Shërbesa e leximeve
Java e katërmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E diel
Shërbesa e leximeve
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Është koha e mesit natës;
nxit zëri profetik
t’i këndojmë lavde Hyjit,
Atit gjithmonë e Birit,
si edhe Shpirtit të Shenjtë:
Trinia e përsosur
e një gjëje të vetme
nga ne gjithmonë duhet lavdëruar.
Kjo kohë ka edhe tmerrin,
ku engjëlli shkatërrues
vdekjen i solli Egjiptit,
shfarosi të parëlindurit.
Kjo orë shpëtim qe për të drejtët,
pse atëherë po atje engjëlli
s’kishte guxuar t’ndeshkonte
nga frika e shenjës s’gjakut.
Egjipti rëndë vajtonte
nga shuarja e rreptë e djemve;
veç Izraeli gëzonte
mbrojtur nga gjaku i qengjit.
Izraeli i vërtetë ne jemi:
në Ty, o Zot, gëzohemi,
duke shpërfillë armikun dhe të keqen,
mbrojtur nga gjaku i Krishtit.
Na bëj të denjë, o mbreti i madhrueshëm,
lavdia e mbretërisë s’ardhshme,
që t’meritojmë me lavde
t’amshueshme ty t’këndojmë. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Falemi o ditë, lavdia e ditëve,
fatlume ditë fitore e Krishtit,
ditë e denjë gëzimi i zgjedhës,
dita e parë.
Dritë hyjnore u ndriçon të verbërve,
në cilën Krishti shkreton ferrin,
vdekjen e mposhtë dhe pajton rishtas
t’ultat me t’lartat.
Vendimi i mbretit të amshuar
nën mëkat fund u dha të gjithave;
që hiri i lartë në ndihmë t’u vinte
njerëzve të dobët.
Virtyti i Hyjit e dija
mërinë me mirësi zbuti
atëherë kur bota në greminë
tërësisht po rrokollisej.
I lirë u ngjall përsëri nga ferri
restaurator i farës njerëzore
delen e vet mbi supa duke e mbartur
në vise t’epra.
Bëhet paqëtues i engjëjve me njerëzit,
rritet plotësimi i radhëve qiellore,
lavdi i ka hije Hyjit ngadhnjëmtar,
lavdia e amshuar.
Harmonia e atdheut qiellor
përkoftë me zërin e Nënës Kishë,
“Aleluja” sot grumbulloftë me turma
grigjat besnike.
Me triumfin e mbretërisë mbi vdekjen,
të përfitojmë nga gëzimi triumfal:
paqe në tokë, dhe brohoritje
qofshin ndër qiej. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 O Zot, Hyji im, porsi me petk je i mbështjellë me dritë je i veshur me madhëri , aleluja.
Psalmi 104 /103/ Himn Hyjit Krijues
Nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja (2Kor 5, 17).
I (1-12)
Bekoje, shpirti im, Zotin! *
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
I veshur me madhëri e me bukuri, *
i mbështjellë me dritë porsi me petk!
E ngreh qiellin porsi tendë, *
mbi ujëra ndërton banesat e tua.
Retë i bëre karrocë për vete, *
ecën mbi krahët e erës!
Erërat i bën lajmëtarë të tu, *
zjarrin zhuritës shërbëtorë të tu.
Tokën e vendose mbi qëndrueshmërinë e saj, *
nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve.
E mbulove si me petk me ujërat e humnerave, *
majat e maleve i mbulonin ujërat:
Ti u kërcënohesh e ato tërhiqen, *
dridhen nga zëri i bubullimës sate:
ngjiten në male, zbresin në lugina *
drejt vendit që ti u cakton:
u ke vënë cakun që s’guxojnë ta kalojnë, *
që përsëri të mos e mbulojnë tokën.
Burimet ti i kthen në përrenj, *
rrjedhin përmidis malesh;
ato ngijnë ujë të gjitha kafshët e pyllit, *
ua shuajnë etjen gomarëve të egër.
Përskaj tyre banojnë zogjtë e ajrit, *
gem më gem ia thonë këngës së vet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 O Zot, Hyji im, porsi me petk je i mbështjellë me dritë je i veshur me madhëri , aleluja.
Ant. 2 Ti bën të mbijë buka prej tokës dhe vera që gëzon zemrën e njeriut, aleluja.
II (13-23)
Ti i ujit malet nga pallatet e tua, *
toka ngihet me frytet e duarve të tua.
