Shërbesa e leximeve

Java e katërmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E enjte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Shpendi lajmëtar i ditës

   me kangë njofton po afrohet drita;

   ne tani ndërtuesi i mendjeve

   Krishti na fton te jeta.

 

   “Hiqni – thërret – nga shtretërit

   të smurë, gjumashë, përtacët;

   ju t’urtë, të drejtë, t’përmbajtur

   përgjoni; unë tani jam afër”.

 

   Që, kur me frymë flakruese

   agimi n’qiell të hapet,

   të gjithë me punë t’stërvitur

   t’forcojë në shpresë të dritës.

 

   Me zëra t’thrrasim Krishtin

   me vaj, me uratë, të esëllt;

   se lutja e fuqishme

   s’lejon t’flejë zemra e pastër.

 

   Ti, o Krisht, shpërndaje gjumin,

   këput prangat e natës,

   ti zgjidh mëkatin e vjetër,

   ndriçimin e ri sille.

 

   Ty Krisht, mbret shumë i drejti,

   ty e Atit qoftë lavdia

   me Shpirtin Ngushllimtar,

   ndër shekujt e amshuar. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Zgjo ndjenja dashurie

   ndaj ty, dhurues i fajit,

   shpirtmirë t’u bëhesh zemrave

   si të pastrosh ndyrësitë.

 

   Këtu ne arrijmë të huaj (jashtëm)

   dhe të mërguar rënkojmë;

   ti je liman e atdhe,

   na ço n’tremet e jetës.

 

   Dashni e lumtur që ka etje

   për ty gurrë jete, o e Vërteta;

   ata sy shumë të lumtur

   të popullit që ty vëzhgojnë.

 

   N’ty është lumnia e madhe

   kujtesa e lavdisë tënde,

   që pa mbarim madhërojnë

   ata që ngrejnë nga thellësia zemrën.

 

   Bëj, o Atë krejt i drejti,

   dhe, o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushllimtar,

   sundues në gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, përherë do ta lavdërojmë emrin tënd.

 

   Psalmi 44 /43/ Populli i Hyjit në fatkeqësi

 

   Në gjithçka jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).

 

   I (2-9)

 

O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *

   etërit tanë na e treguan,

veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *

   në ditë të kahershme.

 

Me dorën tënde i çrrënjose paganët †

   e i vendose stërgjyshët tanë në vend të tyre, *

   i zhbive popujt e stërgjyshët i zgjerove.

 

Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *

   as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,

 

por e djathta jote dhe krahu yt †

   e drita e fytyrës sate, *

   sepse i kishe për zemër.

 

Ti je mbreti im dhe Hyji im *

   që ia dhurove fitoren Jakobit!

 

Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †

   me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *

   ata që u çuan kundër nesh.

 

Shpresa ime nuk është në harkun tim, *

   as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,

por ti na shpëton nga armiqtë, *

   ti i turpëron ata që na urrejnë.

 

Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *

   Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, përherë do ta lavdërojmë emrin tënd.

 

Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi.

 

   II (10-17)

 

Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *

   Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.

Na bëre të ikim para armiqve tanë, *

   ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.

 

Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *

   dhe na trete ndër paganë.

E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *

   as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.

 

Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjve tanë, *

   përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.

Na bëre përrallë për popuj: *

   përmbi ne paganët e tundin kokën!

 

Përditë turpin tim e kam para sysh, *

   marrja ma mbulon fytyrën

prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *

   prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi.

 

Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.

 

   III (18-27)

 

Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *

   as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,

 

as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *

   as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,

e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *

   na mbulove me hije të vdekjes.

 

Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *

   t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,

pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *

   nuk do ta kishte hetuar këtë?

E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *

   të çmuar porsi delet për therore.

 

Zgjohu, përse po fle, o Zot? *

   Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!

Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *

   përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?

 

Se u poshtëruam e ramë përdhe, *

   zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.

Çohu, na eja në ndihmë! *

   Na shpëto pashë dashurinë tënde!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.

 

   D Te kush të shkojmë, o Zot?

   C Ti i ke fjalët e jetës së pasosur.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të parë të Kronikave 22, 5-19

 

   Davidi e përgatit ndërtimin e tempullit.

