Shërbesa e leximeve
Java e dymbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
E enjte
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Shpendi lajmëtar i ditës
me kangë njofton po afrohet drita;
ne tani ndërtuesi i mendjeve
Krishti na fton te jeta.
“Hiqni – thërret – nga shtretërit
të smurë, gjumashë, përtacët;
ju t’urtë, të drejtë, t’përmbajtur
përgjoni; unë tani jam afër”.
Që, kur me frymë flakruese
agimi n’qiell të hapet,
të gjithë me punë t’stërvitur
t’forcojë në shpresë të dritës.
Me zëra t’thrrasim Krishtin
me vaj, me uratë, të esëllt;
se lutja e fuqishme
s’lejon t’flejë zemra e pastër.
Ti, o Krisht, shpërndaje gjumin,
këput prangat e natës,
ti zgjidh mëkatin e vjetër,
ndriçimin e ri sille.
Ty Krisht, mbret shumë i drejti,
ty e Atit qoftë lavdia
me Shpirtin Ngushllimtar,
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Zgjo ndjenja dashurie
ndaj ty, dhurues i fajit,
shpirtmirë t’u bëhesh zemrave
si të pastrosh ndyrësitë.
Këtu ne arrijmë të huaj (jashtëm)
dhe të mërguar rënkojmë;
ti je liman e atdhe,
na ço n’tremet e jetës.
Dashni e lumtur që ka etje
për ty gurrë jete, o e Vërteta;
ata sy shumë të lumtur
të popullit që ty vëzhgojnë.
N’ty është lumnia e madhe
kujtesa e lavdisë tënde,
që pa mbarim madhërojnë
ata që ngrejnë nga thellësia zemrën.
Bëj, o Atë krejt i drejti,
dhe, o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushllimtar,
sundues në gjithë shekujt. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 E djathta jote dhe drita e fytyrës sate i shpëtuan etërit tanë, o Zot.
Psalmi 44 /43/ Populli i Zotit në fatkeqësi
Në të gjitha vështirësitë, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).
I (2-9)
O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *
etërit tanë na e treguan,
veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *
në ditë të kahershme.
Me dorën tënde i çrrënjose paganët †
e i vendose stërgjyshërit tanë në vend të tyre, *
i zhbive popujt e stërgjyshërit i zgjerove.
Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *
as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,
por e djathta jote dhe krahu yt †
e drita e fytyrës sate, *
sepse i kishe për zemër.
Ti je mbreti im dhe Hyji im *
që ia dhurove fitoren Jakobit!
Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †
me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *
ata që u çuan kundër nesh.
Shpresa ime nuk është në harkun tim, *
as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,
por ti na shpëton nga armiqtë, *
ti i turpëron ata që na urrejnë.
Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *
Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 E djathta jote dhe drita e fytyrës sate i shpëtuan etërit tanë, o Zot.
Ant. 2 Zoti nuk do ta fshehë fytyrën e vet para jush, nëse ju ktheheni kah ai.
II (10-17)
Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *
Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.
Na bëre të ikim para armiqve tanë, *
ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.
Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *
dhe na trete ndër paganë.
E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *
as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.
Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjëve tanë, *
përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.
Na bëre përrallë për popuj: *
përmbi ne paganët e tundin kokën!
Përditë turpin tim e kam para sysh, *
marrja ma mbulon fytyrën
prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *
prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti nuk do ta fshehë fytyrën e vet para jush, nëse ju ktheheni kah ai.
Ant. 3 Zgjohu, o Zot, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
III (18-27)
Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *
as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,
as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *
as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,
e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *
na mbulove me hije të vdekjes.
Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *
t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,
pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *
nuk do ta kishte hetuar këtë?
E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *
të çmuar porsi delet për therore.
Zgjohu, përse po fle, o Zot? *
Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *
përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?
Se u poshtëruam e ramë përdhe, *
zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.
Çohu, na eja në ndihmë! *
Na shpëto pashë dashurinë tënde!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Zgjohu, o Zot, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
D Le të shkëlqejë përmbi mua drita e fytyrës sate:
C ma mëso urtinë, o Zot.