Ti bën të mbijë bar për kafshë, †
bimë të tjera të nevojshme për njeriun, *
për të nxjerrë prej tokës bukën
e verën që gëzon zemrën e njeriut, †
që me vaj ta lyejë fytyrën *
e që buka t’ia kërthndez njeriut zemrën.
Ngihen me ushqim lëndët e Zotit, *
cedrat e Libanit që ai vetë i mbolli.
Në ta trumcakët i ndërtojnë çerdhet, *
lejlekët banesën e bëjnë në majat e tyre.
Malet e larta strehim u japin shutave, *
e shpellat vjedullave banesën.
Për të shënuar stinët ka krijuar Hënën *
edhe Diellin që e njeh perëndimin e vet.
Shtrin errësirën e bëhet natë: *
nëpër të enden egërsirat e pyllit.
Këlyshët e luanit ulërijnë pas presë *
e Hyjit i kërkojnë ushqim për vete.
Kur lind dielli ata tërhiqen *
e struken në strofujt e vet.
Atëherë del njeriu për të vepruar *
për t’i kryer punët deri në mbrëmje.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ti bën të mbijë buka prej tokës dhe vera që gëzon zemrën e njeriut, aleluja.
Ant. 3 Zoti i shikoi krijesat e veta: dhe gjithçka ishte e mirë, aleluja.
III (24-35)
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! †
Të gjitha i ke bërë me urti të madhe: *
plot është toka me krijesat e tua.
Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë, †
atje zvarranikë saqë numri s’u dihet, *
kafshë të vogla të përziera me të mëdha!
Nëpër të kalojnë anijet, *
Leviatani që ti e krijove për të luajtur me të!
Të gjitha këto presin me shpresë *
që t’u japësh ushqim në kohën e duhur.
Po u dhe ti ato mbledhin, *
kur ti e hap dorën tënde, mbushen me një mijë të mira.
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen, †
po ua more frymën, ato ngordhin *
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen *
dhe e rinon fytyrën e dheut.
E amshueshme qoftë lavdia e Zotit, *
u gëzoftë Zoti në veprat e veta! –
E shikon tokën dhe e bën të dridhet, *
i prek malet e i bën të tymojnë.
Do t’i këndoj Zotit në jetën time, *
do ta lavdëroj Hyjin derisa të jem gjallë.
I pëlqeftë Zotit kënga ime, *
kënaqjen time e kam vënë në Zotin!
U zhdukshin mëkatarët nga faqja e dheut †
e keqbërës askurrë më mos pastë mbi tokë! *
Bekoje, shpirti im, Zotin!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Zoti i shikoi krijesat e veta: dhe gjithçka ishte e mirë, aleluja.
D Lum sytë tuaj, që e shohin Krishtin:
C dhe veshët tuaj, që e dëgjojnë zërin e tij.
Leximi i parë
Prej librit të dytë të Samuelit 12, 1-25
Pendesa e Davidit.
Në ato ditë Zoti e dërgoi Natanin te Davidi. Ky erdhi te Davidi dhe i tha: “Në një qytet jetonin dy vetë. Njëri ishte pasanik e tjetri skamnor. Pasaniku kishte bagëti të imëta e të trasha me shumicë të madhe. Kurse skamnori nuk kishte asgjë tjetër përveç një deleje të vocërr. E kishte blerë dhe e kishte ushqyer. Ishte rritur tek ai bashkë me fëmijët e tij duke ngrënë bukën e tij e duke pirë prej gotës së tij dhe duke fjetur në gjirin e tij. Për të ishte sikur ta kishte pasur bijë. Porse, kur një shtegtar erdhi te pasaniku, ky, duke kursyer bagëtitë e veta të imëta e të trasha për t'i bërë gosti atij shtegtari që kishte ardhur tek ai, shkoi e mori delen e skamnorit dhe i bëri gati bukën njeriut që kishte ardhur tek ai.”
Davidi u hidhërua pa masë kundër këtij njeriu e i tha Natanit: “Pasha jetën e Zotit, njeriu që ka bërë këtë punë, meriton vdekjen! Katërfish do ta paguajë delen për arsye se ka bërë një punë të tillë dhe është dëftuar njeri i pashpirt.”
