Shërbesa e leximeve

Java e trembëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Hy i mëshirës s’epër

   krijuesi i makinës së botës,

   një i vetëm me pushtet,

   tri veta në persona,

 

   prano me këngë të përshpirtshme

   mirësisht vajtimet tona,

   në mjerim me zemër të pastër

   të gëzojmë ty më tepër.

 

   Me zjarr të hijshëm dashurie

   ti na i ngroh mirë këllqet

   që të jenë gjithnjë të përveshur

   dhe gati n’ardhjet e tua.

 

   Që, disa orë të netëve

   ne tash me këngë i thyejmë,

   me dhunti t’atmes shenjte

   gjerësisht të gjithë të pasurohemi.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues në gjithë shekujt. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Autori i lavdisë së përjetshme,

   që besimtarëve Shpirtin

   u jep me hir shtatë formash,

   i butë qëndroju pranë të gjithëve.

 

   Dëbo sëmundjet prej trupave,

   hiqja pengesat mendjes,

   dërrmo fuqitë e krimeve,

   largo dhembjet e zemrave.

 

   Bëji mendjet të kthjellta

   kryeje veprën e ndershme,

   prano lutjet e lutësve,

   jepu jetën e amshuar.

 

   Në rrjedhat e shtatë ditëve

   tash çdo kohë shtjellohet,

   e teta ajo e fundit,

   do të jetë dita e gjyqit.

 

   Në të cilën Shëlbues, të lutemi,

   mos na padit me mllef,

   por na liro nga e majta,

   vendosna në të djathtën.

 

   Që kur shpirtmirë Ti lutjet

   t’ia pranosh turmës tënde,

   të gjithë lavdi t’i thurim

   për amshim Trinisë Shenjte. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

   Psalmi 131 /130/ (1-3) Shpirti i fëmijërisë

 

   Pranoni t'ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë (Mt 11, 29).

 

O Zot, nuk krenohet zemra ime *

   as s’madhështohen sytë e mi,

as nuk jepem pas punëve të mëdha, *

   as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.

 

Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, †

   si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës, *

   si kërthi është shpirti im në mua.

 

Le të shpresojë Izraeli në Zotin *

   tani e për gjithmonë e jetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.

 

   Psalmi 132 /131/ Premtimet hyjnore që iu bënë Davidit

 

   Zoti Hyj do t'ia japë fronin e Davidit, atit të tij (Lk 1, 32).

 

   I (1-10)

 

Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi *

   e gjithë mirësia e tij,

si iu përbetua Zotit, *

   si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:

 

»Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, *

   nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,

nuk do t’u jap gjumë syve të mi, *

   s’do t’i lë të koten qepallat e mia,

 

pa e pasë gjetur një vend për Zotin, *

   një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.«

 

Ja, dëgjuam se është në Efratë, *

   e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!

Le të hyjmë në tendën e tij, *

   të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tij!

 

Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, *

   ti dhe arka e Pushtetit tënd!

Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, *

   shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.

 

Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, *

   mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

   II (11-18) Zgjedhja e Davidit dhe e Sionit

 

   Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e Pasardhësit të tij... që do të thotë Krishtit (Gal 3, 16).

 

Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, *

   assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:

»Bamin e kraharorit tënd *

   do ta vë mbi fronin tënd!

 

Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time *

   dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,

po edhe bijtë e tyre përgjithmonë *

   do të rrinë përmbi fronin tënd.«

 

Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, *

   e pëlqeu për banesë të veten:

»Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, *

   këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.

Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tij, *

   skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.

Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, *

   shenjtërit e tij do të brohoritin me galdim.

 

Atje do të bëj t’i ngallitë Pinjolli Davidit, *

   do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.

Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, *

   kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

D Ejani dhe soditni veprat e Zotit:

   C ai bëri vepra të mrekullueshme përmbi tokë.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të dytë të Samuelit 11, 1-17. 26-27

 

   Mëkati i Davidit.

 

   Një herë, në kohën kur mbretërit e kishin doke të dalin në luftë, Davidi e dërgoi Joabin me shërbëtorët e vet e me mbarë Izraelin dhe këta shkretërruan mbarë vendin e bijve të Amonit dhe e rrethuan Rabën. Davidi qëndroi në Jerusalem.