Leximi i parë
Prej librit të parë Samuelit 21, 1-9; 22, 1-5
Ikja e Davidit.
Në ato ditë Davidi u çua e shkoi. U ngrit edhe Jonatani e hyri në qytet.
Davidi shkoi te prifti Akimelek në Nob. Akimeleku, i shqetësuar, i doli para Davidit dhe i tha: “Pse erdhe ti vetëm dhe s'është askush me ty?” Davidi iu përgjigj Akimelekut prift: “Mbreti më ka dhënë një punë për ta kryer e më ka thënë: 'Askush të mos e dijë për çfarë të kam dërguar dhe ç'urdhra të kam dhënë.' Djelmoshave u kam thënë të më presin në një vend të caktuar. Tashti, nëse të kanë qëlluar pesë bukë, m'i jep; ose ç'të ka qëlluar tjetër.”
Prifti iu përgjigj Davidit: “S' më ka qëlluar bukë e rëndomtë, por vetëm bukë e kushtuar. A do të jenë të pastër djelmoshat, veçanërisht prej grave?” Davidi iu përgjigj priftit e i tha: “Pa farë dyshimi! Për sa u përket grave, jemi përmbajtur dje e pardje. Kur u nisa për udhë vetja e djelmoshave ishte në gjendje të pastër. Edhe pse ky është një udhëtim i rëndomtë, aq më tepër sot djelmoshat janë në gjendje të pastër për nga trupi.” Atëherë prifti i dha bukët e kushtuara. Vërtet, nuk i ndodhi tjetër bukë aty, përveç bukëve të paraqitjes që i kishte hequr prej pranisë së Zotit për të vënë bukë të nxehta.
Qëlloi aty atë ditë një prej shërbëtorëve të Saulit. Ishte ndalur para Zotit. Quhej Doeg Idumeu. Ishte kryetari i barinjve të Saulit.
Davidi i tha Akimelekut: “A mos të gjendet këtu për doresh ndonjë heshtë ose shpatë? Sepse, puna e mbretit duhej kryer me ngut e nuk mora me vete shpatën time as armët e mia.” Prifti iu përgjigj: “Këtu kam shpatën e Goliatit, të atij filisteu që e preve ti në luginën e Terebintit. Është e mbështjellë në një pëlhurë pas shpinorit. Nëse do ta marrësh atë, merre, tjetër përveç saj këtu nuk ka.” Davidi i tha: “S'ka tjetër si ajo, ma jep!”
U largua, pra, prej andej Davidi dhe u strehua në shpellën Odolam. Kur e morën vesh vëllezërit e tij dhe mbarë shtëpia e t'et, zbritën atje, tek ai. U bashkuan tek ai edhe të gjithë ata që ndodheshin ngushtë për shkak të detyrimeve, të shtypjes dhe të pakënaqësive dhe Davidi u bë prijës i tyre. Ishin me të rreth katërqind vetë.
Prej këndej Davidi shkoi në Masfë, që është në tokën e Moabit. Mbretit të Moabit i tha: “Po të lutem, prano të qëndrojnë me ju im atë dhe nëna ime derisa të mësoj se ç'do të bëjë Hyji për mua.” Dhe i la ata te mbreti i Moabit. Ata ndenjën tek ai për tërë kohën sa Davidi qëndroi në strehim.
Por profeti Gad i tha Davidit: “Mos rri më në strehim. Nisu e shko në tokën e Judës.” Davidi u çua e shkoi në pyllin e Haretit.
Përgjigjja Krh. Rom 7, 6; Mk 2, 25. 26
C U liruam nga pushteti i Ligjit që na mbante në robëri. * Ne shërbejmë në një jetë të re të Shpirtit Shenjt, e jo më në jetën e vjetër të shkronjës.
D A s’ju ka rënë kurrë të lexoni ç’bëri Davidi kur pati uri? Se si, hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngri bukët e kushtuara?
C Ne shërbejmë në një jetë të re të Shpirtit Shenjt, e jo më në jetën e vjetër të shkronjës.
