Shërbesa e leximeve
Java e trembëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Krijuesi i madh i sendeve,
sunduesi ynë, shikona;
ne nga pushimi i dëmshëm
zhytur në plogështi shpëtona.
Ty, o Krisht i Shenjtë, të lusim;
Ti na i fal fajet tona,
për t’i rrëfyer ngrihemi,
gjumin e natës prishim.
Po ngremë lart mendje e duar,
për të kaluar netët
siç na mësoi profeti
që e vlerësoi dhe Pali.
Ti e sheh të keqen që vuajtëm;
të fshehtat tona i hapim,
me ofshamë po i derdhim lutjet,
na shlyej çka ne mëkatuam.
Ty të qoftë, Krisht, mbret i drejtë,
dhe ty, o Atë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Hyj i diturive,
ty të qoftë brohoritja,
që i shikon zemrat tona
e i ngroh me hirin tënd.
O bari i shkëlqyer,
ndërsa ruan të mirin, të humburin kërkon,
në kullota shumë të gratshme
në grigjë të zgjedhur na bashko.
Tmerri i mërisë së gjykatësit
mos të na bashkojë me dhi të pahijshme,
me ty gjykatës të jemi
dhen në kullotë t’amshuar.
Ty, shpërblimtar, lavdi,
nderim, virtyt, fitore,
që sundon mbi të gjitha
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime. †
Psalmi 18 /17/ I (2-7) Këngë falënderimi për shëlbimin dhe fitoren
Trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri. Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj (Lk 21, 26b-28).
Të dua, o Zot, fuqia ime! *
† Ti, o Zot, je Qeta ime, Kështjella ime,
Streha ime, Shpëtimtari im!
Hyji im, Ndihmëtari im, në Të shpresoj! *
Ai është Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!
Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm, *
dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
Më rrethuan valët e vdekjes, *
më tmerruan përrenjtë e Belialit,
më lidhën leqet e Nëntokës, *
po më shtrëngonin prangat e vdekjes:
atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit, *
kushtrim i lëshova Hyjit tim:
nga Tempulli i vet dëgjoi zërin tim, *
britma ime i mbërriti përpara në veshët e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime.
Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
II (8-20)
Toka u trand edhe u tund, †
u lëkundën themelet e maleve, *
vendit u shkundën, sepse Ai u zemërua!
Nëpër vrima të hundës tym gufoi, †
prej gojës zjarr e flakë buçiti, *
prush i gjallë prej tij flakëroi!
I uli qiejt, poshtë zbriti, *
nën këmbë re të murrme!
Kaluar mbi kerubin fluturoi, *
lundroi mbi krahët e erërave!
Si me vel me errësirë u mbështoll, *
ujëra të errëta dhe re të dendura e mbulonin,
para fytyrës së tij zhdukeshin retë *
me breshër e prush të gjallë!
zoti gjëmoi nga qielli: †
i Tejetlarti bëri t’i dëgjohej zëri: *
breshër e prush zjarri!
I lëshoi shigjetat dhe i shpërndau ata, *
i lëshoi rrufetë dhe i tmerroi ata.
Atëherë u dukën burimet e ujërave, *
u zbuluan themelet e rruzullit
prej qortimit tënd, o Zot, *
prej erës së frymës të hidhërimit tënd.
Shtriu dorën prej majës e më mori, *
më nxori nga ujërat e shumta,
më shpëtoi nga armiku i fortë, †
prej atyre që më urrenin, *
që ishin më të fortë se unë.
Më sulmuan në ditën më të keqen, *
por Zotin e pata krah,
Ai më qiti në vend të shpëtimit, *
më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.
III (21-30)
Zoti më shpagoi sipas drejtësisë sime, *
më shpërbleu sipas pastrisë së duarve të mia,
sepse unë i mbajta udhët e Zotit, *
nuk u largova prej Hyjit tim.
Të gjitha gjyqet e tija i kam para sysh, *
dhe urdhërimet e tija nuk i largova prej meje.
Jam i pastër para syve të tij, *
sepse ruhem vazhdimisht prej mëkatit.
Zoti më shpërbleu sipas drejtësisë sime, *
sepse e pa pastrinë e duarve të mia.
Ti je i mirë me njeriun e mirë, †
me të pafajshmin je i pafajshëm, *
me të mbrapshtin ti je i squet.
Ti e shpëton popullin e përvujtë, *
e krenarët i bën t’i ulin sytë.
O Zot, ti e ndez dritëzën time, *
ti, o Hyj, e ndriçon terrin tim.
Me ty do t’i sulmoj turmat e armiqve, *
me ndihmën e Hyjit tim do t’i kapërcej muret.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.
D Të gjithë mrekulloheshin për fjalët e bukura
C që dilnin prej gojës së Krishtit.
