Shërbesa e leximeve

Java e trembëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E martë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Pjesëtar i dritës atërore,

   ai vetë dritë drite e ditë,

   me këngë ne e thyejmë natën:

   kërkuesve gjendu pranë.

 

   Hiqi errësirat e mendjeve

   zhduki turmat e djajve,

   largo me forcë dremitjet,

   mos t’ua kalojnë përtacëve.

 

   Kështu, o Krisht, ne të gjithëve

   që në ty besojmë, mëshirona,

   të jetë për dobi të lutësve,

   që këndojmë duke prirë me këngë.

 

   Ty, Krisht, mbret krejt i shenjtë,

   me Atin të qoftë lavdia,

   dhe me Shpirtin Ngushëllues,

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Trini krejt e shenjtë,

   që urdhëron çdo gjë që krijove,

   ditën për punë caktove,

   natës prehjen ia fale.

 

   Si n’agim edhe në t’errur,

   natë e ditë për ty këndojmë;

   ti ne në lavdinë tënde

   na ruaj në të gjitha kohët.

 

   Pranë teje shtrirë për dhe

   të adhurojmë si robër,

   kushte e uratë të lutësve

   bashko me himnet e qiellorëve.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjtë,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëron në të gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.

 

   Psalmi 10 /Vlg 9, 22-32/ I (1-11) Lutje dhe falënderim

 

   Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit (Lk 6, 20).

 

Përse, o Zot, qëndron larg, *

   përse fshihesh në ditë të vështirë?

Me madhështi i patenzoni po e përndjek skamnorin: *

   le të zihet krenari në dhelpërinë që sheston!

I pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të vet, *

   lakmuesi shan Hyjin me përbuzje.

 

Me kreninë e vet mëkatari e përbuz Zotin: †

   »S’kërkon përgjegjësi! Perëndi nuk ka!« *

   Ja, gjithçka ai mendon!

 

Dhe prapë, udhët e tij janë plot suksese, †

   gjyqet e tua janë tepër lart për të, *

   të gjithë kundërshtarët e vet i bën asgjë.

 

Në mendjen e vet thotë: »Nuk do të bie poshtë, *

   brez pas brezi e keqe s’do të më gjejë!«

 

Goja e tij është plot shpifje, dredhi e gënjeshtra, *

   nën gjuhën e tij vuajtje e poshtërsi!

 

Rri në pritë ndër fshatra, *

   në moh e vret të pafajshmin.

 

Me sy e vrojton të vobektin, *

   në pritë porsi luani, i fshehur mirë në strofull,

përgjon për ta rrëmbyer të varfrin: *

   e rrëmben të varfrin duke e qitur në lak.

 

Sulet, struket në pritë *

   e dhunës së tij të mjerët i bëhen pre.

Tha në zemër të vet: »Hyji harron, *

   ai nuk këqyr, askënd nuk sheh!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.

 

Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot.

 

   Psalmi 10 /Vlg 9, 33-39/ II (12-18)

 

Ngrihu, o Zot, lartësoje dorën tënde, o Hyj, *

   mos i qit në harresë të mjerët!

Përse i patenzoni ta përbuzë Hyjin? *

   Sepse ai tha në zemrën e vet: »Nuk do të ndëshkosh.«

E pra, ti sheh, ti shikon mjerimin e vështirësinë, *

   me dorën tënde i peshon:

në ty mbështetet i mjeri, *

   ti ia jep bonjakut sigurinë.

 

Copëtoje krahun e dhunuesit e të bakeqit: *

   kërkoje fajin e tij derisa ta zhbish prej faqes së dheut.

 

Zoti është mbret në shekuj të shekujve: *

   do të zhduken paganët prej dheut të tij.

 

Vështroji, o Zot, dëshirat e të mjerit, *

   forcoja zemrën, ti prirja veshin,

për t’i dhënë të drejtën bonjakut e të salvuarit, *

   që njeriu - pluhur e dhe - tmerr kujt më të mos i shtjerë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot

 

Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.

 

   Psalmi 12 /11/ (2-9) Lutja gjatë salvimit

 

   Hyji Atë u denjua që ta dërgonte Birin e tij për ne, skamnorët (Shën Augustini).

 

Më shpëto, o Zot, se e pat shenjti, *

   sepse ndër bijtë e njerëzve u pakësuan besnikët!

Të gjithë po e gënjejnë të afërmin e vet: *

   flasin me buzë shtiracake, me zemër të paçiltër.

 

Thaji o Zot, të gjitha buzët shtiracake, *

   edhe gjuhën që flet fjalë të mëdha!