 

   (Kur u afruan ditët e fundit të jetës së tij) Davidi tha: “Salomoni, im bir, është ende fëmijë i vogël dhe i njomë e Shtëpia që do të ndërtohet në nder të Zotit duhet të jetë e tillë që në çdo vend të flitet për të e të lëvdohet. Dua, pra, të bëj gati gjithçka duhet për të.” Kështu Davidi, para se të vdiste, bëri gati pothuajse gjithçka.

   Atëherë e thirri Salomonin, djalin e vet, dhe i urdhëroi t'ia ndërtojë Shtëpinë e Zotit, Hyjit të Izraelit. Davidi i tha Salomonit: “Biri im, dëshira ime ishte t'ia ndërtoj Emrit të Zotit, Hyjit tim, Shtëpinë, porse më erdhi fjala e Zotit që më tha:'Ke derdhur shumë gjak e ke luftuar luftëra të mëdha. Ti s'do ta punosh Shtëpinë në nder të Emrit tim, pasi ke derdhur gjithë atë gjak para syve të mi. Do të të lindë një djalë, që do të jetë njeri shumë paqegëzues: sepse unë do të bëj që ai të jetë në paqe me të gjithë armiqtë e tij përreth dhe për këtë arsye do të quhet Salomon dhe unë do t'i jap Izraelit paqe e qetësi gjatë gjithë kohës së tij. Ai do ta ndërtojë Shtëpinë në nder të Emrit tim. Ai do të jetë djali im e unë do të jem babai i tij. Tronin e tij mbi Izrael do ta bëj të amshueshëm.' Tani, biri im, Zoti qoftë me ty dhe nxito e ndërtoje Shtëpinë në nder të Zotit, Hyjit tënd, ashtu sikurse ka thënë për ty.

   Zoti të dhëntë veç mend e urtësi që të mund të sundosh Izraelin e ta mbash Ligjin e Zotit, Hyjit tënd. Sepse vetëm atëherë do të mund të përparosh nëse do t'i mbash urdhërimet e ligjet që Zoti ia urdhëroi Moisiut për Izraelin. Ji i fortë e vepro si burrë: mos u tremb as mos ki frikë! Ja, unë, me kujdesin tim i kam bërë gati ca sende për Shtëpinë e Zotit: një qind mijë talente ar, një milion talente argjend, kurse bronzi e hekuri as që mund të peshohen, sepse aq shumë janë! Ke gjithashtu edhe shumë njerëz të vyer: gdhendës, muratorë, mjeshtra druri dhe të gjithfarë mjeshtrie për të kryer vepra. Në lidhje me ar, me argjend, me bronz e me hekur as që dihet të numërohen. Kështu, pra, nisja punës e Zoti qoftë me ty!”

   Gjithashtu Davidi u urdhëroi të gjithë krerëve të Izraelit që t'i ndihmojnë Salomonit, birit të tij. U tha: “Ju po shikoni se Zoti, Hyji juaj, është me ju dhe se ju ka dhënë paqe gjithkund përreth dhe se i ka lëshuar në duar tuaja banorët e vendit e se vendi i ka qenë nënshtruar Zotit e popullit të tij. Tani jepuni me gjithë zemrën tuaj e me gjithë shpirtin tuaj në kërkimin e Zotit, Hyjit tuaj. Ngrituni të gjithë së bashku e ndërtojeni Shenjtëroren e Zotit Hyj që të shtihet Arka e Besëlidhjes së Zotit dhe enët e kushtuara Hyjit në Shtëpinë që ndërtohet në nder të Emrit të Zotit.”

 

   Përgjigjja Krh. 1 Kro 22, 19; Ps 132 /131/, 7; Is 56, 7

 

   C Me gjithë zemrën tuaj e me gjithë shpirtin tuaj ndërtojeni Shenjtëroren e Zotit Hyj. * Le të hyjmë në banesën e tij, të adhurojmë te e këmbët e tija.

   D Thotë Zoti: Shtëpia ime do të quhet Shtëpi urate për të gjithë popujt.

   C Le të hyjmë në banesën e tij, të adhurojmë te e këmbët e tija.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Komenti mbi psalmin 118” i shën Ambrozit, ipeshkëv

   (Nr. 12, 13-14; CSEL 62, 258-259)

 

   I shenjtë është tempulli i Hyjit, tempulli që jeni ju vetë.

