Shërbesa e leximeve
29 qershor Shën Pjetri e Pali, apostuj
Ftesa
P. E goja ime do të shpall lavdinë tënde!
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Ndër të gjitha skajet e botës kremtohet
gjallërisht festa e bardhë e Apostujve,
e Pjetrit të lumë dhe e Palit të hyjnizuar,
që i shenjtëroi Krishti me gjakun jetëdhënës,
dhe i vlerësoi si princat e të gjitha kishave.
Si dy ullinj këta janë para Zotit,
dhe dy shandanë me dritë rrezatuese,
dy kapakë dritash shumë të qarta të qiellit,
zgjidhin të fortat pranga të mëkateve
besnikëve u hapin dyert e parajsës.
Lavdi i qoftë Atit në shekujt e pamatur,
Ty, Bir të qoftë nderimi dhe sundimi,
dhe Shpirtit të Shenjtë nderi dhe pushteti;
Trinisë i qoftë shpëtimi i pandashëm
nëpër gjithë shekujt e pafund të shekujve. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ti që më do, o Simon Pjetri, kulloti delet e mia.
Psalmi 19 /18 A/ (2-7)
Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *
kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!
Dita ditës ia përsërit këtë gjë *
e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *
po as zë që do të mund të dëgjohet,
megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *
diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
Diellit në to ia ngrehu tendën: †
del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *
thua vigani pash më pash i bie sheshit!
Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †
udha e tij kapet në skajin tjetër, *
asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ti që më do, o Simon Pjetri, kulloti delet e mia.
Ant. 2 Për mua të jetoj është Krishti, dhe të vdes është fitim: lavdia ime është kryqi i Zotit tim Jezu Krishtit.
Psalmi 64 /63/ (2-11)
Dëgjoje, o Hyj, zërin e vajtimit tim, *
ma ruaj jetën prej tmerrit të armikut,
më mbro nga përbetimi i të mbrapshtëve, *
prej grumbullit të atyre që veprojnë keq.
Prej atyre që e mprehën gjuhën e vet si shpatë, †
që vjellin si shigjeta fjalë të helmuara, *
për ta shigjetuar në moh të pafajshmin;
e shigjetojnë papritmas e frikë nuk kanë. *
Ata marrin guxim në synimet e veta të këqija,
shestojnë si t’i vënë fshehtas leqet e veta *
e thonë: »Kush mund t’i shohë?«
Synojnë paudhësi, i çojnë në vend synimet e parapara, *
humnerë është njeriu, greminë zemra e tij!
Por Hyji i shigjetoi ata, *
papritmas i mbuluan plagët.
Gjuha e vet ata i sharroi, *
kush i sheh, i habitur, luan kokën.
Të gjithë njerëzit do t’i kapë frika, †
do t’i kumtojnë veprat e Hyjit, *
mirë do ta kuptojnë ç’bëri Ai.
I drejti do të gëzohet në Zotin, †
në Të do ta ketë shpresën, *
me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Për mua të jetoj është Krishti, dhe të vdes është fitim: lavdia ime është kryqi i Zotit tim Jezu Krishtit.
Ant. 3 Nëse je ti Zotëria, më urdhëro që të vij te ti përmbi ujëra.
Psalmi 97 /96/ (1-12)
Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *
le të gëzohen ishujt e shumtë!
Re e errësirë janë përreth tij, *
e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.
Zjarri shkon përpara tij *
dhe i djeg armiqtë e tij përreth.
Vetëtimat e tija e shndritin botën, *
sheh Toka e dridhet!
Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *
para fytyrës së Zotit të mbarë botës!
Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *
të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.
I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †
të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *
Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!
Dëgjoi Sioni e u gëzua, †
galduan bijat e Judës. *
për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.
Sepse ti je, o Zot,
i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *
ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.
Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †
Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *
i shpëton prej dorës së mëkatarit.
Lindi drita për të drejtin, *
e gëzimi për zemërmirët.
Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *
nderojeni Emrin e tij të shenjtë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Nëse je ti Zotëria, më urdhëro që të vij te ti përmbi ujëra.