Atëherë Natani i tha Davidit: “Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Unë të shugurova mbret përmbi Izraelin. Unë të shpëtova prej dorës së Saulit. Në dorë tënde e lëshova familjen e zotërisë tënd edhe gratë e zotërisë tënd i lëshova në gjirin tënd, në dorën tënde e lëshova edhe mbarë Izraelin dhe Judën e, nëse këto janë pak, unë do të të shtoj shumë më tepër. Pse atëherë e përbuze fjalën e Zotit duke vepruar çka është e keqe para syve të tij? Ti e preve me shpatë Uri Heteun e ia more gruan e tij. Ti atë e vrave me shpatën e bijve të Amonit! Për këtë arsye kurrën e kurrës nuk do të hiqet shpata prej familjes sate, pasi më përbuze mua dhe e more gruan e Uri Heteut për të qenë gruaja jote. Prandaj kështu thotë Zoti: 'Ja, unë do të bëj që e keqja jote të vijë mu prej familjes sate! Ndër sy të tu do t'i marr gratë e tua e do t'ua jap të afërmve të tu e do të flenë me gratë e tua në dritën e këtij dielli. Ti, vërtet, e bëre këtë fshehtazi, por unë do ta bëj ballafaqas në sy të mbarë Izraelit, ditën për diell!'“
Atëherë Davidi i tha Natanit: “Kam mëkatuar kundër Zotit!” E Natani i tha Davidit: “Prej anës së vet Zoti ta ka falur këtë mëkat; s'do të vdesësh. Megjithatë, pasi me këtë veprim i bëre të hyjshmojnë armiqtë e Zotit, djali që të ka lindur, me siguri do të vdesë.”
Atëherë Natani u kthye në shtëpinë e vet.
Zoti e goditi djalin që gruaja e Urisë ia lindi Davidit, dhe u sëmur rëndë. Davidi iu lut Zotit për foshnjën dhe Davidi agjëronte e, kur kthehej në shtëpi, natën e kalonte shtruar për tokë. Krerët e shtëpisë së tij qëndronin përreth tij dhe i thoshin të ngrihej nga toka, por ai nuk dëgjoi as nuk hëngri bukë me ta. Të shtatën ditë vdiq fëmija. Shërbëtorët e tij kishin frikë t'i lajmëronin Davidit se kishte vdekur fëmija. Sepse mendonin: “Derisa foshnja ishte ende gjallë, ne i thoshim, por ai s'na dëgjonte. Po tani si t'i themi: 'Ka vdekur djali?' Do të bëjë edhe më zi!”
Kur vuri re Davidi se shërbëtorët e tij po pëshpëritnin njëri me tjetrin, ia preu mendja se foshnja kishte vdekur. U tha shërbëtorëve të vet: “A ka vdekur fëmija?” Ata iu përgjigjën: “Ka vdekur.”
Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la dhe u përerua. Pasi i ndërroi petkat, hyri në shtëpinë e Zotit dhe adhuroi. Pastaj u kthye në shtëpinë e vet dhe kërkoi që t'i shtronin bukën dhe hëngri. Shërbëtorët e tij e pyetën: “Ç'po bën ashtu? Ndërsa fëmija ende ishte gjallë ti për shkak të tij agjërove e qaje, kurse tani që ka vdekur foshnja po çohesh e po ha?” Ai tha: “Kur foshnja ishte ende gjallë unë agjëroja dhe qaja, sepse mendoja: 'Kush e di? Ndoshta Zoti do të ketë dhembshuri për mua e do të jetojë fëmija. Por tani që ka vdekur, pse të agjëroj? Pse a mund ta kthej më? Unë do të shkoj tek ai, kurse ai nuk do të kthehet tek unë.”
Davidi e ngushëlloi Betsabenë, gruan e vet, hyri tek ajo, ra me të dhe ajo i lindi djalin. Djalit ia ngjiti emrin Salomon. Zoti e deshi Salomonin dhe e dëftoi këtë me anë të Natanit profet. Ky e quajti Jedidjë /domethënë: I dashuri i Zotit/, siç i urdhëroi Zoti.
Përgjigjja Krh. Lutjet e Manaseut 9. 10. 12; Ps 51 /50/, 5. 6.
C Mëkatet e mia janë më shumë se rëra e detit; prej madhështisë së mëkatit tim nuk jam i denjë të shikoi qiellin; * e kam merituar zemërimin tënd për të këqijat që i kam bërë para syve të tu.
D E pranoj paudhësinë time: mëkatin tim përherë e kam para sysh. Ty vetëm ty të kam rënë në faj;
C e kam merituar zemërimin tënd për të këqijat që i kam bërë para syve të tu.
