Shërbesa e leximeve
Java e dymbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
E premte
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Nëpërmjet këngës së gjelit
tashmë errësirë e natës
dhe të natës së pangopur
duke hequr tmerrin e zi,
Hy jetëdhënës, po të lusim
dhe të lypim me gjithë shpirt.
Dritë e fortë, syhapët, erdhe
dhe mbikëqyrës i njerëzimit,
ndërsa mbanin të gjitha sendet
bashkërisht heshtje të zakonshme,
madje e nxirrnin krejt të vdekur
përfytyrimin e të vdekurit.
Ti, o Krisht, ne të na zgjoje
nga gjumi i prapësisë,
dhe falas të na libroje
nga burgu i natës sterrë,
edhe dritën të na ktheje
shoqëruese gjithnjë e jetës.
Ty e Atit ju qoftë nderi,
po ashtu Shpirtit të Shenjtë,
Hyjit në tre vetë dhe një të vetëm,
paqes, jetës, edhe dritës,
mbi të gjithë emrit të ëmbël
dhe vullnetit të hyjnueshëm. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Na mbro, krijuesi i sendeve,
lavdi e dritës s’Atit,
pa hirin e të cilit
dridhen kraharorët tanë.
Dhe me Shpirtin tënd të mbushur,
duke mbartur Zotin me vete,
asgjë e grabitësit të pabesë të mos duket
me mashtrime shkatërruese.
Që ndër punët e shekullit,
si e lyp nevoja e jetës,
zhveshur nga çdo lloj krimi
të rrojmë me ligjet e tua.
Ty, o Krisht, mbret krejt i drejti,
Ty e Atit ju qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Mos e përbuz, o Hyj, lutjen time, që ta drejtoj ndërsa më shkelin mëkatarët.
Psalmi 55 /54/ (2-15. 17-24) Miku që tradhton
O Judë, a me të puthur po e tradhton Birin e njeriut? (Lk 22, 48).
I (2-9)
Vështroje, O Hyj, lutjen time, †
mos u fsheh para uratës sime, *
më prano e më vështro,
se në mjerimin tim u shkriva në vaj, *
prej britmës së armikut, prej ndrydhjes së mizorit.
Hedhin mbi mua paudhësi, *
më sulmojnë me tërbim.
Dridhet zemra ime në mua, *
më përshkoi tmerri i vdekjes.
Frikë e tmerr erdhën mbi mua, *
më mbuloi një rrëqethje e rëndë.
Thashë: »Kush do të më japë krahë porsi pëllumbit *
për të fluturuar e për të gjetur pushim?
Larg, larg do të fluturoja, *
në shkretëtirë do të banoja.
Do ta prisja atë që më shpëton *
nga furia e erës dhe e stuhisë.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Mos e përbuz, o Hyj, lutjen time, që ta drejtoj derisa më shkelin mëkatarët.
Ant. 2 Zoti na liroi prej sulmit të armikut.
II (10-15)
Shpërndaji, o Zot, pështjelloju gjuhët, *
sepse shoh dhunë e grindje në qytet.
Ditën, natën qarkullojnë mbi mure, †
në qytet paudhësi, vuajtje e prita, *
nuk mungojnë në sheshe mujshi e tradhti.
Sepse po të më shante armiku, *
disi do të duroja,
të ishte ngritur kundër meje ai që më urren, *
disi do të fshihesha para tij,
por qe ti, o njeri, shoku im, *
miku im, i njohuri im,
me të cilin bëra shoqëri të ngushtë: *
bashkë me turma shkonim në Shtëpinë e Hyjit!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti na liroi prej sulmit të armikut.
Ant. 3 Lërja kujdesin tënd Zotit e ai do të të shpëtojë.
III (17-24)
Por unë do ta thërras në ndihmë Hyjin, *
Zoti do të më japë shpëtim.
Në mbrëmje, në mëngjes, në mesditë
do të dënes i trishtuar *
e ai do të ma dëgjojë zërin.
Ai do të më shpëtojë, paqe do të më japë †
prej atyre që më sulmojnë: *
sepse të panumërt janë kundërshtarët e mi.
