Shërbesa e leximeve

24 qershor Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit

 

Ftesa

 

V. O Zot, hapi buzët e mia!

P. E goja ime do të shpall lavdinë tënde!

 

Ant. Ta adhurojmë Jezusin, Qengjin e Hyjit, të cilin e shpalli Gjoni.

 

Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

      Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ta adhurojmë Jezusin, Qengjin e Hyjit, të cilin e shpalli Gjoni.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ta adhurojmë Jezusin, Qengjin e Hyjit, të cilin e shpalli Gjoni.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan.

 

Ant. Ta adhurojmë Jezusin, Qengjin e Hyjit, të cilin e shpalli Gjoni.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ta adhurojmë Jezusin, Qengjin e Hyjit, të cilin e shpalli Gjoni.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ta adhurojmë Jezusin, Qengjin e Hyjit, të cilin e shpalli Gjoni.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ta adhurojmë Jezusin, Qengjin e Hyjit, të cilin e shpalli Gjoni.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shwbesa e leximeve fillojn me Ftesë

 

      Himni

 

      N’vitet e njoma duke ikë nga turma

      e qytetarëve, shkove në shpellat e shkretirës,

      mos t’mundje t’paktën as me fjalë të lehta

      t’përlyeje jetën.

 

      Devja i blatoi një mbulesë t’kreshpëruar

      për gjymtyrë shenjte, për brez lëkurë delje,

      një lëng të nxjerrë të shoqëruar për ngrënie

      me mjalt e karkaleca.

 

      Ndërsa të tjerët me shpirt parafolës

      kënduan dritën që do vijë t’profetëve;

      ti në t’vërtetë zbulues i dole para

      atij që heq krimin e botës.

 

      Nëpër hapësirë të botës s’gjërë nuk pati

      asnjë prej nëne lindur më të shenjtë se Gjonin

      që meritoi të lajë në lumë t’Jordanit

      turpin e shekullit.

 

      Banorët e qiellit madhërojnë me lavde

      Ty, Zot i thjeshtë i barabartë n’Trini;

      dhe ne si lutës Ty të lypim falje:

      ndjesë për t’shpërblyerit. Amen.

 

      Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.

 

Ant. 1 Zoti më thirri prej prehrit të nënës, prej barkut të nënës sime iu kujtua emri im.

 

Psalmi 21 /20/ (2-8. 14)

 

O Zot, mbreti gëzohet në saje të fuqisë sate, *

      plot hare e mbush shpëtimi yt.

Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij, *

      nuk i përbuze lutjet e buzëve të tij.

 

Që më parë i dhe bekime të mëdha: *

      mbi krye i vure kurorë ari të kulluar.

T’u lut për jetë e ti i dhe *

      ditë të shumta - në jetë të jetës.

 

E madhe është lavdia e tij në shpëtimin tënd: *

      e stolise me madhëri e me shkëlqim.

Ti e bëre bekim përgjithmonë, *

      e kënaqe me gëzim në praninë tënde.

 

Sepse mbreti shpresën e ka në Zotin, *

      në saje të besnikërisë së të Lartit Zot s’do të trandet.

Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde, *

      e ne do të këndojmë

      e do të vallëzojmë për ngadhënjimin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti më thirri prej prehrit të nënës, prej barkut të nënës sime iu kujtua emri im.

 

Ant. 2 E bëri gjuhën time si një shpatë të mprehtë, më fshehu nën hijen e dorës së vet.

 

Psalmi 92 /91/ I (2-9)

 

Është punë e mirë ta lavdërosh Zotin, *

      t’i këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë.

 

Të shpallim dashurinë në mëngjes *

      e gjatë natës bësnikërinë tënde,

me harpë dhjetëkordash e me lirë, *

      me këngë përcjellë me cetër.

 

Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, *

      kënaqem për veprat e duarve të tua.

 

Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, *

      sa të thella mendimet e tua!

Njeriu i pamend nuk i di, *

      dhe i marri nuk do t’i kuptojë.

 

Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, *

      e në lulëzofshin ata që bëjnë keq,

janë të caktuar për bjerrje të pasosur, *

      vetëm ti je i Tejetlartë për amshim, o Zot!

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 E bëri gjuhën time si një shpatë të mprehtë, më fshehu nën hijen e dorës së vet.

 

Ant. 3 Gjoni, dëshmitari, thoshte: Ai që po vjen, ishte para meje.

 

II (10-16)

 

Sepse qe, o Zot, armiqtë e tu, †

      sepse qe, o Zot, armiqtë e tu do të birren, *

      do të shpërndahen të gjithë keqbërësit.

 

Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, *

      më shugurove me më të pastrin vaj.

 

Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë, *

      veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi.

 

I drejti lulëzon si palma, *

      rritet porsi cedri i Libanit.

Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit *

      lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.

 

Japin fruta edhe në pleqëri, *

      janë të kërthndeztë e plot shëndet,

për të shpallur se Zoti është i drejtë: *

      Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Gjoni, dëshmitari, thoshte: Ai që po vjen, ishte para meje.

 

      D Erdhi për të qenë dëshmitar i dritës,

      C që të gjithë të besonin nëpërmjet tij.

 

      Leximi i parë

 

      Prej librit të Jeremisë profet 1, 4-10. 17-19

 

      Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha:

      »Para se të trajtoja në kraharorin amënor, të njoha e, para se të dilje nga gjiri amënor, të shenjtërova, të caktova të jesh profet i popujve.

      Përgjigjja: »Eheu, o Zot Hyj! Po, unë nuk di të flas, sepse jam fëmijë!«

      Por Zoti mu përgjigj: Mos thuaj: 'Jam fëmijë!' Por shko te të gjithë ata që do të të dërgoj dhe thuaju gjithçka do të të urdhëroj.

