Shërbesa e leximeve

3 korrik, Shën Toma, apostull

 

Ftesa

 

V. O Zot, hapi buzët e mia!

P. E goja ime do të shpall lavdinë tënde!

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.

 

Psalmi 95 /94/

 

     Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

      Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.

 

3 korrik, Shën Toma, apostull

 

Festë

 

Shërbesa e leximeve

 

V.    Hyj, më eja në ndihmë!

P.    O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V.    Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P.    si ka qenë në fillim,

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Himni

 

      O princer t’mbretit t’Epër

      të selisë së amshueshme,

      që duke i zgjedhë vetë Krishti

      botës ia dha Apostuj.

 

      Jerusalemi i lartë

      që Qengji e shndrit me dritë,

      ju ka inxhi t’shkëlqyera,

      dhe ju themel t’palkundshëm.

 

      Ju kremton e përgëzuar

      tash Kisha Nusja e Krishtit,

      që fjala juaj e nxiti

      që ju me gjak shenjtëruat.

 

      Kur shekujt do të shemben

      gjyqtar do rrijë Shëlbuesi,

      me sa lavdi do rrini,

      senat i lavdisë s’epër.

 

      Prandaj ne lutja juaj

      na forcoftë në ndihmë prore

      dhe fara që ju hodhët

      lulëzoftë në fryte t’qiellit.

 

      Lavdi e përjetshme Krishtit,

      që ju bëri lajmëtarë,

      dhe ju me hir jetëdhënës

      t’Atit dhe Shpirtit mbushi. Amen.

 

      Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Në mbarë botën jehon predikimi i tyre; deri në skajet e botës, fjala e tyre.

 

Psalmi 19 /18 A/ (2-7)

 

Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *

      kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!

Dita ditës ia përsërit këtë gjë *

      e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.

 

E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *

      po as zë që do të mund të dëgjohet,

megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *

      diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!

 

Diellit në to ia ngrehu tendën: †

      del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *

      thua vigani pash më pash i bie sheshit!

 

Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †

      udha e tij kapet në skajin tjetër, *

      asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 1 Në mbarë botën jehon predikimi i tyre; deri në skajet e botës, fjala e tyre.

 

Ant. 2 I shpallën veprat e Hyjit, i kumtuan mrekullitë e tija.

 

Psalmi 64 /63/ (2-11)

 

Dëgjoje, o Hyj, zërin e vajtimit tim, *

      ma ruaj jetën prej tmerrit të armikut,

më mbro nga përbetimi i të mbrapshtëve, *

      prej grumbullit të atyre që veprojnë keq.

 

Prej atyre që e mprehën gjuhën e vet si shpatë, †

      që vjellin si shigjeta fjalë të helmuara, *

      për ta shigjetuar në moh të pafajshmin;

e shigjetojnë papritmas e frikë nuk kanë. *

      Ata marrin guxim në synimet e veta të këqija,

 

shestojnë si t’i vënë fshehtas leqet e veta *

      e thonë: »Kush mund t’i shohë?«

 

Synojnë paudhësi, i çojnë në vend synimet e parapara, *

      humnerë është njeriu, greminë zemra e tij!

 

Por Hyji i shigjetoi ata, *

      papritmas i mbuluan plagët.

Gjuha e vet ata i sharroi, *

      kush i sheh, i habitur, luan kokën.

 

Të gjithë njerëzit do t’i kapë frika, †

      do t’i kumtojnë veprat e Hyjit, *

      mirë do ta kuptojnë ç’bëri Ai.

 

I drejti do të gëzohet në Zotin, †

      në Të do ta ketë shpresën, *

      me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 2 I shpallën veprat e Hyjit, i kumtuan mrekullitë e tija.

 

Ant. 3 Ia shpallën botës drejtësinë e Hyjit: mbarë popujt e sodisin lavdinë e tij.

 

Psalmi 97 /96/ (1-12)

 

Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *

      le të gëzohen ishujt e shumtë!

Re e errësirë janë përreth tij, *

      e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.

 

Zjarri shkon përpara tij *

      dhe i djeg armiqtë e tij përreth.