 

Ata thonë: »Fuqia jonë është gjuha, †

   buzët tona na mbrojnë! *

   Kush është zotëria ynë?«

 

»Për shkak të mjerimit të të varfërve, †

   për shkak të klithmës së të ndrydhurve

   tani do të ngrihem - thotë Zoti - *

   e do ta shpëtoj atë që e përbuzin.«

Fjalët e Zotit janë të pastra: †

   argjend i pastruar në zjarr, i ndarë nga balta, *

   i pastruar shtatë herë!

 

Por ti, o Zot na ruaj, *

   na mbro përherë prej kësaj breznie të mbrapshtë

e atëherë le të sillen rreth nesh bakëqijtë, *

   le të rritet, në dashtë, fundërria e njerëzve!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.

 

   D Zoti i udhëheq të përvuajturit në drejtësi,

   C të varfërve ua mëson udhën e tij.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të dytë të Samuelit 2, 1-11; 3, 1-5

 

   Davidi shugurohet mbret i Judës dhe Hebronit.

 

   Në ato ditë Davidi e pyeti Zotin: “A do të shkoj në ndonjërin prej qyteteve të Judës?” E Zoti iu përgjigj: “Shko!” Atëherë Davidi i tha: “Në cilin të shkoj?” Ai iu përgjigj: “Në Hebron.” Kështu, pra, shkoi Davidi e dy gratë e tija, Akinoama, nga Jezraheli, dhe Abigajla, gruaja e Nabalit, prej Karmelit. Po kështu Davidi mori me vete edhe të gjithë njerëzit që ishin me të, secilin me familjen e vet dhe ngulën në fshatrat e Hebronit. Atëherë erdhën njerëzit e Judës dhe aty e lyen Davidin për mbret që të sundojë mbi shtëpinë e Judës.

   I çuan fjalë Davidit se njerëzit e Jabesit të Galaadit e kishin varrosur Saulin. Prandaj edhe Davidi i dërgoi lajmëtarët te njerëzit e Jabesit të Galaadit dhe u tha: “Paçi bekimin e Zotit që keni kryer këtë vepër mëshire ndaj zotërisë tuaj Saulit, që e keni varrosur. Prandaj Zoti ju paftë me dashurinë e vet e me besnikërinë e vet; po edhe unë nuk do të harroj t'ju bëj gjithashtu mirë, pasi e keni bërë këtë punë të mirë. Tani merrni zemër e jini burra të fortë. Megjithëse ka vdekur Sauli, zotëria juaj, prapëseprapë shtëpia e Judës më ka lyer mua për mbret të vetin.”

   Porse Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë së Saulit, e mori Isbaalin, djalin e Saulit, e çoi në Mahanaim dhe aty e bëri mbret mbi Galaadin, mbi Aserin, mbi Jezrahelin, mbi Efraimin, mbi Beniaminin dhe mbi mbarë Izraelin. Isbaali, biri i Saulit, kur filloi të mbretërojë, kishte dyzet vjet dhe mbretëroi dy vjet. Vetëm fisi i Judës e ndiqte Davidin. Davidi mbretëroi mbi shtëpinë e Judës me qëndrim në Hebron shtatë vjet e gjashtë muaj.

   Lufta ndërmjet shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit qe shumë e gjatë: Davidi vinte e forcohej gjithnjë, kurse shtëpia e Saulit vinte duke rënë çdo ditë e më poshtë.

   Davidit i lindën disa djem në Hebron. I parëlinduri i tij qe Amnoni që i leu prej Akinoamës Jezrahelite; pas tij Keleabi prej Abigajles, gruas së Nabalit prej Karmelit; kurse i treti Absalomi, biri i Maakës, bijës së Tolmait, mbretit të Gesurit; i katërti Adonia, biri i Hagitit; i pesti Safatia, biri i Abitales; kurse i gjashti qe Jetraami, prej Eglës, gruas së Davidit: këta djem i lindën Davidit në Hebron.

 

   Përgjigjja Krh. Zan 49, 10. 8

 

   C Jo, prej Judës nuk do të hiqet sundimi as shkopi i prijësit nga këmbët e tija, * deri që të vijë ai, që ka për të ardhur, të cilin do ta dëgjojnë popujt.

   D O Judë, vëllezërit e tu do të lëvdojnë e para teje do të përmbysen bijtë e babës tënd,

   C deri që të vijë ai, që ka për të ardhur, të cilin do ta dëgjojnë popujt.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Ligjëratat” e shën Augustinit, ipeshkëv

   (Ligj. 47, 12-14; CCL 41, 582-584)

 

   Po t’u pëlqeja njerëzve, nuk do të isha më shërbëtor i Krishtit.

