Shërbesa e leximeve
Java e katërmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E martë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Duke u ngritë natën, të gjithë të rrimë zgjuar,
përherë në psalme thellë le të mendohemi
me tërë fuqitë ne le t’i thurim Zotit
ëmbëlsisht himnet.
Mbretit të drejtë baras duke i kënduar,
me shenjtorë të tij të meritojmë të futemi
n’tremen e qiellit, të kalojmë së bashku
jetën e lume.
E këtë na e dhëntë neve Hyjnia e lume
e Atit, e Birit, baras dhe e Shpirtit
të Shenjtë, lavdia e t’cilëve lart ushton
nëpër mbarë botën. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Lutjeve tona veshët e hyjnueshëm,
o Zot, drejtoji, vetëm nga mëshira;
prano premtimet e shërbëtorëve tu
të përgjërohemi.
Qetësisht kujdesu nga Selia e Shenjtë
me fytyrë t’ëmbël, dhe ndriçoji llambat
e vajit tonë, dhe errësitë të gjitha
dëbo nga zemrat.
Me shumë mëshirë çlirona ne nga krimet,
këputi prangat, laj papastërtitë,
ki ndjesë për mëkate, me të djathtën tënde
ngre të rrëzuarit.
Lavdi i qoftë Hyjit Atë të amshuar,
dhe ty përherë, o Bir lindur prej Atit,
me t’cilin baras sundon Shpirti i Shenjt
nëpër gjithë shekujt. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.
Psalmi 37 /36/ Fati i të drejtit dhe i bakeqit
Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën (Mt 5, 5).
I (1-11)
Mos u zemëro kundër keqbërësve *
as mos ua ki lakmi atyre që bëjnë keq.
Sepse do të thahen me të shpejt si kashta *
e do të kalben si bari i njomë.
Shpreso në Zotin e bëj mirë: *
kështu do të banosh Tokën e premtuar
e do të jetosh në paqe.
Vëre gëzimin tënd në Zotin *
e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate.
Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd, *
shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka.
Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote, *
të drejtën tënde porsi mesdita.
Hesht para Zotit e shpreso në të †
e mos u zemëro për shkak të atij që punët i ecin mbarë, *
për njeriun që djerron tradhti.
Hiqu zemërimit e largoje hidhërimin, *
mos u shqetëso se vetëm prish punë,
sepse ata që bëjnë keq do të shuhen, *
kurse ata që shpresojnë në Zotin do ta trashëgojnë tokën.
Edhe pak kohë e bakeqi do të sharrojë, *
tani ia kërkon vendin e s’do t’ia gjesh,
kurse të butët do ta trashëgojnë tokën *
e do të kënaqen në paqe me një mijë të mirat.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.
Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.
II (12-29)
Bakeqi i vë prita të drejtit, *
kundër tij kërcëllon dhëmbët,
por Zoti e përqesh atë, *
sepse e sheh se do t’i vijë dita.
Mëkatarët vringëlluan shpatën *
dhe ngrehën harkun
për ta shtruar përdhe nevojtarin e skamnorin, *
për t’i vrarë ata që ecin udhës së drejtë.
Shpata e tyre do të shpojë zemrat e tyre, *
harku i tyre copë e grimë do të bëhet.
Më mirë pakica e të drejtit *
sesa pasuria e madhe e bakeqit, –
sepse krahët e keqbërësve do të thyhen, *
ndërsa të drejtët i mban në fuqi Zoti.
Vetë Zoti mendon për jetën e të mirëve, *
trashëgimi i tyre do të qëndrojë për amshim.
Nuk do të turpërohen në ditë të keqe, *
s’do t’u mungojë buka në kohë zie.
Kurse keqbërësit - armiqtë e Zotit, do të sharrojnë, †
porsi stolia e fushave do të vyshken, *
do të zhduken porsi tymi.
I paudhi merr hua e nuk kthen, *
ndërsa i drejti ka dhembje e dhuron.
Ata që Zoti i bekon, do ta trashëgojnë tokën, *
ndërsa ata që i Lumi i mallkon, do të shuhen.
Zoti i forcon hapat e njeriut *
dhe përcjell me dashuri udhën e tij.
