Shërbesa e leximeve

Java e katërmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tani është për ne ajo koha

   ku nga zëri ungjillor

   besohet do vijë dhëndri,

   Autori i mbretërisë qiellore.

 

   Rendin virgjëreshat shenjte

   kur t’vijë me i dalë përpara,

   duke mbajtë llamba t’ndritshme,

   me gëzim t’madh t’hareshme.

 

   T’marrat që s’luajnë nga vendi,

   të shuara i kanë llambat,

   pa dobi n’derë trokasin

   është mbyllë pallati i mbretit.

 

   Tani me urti t’rrijmë zgjuar

   duke i mbajtë mendtë të qarta,

   që kur të vijë Zotynë

   të denjë t’i dalim para.

 

   Na bëj të denjë, mbret i madhrueshëm,

   lavdia e mbretërisë s’ardhshme,

   që t’meritojmë me lavde

   ty të këndojmë t’amshueshme. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Jeta e shenjtorëve, rruga, shpresa e shpëtimi,

   o Krisht, dhuruesi i mirësisë e i paqes

   autori i madh, ne ty me zëra e ndjenja

   himnim të qesim.

 

   Që ke virtytin tërësisht të dukshëm (njohur)

   që t’drejtët munden, kanë, e që me zemër

   me gojë e vepra i lakmojnë, të ndezur

   nga zjarri i dashurisë.

 

   Paqen e kohrave, e ruajtjen e besës,

   kujdes, përkrahje ndër shkarje të dobëta,

   jepu të gjithëve krahas me dhuratat

   e jetës s’lumtur.

 

   Lavdi e njëjtë lartësoftë Prindin e Epërm

   dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë n’përjetësi,

   e të buqasë lumnia e Shpirtit Shenjt

   nëpër gjithë botën. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.

 

   Psalmi 31 /30/ Lutja në ditë vështirësie

 

   O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim (Lk 23, 46).

 

   I (2-9)

 

Në ty, o Zot, shpresoj: †

   mos lejo të turpërohem për amshim, *

   më liro me drejtësinë tënde.

Prire drejt meje veshin tënd, *

   nxito të më shpëtosh!

Ji për mua qetë shpëtimi, *

   kështjellë mbrojtjeje!

 

Sepse forca ime e strehimi im ti je: *

   pashë Emrin tënd më pri e më sundo.

Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, *

   sepse ti je fuqia ime.

 

Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, *

   më shpërble, o Zot, Hyji besnik.

Ti i urren shërbëtorët e idhujve të rrejshëm, *

   ndërsa unë shpresën e kam në Zotin.

 

Me gëzim do t’i brohoras mirësisë sate †

   se ti këqyre me dhimbje mbi mjerimin tim, *

   ti i ndihmove shpirtit tim në ditë të ngushtë;

 

nuk më dorëzove në thonj të armiqve të mi, *

   hapave të mi u prive rrugës së shpëtimit.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.

 

Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.

 

   II (10-17)

 

Ki mëshirë për mua, o Zot, *

   se ndodhem në ngushtim të madh!

Vuajtjet m’i ligështuan sytë e mi, *

   shpirtin edhe trupin.

 

Jeta më sharroi në dhembje *

   e vjetët më kaluan në dënesë,

fuqia më mbaroi nga mundi *

   e eshtrat m’u thanë.

 

Në sy të armiqve të mi u bëra tallje, †

   për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr *

   Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje.

Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur, *

   u bëra porsi enë e thyer.

 

Dëgjo pëshpëritjet e të shumëve: tmerr në çdo anë: †

   bëjnë mbledhje kundër meje, *

   pleqërojnë si të ma marrin jetën.

 

E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt, †

   unë them: »Ti je Hyji im, *

   në duart e tua fati im!«

 

Më shpëto prej duarve të armiqve të mi *

   dhe prej atyre që më salvojnë.

Kthjelle fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd: *

   më shpëto me mëshirën tënde.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.

 

   III (20-25)

 

Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot, *

   të cilën e ruan për ata që të druajnë,

e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty *

   në sy të bijve të Adamit.

 

Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate *

   larg nga ngatërresat e njerëzve,

i strehon në Tendën tënde *

   larg nga gjuhët ngatërrestare.

 

Qoftë bekuar Zoti që më pajisi *

   me mirësi të mrekullueshme në qytet të fortë!

 

Ndërsa në vështirësinë time mendoja: *

   »I përjashtuar jam prej syve të tu!«,

por ti e dëgjove zërin e lutjes sime *

   kur drejt teje lëshova kushtrimin.

 

Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij: *

   ai i ruan besimtarët e vet,

por edhe atë që vepron me madhështi *

   Zoti e shpaguan sipas meritave.

 

Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju *

   që shpresoni në Zotin.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.

 

   D Më drejto në të vërtetën tënde dhe më mëso:

   C Hyji im, ti je shëlbimi im.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të dytë të Samuelit 15, 7-14. 24-30; 16, 5-13

 

   Kryengritja e Absalomit dhe ikja e Davidit.