Leximi i parë
Prej librit të dytë të Samuelit 4, 2 – 5, 7
Davidi, mbreti i tërë Izraelit, e pushton Jerusalemin.
Në ato ditë: Biri i Saulit kishte dy prijës çetash. Njëri quhej Baanë e tjetri Rekab. Ishin bijtë e Remonit Berotas, nga fisi i Beniaminit, sepse Beroti mbahet me Beniaminin. Berotasit kishin ikur në Getaim dhe aty qëndruan si të ardhur deri në këtë kohë.
Jonatani, biri i Saulit, kishte një djalë çalaman në të dy këmbët. Ishte pesë vjeç kur prej Jezrahelit erdhi kumti i zi i Saulit e i Jonatanit. Mëndesha e tij e kapi fëmijën dhe iku; por, ndërsa po nxitonte të ikte, i ra përtokë dhe mbeti çalaman. Quhej Meribaal.
U çuan, pra, bijtë e Remon Berotit, Rekabi e Baana, dhe erdhën për pikë të vapës te shtëpia e Isbaalit dhe hynë brenda ndërsa ai po flinte në shtrat në pushimin e mesditës. Derëtaren, edhe atë e kishte zënë gjumi duke pastruar grurin. Kështu ata hynë brenda në shtëpi dhe Rekabi e vëllai i tij Baani e goditën në baqth e ikën. Kur kishin hyrë ata në shtëpi, ai po flinte në shtratin e vet në dhomë. Ata e goditën dhe e vranë, ia morën kryet dhe gjithë natën udhëtuan nëpër Arabë.
Kryet e Isbaalit ia çuan Davidit në Hebron dhe i thanë mbretit: “Ja, koka e Isbaalit, birit të Saulit, armikut tënd, i cili kërkonte të të vriste. Por Zoti deshi t'i jepte hakmarrje imzotit mbret në këtë ditë mbi Saulin dhe mbi farën e tij.”
E Davidi iu përgjigj Rekabit dhe Baanës, vëllait të tij, bijve të Remonit berotas, dhe u tha: “Pasha Zotin e gjallë që më shpëtoi nga çdo rrezik, në qoftë se atë që më lajmëroi e më tha: 'Sauli ka mbetur!' e që kujtonte se po më sjell një sihariq, e kapa dhe e vrava në Siceleg ‑ të cilit i thoshte mendja se do ta paguaja për lajm ‑ po çka do t'ju bëj tani njerëzve të pashpirt që e vranë njeriun pa u pas bërë kurrfarë faji, madje në shtëpinë e vet e në shtratin e vet?! Po a nuk do ta kërkoj gjakun e tij prej duarve tuaja e nuk do t'ju zhduk nga kjo botë?!” Atëherë Davidi u dha urdhër ushtarëve të vet dhe i vranë. Pastaj u prenë duar e këmbë dhe i varën te liqeni në Hebron. Mandej morën kokën e Isbaalit dhe e varrosën në varrezën e Abnerit në Hebron.
Atëherë erdhën të gjitha fiset e Izraelit te Davidi në Hebron dhe i thanë: “Ja, ne jemi ashti yt dhe mishi yt. Po edhe më parë, kur Sauli ishte mbreti ynë, ishe ti ai që i drejtoje të gjitha lëvizjet e Izraelit. Edhe Zoti të ka thënë: 'Ti do ta kullotësh popullin tim Izraelin dhe ti do të jesh prijës mbi Izraelin.'“
Po ashtu erdhën edhe të gjithë pleqtë e Izraelit te mbreti në Hebron, dhe Davidi mbret lidhi besëlidhje me ta në Hebron në praninë e Zotit. Ata e lyen Davidin mbret përmbi Izraelin. Davidi kishte tridhjetë vjet kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi për dyzet vjet: në Hebron mbretëroi mbi Judën shtatë vjet e gjashtë muaj, kurse në Jerusalem mbretëroi tridhjetë e tri vjet mbi mbarë Izraelin e Judën.
U çua mbreti dhe të gjithë njerëzit që ishin me të e shkoi në Jerusalem kundër jebusenjve që popullonin vendin. Ata i thanë Davidit: “Ti s'do të hysh këtu, por do të të dëbojnë të verbët e të çalë”, që donin të thoshin: “S'do të mund të hyjë këtu Davidi.” Por Davidi e pushtoi kështjellën Sion: d.m.th. qytetin e Davidit.
Përgjigjja Ps 2, 2. 6. 1
C Mbretërit e tokës po ngrihen, princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij. * Unë e kam shuguruar mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.
D Përse paganët çohen peshë e përse popujt bluajnë punë të kota?
C Unë e kam shuguruar mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.