Hyji do të dëgjojë, do t’i përvujtërojë ata *
Ai që është para të gjitha jetëve.
Për ata kthim nuk ka *
e Hyjin s’e druan!
Secili ngre dorën kundër miqve të vet, *
shkel e thyen besën e dhënë.
Më të butë se tëlyeni e kanë gojën, *
zemrën e kanë të gatshme për luftim,
fjalët i kanë më të buta se vaji, *
e ata - shpatë të nxjerra nga milli!
Lëshoja kujdesin tënd Zotit †
e Ai do të të japë fuqi: *
kurrë s’do të lejojë të bjerë poshtë i drejti.
Ata, o Hyj, që janë gjakpirës e shpirtkëqij *
plandosi në gropën e varrit
që të mos jetojnë as gjysmën e ditëve të veta! *
Por unë do të shpresoj në ty, o Zot!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lërja kujdesin tënd Zotit e ai do të të shpëtojë.
D Dëgjoje, biri im, zërin e urtisë.
C vëri veshin mësimeve të mia.
Leximi i parë
Prej librit të parë Samuelit 25, 14-24. 28-39
Davidi dhe Abigajla.
Në ato ditë, Abigajlën, gruan e Nabalit, e lajmëroi një nga shërbëtorët e saj e i tha: “Qe, Davidi prej shkretëtirës i dërgoi lajmëtarët e vet për t'i sjellë urimet e veta zotërisë sonë, por ai i dëboi me fjalë. Këta njerëz kanë qenë shumë të mirë me ne: nuk kanë qenë të mërzitshëm; asnjë send nuk na humbi gjatë krejt kohës sa jetuam me ta në shkretëtirë. Mur mburojës i kemi pasur natë e ditë gjatë krejt kohës sa i kullotëm grigjat ndër ta. Për këtë arsye mendo e pleqëro çfarë të duhet të bësh, sepse me siguri do t'i bëjnë ndonjë të zezë zotërisë sonë dhe mbarë familjes së tij. E zotëria është njeri i keq, kështu që askush s'mund të flasë me të.”
Abigajla shpejt e shpejt mori dyqind bukë, dy rrëshiqe me verë, pesë desh të pjekur, pesë masa grurë të pjekur, njëqind vile rrushi të thatë, dyqind ëmbëlsira fiqsh dhe i ngarkoi mbi gomarë. Shërbëtorëve të vet u tha: “Nisuni para meje, se qe, do t'ju zë.” Burrit të vet, Nabalit, nuk i tregoi.
Ndërsa ajo, kaluar mbi një gomar, po zbriste pas një bërryli malor, edhe Davidi, me njerëzit e vet, po zbriste përballë saj, kështu që ajo u takua me ta. Davidi thoshte: “Vërtet kot ia ruajta gjënë e tij që e kishte në shkretëtirë, dhe nuk i humbi asnjë kokërr që i përkiste atij e ky ma ktheu të mirën me të keqe. Kështu ua bëftë Hyji armiqve të Davidit e edhe më zi nëse do t'i lë gjallë deri nesër në mëngjes ndonjë mashkull të tij!”
Posa e pa Abigajla Davidin, zbriti me të shpejtë prej gomarit, ra me fytyrë përdhe para Davidit e u përkul deri në tokë. Ra para këmbëve të Davidit e tha: “Gabimi im, gabimi im, Imzot!
Falja, po të lutem, fajin shërbëtores sate.
E Zoti që bën mirë gjithmonë, do t'i bëjë imzotit një shtëpi të qëndrueshme, sepse imzoti lufton luftërat e Zotit: prandaj të mos gjendet vepër e keqe në zotërinë tim gjatë krejt jetës sate. E në qoftë se ndonjëherë do të ngrihet ndonjë njeri për të të salvuar e për të ta marrë jetën tënde, jeta e imzotit do të jetë e ruajtur në arkën e jetës te Zoti, Hyji yt; kurse jetën e armiqve të tu Zoti do ta flakë tej vrullshëm me rrotullim të bahes! E kur Zoti do t'i çojë në vend të gjitha të mirat që t'i ka premtuar, ai do të të vërë prijës mbi Izraelin, atëherë zotëria im s'do ta ketë ankth në shpirt e bremje në zemër se ke derdhur gjak më kot e se je hakmarrë me dorën tënde. E kur ta ketë bekuar Zoti imzotin, le të të bjerë ndërmend për shërbëtoren tënde.”