Kur rrëzohet nuk thërrmohet, *
sepse Zoti e mban për dore.
I ri qesh edhe u plaka, †
por nuk e pashë të drejtin të lënë pas dore *
as fëmijët e tij duke lypur bukë.
Gjithmonë ka mëshirë dhe huazon, *
prandaj edhe pasardhësit e tij janë të bekuar.
Hiqu së keqes e bëj të mirën *
e s’do të jesh i paplang e i pashtëpi për amshim,
sepse Zoti e do të drejtën *
dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet.
Keqbërësit me siguri do të shfarosen, *
breznia e tyre do të shuhet.
Tokën do ta trashëgojnë të drejtët *
dhe në të do të banojnë për amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.
Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.
III (30-40)
Goja e të drejtit e shkoqit dijen, *
gjuha e tij shpall të drejtën.
Ligji i Hyjit të tij është në zemrën e tij: *
nuk shqepojnë hapat e tij.
I paudhi e përgjon të drejtin: *
këqyr si ta vrasë.
Porse Zoti s’do ta lëshojë në duar të tij *
nëse gjykohet s’lejon ta dënojnë.
Prite me duresë Zotin dhe ec udhës së tij, †
ai do të të bëjë të madh e do ta trashëgosh Tokën *
dhe do ta shikosh shfarosjen e të paudhëve.
E pashë të paudhin tepër të lartësuar, *
të lartë porsi cedrin e kërthndezët;
kalova dhe, ja, nuk ishte, *
e kërkova e nuk e gjeta.
Ruaje pafajësinë e zbatoje të drejtën: *
njeriu i paqes pas vetes lë djalin.
Të paudhët së bashku të gjithë do të shuhen, *
bir as bijë keqbërësit nuk do të lënë.
Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit, *
ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë.
Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan, †
do t’i lirojë prej keqbërësve *
sepse shpresuan në të.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.
D Ma mëso urtinë dhe njohurinë:
C sepse kam besim në fjalët e tua.
Leximi i parë
Prej librit të dytë të Samuelit 18, 6-17. 24 – 19, 4
Vdekja e Absalomit dhe dhimbja e Davidit.
Në ato ditë ushtria doli në fushim e gatshme për t'u përleshur me Izraelin dhe përleshja u nis në pyllin e Efraimit. Dhe aty ushtria e Davidit e preu ushtrinë e Izraelit. Qe një humbje e rëndë atë ditë: mbetën njëzet mijë vetë. Përleshja u shtri nëpër mbarë krahinën dhe më shumë qenë asish që i përpiu pylli sesa asish që i preu shpata atë ditë.
Por ndodhi që Absalomi të takohej me ushtarët e Davidit. Ishte në majë të mushkut. Kur mushku hyri nën një qarr të madh me gema, iu ngatërrua kryet Absalomit në gema dhe mbeti i varur mes qiellit e tokës, kurse mushku, në të cilin ishte, kaloi. E pa dikush dhe i lajmëroi Joabit: “E pashë Absalomin të varur në qarr.”
Joabi i tha atij burri që i lajmëroi: “Nëse e pe, pse nuk e mbërtheve për tokë? Unë do të të jepja dhjetë sikla të argjendtë dhe një brez.” Ai iu përgjigj Joabit: “Po edhe sikur të m'i qitje këtu në shuplakë të dorës një mijë sikla të argjendtë, unë assesi nuk do të çoja dorë mbi djalin e mbretit. Sepse me veshët tanë e kemi dëgjuar kur mbreti të urdhëroi ty, Abisait dhe Etait: 'Ma ruani, kushdo që ta takojë, djaloshin Absalom!' Po ta kisha bërë një punë të tillë me pabesnikëri kundër ndërgjegjes sime, kjo gjë assesi nuk do të mbetej e fshehtë për mbretin, e ti atëherë s'do të më kishe mbrojtur.” Joabi tha: “Kot po humb kohë pranë teje!” I mori pra, tri heshta në dorë dhe ia nguli në zemër Absalomit që ishte ende gjallë në gemat e qarrit. Vrapuan dhjetë djelmosha, armëmbajtës të Joabit, e goditën dhe e vranë.
