Shërbesa e leximeve
Java e katërmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E mërkurë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Krijues i sendeve, ripërtëritës jete,
Krisht, mbreti i mbretërve, gjyqtar i rreptë,
ti lutjet tona e lavdërimet baras
pranoji i ëmbël.
Ja ty gjatë natës po t’përmbushim kushtet
me lavde, e bëji për ty të pëlqyeshme
e ne ringjall me harmoni t’përjetshme
o autor i dritës.
Na jep ne ditë me mirësi të mbara
duke dhënë jetën që nuk e njeh vdekjen,
që t’jetë përherë paprerë me vepra tona
lavdia jote.
Zemrën tonë ndize, dhe i drejtë na i ngroh kryqet
me zjarr hyjnor edhe na bëj syhapët,
që në çdo kohë të mbajmë ndër duart tona
llambat e ndezura.
Lavdërim i madh kremtoftë Prindin e Epërm,
dhe Ty, Shëlbues, mbret i drejtë, n’amshim,
e në mbarë botën të ushtojë lavdia
e Shpirtit Shenjt, Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Krisht, drita e vërtetë, mirësia e jeta,
gëzimi i botës, mëshira pa mbarim,
që me gjak tënd plot jetë neve nga vdekja
na ke shëlbuar.
Dashurinë tënde, shtjere, po të lutemi
ndër mendje tona, dhe besimit ktheji
ndriçim t’amshuar, dhe dashurisë vëllazërore
kënaqësinë shtoja.
Dhe larg nga ne qoftë Djalli i pabesë,
që u thye e u dërrmua nga fuqitë e tua,
na qëndroftë pranë Shpirt Shenjt dërguar
prej Selisë tënde.
Lavdi i qoftë Hyjit Atit të amshuar,
dhe ty gjithmonë, o Bir nga Ati i lindur,
me t’cilin Shpirti Hyj i barabartë
sundon ndër shekuj. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Në brendësi vuajmë duke pritur shëlbimin e trupit tonë.
Psalmi 39 /38/ Urata në sëmundje
Krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë porse njëmend në shpresë. Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit... por, gjithashtu edhe ne gjëmojmë në vetvete, duke pritur bijësimin ‑ shpërblimin e trupit tonë (Krh. Rom 8, 20-23).
I (2-7)
Thashë: »Do t’ia vë mendjen sjelljes sime *
që të mos mëkatoj me gjuhën time,
fre do t’i vë gojës sime *
sa të jetë para meje bakeqi.«
Heshta, nuk fola, zë me gojë nuk bëra, *
por më kot dhembja ime u përtërit.
Flakë u ndez në mua zemra, *
posa më shkonte mendja në të - flakë ndizesha,
fola me gjuhën time: *
»Ma zbulo, o Zot, mbarimin tim,
cili është numri i ditëve të mia, *
që ta di sa e shkurtër është jeta ime!«
Qe, në gishta mund të njehen ditët e jetës sime, *
jeta ime është asgjë para teje,
vetëm avull është çdo njeri. *
Porsi hije kalon jeta e njeriut,
e kotë është krejt puna e tij: *
ai mbledh visare e s’di kush i gëzon.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Në brendësi vuajmë duke pritur shëlbimin e trupit tonë.
Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.
II (8-14)
E tani çka mund të pres, o Zot? *
Shpresa ime është në ty!
Më pastro prej të gjitha fajeve të mia, *
mos lejo të bëhem loja e të patenzonit!
S’bëj zë, gojën nuk e çel *
sepse je ti ai që vepron.
Largoji, deh, prej meje ndëshkimet e tua, *
se më doli shpirti nën peshën e dorës sate!
Ti njëmend me ndëshkim e përmirëson njeriun, †
porsi tenja e bren dëshirën e tij. *
Vërtet tytësi është çdo njeri!
Dëgjoje, o Zot, lutjen time, *
vështro klithmat e mia!
Mos u bëj i shurdhët ndaj lotëve të mi! †
Para teje unë jam i huaj, *
endacak porsi etërit e mi.
Më lër njëherë të lirë të marr frymë, *
para se të shkoj e të mos jem më!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.
Ant. 3 I lulëzueshëm si ulliri, ai që lëshohet në duart e Zotit.
Psalmi 52 /51/ (3-11) Ndëshkimi i keqbërësve
Kush mburret, le të mburret në Zotin (1Kor 1, 31).
Pse krenohesh me vepra të këqija *
ti që je i madh për nga paudhësia?
Gjithë ditën djerron tradhti! †
Gjuha jote brisk i mprehtë, *
o mjeshtër fitmesh!