Leximi i dytë
Nga libri “Ecja e përsosmërisë” i shën Terezës së Avilës, virgjër
(Kap. 30; 1-5; (Euvres complètes, Desclée De Brouwer, Paris, 1964, 467-468)
Ardhtë mbretëria jote.
Kush është ai njeri i cili, sado që të jetë i pamend, kur duhet t’i kërkojë një nder një personi të rëndësishëm, nuk mendon më parë se në çfarë mënyre t’ia kërkojë, që të mos e shqetësojë dhe të mos e bezdisë? A thua nuk duhet të dijë çka kërkon dhe të njohë nevojën që ka, posaçërisht nëse kërkon një gjë të rëndësishme, sikurse janë gjërat që vetë Jezusi ynë i dashur na mëson t’i kërkojmë? Ja një gjë që më duket e nevojshme të vë në dukje. A nuk munde, o Zoti im, të përmbledhësh gjithçka në një fjalë dhe të thuash: “Na jep, o Atë, gjithçka që na nevojitet”? Për atë që njeh gjithçka kaq mirë, nuk duket se ka nevojë për ndonjë gjë tjetër.
O Urti e amshuar! Për ty dhe për Atin tënd kjo do të mjaftonte; dhe vërtet, kështu je lutur në kopshtin e Gjetsemanit: e tregove vullnetin dhe frikën tënde, por më pas iu nënshtrove vullnetit të tij. Por, meqë ti, o Zoti im, e di mirë se ne nuk i jemi nënshtruar porsi ti vullnetit të Atit tënd, ishte e nevojshme që të përcaktoje mirë kërkesat, që të kishim mundësi të shihnim a na përshtatet ajo që kërkojmë, dhe të mos kërkojmë diçka që nuk do të na dukej e përshtatshme. Sepse ne jemi të tillë, që, nëse nuk na jepet ajo që kërkojmë, me vullnetin tonë të lirë refuzojmë ato gjëra që na i jep Zoti, edhe po të ishte fjala për gjëra më të mira. Dhe vërtet, ne nuk e shohim veten të pasur derisa nuk i kemi të hollat në dorë.
Jezusi i mirë, pra, na mëson t’i themi këto fjalë, me të cilat kërkojmë që të vijë mbretëria e tij: “U shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote”. Soditeni, pra, tash urtinë e madhe të Mësuesit tonë. Shqyrtoni – sepse është gjë e mirë të dini – se çka kërkojmë me këtë mbretëri. Jezusi i bëri këto kërkesa njërën pas tjetrës, duke parë se për shkak të mjerimit tonë ne nuk do të mund ta shenjtëronim, ta lavdëronim, ta lartësonim emrin e shenjtë të Atit të amshuar, po të mos e përhapte më parë përmbi ne mbretërinë e vet. Për këtë arsye, në mënyrë që të kuptoni çfarë jeni duke kërkuar dhe që të jeni të qëndrueshëm në kërkim dhe të përpiqeni, për sa është e mundur, ta bëni të kënaqur atë që mund ta dëgjojë lutjen tuaj, merrni parasysh këto që po ju them.
Me siguri një ndër të mirat më të mëdha, që në mes të tjerave do të shijojmë në qiell, është se atje lart shpirti nuk do të marrë aspak parasysh asnjë të mirë tokësore, por do të zhytet në qetësi dhe në lavdi, do t’i ngazëllohet gëzimit të të gjithëve: një paqe e pandryshueshme dhe një kënaqësi e pakufi do t’i arrijë kur të shohë se të gjithë e shenjtërojnë dhe e lavdërojnë Zotin, e bekojnë emrin e tij dhe nuk e fyejnë më. Të gjithë e duan; edhe vetë shpirti nuk do të brengoset për asgjë tjetër veçse ta duaj atë, dhe nuk do të pushojë së dashuri, sepse do ta njohë. Po të mund ta njihnim që tani, do ta donim menjëherë, edhe pse jo me përsosmërinë dhe vazhdimësinë e qiellit, por me siguri do ta donim në një mënyrë shumë të ndryshme prej mënyrës së tanishme.
Përgjigjja
C Ai që di të japë gjëra të mira bijve të tij, na nxit të kërkojmë, të lypim dhe të trokasim. * Aq më shumë do të fitojmë, sa më shumë të kemi besuar, shpresuar dhe dëshiruar.
D Këtu vlejnë më shumë rënkimet se fjalët, më shumë lotët se fjalimet.
C Aq më shumë do të fitojmë, sa më shumë të kemi besuar, shpresuar dhe dëshiruar.
Lutja
O Hyj, ti deshe që, në saje të bijësisë së hirit, të jemi bij të dritës: bëj, po të lutemi, që kurrë të mos na zotërojë errësira e gabimit, por të jemi përherë të shndritur me shkëlqimin e së vërtetës. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.