   Një mbrëmje Davidi u çua prej shtratit e po shëtiste në tarracë të shtëpisë mbretërore. Nga tarraca pa një grua tek po lahej: e ishte shumë e bukur. Davidi dërgoi për të marrë hetime se kush ishte ajo grua. I treguan se ajo ishte Betsabeja, e bija e Eliamit, gruaja e Uri Heteut. Atëherë Davidi dërgoi lajmëtarë për ta sjellë. Kur erdhi ajo te Davidi, Davidi ra me të, që posa ishte shenjtëruar prej papastërtisë së saj. Pastaj u kthye në shtëpi të vet.

   Gruaja mbeti shtatzënë. Dërgoi për ta lajmëruar Davidin e tha: “Ngjiza!”

   Davidi dërgoi njerëz te Joabi e i tha: “Dërgoje tek unë Uri Heteun.” Joabi e dërgoi te Davidi Urinë. Uria erdhi te Davidi. Davidi e pyeti si ishte Joabi e ushtria dhe si shkonin punët e luftës. Atëherë Davidi i tha Urisë: “Zbrit në shtëpinë tënde e laji këmbët e tua.” Uria doli prej pallatit të mbretit dhe i qe dërguar pas tij haje prej tryezës së mbretit. Porse Uria fjeti para derës së pallatit mbretëror me shërbëtorët e tjerë të zotërisë së vet dhe nuk shkoi në shtëpi të vet.

   Erdhën dhe e lajmëruan Davidin: “Uria nuk shkoi në shtëpinë e vet.” Atëherë Davidi i tha Urisë: “Ndoshta nuk erdhe prej udhëtimit? Pse nuk shkove në shtëpinë tënde?” Uria iu përgjigj Davidit: “Arka, Izraeli e Juda banojnë nën çadra, Joabi, imzot, dhe shërbëtorët e zotërisë tim kanë për dyshek tokën e unë të hyj në shtëpinë time për të ngrënë e për të pirë e për të fjetur me gruan time? Pasha jetën tënde, pasha shpirtin tënd, unë nuk do të bëj një gjë të tillë.” Prandaj Davidi i tha Urisë: “Qëndro këtu edhe sot e nesër do të të nis.” Uria qëndroi në Jerusalem edhe atë ditë e të nesërmen. Sepse Davidi e grishi të hajë e të pijë me të dhe e dehu. Ky, pasi doli në mbrëmje, shkoi e fjeti në shtratin e vet me shërbëtorët e zotërisë së vet, por në shtëpinë e vet nuk dëgjoi të zbresë.

   Në mëngjes Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi për Urinë. Në letër shkruante: “Vëreni Urinë në vijën e parë, kur të jetë përleshja më e tmerrshme dhe tërhiquni prej tij që të goditet e të vdesë.” Kështu, pra, kur Joabi e rrethoi qytetin e vuri Urinë aty ku e dinte se trimat ishin më të fortë. Kur qytetarët dolën prej qytetit e po përlesheshin me Joabin, ranë disa prej popullit, prej ushtarëve të Davidit dhe mbeti i vrarë edhe Uri Heteu.

   Kur gruaja e Urisë mori lajmin se i kishte vdekur Uria, burri i saj, ia bëri vajin. Pasi kaloi koha e zisë, Davidi çoi dhe e solli në shtëpinë e vet dhe ajo u bë gruaja e tij dhe i lindi një djalë. Por kjo që bëri Davidi nuk i pëlqeu Zotit kurrsesi.

 

   Përgjigjja Krh. 2 Sam 12, 9; Dal 20, 2. 13. 14

 

   C Ti e preve me shpatë Uri Heteun e ia more gruan e tij. * Pse e përbuze fjalën e Zotit duke vepruar çka është e keqe para syve të tij?

   D Unë jam Zoti Hyji yt që të nxora nga dheu i Egjiptit: Mos vra. Mos bëj kurorëthyerje.

   C Pse e përbuze fjalën e Zotit duke vepruar çka është e keqe para syve të tij?

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Katekezat” e shën Çirilit të Jerusalemit, ipeshkëv

   (Kat. I, 2-3. 5-6; PG 33, 371. 375-378)

 

   Kthehu në kohën e volitshme.