 

   Kjo është mburrja jonë: dëshmia e ndërgjegjes sonë (krh. 2 Kor 1, 12). Ka njerëz të pamatur, përgojues, tradhtarë, murmurues, që kërkojnë me hamendje çka nuk shohin dhe orvaten të përhapin çka as vetë nuk janë në gjendje ta besojnë. E çka mbetet kundër njerëzve të tillë, përpos dëshmisë së ndërgjegjes sonë? Dhe vërtet, o vëllezër, as në ata të cilëve ne dëshirojmë t’u pëlqejmë, ne që jemi barinjtë e shpirtrave, nuk e kërkojmë dhe nuk duhet të kërkojmë lavdinë tonë, por duhet të synojmë shëlbimin e tyre, në mënyrë që, nëse sillemi me të drejtë, ata të mos dalin jashtë udhës duke ndjekur shembullin tanë. Le të jenë imituesit tanë, vetëm nëse ne jemi imituesit e Krishtit. Por, në mos jemi ne, së paku ata le të jenë imitues të Krishtit. Ai e kullot grigjën e vet, dhe bashkë me të gjithë ata që e kullosin si duhet grigjën e tyre, është ai vetë, sepse të gjithë janë në të.

   Mos ta kërkojmë, pra, interesin tonë kur kërkojmë t’u pëlqejmë njerëzve, por duhet të kërkojmë gëzimin bashkë me njerëz, dhe duhet të gëzohemi se atyre u pëlqen e mira, për dobinë e tyre e jo për lavdinë tonë. Është e qartë se kundër kujt pati thënë Apostulli: Po t’u mundoja ende t’u pëlqej njerëzve, nuk do të isha shërbëtor i Krishtit (krh. Gal 1, 10). Po ashtu është e qartë arsyeja përse tha: Mundohuni t’u pëlqeni të gjithëve në gjithçka, ashtu sikurse edhe vetë mundohem t’u pëlqej të gjithëve (krh. 1 Kor 10, 33). Të dyja këto janë të qarta, të dyja të pëlqyeshme, te dyja të thjeshta. Porse ti, vetëm ha dhe pi e mos e shkel, dhe mos e turbullo atë që ha dhe pi.

   Me siguri e ke dëgjuar edhe vetë Jezu Krishtin Zot, mësues të apostujve: “Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell” (Mt 5, 16), që domethënë atë që ju bëri të tillë. Dhe vërtet, ne jemi populli i kullosës së tij, grigja që ai ruan (krh. Ps 95 /94/, 7). Nuk je ti, sepse ti vetë nuk do të mund të ishe tjetër veçse i keq. Përse atëherë dëshiron të shtrembërosh të vërtetën duke kërkuar lavdi kur bën mirë, dhe duke e hedhur turpin përmbi Zotin atëherë kur bën keq?

   Me siguri ai që tha: “Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve” (Mt 5, 16), pohoi në të njëjtin fjalim: “Ruhuni se i bëni veprat e mira tuajat në sy të njerëzve” (Mt 6, 1). Ashtu sikurse këto mësime të duken në kundërthënie me njëra-tjetrën tek Apostulli, kështu ndodh edhe në ungjill. Por, nëse nuk e turbullon ujin e zemrës sate, edhe këtu do të njohësh harmoninë e Shkrimeve e kështu edhe ti do të jesh në harmoni të plotë me ta.

   Të mundohemi, pra, vëllezër, jo vetëm të jetojmë mirë, por edhe të sillemi mirë para njerëzve. Mos të mundohemi të kemi vetëm një ndërgjegje të drejtë, por për sa është e mundur për dobësinë tonë, dhe për sa e lejon brishtësia njerëzore, të jetë edhe angazhim i yni i vazhdueshëm të mos bëjmë asgjë që mund të nxitë një dyshim të keq në vëllain tonë të dobët. Ndërsa hamë barëra të mira dhe pimë ujë të kthjellët, mos të i shkelim kullosat e Hyjit, në mënyrë që delet e sëmura të mos hanë barin e shkelur, dhe të mos pinë ujin e turbulluar.

 

   Përgjigjja Fil 2, 2. 3-4; 1 Sel 5, 14. 15

 

   C Ma plotësoni gëzimin: jetoni në marrëveshje, kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi. Mbani njëri-tjetrin më të madh se veten, * mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.

   D Ndihmoni të ligshtët, jini bujarë me të gjithë dhe gjithmonë bëni të përparojë e mira ndër ju.

   C Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti deshe që, në saje të bijësisë së hirit, të jemi bij të dritës: bëj, po të lutemi, që kurrë të mos na zotërojë errësira e gabimit, por të jemi përherë të shndritur me shkëlqimin e së vërtetës. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.