Shërbesa e leximeve
Java e Tridhjetetretë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë
Himni
Për të tjerët koha e dita
e tetë shkëlqen më e shenjtë
në ty që e shenjtëron, Jezus,
i pari i të ringjallurve.
Me ty ti shpirtrat tanë
tash sa më parë bashkë ngjalli;
për ty të ngjallën trupat
të lirë në vdekjen e dytë.
Dhe Ty ndër re së shpejti
o Krisht të dalim para
me ty në vazhdim fitues:
ti jeta dhe ringjallja.
Duke parë fytyrën tënde,
të shëmbëllejmë lavdinë,
të njohim ty siç je:
drita e vërtetë, kënaqësia.
Mbretërinë me shtatë mirosje
të mbushur plot me Atin,
tek ti ne gjejmë gazmim,
Shenjtja Trini do t’i kryejë. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve lutet gjatë ditës:
Në krye të gjitha ditëve
kur u krijua tërë bota
ja kur Krijuesi i ngjallur,
mposht vdekjen, na liron.
Duke flakur larg mpirjet
më shpejt të gjithë të ngrihemi,
të drejtin të kërkojmë natën,
sikur njohëm Profetin.
Lutjet tona të dëgjojë,
të shtrijë dorën e djathtë,
e ky selitë ndoshta
me fli t’i pastrojë,
Që ne secilit në kohën
e shenjtë të kësaj dite
psalim në orë të pushimit,
të na falë dhunti të pasura.
Hyjit Atë i qoftë lavdia
dhe Birit të tij të vetëm,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Druri i jetës u shfaq në kryqin e Zotit.
Psalmi 1 (1-6) Dy udhët e njeriut
Lum ata që, duke shpresuar në kryq, zbritën në ujin e pagëzimit (nga një autor i shekullit II).
Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve, †
që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve *
e nuk rri së bashku me përqeshës,
por kënaqet në Ligjin e Zotit *
dhe e kujton atë ditë e natë.
Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh, *
e cila frytin e vet e jep në stinë
dhe gjethet kurrë s’i vyshken: *
i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.
Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve, *
por ata janë porsi byku që shpërndan era.
Prandaj të paudhët s’do t’i bëjnë ballë gjyqit *
as mëkatarët bashkimit të të drejtëve!
Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve, *
kurse udha e bakëqijve do të mbarojë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Pema e jetës u shfaq në kryqin e Zotit.
Ant. 2 Fjala e Hyjit, Krishtit të vet: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.
Psalmi 2 (1-12) Mesia, Mbreti fitimtar
Udhëheqësit e këtij qyteti u mblodhën së bashku, kundër Jezusit, të cilin ti e shugurove Mesi (Vap 4, 27).
Përse paganët çohen peshë *
e përse popujt bluajnë punë të kota?
Mbretërit e tokës po ngrihen, *
princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:
»Le t’i këputim vargjet e tyre, *
le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«
Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *
i Larti Zot i përqesh ata!
Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *
me felgrimin e hidhërimit të vet i huton: –
»Unë e kam shuguruar mbretin tim *
mbi Sion, malin tim të shenjtë!«
Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †
Ai më tha: »Ti je im Bir, *
unë sot të linda!
M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *
nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.
Sundo mbi ta me skeptër hekuri *
dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«
E tani pra, merrni vesh, o mbretër, *
mësoni ju që gjykoni dheun!
Shërbejini Zotit me frikë të madhe, *
nënshtrojuni Atij me nderim e dridhje,
bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *
e të sharroni nga udha.
Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *
Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Fjala e Hyjit, Krishtit të vet: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.
Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.
Psalmi 3 (2-9) Zoti më ruan
Krishtin e zuri gjumi në vdekje dhe u zgjua në ringjallje, sepse Hyji ishte mbështetja e tij (Shën Ireneu).
Sa shumë janë, o Zot, asi që më salvojnë! *
Sa shumë asi që po më çohen kundër!
Shumë janë asi që thonë për mua: *
»As Hyji më nuk do ta shpëtojë!«
Por ti, o Zot, je mbrojtësi im, *
nderi im që lart ma mban kryet!
Zërin tim e lartësoj te Zoti *
dhe më vështron prej malit të vet të shenjtë.
Unë bie në shtrojë e fle *
e prapë zgjohem: sepse Zoti më ruan.
Jo, nuk i druaj njerëzit, edhe me mijëra në qofshin, †
që përqark më rrethojnë porsi armiq. *
Ngrihu, o Zot, më shpëto, o Hyji im!
Shputë ua pëlcet turinjve armiqve të mi, *
dhëmbët ua thyen mëkatarëve!