Atëherë Joabi i ra borisë dhe ushtria pushoi të ndjekë më tutje Izraelin, sepse Joabi e ndali popullin. Atëherë e morën Absalomin, e hodhën në një shpellë të thellë në pyll dhe mbi të qitën një mogilë të madhe gurësh. Atëherë mbarë Izraeli shkoi në çadrat e veta.
Davidi rrinte ndërmjet dy dyerve. Rojtari vrojtues kishte dalë mbi tarracë përmbi derë në mur dhe, kur ngriti sytë, pa se një njeri po vraponte dhe thirri e i tregoi mbretit. Mbreti i tha: “Nëse është vetëm, sjell lajm të mirë.” Pasi ai po shpejtonte e po afrohej gjithnjë, vrojtuesi pa se po afrohej edhe një tjetër dhe i thirri vrojtuesi derëtarit: “Po shoh se po vrapon një njeri vetëm.” Mbreti tha: “Edhe ky është lajmëtar i mirë.” Atëherë vrojtuesi tha: “E njoh vrapimin e të parit: më duket se është Akimaasi, biri i Sadokut.” Mbreti tha: “Është njeri i mirë dhe sjell sihariq.”
Akimaasi e përshëndeti mbretin me zë të lartë: “Gjithçka mirë!” Dhe u përkul me fytyrë përdhe e tha: “Qoftë bekuar Zoti, Hyji yt, që u dha fund njerëzve, të cilët u ngritën kundër zotërisë tim mbretit!” Mbreti e pyeti: “A është gjallë djaloshi Absalom?” Akimaasi iu përgjigj: “Pashë një përleshje të madhe kur Joabi e dërgoi shërbëtorin e mbretit dhe mua shërbëtorin tënd, por nuk di si mori fund puna.” Atëherë mbreti i tha: “Kalo e qëndro atje!” Pasi u largua ai dhe qëndroi m'ane, ia behu etiopasi dhe, kur arriti, tha: “Ju sjell sihariq, imzot mbret! Zoti sot të ka dhënë të drejtën dhe të ka shpëtuar prej duarve të të gjithë armiqve që u ngritën kundër teje.” Por mbreti i tha etiopasit: “A është mirë djaloshi Absalom?” Etiopasi u përgjigj: “I gjettë porsi djaloshin të gjithë armiqtë e mbretit, zotërisë tim, që u ngritën për t'i bërë të keqen mbretit.”
U trand atëherë mbreti, u ngjit në dhomën e derës e qau. Ecte e qante e thoshte kështu: “Biri im, Absalom, biri im; biri im Absalom! Oh, sikur të kisha vdekur unë në vend tënd! Absalom, biri im, biri im!”
E lajmëruan Joabin se mbreti po e qante e po e vajtonte të birin. Dhe atë ditë fitorja u kthye në vaj për mbarë popullin, sepse mbarë ushtria e mori vesh atë ditë të thuhej: “Mbreti po e qan djalin e vet.” Atë ditë ushtria u kthye fshehtazi në qytet, ashtu siç hyn fshehtas ushtria e turpëruar kur ikën prej luftës.
Përgjigjja Krh. Ps 55 /54/, 13. 14. 15; 41 /40/, 10; 2 Sam 19, 1
C Po të më shante armiku, disi do të duroja; por jo ti, o njeri, shoku im, miku im, i njohuri im. * Me ty bëra shoqëri të ngushtë: e ti u çove kundër meje.
D U trand atëherë mbreti, u ngjit në derën e dhomës e qau; qante e thoshte kështu:
C me ty bëra shoqëri të ngushtë: e ti u çove kundër meje.
Leximi i dytë
Nga “Komenti mbi psalmet” i shën Augustinit, ipeshkëv
(Ps 33 /32/, 29; CCL 38, 272-273)
Ata që gjenden përjashta, në deshën apo jo, janë vëllezërit tanë.
Vëllezër, ju nxisim me të gjitha fuqitë tona që të keni këtë dashuri, jo vetëm ndaj shokëve tuaj në fe, por edhe ndaj atyre që gjenden jashtë, qofshin ata paganë që nuk besojnë ende në Krishtin, apo qofshin ndarë prej nesh, sepse, ndërsa së bashku me ne e pranojnë të njëjtin Krye, megjithatë janë ndarë prej trupit. Vëllezër, duhet të kemi dhimbje për ta, si për vëllezër tanë. Nuk do të jenë më vëllezër tanë atëherë kur nuk do të thonë më “Ati ynë” (Mt 6, 9).