 

   Nëse ndokush është rob i mëkatit, me anë të fesë le të bëhet gati të rilindë i lirë në adoptimin bijësor. Dhe pasi të ketë braktisur robërimin e mbrapshtë të mëkatit dhe të ketë fituar robërimin e lumtur të Zotit, le të mbahet si i denjë për të fituar trashëgimin e mbretërisë qiellore. Nëpërmjet kthimit zhvishuni prej njeriut të vjetër i cili shkatërrohet duke ecur pas dëshirave të rrejshme, për të riveshur njeriun e ri i cili përtërihet i ngjashëm me njohjen e atij që e krijoi. Nëpërmjet fesë fitojeni pengun e Shpirtit Shenjt, në mënyrë që të mund të pranoheni në banesat e amshuara. Afrohuni shenjës dalluese të mistershme, në mënyrë që të mund të dalloheni mirë në mes të të gjithëve. Bëhuni pjesëtarë të grigjës së shenjtë dhe të rregullt të Krishtit, kështu që të vënë një ditë në të djathtën e tij, të mund të merrni jetën që është përgatitur si trashëgim për ju.

   Ata të cilëve u mbetet e ngjitur ashpërsia e mëkateve, porsi të ishte një lëkurë, zënë vend në të majtë, për vetë faktin se nuk i janë afruar hirit të Hyjit, i cili jepet përmes Krishtit, në larjen e rilindjes. Sigurisht nuk flas për rilindjen e trupave, por për rilindjen e përtërirë të shpirtit. Në të vërtetë trupat lindin përmes prindërve që shihen dhe preken, ndërsa shpirtrat rilindin nëpërmjet fesë, dhe vërtet: Shpirti fryn në drejtim që do (krh. Gjn 3, 8). E atëherë, nëse do të gjendesh i denjë, do të mund të dëgjosh se të thuhet: “Të lumtë, shërbëtor i mirë, e besnik” (Mt 25, 23), por kuptohet se kjo do të ndodhë nëse ti do të gjendesh i pastër prej çdo ndyrësie dhe shtirjeje.

   Nëse pra ndokush prej të pranishmëve mendon të sprovojë hirin e Hyjit, e gënjen vetveten dhe nuk e njeh vlerën e gjërave. Mundohu, o njeri, të kesh një shpirt të sinqertë dhe pa asnjë gënjeshtër, për atë i cili përshkon mendje dhe zemër.

   Koha e tashme është kohë e kthimit. Rrëfeje atë që ke bërë me fjalë dhe me vepër, gjatë natës dhe gjatë ditës. Kthehu në kohën e volitshme, dhe në ditën e shëlbimit pranoje thesarin qiellor.

   Pastroje enën tënde, që të mund të nxërë hirin në një masë më të bollshme; në të vërtetë falja e mëkateve u jepet të gjithëve në të njëjtën masë, ndërsa pjesëmarrja e Shpirtit Shenjt jepet në përpjesëtim me fenë e çdonjërit. Nëse ke punuar pak do të fitosh pak, por nëse ke bërë shumë, e madhe do të jetë paga. Sado që të bësh e bën për të mirën tënde. Është në interesin tënd të shqyrtosh dhe të bësh atë që të leverdis.

   Nëse ke ndonjë gjë kundër ndokujt, fal. Nëse afrohesh për të marrë faljen e mëkateve është e nevojshme që edhe ti të falësh atë që ka mëkatuar.

 

   Përgjigjja Krh. Fu 28, 13; 1 Gjn 1, 9

 

   C Kush i fsheh fajet e veta, s’do të përparojë, * kush i pranon dhe u shmanget, do të gjejë përdëllim.

   D Nëse i pranojmë mëkatet tona, Hyji është besnik dhe i drejtë: do të na i falë mëkatet,

   C kush i pranon dhe u shmanget, do të gjejë përdëllim.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti deshe që, në saje të bijësisë së hirit, të jemi bij të dritës: bëj, po të lutemi, që kurrë të mos na zotërojë errësira e gabimit, por të jemi përherë të shndritur me shkëlqimin e së vërtetës. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.