Leximi i dytë
Nga “Predikimet” e shën Gregorit nga Nisa, ipeshkëv
(Om. 6, mbi lumturitë, PG 44, 1263-1266)
Hyji është porsi një shkëmb i paarritshëm.
Ajo që u ndodh atyre të cilët prej majës së një bjeshke shikojnë poshtë një det të thellë, që s’i arrihet fundi, po kjo gjë i ndodh edhe mendjes sime kur prej lartësisë së fjalës së Zotit, shikoj thellësitë e disa koncepteve.
Në shumë zona detare mund të shihet, prej anës që është e kthyer drejt detit, një mal gati i prerë në dy pjesë dhe i brerë që nga maja deri në fund. Ai në pjesën më të lartë ka një majë të thepisur që varet përmbi thellësitë e detit. Përshtypja e atij që e drejton shikimin e tij përmbi humnerën e papërshkueshme prej asaj lartësie dhe i jep marramendje, është e njëjtë me përshtypjen time kur përpiqem t’i thelloj sytë e mi prej lartësisë së fjalës misterioze të Zotit: “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin” (Mt 5, 8).
Hyji këtu dhurohet në kundrim të atyre që e kanë pastruar zemrën e tyre. Por “Hyjin kurrë askush nuk e pa” (Gjn 1, 18), ashtu sikurse pohon Gjoni i madh. Pali me mendjen e tij të madhërueshme ripohon dhe shton: “Asnjë njeri nuk e pa dhe asnjë njeri s’mund ta shohë” (1 Tim 6, 16). Ky është ai shkëmbi i lëmuar, i rrëshqitshëm dhe i rrëpirët, që në vetvete nuk jep asnjë mbështetje dhe ndihmë për konceptet e kuptimit tonë. Edhe vetë Moisiu në shprehjet e tija e ka quajtur të papërshkueshëm në kuptim se mendja jonë nuk mund ta arrijë kurrë, sado që të përpiqet të kapet në diçka për ta arritur majën. Është një fjalë e urtë që e pret në mënyrë të thiktë shkëmbin tonë: Njeriu nuk mund ta shohë Hyjin e të jetojë (krh. Dal 33, 20).
A e kupton tani trullosjen e mençurisë sonë që mbet pezull përmbi thellësitë e argumenteve që trajtohen në këtë fjalim?
Por të shohësh Hyjin, kjo është jeta e amshuar. Nëse Hyji është jetë, ai që nuk e sheh Hyjin nuk e sheh as jetën.
Sa ngushtë u gjetka shpresa e njerëzimit.
Porse Zoti i ngre dhe i mban zemrat e luhatshme, ashtu sikurse veproi edhe me Pjetrin, i cili po përmbytej. Ai e ngriti prapë në këmbë përmbi ujë porsi përmbi një dysheme të fortë dhe të qëndrueshme.
Nëse pra e shohim veten të luhatshëm përmbi humnerën e këtyre arsyetimeve edhe neve do të na afrohet dora e Fjalës, do të mbështetet përmbi mençurinë tonë dhe do të na bëjë ta shohim kuptimin e vërtetë të gjërave, dhe atëherë do të jemi të lirë prej frikës dhe do ta ndjekim udhën e tij. Por vetëm nëse zemra jonë është e pastër. Dhe vërtet thotë: “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin”.
Përgjigjja Krh. Gjn 1, 18; Ps 145 /144/, 3
C Hyjin kurrë askush nuk e pa: * Biri i vetëm – që është Hyj, një natyre ma Atin, Ai bëri të njihet.
D Zoti është i madh e i lavdërueshëm, e pashqyrtueshme është madhëria e tij,
C Biri i vetëm – që është Hyj, një natyre ma Atin, Ai bëri të njihet.
Lutja
Po të lutemi, o Zot, bëj ta kemi frikën e emrit tënd por edhe njëkohësisht ta duam, sepse kurrë nuk ua mungove drejtimin tënd atyre që i ke përforcuar në dashurinë tënde. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.