Profeti u ka thënë disave: “Atyre që ju thonë: Nuk jeni vëllezër tanë, ju përgjigjuni: Ju jeni vëllezër tanë” (krh. Is 66, 5 sec. LXX). Mendoni se prej kujt mund të jetë përdorur kjo shprehje: a mos ndoshta prej paganëve? Jo, sepse sipas gjuhës së Shkrimit të Shenjtë dhe kishtare ne nuk i quajmë vëllezër. A mos ndoshta prej judenjve të cilët nuk besuan në Krishtin?
Lexojeni Apostullin dhe do të vëreni se aty ku thotë “vëllezër” pa asnjë shtesë tjetër, ai mendon për të krishterët: “E ti, pse e gjykon vëllain tënd? Pse ti e përbuz vëllain tënd?” (Rom 14, 10). Dhe prapë në një vend tjetër thotë: “Ju vetë bëni padrejtësi dhe plaçkitni, e kë se? Vëllezërit.” (1 Kor 6, 8).
Për këtë arsye, ata që thonë: “Nuk jeni vëllezër tanë”, na quajnë paganë. Ja pse duan të na pagëzojnë përsëri, duke thënë se ne nuk e kemi atë që japin ata. E kështu rrjedh si pasojë gabimi i tyre, domethënë mospranimi ynë si vëllezër të tyre. Po për ç’arsye atëherë tha profeti: “Ju thuajuni atyre: Ju jeni vëllezër tanë”, në mos për faktin se ne në ta pranojmë një gjë të cilën ata nuk e pranojnë në ne? Ata pra, duke mos e pranuar pagëzimin tonë, thonë se ne nuk jemi vëllezër të tyre; ndërsa ne, duke mos e kërkuar prapë pagëzimin e tyre, por duke e pranuar si tonin, u themi atyre: “Ju jeni vëllezër tanë”.
Le të thonë sa të donë ata: “Përse na kërkoni, përse na dëshironi?”. Ne do të përgjigjemi: “Ju jeni vëllezër tanë”. Le të na thonë: “Shporruni larg nesh, sepse ne nuk kemi punë me ju”. E po mirë, ne në të kundërtën kemi absolutisht pjesë me ju: e dëshmojmë të njëjtin Krisht, duhet të jemi në një trup të vetëm, dhe nën një Krye të vetëm.
Prandaj po ju përbejmë, o vëllezër, në vetë zemrën e dashurisë, me qumështin e së cilës ne jemi ushqyer, dhe me bukën e së cilës jemi forcuar, në Krishtin Zotin tonë, në butësinë e tij ju përbejmë. Është koha që të kemi një dashuri të madhe ndaj tyre, një mëshirë të pafundshme për të lutur Hyjin për ta, kështu që Zoti t’u dhurojë ide dhe ndjenja urtësie që të pranojnë gabimin dhe të kuptojnë se nuk kanë absolutisht asnjë argument që mund ta vënë kundër së vërtetës. Atyre u ka mbetur vetëm dobësia e armiqësisë, e cila sa më shumë që mendojnë se po i rriten fuqitë, aq më të dobët bëhen. Ju përbejmë, po ju thoja, për të dobëtit, për të mençurit sipas mishit, për njerëzit e pagdhendur dhe materialë, për vëllezërit tanë që kremtojnë të njëjtat sakramente, edhe pse jo bashkë me ne, por prapëseprapë të njëjtat; për vëllezërit tanë që përgjigjen me një të vetmin Amen sikurse ne, edhe pse jo bashkë me ne. Shprehjani Zotit dashurinë tuaj të thellë ndaj tyre.
Përgjigjja Krh. Ef 4, 1. 3. 4
C Jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: * ruajeni njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon.
D S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm, sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes tuaj:
C ruajeni njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon.
Lutja
O Hyj, ti me përvujtërimin e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu, pra, besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj t’i shijojnë gëzimet e amshuara. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.