Ti e do të keqen më tepër se të mirën, *
rrenën se të flasësh të vërtetën,
të pëlqejnë fjalët ngatërrestare, *
o gjuhë fitmesh!
Prandaj Hyji krejtësisht do të të zhbijë, *
do të të zhdukë përgjithmonë,
do të të çrrënjosë prej tendës, *
do të të çrrënjosë nga toka e të gjallëve.
Të tmerruar do të shohin të drejtët *
e do të qeshin mbi të:
»Ja, njeriu që nuk e mori Hyjin për mbrojtës, †
por shpresoi në kamjen e vet të madhe *
dhe krenohej me tradhtitë e veta.«
E unë porsi ulliri i gjelbër në Shtëpinë e Hyjit, †
shpresoj në mirësinë e Hyjit *
për amshim e në shekuj të shekujve.
Do të të lavdëroj përherë që veprove ashtu, †
shpresën do ta vë në Emrin tënd sepse është i mirë *
në sy të besimtarëve të tu.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 I lulëzueshëm si ulliri, ai që lëshohet në duart e Zotit.
D Shpirti im shpreson në Zotin,
C dhe me padurim e pret fjalën e tij.
Leximi i parë
Prej librit të dytë të Samuelit 24, 1-4. 10-18. 24-25
Regjistrimi i popullit dhe ngritja e lterit.
Në ato ditë felgrimi i Zotit u ndez edhe një herë kundër Izraelit. E nxiti Davidin kundër popullit duke i thënë: “Shko e numëroje Izraelin e Judën!” Atëherë mbreti i tha Joabit e prijësve të ushtrisë së vet që ishte me të: “Përshko të gjitha fiset e Izraelit prej Danit e deri në Bersabee, dhe njehni popullin që ta di numrin e tij.” Joabi i tha mbretit: “Zoti, Hyji yt, e shtoftë popullin sa është tani edhe njëqind herë aq para syve të zotërisë tim mbretit! Por çfarë i duhet zotërisë tim mbretit kjo gjë?”
Porse fjala e mbretit ishte më e fortë se fjala e Joabit dhe e prijësve të ushtrisë. Kështu pra, doli Joabi dhe prijësit e ushtrisë prej pranisë së mbretit dhe shkuan për të numëruar popullin e Izraelit.
Por pasi kreu Davidi regjistrimin, filloi ta brejë ndërgjegjja e Davidi i tha Zotit: “Me këtë veprim kam bërë mëkat të madh, por tani po të lutem, o Zot, falja shërbëtorit tënd fajin, sepse kam vepruar tepër marrëzisht.”
Kur u ngrit Davidi në mëngjes, fjala e Zotit i kishte ardhur Gadit profet, veguesit të Davidit. I kishte thënë: “Shko e thuaj Davidit: Kështu thotë Zoti: Po t'i parashtrojë tri gjëra, zgjidh njërën ndër to dhe atë do ta bëj.” Gadi erdhi te Davidi dhe e lajmëroi. I tha: “A do të vijnë tre vjet urie në tokën tënde, ose të ikësh tre muaj para armiqve të tu e ata të të ndjekin, ose të ketë tri ditë murtajë në tokën tënde? Tani pleqëro dhe vendos çfarë më duhet t'i përgjigjem atij që më ka dërguar?”
Atëherë Davidi i tha Gadit: “Jam tepër ngushtë! Por më mirë le të biem në duar të Zotit ‑ sepse e madhe është mëshira e tij ‑ se sa në duar të njerëzve.”
Dhe Davidi zgjodhi murtajën.
Ishte koha e korrjes së grurit. Dhe Zoti e çoi murtajën në Izrael prej mëngjesit e deri në kohën e caktuar dhe vdiqën prej popullit që nga Dani e deri në Bersabee shtatëdhjetë mijë vetë. Kur engjëlli i Zotit e shtriu dorën e vet përmbi Jerusalem për ta asgjësuar, iu dhimb Zotit për shkak të asaj së keqeje e i tha engjëllit shuplakues të popullit: “Mjaft! Ndale tani dorën tënde!”
Atëherë engjëlli ndodhi te lëma e Areunë Jebuseut. Davidi, kur e pa engjëllin, vrasësin e popullit, i tha Zotit: “Unë mëkatova, unë e kam bërë këtë të keqe, e këto dele ç'të keqe kanë bërë? Le të bjerë dora jote mbi mua e mbi familjen e tim eti!”
Po atë ditë Gadi shkoi te Davidi dhe i tha: “Ngrihu dhe ndërto për nder të Zotit një lter në lëmin e Areunë Jebuseut.”
