Davidi me dhjetëra mijëra!”
Saulit i erdhi shumë keq dhe nuk i pëlqeu aspak kjo fjalë. Tha: “I dhanë Davidit me dhjetëra mijëra, kurse mua me mijëra! Çka i mungon atij përveç mbretërisë?!” Qysh prej asaj dite Sauli nuk e shikonte më Davidin me sy të mirë.
Por Davidin e donte vajza e dytë e Saulit, Mikola. I treguan Saulit dhe atij i ra mirë.
Përgjigjja Krh. Ps 56 /55/, 2. 4. 14
C Ki mëshirë për mua, o Hyj, se po më shkel armiku, sulmuesi im po më ngushton gjithë ditën. * Në Ty do ta vë gjithë shpresën time.
D Ti ma ke shpëtuar jetën prej vdekjes, këmbët e mia prej rrëzimit.
C Në Ty do ta vë gjithë shpresën time.
Leximi i dytë
Nga traktati “Ideali i përkryer i të krishterit” i shën Gregorit nga Nisa, ipeshkëv
(PG 46, 283-286)
Ta shfaqim Krishtin në tërë jetën tonë.
Tri janë elementet të cilat e shfaqin dhe e dallojnë jetën e të krishterit: vepra, fjala dhe mendimi. I pari prej këtyre është mendimi, në vend të dytë vjen fjala që hap dhe shpreh me fjalë atë që është zënë me mendje. Pastaj, në vend të tretë, qëndron veprimi, që e kthen në vepër atë që është menduar.
Nëse pra një gjë çfarëdo na shtyn që të mendojmë, të flasim apo të veprojmë, është e nevojshme që çdo fjalë e jona, çdo vepër apo mendim të jenë drejtuar dhe rregulluar prej atyre normave me anë të të cilave vetë Krishti u shfaq, në mënyrë që të mos mendojmë, të mos flasim dhe të mos bëjmë asgjë prej atyre gjërave që mund të na largojnë prej urdhrit të tij të madhërueshëm.
Çka tjetër, pra, duhet të bëjë ai që u bë i denjë të bartë mbi vete emrin e madh të Krishtit, veçse të shqyrtojë me zell çdo mendim të tij, çdo fjalë dhe vepër, dhe të shohë nëse çdonjëri prej tyre shkon drejt Krishtit apo largohet prej tij.
Ky shqyrtim i rëndësishëm mund të bëhet në shumë mënyra. Vërtet çdo gjë që bëhet, që mendohet apo që thuhet, nën shtytjen e ndonjë epshi të keq, kjo gjë nuk pajtohet aspak me Krishtin, por në të kundërtën sjell njollën dhe gjurmën e armikut, i cili bashkë me margaritarin e çmueshëm të zemrës përzien baltën e lakmimit të lig për të mjegulluar dhe për të shtrembëruar shkëlqimin e kthjellët të margaritarit.
Kurse ato gjëra që janë të lira dhe të pastra prej çdo dëshire të ndyrë, ato me siguri janë drejtuar kah autori dhe princi i paqes, Krishti Jezus. Ai që ndjenjat dhe dashuritë e zemrës së vet i merr prej burimit të tij dhe i fiton prej tij, porsi prej një burimi të pastër dhe të paprishur, do të paraqesë, me zanafillën dhe fillimin e vet, një ngjashmëri porsi ajo e ujit me burimin e tij, që rrjedh në lum apo shndrit në enë.
Dhe vërtet dëlirësia që është në Krishtin dhe ajo që është në zemrat tona është e njëjta. Por, ajo e Krishtit njëjtësohet me burimin; ndërsa e jona del prej tij dhe rrjedh në ne, duke rrëmbyer me vete udhës bukurinë dhe nderin e mendimeve, në mënyrë që të duket një farë ndërlidhjeje dhe harmonie mes njeriut të brendshëm dhe atij të jashtëm, pasi mendimet dhe ndjenjat, që vijnë prej Krishtit e rregullojnë jetën dhe e drejtojnë në rregull dhe në shenjtëri.
Në këtë gjë, pra, sipas mendimit tim, qëndron përsosmëria e jetës së krishterë, domethënë në përngjasimin e plotë dhe në realizimin konkret të të gjithë emrave që shprehen prej Emrit të Krishtit, si në fushën e brendshme të zemrës, po ashtu edhe në atë të jashtme të fjalës dhe të veprës.
Përgjigjja Kol 3, 17; Rom 14, 7
C Çkado që të thoni dhe të bëni, * le të jetë në nder të Emrit të Jezusit Zot.
D Asnjëri prej nesh nuk jeton për vete dhe asnjëri nuk vdes për vete,
C le të jetë në nder të Emrit të Jezusit Zot.
Lutja
Po të lutemi, o Zot, bëj ta kemi frikën e emrit tënd por edhe njëkohësisht ta duam, sepse kurrë nuk ua mungove drejtimin tënd atyre që i ke përforcuar në dashurinë tënde. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.