Leximi i dytë
Nga “Ligjëratat” e shën Augustinit, ipeshkëv
(Ligj. 19, 2-3; CCL 41, 252-254
Shpirti i penduar është fli e kushtuar Hyjit.
Davidi dëshmoi: “E pranoj paudhësinë time” (Ps 51 /50/, 5). Nëse, pra, unë e pranoj mëkatin, atëherë ti fal. Nuk duhet assesi të mendojmë se jemi të përkryer dhe se jeta jonë është e pa mëkat. Sjelljes le t’i jepet ajo lavdi e cila nuk e harron nevojën e faljes. Njerëzit e pa shpresë, sa më pak i pranojnë mëkatet e veta, aq më shumë merren me mëkatet e të tjerëve. Në të vërtetë, ata kërkojnë jo gjërat që duhen përmirësuar, por ato që duhen qortuar. E pasi që nuk mund të falin vetveten, janë të gatshëm të fajësojnë të tjerët. Kjo nuk është mënyra e lutjes dhe e kërkimit të faljes prej Hyjit, që na ka mësuar psalmisti kur tha: “E pranoj paudhësinë time: mëkatin tim përherë e kam para sysh” (Ps 51 /50/, 5). Ai nuk kujdesej për mëkatet e të tjerëve. E përmendte vetveten dhe nuk tregonte butësi me veten e tij, por gërmonte dhe përshkonte gjithmonë më thellë në vetvete. Nuk tregohej zemërbutë ndaj vetvetes, dhe kështu lutej që atij t’i falej mëkati, por pa mendjemadhësi.
A ke dëshirë të pajtohesh me Hyjin? Kupto më parë se ç’po bën me vetveten, që Hyji të pajtohet me ty. Vërja mendjen asaj që lexohet në po të njëjtin psalm: “Ti nuk kënaqesh në fli, e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë” (Ps 51 /50/, 18). Pra, do të mbetesh pa bërë asnjë fli? A nuk do të kesh asgjë të dhurosh? Me asnjë dhuratë nuk do ta fashitësh zemërimin e Hyjit? Çka ke thënë? “Ti nuk kënaqesh në fli, e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë”. Vazhdo, dëgjo dhe lutu: “Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; ti,o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar” (Ps 51, /50/, 19). Pasi që flake ato që i kushtoje, tash gjete se ç’të dhurosh. Në të vërtet në kohët e lashta ti dhuroje pre prej grigjës dhe këto quheshin fli. “Ti nuk kënaqesh me fli”: ti nuk i pranon më flitë e së kaluarës, porse një fli e kërkon.
Thotë psalmisti: “Nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë”. Për këtë arsye, meqë ty nuk të pëlqejnë flitë e shkrumbimit, a do të mbetesh pa fli? Kurrë mos qoftë! “Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar” (Ps 51 /50/, 19). Ti e ke çka të flijosh. Mos kërko pra grigjë, mos bëj gati udhëtime për në krahinat më të largëta për të sjellë aroma, por, kërko në zemrën tënde atë që i pëlqen Hyjit. Duhet ta copëtosh në imtësi zemrën. A ke frikë se do të vdesë meqë është thyer? Në gojën e psalmistit ti gjen këtë shprehje: “Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër” (Ps 51 /50/, 12). Pra, duhet ta shkatërrosh zemrën e ndyrë, kështu që të krijohet një zemër e pastër.
Kur mëkatojmë duhet të na vijë keq për vetveten, sepse mëkatet nuk i pëlqejnë Hyjit. E meqë e shohim se nuk jemi të pamëkatë, së paku në këtë gjë le të jemi të ngjashëm me Hyjin: le të na vijë keq për ato gjëra për të cilat i vjen keq Hyjit. Në një farë mënyre ti je bashkuar me vullnetin e Hyjit, meqë ty të vjen keq për gjërat që Krijuesi yt i urren.
Përgjigjja Krh. Ps 38 /37/, 3; Ps 51 /50/, 12
C Mëkatet e mia, o Zot si shigjeta në mua u ngulën; para se të më lëndojnë, * më shëro me pendesë.
D Krijo në mua, o Hyj, zemrën e pastër, përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm,
C më shëro me pendesë.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj, ti me përvujtërimin e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu, pra, besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj t’i shijojnë gëzimet e amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.