 

   Një herë Absalomi i tha mbretit: “Të lutem, më lejo të shkoj në Hebron për t'i kryer kushtet që i kam bërë Zotit. Sepse shërbëtori yt, kur ishte në Gesur të Sirisë, u zotua kështu: 'Nëse Zoti më kthen në Jerusalem, do t'i flijoj Zotit.'“ Mbreti iu përgjigj: “Shko në paqe!” Absalomi u ngrit dhe shkoi në Hebron.

   Atëherë Absalomi dërgoi lajmëtarë në të gjitha fiset e Izraelit me këtë porosi: “Posa ta dëgjoni zërin e borisë, thoni: 'Absalomi është bërë mbret në Hebron!'“ Porse me Absalomin kishin shkuar prej Jerusalemit dyqind vetë, të grishur, por që s'dinin asgjë për sa po përgatitej. Absalomi çoi dhe e thirri Akitofelin prej Gilos, këshilltarin e Davidit, prej qytetit të tij, Gilos, për të marrë pjesë në flitë e tija. U bë kështu një përbetim shumë i rrezikshëm dhe numri i përkrahësve të Absalomit po shtohej.

   Atëherë ia behu te Davidi kasneci me këtë lajm: “Me gjithë zemër mbarë Izraeli po shkon pas Absalomit.” Atëherë Davidi u tha oborrtarëve të vet që ishin me të në Jerusalem: “Çohuni të ikim! sepse përndryshe askush prej nesh nuk do të shpëtojë prej duarve të Absalomit! Shpejtoni të dalim që ai të mos jetë më i shpejtë e të na zërë, se atëherë do të na rrënojë e mbarë qytetin do ta kalojë me teh të shpatës.”

   Erdhi edhe Sadoku dhe mbarë levitët me të duke bartur Arkën e Besëlidhjes së Hyjit. Ata e ulën Arkën e Hyjit dhe Abiatari kushtoi fli ndërkohë që mbarë populli po dilte prej qytetit. Atëherë mbreti i tha Sadokut: “Ktheje Arkën e Hyjit në qytet. Nëse do të gjej hir në sytë e Zotit, ai do të më kthejë prapë dhe do të ma dëftojë atë dhe banesën e saj. Po nëse thotë: 'Nuk më pëlqen', jam gati: le të bëjë me mua siç është mirë para syve të tij.” Atëherë mbreti i tha Sadokut prift: “Dëgjo këtu: kthehu në paqe në qytet! Le të kthehet edhe Akimaasi, yt bir, dhe Jonatani, djali i Abiatarit: këta dy bijtë tuaj me ju. Kurse unë do të ndalem te shtigjet e shkretëtirës, derisa të më vijë farë lajmi prej jush.” Kështu Sadoku dhe Abiatari e kthyen Arkën e Hyjit në Jerusalem dhe qëndruan atje.

   Davidi po ngjitej përpjetës së Malit të Ullinjve duke qarë, me kokë zbuluar e me këmbë të zbathura. Po ashtu edhe mbarë populli që ishte me të me kokë zbuluar ngjitej duke qarë.

   Davidi mbret po arrinte në Bahurim, kur qe, prej andej dilte një burrë prej vëllazërisë së familjes së Saulit, me emrin Semei. Ishte biri i Gerës. Ecte e mallkonte dhe gjuante pesha kundër Davidit dhe kundër të gjithë shërbëtorëve të mbretit David. E pra, mbarë populli dhe trimat e zgjedhur ecnin djathtas e majtas përreth mbretit. E Semei kështu fliste duke e nëmur mbretin: “Ik, ik o gjakësor, o i poshtër! Zoti e solli mbi ty gjithë gjakun e familjes së Saulit, sepse ti e pushtove mbretërinë e tij. Por Zoti e lëshoi mbretërinë në dorën e Absalomit, djalit tënd! Qe, po të ndrydhin të zezat e tua, sepse je njeri vrastar!”

   Atëherë Abisai, biri i Sarvisë, i tha mbretit: “Pse po e mallkon ky qen i cofur zotërinë tim mbretin? Po shkoj e po ia shkurtoj kokën.” Por mbreti i tha: “Po ç'po na bën mua e ty, o djali i Sarvisë? Nëse mallkon e nëse Zoti i ka urdhëruar ta mallkojë Davidin, kush është ai që ka guxim t'i thotë: 'Pse po bën ashtu?'.” Prandaj Davidi i tha Abisait dhe mbarë oborrtarëve të vet: “Ju po shihni se im bir, që ka dalë prej barkut tim, po e kërkon jetën time, po aq më tepër ky tashti që është beniaminas. Lëreni le të mallkojë në qoftë se Zoti i ka thënë të më mallkojë. Ndoshta Zoti e merr parasysh mjerimin tim e mallkimin e sotëm ma sjell në bekim.”