Porse mbreti iu përgjigj: “Assesi! Por do t'i blej prej teje e do t'i paguaj sa të kushtojnë se nuk dua t'i kushtoj Zotit, Hyjit tim, fli të dhuruara.”
Kështu Davidi e bleu atë lëmë dhe gjedhin pesëdhjetë sikla të argjendtë. Aty ndërtoi Davidi lterin për nder të Zotit dhe i kushtoi flitë e shkrumbimit dhe të pajtimit.
Atëherë Zoti pati dhimbje për vendin dhe pushoi mortja në Izrael.
Përgjigjja Krh. 1 Kor 10, 16-17
C Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë a nuk është bashkim me Gjakun e Krishtit? * Buka të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit?
D Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke.
C Buka të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit?
Leximi i dytë
Nga “Mësimi i Dymbëdhjetë apostujve”.
(Nr. 9, 1 – 10, 6, 14, 1-3; Funk 2, 19-22. 26)
Eukaristia.
Kështu falënderohuni: së pari për sa i përket kelkut: Të falënderoj, o Ati ynë, për hardhinë e shenjtë të Davidit, shërbëtorit tënd, të cilën ti bëre që ta njohim nëpërmjet Jezusit, Shërbëtorit tënd; lavdi të qoftë ty në shekuj.
Pastaj për sa i përket bukës së thyer: Të falënderoj, o Ati ynë, për jetën dhe njohjen që na e ke zbuluar nëpërmjet Jezusit, Shërbëtorit tënd; lavdi të qoftë ty në shekuj. Sikurse kjo bukë e thyer ishte shpërndarë përmbi male dhe pasi u mblodh u bë një gjë e vetme, po ashtu u bashkoftë edhe Kisha jote prej të gjithë kufijve të tokës në Mbretërinë tënde; sepse e jotja është lavdia dhe pushteti në shekuj.
Askush mos të hajë dhe mos të pijë prej Eukaristisë sonë, përpos atyre që janë pagëzuar në emrin e Zotit. Në lidhje me këtë gjë vetë Zoti ka thënë: “Mos u jepni qenve gjënë e shenjtëruar” (Mt 7, 6).
E kur të ngiheni, atëherë falënderohuni kështu: Të falënderojmë, o Atë i shenjtë, për emrin tënd të shenjtë, të cilin ti bëre të banojë në zemrat tona, dhe për njohjen, për fenë dhe pavdekësinë që na e shfaqe nëpërmjet Jezusit Shërbëtorit tënd. Lavdi të qoftë ty në shekuj.
Ti, o Zot i gjithëpushtetshëm, krijove çdo gjë në lavdinë e emrit tënd; ti u dhe njerëzve të shijojnë ushqim dhe pije në mënyrë që të mund të të falënderonin, ndërsa ne na ke dhënë një ushqim dhe një pije shpirtërore, dhe jetën e amshuar nëpërmjet Shërbëtorit tënd. Sidomos ne të falënderojmë sepse ti je i fuqishëm. Lavdi të qoftë ty në shekuj.
Le të të bjerë ndër mend, o Zot, për Kishën tënde, ruaje prej çdo së keqeje dhe bëje të përkryer në dashurinë tënde. Bashkoje prej të katër anëve të botës, shenjtëroje në mbretërinë tënde, në atë mbretëri të cilën e ke përgatitur për të. Sepse i yti është pushteti dhe lavdia në shekuj.
Ardhtë hiri yt dhe kaloftë kjo botë. Hosana Hyjit të Davidit! Nëse ndokush është i shenjtë, le të afrohet; nëse jo, le të bëjë pendesë. Maranatha: eja, o Zot Jezus! Amen.
Bashkohuni në ditën e Zotit, thyejeni bukën dhe falënderohuni, pasi që të keni rrëfyer mëkatet tuaja, në mënyrë që flija juaj të jetë e pastër.
Porse, kushdo që të ketë ndonjë mosmarrëveshje me mikun e vet, mos të bashkohet me ju para se të pajtohen, në mënyrë që të mos përdhoset flija juaj. Dhe vërtet, Zoti ka thënë: Në çdo vend dhe në çdo kohë i digjet kem dhe i kushtohet fli e pastër Emrit tim, sepse unë jam Mbret i madh, thotë Zoti i Ushtrive, dhe Emri im është i tmerrshëm ndër kombe! (krh. Mal, 1, 11. 14)
Përgjigjja Krh. 1 Kor 10, 16-17
C Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë a nuk është bashkim me Gjakun e Krishtit? * Po edhe buka të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit?
D Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke.
C Po edhe buka të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit?
Lutja
O Hyj, ti me përvujtërimin e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu, pra, besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj t’i shijojnë gëzimet e amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.