Davidi i tha Abigajlës: “Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, që të dërgoi sot ty në takim me mua! Qoftë bekuar edhe urtësia jote e qofsh bekuar edhe ti që më pengove sot të mos derdhi gjak e të mos hakmerrem me dorën time! Se, përndryshe, pasha Zotin, Hyjin e Izraelit, që më ndaloi të mos të të bëj keq, po të mos më kishe ardhur me kohë në takim, gjallë s'do t'i kishte mbetur deri në agimin e mëngjesit Nabalit asnjë mashkull.”
Atëherë Davidi pranoi prej dorës së saj gjithçka i kishte sjellë ajo dhe i tha: “Shko në paqe në shtëpinë tënde. Shiko: ta dëgjova fjalën: qofsh falur!”
Abigajla u kthye te Nabali. Dhe ja, në shtëpi po bënte gosti, me të vërtetë një gosti mbretërish! Ishte shumë i gëzuar e krejtësisht i dehur. Ajo nuk i tregoi asgjë deri në mëngjes. Në mëngjes, kur Nabalit i kishte dalë vera, gruaja e tij ia tregoi të gjitha. Atëherë e lëshoi zemra përbrenda në parzëm: u bë si gur. Pasi kaluan dhjetë ditë, Zoti e goditi Nabalin e vdiq.
Kur e mori vesh Davidi se kishte vdekur Nabali, tha: “Qoftë bekuar Zoti që e shpagoi fyerjen që ma bëri Nabali e që e ruajti shërbëtorin e vet të mos hakmerrej vetë dhe që të keqen që bëri Nabali e solli mbi kokën e tij.”
Atëherë Davidi dërgoi njerëzit për t'i thënë Abigajlës se kishte qëllim ta merrte për grua.
Përgjigjja Krh. 1 Sam 25, 33. 32; Mt 5, 7
C Ti më pengove sot të mos derdhi gjak e të mos hakmerrem me dorën time: * qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, që të dërgoi sot ty në takim me mua.
D Lum të mëshirshmit sepse do të gjejnë mëshirë.
C Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, që të dërgoi sot ty në takim me mua.
Leximi i dytë
Nga “Predikimet” e shën Gregorit nga Nisa, ipeshkëv
(Pred. 6, mbi lumturitë, PG 44, 1266-1267)
Shpresa për të parë Hyjin.
Premtimi i Hyjit është vërtet aq i madh saqë tejkalon edhe kufirin më të largët të lumturisë. E ç’e mirë tjetër mund të dëshirohet, kur kemi gjithçka në atë që shihet? Dhe vërtet, në Shkrim të shohësh ka të njëjtin kuptim si të kesh në pronësi, sikurse thotë fjala e psalmistit: “E pafsh lumturinë e Jerusalemit në të gjitha ditët e jetës sate” (Ps 128 /127/, 5), ku folja do të thotë të njëjtën gjë si, “e paç”. Dhe kështu prapë: Le të hiqet qafe i paudhi dhe mos ta shohë madhërinë e Zotit (krh. Is 26, 10), ku profeti me foljen “mos ta shohë” nënkupton “mos të jetë pjesëmarrës”.
Pra, ai që e sheh Hyjin, për vetë faktin se e sheh, i ka fituar të gjitha të mirat, një jetë të pafund, pashkatërrueshmërinë e amshuar, lumturinë e pavdekshme, një mbretëri të pafund, një gëzim të përhershëm, dritën e vërtetë, një zë shpirtëror dhe të ëmbël, një lavdi të paarritshme, një gëzim të përhershëm, me një fjalë: çdo të mirë.
