Shërbesa e leximeve
Java e dymbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
E shtunë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Dritë n’amshim, dritë e fuqishme,
ditë që s’mbaron kurrë,
ngadhënjyese mbi natë t’errët
ripërtëritëse e ndriçimit,
shkatërruese e errësirës,
shkëlqimtare e mendjeve.
Kur lind ajo, ringjallemi,
kur na thërret, shpejt ngrihemi,
kur del, na bën të lumtur
kur na lë, jemi të mjeruar,
kur nga vdekja liruar,
ne jemi të qartë si drita;
kur dalë fitues mbi vdekjen,
përmbi natën dhe mbi shekullin;
prandaj, o Mbret i amshuar,
dhurona neve dritën,
që nga asnjë natë s’errësohet,
veç me ndriçim kënaqet.
Atit dhe Ty nderimi,
dhe Shpirtit Shenjt Ju qoftë,
Hyjit në tre vetë por një të vetmit,
paqes, jetës, ndriçimit,
mbi të gjithë emrit t’ëmbël,
dhe Hyjnisë së madhërishme. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Hy që s’vjen nga askush,
o Hy që rrjedh prej Hyjit,
Hy që buron prej këtyre,
ndër ne eja përkrahës.
Ti je dëshira jonë,
ti qofsh dashuria e gëzimi:
në ty lakmimi ynë
e në ty qoftë kënaqësia.
O Atë, sunduesi i të gjithëve,
me të Lindurin nga Virgjëra,
brenda dhe rreth e rrotull
me Shpirtin Shenjt sundona.
Kujto, Shenjtja Trini,
ç’ndërtoi mirësia jote,
njeriun më parë krijove,
me anë të gjakut e rimëkëmbe.
Se ata që ka krijuar Njënia,
shpërbleu dashuria e Krishtit
atëherë duke vuajtur i ndërgjegjshëm,
tash na duaj ne duke na zgjedhur.
Trinisë së Shenjtë gëzimi,
paqja, virtyti dhe sundimi,
pushteti i plotë e dinjiteti,
lavdi, nderi e nderimi. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Zoti e thërret qiellin e tokën, për të gjykuar popullin e vet.
Psalmi 50 /49/ I (1-6) Për kultin »në shpirt e në të vërtetë«
Krishti nuk erdhi për ta shlyer Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).
Flet Zoti, Hyji i hyjnive *
dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.
Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *
Hyji ndriçon!
Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: †
para i shkon zjarri që përpin, *
përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.
E thërret qiellin prej së larti *
edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:
»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *
që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«
Qiejt shpallin drejtësinë e tij *
sepse Hyji është gjykatës!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zoti e thërret qiellin e tokën, për të gjykuar popullin e vet.
Ant. 2 Më thirr në ditën e provës, e unë do të të liroj, thotë Zoti.
II (7-15)
»Dëgjo, populli im, dua të flas, †
o Izrael, dëshmoj kundër teje: *
unë Hyji jam, Hyji yt!
Nuk të qortoj për flitë e tua, *
flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!
S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *
as cjap prej tufave të tua.
Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *
me mijëra kafshë në malet e mia.
I njoh të gjithë shpendët e ajrit *
dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!
Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *
imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.
Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *
e pi gjak cjepsh?
Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *
dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,
e më thirr në ditën e travajit: *
unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Më thirr në ditën e provës, e unë do të të liroj, thotë Zoti.
Ant. 3 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit.
III (16-23)
Mëkatarit Hyji i thotë: †
»Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *
Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,
kur ti e urren disiplinën, *
pas shpine i hedh urdhrat e mi?
Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *
e me lavire vazhdimisht merr pjesë.
Gojën tënde e përdor për fitme, *
gjuha jote thur dredhi.
Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *
çnderon djalin e nënës sate.
Kështu veprove e unë heshta. †
A mendon ti se unë jam si ti? *
Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë
mëkatet e tua.«
Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †
mos me bëni t’ju fut në thonj *
se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.
Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †
do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *
atij që ecën udhës së drejtë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit.
D Të lutemi dhe ta kërkojmë në çdo kohë
C njohjen e plotë të vullnetit të Hyjit.
Leximi i parë
Prej librit të parë Samuelit 26, 5-25
Davidi tregohet zemërbujar ndaj Saulit.
Në ato ditë Davidi u çua e shkoi në vendin ku ishte Sauli. Kur e pa vendin ku flinte Sauli dhe Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë së tij, Sauli po flinte brenda rrethit, kurse populli tjetër rreth e rreth tij, Davidi i tha Akimelekut heteas dhe Abisait, birit të Sarvisë, vëllait të Joabit: “Cili zbret me mua te Sauli në fushim?” Iu përgjigj Abisai: “Unë zbres me ty.”