   Kështu Davidi dhe shokët e tij e vazhduan rrugën, kurse Semei shkonte shpatit të malit, krahas me të duke e mallkuar e duke hedhur pesha kundër tij e duke ngritur pluhur.

 

   Përgjigjja Krh. Ps 41 /40/, 10; Mk 14, 18

 

   C Po edhe miku im, në të cilin pata shpresë, * ai që hëngri bukën time, u çua kundër meje.

   D Njëri prej jush do të më tradhtojë,

   C ai që hëngri bukën time, u çua kundër meje.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Letra e drejtuar Korintianëve” e shën Klementit I, papë

   (Nr. 46, 2 – 47, 4; 48, 1-6; Funk 1, 119-123

 

   Çdonjëri le të kërkojë atë që është e dobishme për të gjithë e jo leverdinë e vet.

 

   Është shkruar: Bashkohuni me shenjtër, sepse kush do t’i ndjekë ata, do të shenjtërohet. Dhe prapë në një vend tjetër: “Ti je i mirë me njeriun e mirë, me të pafajshmin je i pafajshëm, me të mbrapshtin ti je i zgjuar” (Ps 18 /17/, 26). Për këtë arsye duhet të mbetemi të bashkuar me të pafajshmit dhe me të drejtët, sepse ata janë të zgjedhurit e Hyjit.

   Përse ka grindje, hidhërime, mosmarrëveshje, ndarje dhe luftëra në mes jush? A thua nuk kemi një Hyj të vetëm, një Krisht të vetëm, një Shpirt hiri të vetëm të derdhur përmbi ne, një thirrje të vetme në Krishtin? Përse t’i mundojmë dhe t’i shqyejmë gjymtyrët e Krishtit, përse të çohemi peshë kundër trupit tonë dhe të arrijmë deri në atë pikë marrëzie saqë harrojmë se jemi gjymtyrët e njëri tjetrit?

   Le t’ju kujtohen fjalët e Jezu Krishtit, Zotit tonë. Ai tha: Vaj për atë njeri! Më mirë do të ishte për të t’i lidhej për qafe guri i mullirit dhe të hidhej në det se të shkandullojë njërin prej të zgjedhurve të mi (krh. Lk 17, 1-2). Përçarja juaj i ka shtrembëruar udhën shumëkujt, shumëkënd e ka hedhur në dëshpërim, shumë të tjerë në dyshim, të gjithë ne në dhimbje; dhe grindja juaj zgjat ende.

   Merreni në dorë letrën e shën Palit apostull. Cila është ajo gjë që ju ka shkruar në fillim të porosisë? Kuptohet se ai ju ka shkruar nën frymëzimin hyjnor një letër mbi vetveten, mbi Kefën, mbi Apolonin, sepse që nga ajo kohë në mesin tuaj kishte prirje drejt ndarjes. Por, ajo anësi atëherë ju ka shkaktuar një mëkat më të vogël, meqë pëlqimet tuaja shkonin drejt apostujve më të famshëm dhe drejt një njeriu të zgjedhur prej vetë atyre. Ndërsa tash u vini veshin njerëzve që nuk vlejnë asgjë, personave që ju prapësojnë dhe hedhin namin e keq përmbi bashkimin tuaj vëllazëror, bashkim i cili ju ka bërë të famshëm me shumë të drejtë. Është një çnderim që duhet ta zhdukim sa më parë. Të shtrihemi para këmbëve të Zotit dhe me lot ta lusim që, pasi të zbutet, të na e kthejë miqësinë e tij dhe të na vendosë prapë në një vëllazëri dashurie të madhërueshme dhe të pastër.

   Kjo është dera e drejtësisë që është hapur për jetën, sikurse është shkruar: “M’i hapni dyert e drejtësisë, dua të hyj e t’i thur lavde Zotit. Ja, këtu është dera e Zotit; nëpër të do të hyjnë të drejtët” (Ps 118 /117/, 19). Është e vërtetë se janë të shumta dyert e hapura, porse dera e drejtësisë është pikërisht ajo e Krishtit: lum ata që kanë hyrë nëpër të dhe i kanë drejtuar hapat e tyre në shenjtëri dhe drejtësi, duke bërë gjithçka në dashuri dhe në paqe.

   A është ndokush besnik, i aftë për të mësuar doktrinën, i urtë në zgjedhjen e fjalimeve, i pastër në veprim? Sa më i madh të konsiderohet aq më i përvuajtur duhet të jetë, dhe duhet të kërkojë ato gjëra që janë të dobishme për të gjithë e jo përfitimin për vete.

 

   Përgjigjja 1 Kor 9, 19. 22; krh. Jb 29, 15-16

 

   C I lirë prej të gjithëve u bëra skllavi i të gjithëve, u bëra i ligshtë për të ligshtit. * Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtojë ndonjërin.

   D Sy për të verbëtin, këmbë për të shqepëtin isha, babë për të varfrin.

   C Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtojë ndonjërin.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti me përvujtërimin e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu, pra, besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj t’i shijojnë gëzimet e amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.