 

   Unë dhe Ati im do të vijmë tek ai dhe tek ai do të banojmë (krh. Gjn 14, 23). Iu haptë dera jote atij që vjen, hape shpirtin tënd, zgjeroje mendjen tënde në mënyrë që shpirti yt të mund të shijojë pasuritë e thjeshtësisë, thesaret e paqes, ëmbëlsinë e hirit. Zgjeroje zemrën tënde, shko në takim të dritës së amshuar, “dritës së vërtetë që shndrit çdo njeri” (Gjn 1, 9). Me siguri ajo dritë e vërtetë i shndrit të gjithë. Por, nëse ndokush i ka mbyllur dritaret, do t’ia mohojë vetvetes dritën e amshuar. Pra, nëse ti e mbyll derën e mendjes sate, e mbyll jashtë edhe Krishtin. Edhe pse mund të hyjë vetë, ai nuk dëshiron të hyjë i paftuar, nuk dëshiron ta shtrëngojë njeriun që nuk do.

   I lindur prej Virgjërës, doli prej kraharorit të saj duke rrezatuar dritën e tij mbi gjërat e mbarë gjithësisë. Ata që e dëshirojnë, fitojnë qartësinë e shndritjes së amshuar, të cilën nuk ka natë që mund ta pengojë. Ky diell që ne shohim çdo ditë, ka mbas tij një natë të errët. Porse, dielli i drejtësisë nuk perëndon askurrë, sepse drita e urtisë së saj nuk errësohet prej asnjë hijeje.

   Lum ai njeri te dera e të cilit troket Krishti. Dera jonë është feja e cila, nëse është e fortë e bën të qëndrueshme mbarë shtëpinë. Kjo është dera nëpër të cilën hyn Krishti. Për këtë arsye edhe vetë Kisha thotë në Këngën e këngëve: Një zhurmë! I dashuri im trokëllon! (krh. Kk 5, 2). Dëgjoje atë që është duke trokitur, dëgjoje atë që dëshiron të hyjë: “Ma hap derën, motra ime! Pëllumbesha ime, mikesha ime, e papërlyera ime! Sepse plot vesë e kam kokën, kaçurrelat me pika nate!” (Kk 5, 2).

   Medito pak për kohën në të cilën Hyji Fjalë troket më shumë se kurrë në derën tënde: kur koka e tij është plot vesë. Dhe vërtet, ai denjohet të vizitojë ata që gjenden në trishtim dhe në tundime në mënyrë që askush të mos dorëzohet, i mposhtur prej shqetësimit. Koka e tij pra, mbushet me vesë, ose me pika, atëherë kur trupi i tij vuan. Pikërisht atëherë ne duhet të vigjilojmë, ai troket dhe kërkon që t’i hapet dera. Ne kemi, pra, dyert e shpirtit tonë, kemi edhe dyert për të cilat është shkruar: “Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! Lartësohuni, o dyer të amshueshme, që të hyjë Mbreti i lavdisë!” (Ps 24 /23/, 7). Nëse do të lartësosh këto dyer të fesë sate, do të hyjë tek ti mbreti i lavdisë, dhe do të sjellë me vete edhe ngadhënjimin e vuajtjes së tij. Edhe drejtësia i ka dyert e saj. Dhe vërtet, edhe për këto lexojmë se është shkruar, çka Zoti Jezus tha me gojë të profetit: “M’i hapni dyert e drejtësisë” (Ps 118 /117/, 19).

   Shpirti, pra, i ka dyert e veta, shpirti e ka hyrjen e vet. Para saj vjen Krishti dhe troket, ai troket te dyert. Hapja dyert, pra; ai dëshiron të hyjë dhe ta gjejë nusen të zgjuar.

 

   Përgjigjja Krh. Zb 3, 20; Mt 24, 46

 

   C Ja, para derës qëndroj dhe trokas: kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, * do të hyj te ai dhe me të do ha darkë dhe ai me mua.

   D I lumi ai shërbëtor, që, kur të vijë zotëria, e gjen duke vepruar kështu:

   C do të hyj te ai dhe me të do ha darkë dhe ai me mua.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti me përvujtërimin e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu, pra, besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj t’i shijojnë gëzimet e amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.