Shpëtimi vjen prej Zotit: *
bekimi yt mbi popullin tënd!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.
D Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet;
C mësojeni dhe këshillojeni njëri-tjetrin me plot urti.
Leximi i parë
Prej librit të parë Samuelit 28, 3-25
Sauli shkon tek magjistarja në Endor.
Në ato ditë Samueli kishte vdekur. Mbarë Izraeli e kishte qarë dhe e kishin varrosur në Ramë, në qytetin e tij. Sauli i kishte dëbuar prej vendit dijësit dhe grishësit e shpirtrave.
U bashkuan filistenjtë, erdhën dhe u fushuan në Sunam. Po ashtu edhe Sauli bashkoi mbarë Izraelin dhe ngulën fushimin në Gjelboé. Sauli i pa taborret e filistenjve, mbeti i tmerruar dhe zemra e tij u drodh prej frikës. E pyeti për këshillë Zotin, por nuk iu përgjigj as me ëndrra, as me Urim, as me anën e profetëve.
Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve të vet: “Ma kërkoni një grua që thërret të vdekurit, se do të shkoj tek ajo e do ta pyes me anë të saj.” Shërbëtorët i thanë: “Është në Endor një grua që thërret të vdekurit.”
Atëherë Sauli i ndërroi petkat e veta e u vesh me petka të tjera dhe shkoi ai e me të edhe dy të tjerë. Natën arritën te gruaja e i tha: “Ma trego të ardhmen me anë të përbetimit të të vdekurve e ma ngri atë që të të them.” Gruaja iu përgjigj: “Ti e di mirë se ç'ka bërë Sauli, si i çrrënjosi prej vendit magjistarët e thirrësit e shpirtrave. Pse po më ngre lak për të më vrarë?” Sauli iu përbetua me Zotin e i tha: “Pasha Zotin e gjallë, kurrnjë e keqe nuk do të të ndodhë për këtë punë.” Gruaja i tha: “Kë do të ta thërras?” Ai tha: “Ma thirr Samuelin.”
Gruaja, kur e pa Samuelin, bërtiti me zë të lartë e i tha Saulit: “Pse më tradhtove? Ti je Sauli!” Atëherë mbreti i tha: “Mos ki frikë! Çfarë po sheh?” Gruaja i tha Saulit: “Shoh një njeri hyjnor që ngjitet nga toka.” E pyeti mandej: “Ç'pamje ka?” Ajo tha: “Po ngjitet një plak dhe është i mbështjellë me leshnik.” Sauli e mori vesh se ishte Samueli dhe ra, në shenjë nderimi me fytyrë përdhe.
Samueli i tha Saulit: “Pse më trazove që të ngrihem?” E Sauli iu përgjigj: “Jam tepër ngushtë. Filistenjtë po luftojnë kundër meje, Zoti është larguar prej meje dhe nuk deshi të më dëgjojë as me anë të profetëve, as më anë të ëndrrave; prandaj të thirra ty që të më tregosh ç'më duhet të bëj.”
Samueli i tha: “Pse më pyet mua, kur e di se Zoti është larguar prej teje dhe është bërë kundërshtari yt? Zoti ka bërë ashtu siç ka thënë përmes meje, e hoqi mbretërinë prej dorës sate e ia dha të afërmit tënd, Davidit, sepse nuk e ke dëgjuar zërin e Zotit dhe s'e ke kryer felgrimin e tij të hidhur kundër amalekasve. Prandaj edhe Zoti u soll me ty kështu sot. Zoti bashkë me ty do ta lëshojë në dorë të filistenjve edhe Izraelin. Nesër ti dhe bijtë e tu do të jeni me mua, kurse ushtrinë e Izraelit Zoti do ta lëshojë në dorë të filistenjve.”
Aty për aty Sauli u shtri përtokë sa qe i gjatë. E tmerruan fjalët e Samuelit, por edhe fuqia e kishte lënë, sepse nuk kishte ngrënë bukë gjithë ditën e gjithë natën. Gruaja iu afrua Saulit, e pa se ishte shtanguar nga frika e i tha: “Qe, shërbëtorja jote e dëgjoi kërkesën tënde, e vura jetën time në rrezik dhe i dëgjova fjalët e tua që m'i the. Tani dëgjoje edhe ti fjalën e shërbëtores sate, po të vë para një kafshatë bukë, ha e forcohu që të mund të bësh rrugë.” Ai s'pranoi e tha: “S'do të ha!” Por e shtrënguan shërbëtorët e tij dhe gruaja dhe, dikur, ua dëgjoi fjalën, u ngrit nga toka dhe u ul në shtrat. Gruaja e kishte në shtëpi një viç për majmëri. Nxitoj dhe e preu, mori miellin dhe poqi bukë ndore. Ua vuri para Saulit dhe shërbëtorëve të tij. Këta, pasi hëngrën, u çuan dhe shkuan po atë natë.