D Fjala e Zotit mbetet përgjithmonë:
C ky është Ungjilli që ju është shpallur.
Leximi i parë
Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve 1, 15 - 2, 10
Vëllezër, kur Atij, që më zgjodhi qysh në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e vet, i pëlqeu ta zbulojë në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë ‑ unë, menjëherë, pa u këshilluar me asnjë njeri e pa u ngjitur aspak në Jerusalem te ata që para meje ishin apostuj, shkova në Arabi dhe përsëri u ktheva në Damask. E vetëm pas tri vjetësh u ngjita në Jerusalem, për t'u njoftuar me Kefën e ndenja tek ai pesëmbëdhjetë ditë. Të tjerë prej apostujsh, përveç Jakobit, të vëllait të Zotit, nuk pashë asnjë. Për çka po ju shkruaj betohem para Hyjit se nuk ju rrej. Pastaj kalova në krahinat e Sirisë e të Cilicisë. Personalisht isha i panjohur Kishave të Krishtit në Jude. Ato vetëm kishin dëgjuar: »Ai që dikur na salvonte, tani shpall fenë që dikur e shkretonte, « dhe e lavdëronin Hyjin për shkak tim.
Mandej, pas katërmbëdhjetë vjetësh, përsëri u ngjita në Jerusalem bashkë me Barnabën. Mora me vete edhe Titin. Dhe u ngjita pse i nxitur nga një zbulesë. Ua parashtrova në këshillim ‑ posaçërisht më të rëndësishmëve ‑ Ungjillin që predikoj ndër paganë, që ndoshta të mos veproja ose të mos kisha vepruar kot.
Tashti, as Titi që ishte me mua, edhe pse grek, nuk qe shtrënguar të rrethpritej, e kjo për shkak të vëllezërve të rrejshëm që e fusin hundën kudo, të cilët u futën padrejtësisht për të na e cenuar lirinë që na e jep Jezu Krishti ‑ për të na bërë skllevër. Këtyre as për një çast të vetëm nuk u lëshuam pe as nuk u nënshtruam që të ruhej e pacenuar e vërteta e Ungjillit ndër ju.
E ata që janë diçka ‑ çka ata ishin dikur, unë s'i jap kësaj rëndësi ‑: Hyji nuk këqyr kush është kush, këta njerëz me rëndësi në Kishë, kurrgjë nuk kërkuan të shtohet. Por përkundrazi, ata panë se më qe besuar predikimi i Ungjillit ndër paganë, shi sikurse edhe Pjetrit ndër të rrethprerë ‑ pasi Ai që kishte vepruar në Pjetrin për apostullim ndër të rrethprerë, po ashtu kishte vepruar edhe në mua për të mirën e paganëve dhe, duke njohur hirin që më qe dhënë, Jakobi, Kefa e Gjoni ‑ që çmohen shtyllat e fesë ‑ na i shtrinë të djathtat e veta, mua dhe Barnabës, në shenjë të bashkësisë, kështu që ne të shkonim ndër paganë e ata ndër të rrethprerë. Vetëm na porositën t'i kujtojmë të vobektët ‑ gjë që jam kujdesuar ta bëj në mënyrë të veçantë.
Përgjigjja Krh. Mt 16, 18-19
C Ti je Pjetër-Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj. * Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit.
D Gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.
C Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit.
Leximi i dytë
Nga “Fjalimet” e shën Augustinit, ipeshkëv
(Fjal. 295, 1-2. 4. 7-8; PL 38, 1348-1352)
Këta martirë kanë parë atë që kanë predikuar
Martirizimi i apostujve të shenjtë Pjetrit dhe Palit e ka bërë këtë ditë të shenjtë për ne. Ne nuk flasim për martirë të njohur pak. Vërtet “nëpër tokë i shpërndahet jehona, diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës” (Ps 19 /18/, 5). Këta martirë kanë parë atë që kanë predikuar. Kanë ndjekur të drejtën. E kanë dëshmuar të vërtetën dhe kanë vdekur për të.