Erdhën, pra, Davidi e Abisai natën tek ushtria dhe e gjetën Saulin duke fjetur në gjumë brenda rrethit. Heshtën e kishte të ngulur në tokë te kryet e vet, kurse Abneri e populli tjetër po flinin përreth tij.
Atëherë Abisai i tha Davidit: “Hyji sot ta ka lëshuar në duar të tua armikun tënd: tani po e përshkoj me heshtë e po e mbërthej përtokë me një të rënë të vetme, të sjell një herë tjetër s'do të kem nevojë.” Por Davidi iu përgjigj: “Ruaj se e vret! Cili shtriu dorën e vet mbi të shuguruarin e Zotit e do të jetë i pafajshëm?” Atëherë Davidi shtoi: “Pasha jetën e Zotit, vetë Zoti do ta godasë, ose do t'i vijë dita të vdesë, ose do të dalë në luftë e do të vritet. Zoti mos e thëntë që unë të çoj dorë kundër të shuguruarit të Zotit! Tash pra, merre heshtën që është te kryet e tij dhe brokën e ujit e të largohemi.” Kështu, pra, i mori Davidi heshtën dhe brokën e ujit, që ishte te kryet e Saulit, dhe u larguan. Askush nuk i pa, askush s'diti gjë, askush nuk u zgjua. Të gjithë flinin: një gjumë i rëndë i dërguar prej Zotit i kishte pushtuar të gjithë.
Kur kaloi Davidi në anën e kundërt, u ndal në majë të malit, mjaft larg, në një largësi mjaft të madhe ndërmjet, atëherë Davidi i lëshoi zë ushtrisë dhe Abnerit, birit të Nerit e tha: “A nuk do të përgjigjesh, o Abner?” Abneri u përgjigj: “Kush je ti? Bërtet dhe e trazon mbretin!” Atëherë Davidi i tha Abnerit: “Ti je burrë, a jo? E kush është trim si ti në Izrael? Pse, atëherë nuk e ruajte zotërinë tënd, mbretin? E pra, ka hyrë dikush prej popullit me qëllim që ta vrasë mbretin, zotërinë tënd! S'është mirë siç ke vepruar ti! Pasha Zotin e gjallë, e keni merituar vdekjen që të gjithë ju që nuk e keni ruajtur zotërinë tuaj, të shuguruarin e Zotit. Tash, pra, shiko ku është heshta e mbretit e ku është broka e ujit, që ishte te kryet e tij!”
Por Sauli e njohu zërin e Davidit e tha: “A mos është ky zëri yt, biri im David?” Davidi tha: “Zëri im, o mbret, zotëria im!” E vazhdoi: “Për ç'arsye imzoti e ndjek shërbëtorin e vet? Ç'kam bërë? Çfarë faji është në mua? Tash, pra, le t'i dëgjojë, po të lutem, zotëria im, mbreti, fjalët e shërbëtorit të vet: Nëse Zoti të çon peshë kundër meje, i pëlqeftë flija e erëndshme! Por në qofshin njerëzit ata që të nxisin, qofshin mallkuar para Zotit, pse më dëbuan sot e më hodhën jashtë trashëgimit të Zotit, duke më thënë: 'Shko, shërbeju zotave të huaj!' E tani, mos u derdhtë gjaku im për tokë larg prej fytyrës së Zotit, pasi mbreti i Izraelit ka dalë që të kërkojë një plesht, sikurse kur ndokush del të gjuajë thëllëzën maleve.”
Sauli tha: “Kam mëkatuar! Kthehu, biri im, David! Assesi s'do të të bëj më keq, meqenëse sot para syve të tu jeta ime ka qenë e çmueshme. Shihet se kam vepruar marrëzisht e kam gabuar shumë, tepër shumë.”
Por Davidi iu përgjigj: “Ja ku është heshta e mbretit! Le të vijë një djalosh e le ta marrë. Zoti shpërbleftë gjithkënd sipas drejtësisë së vet e besnikërisë. Zoti sot të lëshoi në duar të mia, por unë s'desha të çoja dorën time mbi të shuguruarin e Zotit. Dhe sikurse jeta jote sot qe e shtrenjtë për sytë e mi, ashtu edhe jeta ime qoftë e çmueshme për sytë e Zotit e më shpëtoftë prej çdo rreziku.”
Sauli i tha Davidit: “Qofsh bekuar, biri im David! Çkado që do të ndërmarrësh, faqebardhë do të dalësh!”