Përgjigjja Krh. 1 Kro 10, 13. 14
C Vdiq Sauli për shkak të pabesnikërisë së vet ndaj Zotit, * e Zoti e kaloi mbretërinë e tij mbi Davidin.
D Sauli e pyeti edhe shpirtrapyetësen e nuk u këshillua me Zotin,
C e Zoti e kaloi mbretërinë e tij mbi Davidin.
Leximi i dytë
Nga “Ligjëratat” e Palit VI, papë
(Pred. Manila, 29 nëntor 1970)
Ne ia predikojmë Krishtin mbarë tokës.
“I mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin!” (1 Kor 9, 16). Unë jam dërguar prej tij, prej vetë Krishtit mu për këtë gjë. Unë jam apostull, jam dëshmitar. Sa më i largët të jetë caku, sa më e vështirë të jetë detyra ime, aq më e madhe është dashuria që më shtyn drejt saj. Unë duhet ta rrëfej emrin e tij: Jezusi është Krishti, Biri i Hyjit të gjallë (krh. Mt 16, 16). Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i Parëlinduri – para çdo krijese (krh. Kol 1, 12). Ai është Mësuesi i njerëzimit, ai është Shëlbuesi. Ai lindi, vdiq dhe u ringjall për ne. Ai është qendra e historisë dhe e botës. Krishti është ai që na njeh dhe na do. Ai është shoqëruesi dhe miku i jetës sonë. Ai është njeriu i dhimbjes dhe i shpresës. Është ai që duhet të vijë dhe që një ditë duhet të jetë gjykatësi ynë dhe, me sa ne shpresojmë, ai është edhe plotësia e qenies sonë dhe lumturia e jonë. Unë nuk do të reshtja kurrë së foluri për të. Ai është drita, është e vërteta, por jo vetëm aq, është “Udha, e Vërteta dhe Jeta” (Gjn 14, 6). Ai është buka, burimi i ujit të gjallë për urinë dhe për etjen tonë, ai është bariu, udhëheqësi ynë, shembulli ynë, ngushëllimi ynë, vëllai ynë. Porsi ne, po edhe më shumë se ne, ai ishte i vogël, i varfër, i përvuajtur, punëtor dhe i durueshëm në vuajtje. Ai për ne foli, bëri mrekulli, themeloi një mbretëri të re, ku të varfrit janë të lumtur, ku paqja është ligj i bashkëjetesës, ku të pastërtit në zemër dhe ata që vajtojnë janë lartësuar dhe ngushëlluar, ku ata që e kërkojnë drejtësinë do të fitojnë të drejtën e tyre, ku mëkatarët mund të falen dhe ku të gjithë janë vëllezër.
Jezu Krishti: ju keni dëgjuar duke folur për të, bile shumica prej jush me siguri tashmë i përkisni atij, jeni të krishterë. E po mirë, juve që jeni të krishterë unë po ju përsëris emrin e tij, dhe të gjithëve po ju shpall: Jezu Krishti është fillimi dhe mbarimi; alfa dhe omega. Ai është mbreti i botës së re. Ai është sekreti i historisë. Ai është çelësi i fatit tonë. Ai është ndërmjetësi, ura mes tokës dhe qiellit; ai më shumë se të gjithë është Biri i njeriut, sepse ai është Biri i Hyjit të amshuar, të pambarim; është Biri i Marisë, të bekuarës mbi të gjitha gratë, nënës së tij në mish, dhe nënës sonë për pjesëmarrjen tonë në Shpirtin e Korpit mistik.
Jezu Krishti! Le t’ju bjerë ndër mend: kjo është shpallja jonë e përhershme, është zëri që ne bëjmë të jehojë nëpër mbarë tokën, dhe për të gjithë shekujt e shekujve.
Përgjigjja 2 Tim 1, 10; Gjn 1, 16; Kol 1, 16-17
C Jezu Krishti e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit. * Prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir.
D Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për të. Ai është para çdo gjëje dhe çdo gjë qëndron në Të.
C Prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir.
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj, ti deshe që, në saje të bijësisë së hirit, të jemi bij të dritës: bëj, po të lutemi, që kurrë të mos na zotërojë errësira e gabimit, por të jemi përherë të shndritur me shkëlqimin e së vërtetës. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.