Në të vërtetë, ajo që i propozohet shpresës së premtimit të lumturisë ka këto përmasa të pafundme. Por meqë kemi treguar më parë se mënyra për të parë Hyjin futet në veprim vetëm me kusht që të kemi zemrën e pastër, këtu sërish mendja ime trulloset. A thua pastërtia e zemrës nuk është një ndër ato virtyte që nuk mund të arrihen, sepse e tejkalon natyrën tonë? Nëse Hyji mund të shihet vetëm nëpërmjet këtij zmadhuesi të pastërtisë e nëse nga ana tjetër Moisiu dhe Pali nuk e kanë parë, sepse pohojnë se Hyji nuk mund të shihet as prej tyre as prej ndokujt tjetër, ajo që Fjala propozon si lumturi duket gjë që kurrë nuk është realizuar dhe që nuk është e realizueshme.
E çfarë dobie mund të kemi ne për faktin se e dimë se me ç’kusht mund ta shohim Hyjin, nëse pastaj na mungojnë fuqitë për ta arritur atë gjë që e kemi zbuluar? Është porsi të thuhej se është një gjë e mrekullueshme të banosh në qiell, sepse atje shihen gjëra që këtu në tokë nuk mund të shihen. Po të mund të tregohej me fjalë ndonjë mënyrë për të bërë udhëtimin në qiell, atëherë do të ishte gjë e dobishme për dëgjuesit të kuptonin se është lumturi e madhe të banosh në qiell. Por, derisa nuk do të mund të arrihet kjo ngritje në qiell, atëherë çfarë dobie mund të japë njohja e lumturisë qiellore? A thua nuk shkakton vetëm vuajtje dhe dëshpërim, sepse na bën të vetëdijshëm për gjërat që na janë hequr, për vetë faktin se na është ndaluar të ngjitemi në qiell? E pse atëherë Zoti na nxit në një gjë që e tejkalon natyrën tonë dhe na jep një urdhër që shkon tej fuqive njerëzore?
Por punët nuk janë kështu, sepse ai nuk u urdhëron të bëhen zogj atyre që nuk u ka dhuruar flatra, as nuk u urdhëron të jetojnë nën ujë atyre për të cilët ka përcaktuar një jetë tokësore. Nëse, pra, në të gjitha qenësitë e tjera ligji u përshtatet fuqive të atyre që e marrin atë ligj dhe nuk u kërkon të bëjnë asnjë gjë që e tejkalon natyrën e tyre, do ta kuptojmë me siguri edhe këtë gjë në vetë faktin se ky urdhër që na është dhënë është i pajtueshëm me fuqitë dhe pasuritë tona, dhe se nuk duhet të dëshpërohemi duke menduar se nuk mund të arrijmë lumturinë që na është premtuar. Do të kuptojmë prapë se as Gjonit, as Palit, as Moisiut, as të tjerëve nuk u është mohuar kjo lumturi e madhërueshme, që buron nga soditja e Hyjit. As ai që tha: “Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë, që atë ditë do të ma japë Zoti” (2 Tim 4, 8). As ai që e mbështeti kokën e tij mbi parzmën e Jezusit, ose ai që e dëgjoi zërin hyjnor: “Unë të njoh për emër” (Dal 33, 17).
Nëse pra ata që kanë pohuar se shikimi i Hyjit është mbi fuqitë tona, janë edhe vetë të lumtur, dhe nëse lumturia vjen prej shikimit të Hyjit, dhe nëse ai që e ka zemrën e pastër mund të shohë Hyjin, kuptohet pra se pastërtia, nëpërmjet së cilës mund të arrihet lumturia, nuk është një virtyt i pamundshëm.
Përgjigjja Krh. Ps 63 /62/, 2; 17 /16/, 15
C O Hyj, ka etje për ty shpirti im, * ty të dëshiron trupi im.
D Në pafajësi do ta shikoj fytyrën tënde, e një ditë, kur të zgjohem, do të kënaqem me praninë tënde:
C ty të dëshiron trupi im.
Lutja
Po të lutemi, o Zot, bëj ta kemi frikën e emrit tënd por edhe njëkohësisht ta duam, sepse kurrë nuk ua mungove drejtimin tënd atyre që i ke përforcuar në dashurinë tënde. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.