      Mos ki kurrfarë frike para tyre, sepse unë jam me ty për të të mbrojtur, ‑ është fjala e Zotit.

      Atëherë Zoti e shtriu dorën e vet, ma preku gojën time e më tha:

      »Ja, unë po i vë fjalët e mia në gojën tënde.

      Ja, sot po të vë përmbi popuj e përmbi mbretëri, për të çrrënjosur e për të rrënuar, për të shkatërruar e për të shpërndarë, për të ndërtuar e për të mbjellë.«

      Prandaj ngjeshi ijët e tua! Në këmbë, pra! Thuaju të gjitha që unë po të urdhëroj. Aspak mos u tremb para tyre, përndryshe do të të bëj që të dridhesh para tyre!

      Ja, unë sot ty po të bëj qytet të fortifikuar, shtyllë hekuri, mur tumbaku përballë të gjithë vendit, përballë mbretërve të Judës e princave të tij, priftërinjve të tij e popullit të vendit.

      Ata do të luftojnë kundër teje, por s'do të ngadhënjejnë mbi ty, sepse unë jam me ty, që të të shpëtoj, thotë Zoti.«

 

      Përgjigjja Krh. Jer 1, 5. 9. 10

 

      C Para se të trajtoja në kraharorin amënor, të njoha e, para se të dilje nga gjiri amënor, të shenjtërova, * të caktova të jesh profet i popujve.

      D Ja, unë po i vë fjalët e mia në gojën tënde; ja, sot po të vë përmbi popuj e përmbi mbretëri,

      C të caktova të jesh profet i popujve.

 

      Leximi i dytë

 

      Nga “Fjalimet” e shën Augustinit, ipeshkëv

      (Fjal. 293, 1-3; PL 38, 1327-1328)

 

      Zëri i atij që bërtet në shkretëtirë

 

      Kisha e feston lindjen e Gjonit, duke i dhënë asaj një karakter veçanërisht të shenjt. Asnjë shenjti nuk i festohet kremtorisht dita e lindjes, por e kremtojmë atë të Gjonit dhe atë të Krishtit. Por Gjoni lind nga një grua e shtyrë në moshë dhe e vyshkur. Ndërsa Krishti lind nga një virgjër e re. Ati nuk i beson lajmit të lindjes së Gjonit dhe mbetet i memec. Virgjëra beson se Krishti do të lindë nga ajo dhe mbetet shtatzënë me anë të fesë.

      Duket se Gjoni është vënë si një kufi mes dy Besëlidhjeve, Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re. Dhe vërtet, se ai është kufiri që e shpall edhe vetë Zotëria kur pohon: “Ligji e profetët arrijnë deri në kohën e Gjonit” (Lk 16, 16). Paraqet, pra, në vete pjesën e Besëlidhjes së Vjetër dhe lajmërimin e Besëlidhjes së Re. Vërtet, për sa i përket Besëlidhjes së Vjetër, ai lind nga dy pleq. Për sa i përket Besëlidhjes së re, shpallet profet kur ishte në kraharorin e nënës. Akoma para se të lindte, Gjoni kërceu nga gëzimi në kraharorin e nënës me ardhjen e Marisë. Që atëherë e kishte emërimin, para se të dilte në dritë. Që atëherë tregohet si paralajmëruesi i kujt do të jetë, para se ta shihte atë. Këto janë fakte hyjnore të cilat i tejkalojnë kufijtë e vogëlsisë së njeriut. Së fundi lind, merr emrin dhe i zgjidhet gjuha atit të tij. Mjafton të tregojmë ngjarjen për të shpjeguar shëmbëllesën e realitetit.

      Zakaria hesht dhe e humbet zërin deri në lindjen e Gjonit, paralajmëruesit të Zotërisë, dhe vetëm atëherë e fiton aftësinë e të folurit. Çfarë domethënie tjetër ka heshtja e Zakarisë veçse një profeci e pa definuar mirë, dhe para predikimit të Jezusit akoma e errët? Shfaqet në ardhjen e tij. Bëhet e qartë kur të arrijë i paralajmëruari. Hapja e gojës së Zakarisë në lindjen e Gjonit është e njëjta me ndarjen e velit në mundimin e Krishtit. Po ta kishte paralajmëruar Gjoni vetveten, nuk do të kishte hapur gojën e Zakarisë. Zgjidhet gjuha sepse lind zëri. Vërtet Gjonit, i cili paralajmëronte Zotërinë, i qe vënë pyetja: “Kush je ti?” (Gjn 1, 19). Dhe ai u përgjigj: “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë” (Gjn 1, 23). Zëri është Gjoni, ndërsa për Zotërinë thuhet: “Në fillim ishte Fjala” (Gjn 1, 1). Gjoni është zëri për një kohë të caktuar, ndërsa Krishti është Fjala e amshuar që nga fillimi.

 

      Përgjigjja Lk 1, 76-77

 

      C E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit: * sepse do të shkosh përpara Zotit për t’ia përgatitur udhët.

      D Për ta vënë në dijeni popullin e tij se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija:

      C sepse do të shkosh përpara Zotit për t’ia përgatitur udhët.

 

      Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

      Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

      ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

      Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

      ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

      ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

      edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

      Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

      nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

      ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

      Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

      të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

      të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

      e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

      Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

      Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

      Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

      Në ty, o Hyj, shpresova, *

      e kurrë nuk do të turpërohem.

 

      Lutja

 

      Bëj, o Hyj i gjithëpushtetshëm, që familja jote të ecë udhës së shëlbimit nën udhëheqjen e shën Gjonit pararendës dhe të arrijë me siguri te Jezu Krishti, Zoti ynë, të cilin Gjoni e tregoi të pranishëm. Nëpër Zotin.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.