Vetëtimat e tija e shndritin botën, *

      sheh Toka e dridhet!

 

Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *

      para fytyrës së Zotit të mbarë botës!

Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *

      të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.

 

I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †

      të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *

      Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!

Dëgjoi Sioni e u gëzua, †

      galduan bijat e Judës. *

      për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.

 

Sepse ti je, o Zot,

      i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *

      ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.

 

Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †

      Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *

      i shpëton prej dorës së mëkatarit.

 

Lindi drita për të drejtin, *

      e gëzimi për zemërmirët.

Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *

      nderojeni Emrin e tij të shenjtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 3 Ia shpallën botës drejtësinë e Hyjit: mbarë popujt e sodisin lavdinë e tij.

 

      D E shpallën fuqinë e Zotit,

      C dhe mrekullitë që ai i bëri.

 

      Leximi i parë

 

      Prej letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve    4, 1-16

 

      Gjithkush le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit e për mbarështues të mistereve të Hyjit. Tashti, në fund të fundit, prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik. Sa për mua, aspak nuk jam në kujdes se më gjykoni ju apo çfarëdo gjyqi njerëzor. Por as vetë nuk e gjykoj vetveten. Vërtet, ndërgjegjja ime nuk më padit për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti. Prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti! Ai do të qesë në dritë çka është e fshehur në errësirë dhe do t'i zbulojë synimet e zemrave. Atëherë gjithkush do të marrë prej Hyjit lavdinë që i përket.

      Me këto fjalë, vëllezër, e mora për shembull veten e Apolin për mësimin tuaj, që në ne ta kuptoni fjalën. Jo përtej se çka është e shkruar!' që të mos krenoheni me njërin kundër tjetrit. E njëmend, kush ta jep ty përparësinë? Çka ke që nuk e ke marrë? E, nëse e ke marrë prej tjetërkujt, pse krenohesh kinse s'e ke marrë? Tani u ngitë! Tani u bëtë të pasur! Pa ne u bëtë mbretër! Ku të merrej ai fat, se vërtetë u bëtë mbretër, që të mbretëronim edhe ne me ju!

      E pra, unë mendoj se Hyji ne, apostujve, na ka vënë në vendin e fundit, si të dënuar për vdekje: lojë për botën, për engjëjt e për njerëzit;

      ne të marrë për shkak të Krishtit, ju të urtë në Krishtin,

      ‑ ne të dobët,

      ju të fortë, ju të nderuar e ne të përbuzur,

      deri tani s'ngihemi me bukë as me ujë, jemi të zhveshur e të shtypur, të paplang e të pashtëpi, lodhemi duke punuar me duart tona.

      Na shajnë e ne flasim mirë për ta,

      na salvojnë e ne durojmë;

      na shpifen e ne ngushëllojmë.

      U bëmë deri në sot porsi plehrat e botës, porsi të fshirat e gjithkujt!

      Nuk po jua shkruaj këto që t'ju turpëroj, por që t'ju qortoj si fëmijët e mi të dashur. Sepse, edhe po t'i kishit në Krishtin dhjetë mijë mësues, nuk do të kishit shumë etër, sepse, me anë të Ungjillit, unë ju linda në Jezu Krishtin. Prandaj, ju përbej: më përngjani!

 

      Përgjigjja Gjn 15, 15; Mt 13, 12

 

      C Nuk ju thërras më shërbëtorë, por miq: * ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.

      D Ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit: lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë:

      C ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.

 

      Leximi i dytë

 

      Nga “Predikimet mbi ungjijtë” e shën Gregorit të Madh, papë

      (Pred. 26, 7-9; PL 76, 1201-1202)

 

      Zoti im dhe Hyji im

 

      “Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve – ai që quhet Binjak – nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi” (Gjn 20, 24). Vetëm ky nxënës nuk ishte i pranishëm. Kur u kthye, dëgjoi duke folur për ngjarjet që kishin ndodhur, por nuk deshi t’u besonte fjalëve të tyre. Zotëria erdhi prapë dhe nxënësit që nuk zinte besë ia ofroi kraharorin e vet për ta prekur. I tregoi duart dhe, duke i treguar vrimat e plagëve të veta, i shëroi plagët e pabesimit të tij.