Davidi shkoi në punë të vet e Sauli u kthye në shtëpi të vet.
Përgjigjja Ps 54 /53/, 5.3. 8. 4
C Krenarët u çuan kundër meje, mizorët kërkojnë të ma marrin shpirtin. Më shpëto, o Hyj, pashë Emrin tënd, * me fuqinë tënde mbroje të drejtën time.
D E unë me ëndje do të të kushtoj fli; O Hyj, vështroje lutjen time,
C me fuqinë tënde mbroje të drejtën time.
Leximi i dytë
Nga “Predikimet” e shën Gregorit nga Nisa, ipeshkëv
(Lut. 6, mbi lumturitë, PG 44, 1270-1271)
Hyji mund të gjendet në zemër të njeriut.
Në jetën e njeriut shëndeti i trupit paraqet një të mirë, porse lumturia nuk qëndron në njohjen e arsyes së shëndetit, por në jetesën në shëndet. Nëse ndokush, pasi t’i këtë kremtuar lavdet e shëndetit, ha ushqime që i shkaktojnë sëmundje, çfarë të mire mund të ketë prej lavdeve të shëndetit? Në të njëjtën mënyrë duhet ta kuptojmë bisedën tonë, kur Zoti thotë se lumturia nuk qëndron në njohjen e ndonjë të vërtete në lidhje me Hyjin, por në të pasur Hyjin në vetvete: “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin” (Mt 5, 8). Më duket se Hyji pikërisht dëshiron t’i zbulohet faqe-faqas atij që e ka syrin e shpirtit të pastruar mirë, por sipas fjalëve të Krishtit: Mbretëria e Hyjit është mes jush! (krh. Lk 17, 21). Ai që e ka pastruar zemrën e vet mund ta kundrojë shëmbëllesën e natyrës hyjnore në vetë bukurinë e zemrës së vet.
Nëse, pra, do të pastrosh mbrapshtitë që e kanë mbuluar zemrën tënde, do të shkëlqejë në ty bukuria hyjnore. Porsi hekuri që shkëlqen nën dritën e diellit pasi të jetë pastruar prej ndryshkut, kështu edhe njeriu i brendshëm, kur të ketë larguar prej zemrës së tij ndryshkun e së keqes, do të rifitojë përngjasimin me formën burimore dhe fillestare dhe do të jetë i mirë.
Prandaj, kushdo e shikon vetveten, kundron atë që ai vetë dëshiron në vetvete. Në këtë mënyrë bëhet i lum ai që e ka zemrën e pastër, sepse ndërsa e shikon pastërtinë e tij, shquan, nëpërmjet kësaj shëmbëllese, formën e tij të parë dhe kryesore. Ata që shohin diellin në një pasqyrë, edhe pse nuk i drejtojnë sytë e tyre drejt qiellit, e shohin diellin jo më keq se ata të cilët e shohin drejtpërsëdrejti këtë yll të shndritshëm. Kështu edhe ju, edhe pse fuqitë tuaja nuk janë të mjaftueshme për të shquar dhe për të kundruar dritën e paarritshme, nëse ktheheni në hirin fillestar do të gjeni në vetvete atë që kërkoni. Dhe vërtet, hyjnia është dëlirësi, është mungesë e veseve të këqija dhe epsheve, është largim prej të gjitha të këqijave. Nëse, pra, këto realitete janë në ty, edhe Hyji është patjetër në ty. Kur shpirti yt të jetë pastruar prej çdo vesi të keq, kur të jetë liruar prej gjakimeve dhe të metave dhe kur të jetë larguar prej çdo ndotjeje, atëherë do të jesh i lumtur për shkak të mprehtësisë dhe kthjelltësisë së të parit, sepse ato gjëra që u ikin shikimit të atyre që nuk janë të pastruar, ti që je i pastër ke për t’i shquar. Pasi të hiqet prej syve shpirtëror errësira materiale, do të fitosh kundrimin e lumturueshëm në harenë e pastër të zemrës. Në çka përmbahet kjo shfaqje kaq madhështore?
Në shenjtëri, në dëlirësi, në thjeshtësi, në të gjitha shkëlqimet e ndritshme të natyrës hyjnore nëpërmjet të cilave shihet Hyji.
Përgjigjja Gjn 14, 6. 9; 6, 47
C Thotë Zoti: Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta. * Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.
D Ai që beson në mua, ka jetën e pasosur.
C Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.
Lutja
Po të lutemi, o Zot, bëj ta kemi frikën e emrit tënd por edhe njëkohësisht ta duam, sepse kurrë nuk ua mungove drejtimin tënd atyre që i ke përforcuar në dashurinë tënde. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.