I lumi Pjetër, i pari ndër apostuj, i pajisur me një dashuri të zjarrtë për Krishtin, ka pasur hirin të dëgjojë t’i thuhet prej vetë Krishtit: “E unë të them: Ti je Pjetër – Shkëmb” (Mt 16, 18). Më parë Pjetri i ishte drejtuar Jezusit duke i thënë: “Ti je Mesia – Biri i Hyjit të gjallë” (Mt 16, 16). Dhe Jezusi si përgjigje i kishte thënë: “E unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time” (Mt 16, 18). Mbi këtë shkëmb do ta vendosi fenë, të cilën ti e dëshmon. Do ta vendosi Kishën time mbi pohimin: “Ti je Mesia - Biri i Hyjit të gjallë”. Vërtet ti je Pjetër. Emri Pjetër rrjedh nga fjala gur e jo fjala gur nga emri Pjetër. Fjala Pjetër rrjedh nga fjala gur, si fjala i krishterë nga fjala Krisht.
Zotëria Jezus, ashtu siç e dini tashmë, para mundimit të vet i zgjodhi nxënësit e vet, të cilët i quajti apostuj. Ndër këta vetëm Pjetri e mori detyrën që të personifikojë pothuajse në çdo vend mbarë Kishën. Dhe pikërisht në fuqi të këtij personifikimi të mbarë Kishës ai e meritoi të dëgjonte t’i thuhej nga Krishti: “Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit” (Mt 16, 19). Por këta çelësa nuk i janë dhënë vetëm një njeriu, por mbarë Kishës. Nga ky fakt rrjedh madhëria e Pjetrit, sepse ai është personifikimi i tërësisë dhe njësisë së Kishës. “Ty do t’i jap” atë që u është besuar të gjithëve. Këtë gjë dëshiron të thotë Krishti. E që ta dini se Kishës i ishin dhënë çelësat e Mbretërisë së qiellit, kini vëmendjen në atë që Zotëria thotë në një rrethanë tjetër: “Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen” (Gjn 20, 23).
Me të drejtë edhe pas ringjalljes Zotëria i besoi vetë Pjetrit përgjegjësinë e kullotjes së grigjës së tij. E këtë gjë, jo pse mes gjithë nxënësve e meritoi vetëm ai një detyrë të tillë, por pse kur Krishti i drejtohet njërit dëshiron të shprehë njësinë. Në fillim i drejtohet Pjetrit, sepse Pjetri është i pari ndër apostuj.
Mos u trishto, o apostull. Përgjigju një herë, dy herë, tri herë. Le të ngadhënjejë dëshmia tri herë në dashuri, siç ka ngadhënjyer druajtja tri herë mbi bindjen. Duhet të zgjidhet tri herë ajo që është lidhur tri herë. Zgjidhe me anë të dashurisë atë që kishe lidhur me anë të frikës.
Dhe kështu Zotëria tri herë me radhë ia besoi delet e veta Pjetrit.
Një ditë e vetme i është kushtuar festës së dy apostujve. Por edhe ata ishin një gjë e vetme. Edhe pse janë martirizuar në ditë të ndryshme, ishin një gjë e vetme. Pjetri i parapriu, Pali e ndoqi. E kremtojmë, pra, këtë ditë feste, të shuguruar për ne nga gjaku i apostujve.
T’i duam fenë, jetën, mundimet, vuajtjet, dëshmitë dhe predikimet e saja.
Përgjigjja
C Pali apostull i Ungjillit dhe mësues i popujve * je i denjë të kesh gjithë lavdinë tonë.
D Ti ua bëre të njohur popujve misterin e Hyjit:
C je i denjë të kesh gjithë lavdinë tonë.
Në të kremte dhe në festa:
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Zot, ti na gëzon me të kremten e nderuar të shën Pjetrit e shën Palit, apostuj: jepi Kishës sate një besnikëri të përsosur ndaj mësimit të tyre, pasi prej tyre ajo mori lajmin e parë të fesë. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.