      Çka shihni, vëllezër të dashur, në gjithë këtë? A thua ka qenë vetëm rastësi që ai nxënës i zgjedhur nga Zoti të mos ketë qenë i pranishëm, dhe pasi të kthehej të dëgjonte për ngjarjen, e pasi dëgjoi të dyshonte, dhe duke dyshuar të prekte, dhe duke prekur të besonte?

      Jo, kjo gjë nuk është rastësi, por ndodh pse Zoti ka caktuar kështu. Mëshira e Zotit ka vepruar në mënyrë të mrekullueshme, meqë ai nxënës, me dyshimet e tija, ndërsa i prekte plagët e trupit të mësuesit të tij, shëronte në ne plagët e mosbesimit. Mosbesimi i Tomës na ka shërbyer neve shumë më tepër, në lidhje me fenë, sesa feja e shumë nxënësve tjerë. Derisa ai arrin në fe duke prekur, mendja jonë përforcohet në fe me tejkalimin e çdo dyshimi. Kështu nxënësi, që ka dyshuar dhe ka prekur, është bërë dëshmitar i së vërtetës së ringjalljes.

      Preku dhe tha: “Zotëria im dhe Hyji im!”. Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson” (Gjn 20, 28-29). Meqë shën Pali thotë: “Feja është themeli i gjërave që shpresohen dhe dëshmia e gjërave që nuk shihen” është e qartë se feja është dëshmia e atyre gjërave që nuk mund të shihen. Gjërat që shihen nuk kanë më nevojë që të besohen, por janë objekt njohjeje dhe diturie. Por nëse Toma pa dhe preku, përse atëherë i thuhet: “Pse po më sheh, po beson”? Tjetër gjë është ajo që pa e tjetër është ajo që besoi. Hyjnia nuk mund të shihet nga njeriu i vdekshëm. E pa, pra, një njeri dhe njohu Hyjin, duke thënë: “Zotëria im dhe Hyji im!”. Besoi duke parë. Pa një njeri të vërtetë dhe tha se ishte ai Hyj që nuk mund të shihej.

      Na dhuron gëzim të madh ajo që vijon: “Lum ata që nuk panë e besojnë!” (Gjn 20, 28). Me këto fjalë pa dyshim bëhet fjalë në mënyrë të veçantë për ne, që besojmë në atë që nuk e kemi parë me shqisat tona. Jemi përshkruar ne, por vetëm në qoftë se fenë tonë e përcjellim me vepra. Beson në të vërtetë ai që e vë në praktikë me jetë të vërtetën në të cilën beson. Për ata që kanë fe vetëm me fjalë, shën Pali thotë. “Pohojnë se Hyjin e njohin, por me vepra e mohojnë” (Tit 1, 16). Ndërsa Jakobi shkruan: “Feja pa vepra është e vdekur” (Jk 2, 26).

 

      Përgjigjja Krh. 1 Gjn 1, 2. 1

 

      C Jeta u shfaq, ne e pamë; * dëshmojmë dhe ju kumtojmë Jetën e pasosur, që ishte te Ati dhe na u shfaq neve.

      D Çka pamë me sytë tanë, çka soditëm dhe duart tona prekën, në lidhje me Fjalën e jetës:

      C dëshmojmë dhe ju kumtojmë Jetën e pasosur, që ishte te Ati dhe na u shfaq neve.

 

      Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

      Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

      ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

      Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

      ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

      ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

      edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

      Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

      nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

      ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

      Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

      të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

      të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

      e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

      Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

      Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

      Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

      Në ty, o Hyj, shpresova, *

      e kurrë nuk do të turpërohem.

 

      Lutja

 

      Bëj, o Hyj i gjithëpushtetshëm, ta kremtojmë me gëzim festën e shën Tomës apostull, që, me ndërmjetësinë e tij, e në saje të fesë, të kemi jetën në emër të Krishtit, të cilin ai e dëshmoi për Zot e Hyj të tij. Nëpër Zotin.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.