Shërbesa e leximeve

Java e katërmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E premte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Nëpërmjet kangës së gjelit

   tashmë errësinë e natës

   dhe të natës së pangopur

   duke heqë tmerrin e zi,

   Hy jetëdhënës, po të lusim

   dhe të lypim me gjithë shpirt.

 

   Dritë e fortë, syhapët, erdhe

   dhe mbikqyrës i njerëzimit,

   ndërsa mbanin gjitha sendet

   bashkarisht heshtje t’zakonshme.

   Madje e nxirrnin krejt të vdekur

   Përfytyrimin e të vdekurit.

 

   Ti, o Krisht, ne të na zgjoje

   nga gjumi i prapësisë,

   dhe falas të na libroje

   nga burgu i natës sterrë,

   edhe të na ktheje dritën

   shoqëruese gjithnjë e jetës.

 

   Ty e Atit ju qoftë nderi,

   po ashtu Shpirtit të Shenjtë,

   Hyjt n’tre Vetë dhe një t’vetëm,

   paqes, jetës, edhe dritës,

   mbi të gjithë emnit të ëmbël

   dhe vullnetit të hynueshëm. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Na mbro, krijuesi i sendeve,

   lavdi e dritës s’Atit,

   pa hirin e të cilit

   dridhen krahrorët tanë.

 

   Dhe me Shpirt tënd të mbushur,

   tue mbartë Zotin me vete,

   asgjë e grabitësit të pabesë t’mos duket

   me mashtrime shkatrruese.

 

   Që ndër punët e shekullit,

   si e lyp nevoja e jetës,

   çveshur nga çdo lloj krimi

   të rrojmë me ligjet tua.

 

   Ty, o Krisht, mbret krejt i drejti,

   Ty e Atit qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushllimtar

   ndër shekujt e amshuar. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua.

 

    Psalmi 38 /37/ Lutja e mëkatarit në ngushticë

 

   Ai nuk bëri mëkat ... Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona... me varrët e tija jemi shëruar (1 Pjt 2, 22. 24. 25).

 

   I (2-5)

 

Mos më qorto, o Zot, në hidhërimin tënd *

   as mos më ndëshko në zemërimin tënd!

sepse shigjetat e tua në mua u ngulën, *

   mbi mua rëndoi dora jote.

 

S’ka vend të shëndoshë në trupin tim *

   për shkak të zemërimit tënd,

s’ka paqe në eshtrat e mi *

   për shkak të mëkateve të mia.

 

Sepse fajet e mia kaluan mbi kokën time, *

   më ndrydhin porsi barra e rëndë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua.

 

Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.

 

   II (6-13)

 

U qelbën dhe u kalbën varrët e mia *

   për shkak të marrëzisë sime,

u kërrusa dhe u gërmuqa për së tepërmi, *

   i trishtueshëm endem gjithë ditën.

 

Digjen prej etheve ijët e mia, *

   asgjë në trupin tim nuk kam të shëndoshë.

I lodhur e i këputur krejtësisht *

   gjëmoj prej dënesës së zemrës sime.

 

Para teje, o Zot, i vë dëshirat e mia *

   as britmat e mia nuk janë për ty të fshehta,

 

zemra më rreh dhe fuqia më lëshoi *

   edhe drita e syve të mi po fiket.

Miqtë e shokët e mi u zmbrapsën para plagëve të mia *

   edhe më të afërmit e mi më rrinë larg.

 

Më ngrehin leqe ata që kërkojnë jetën time, †

   më kërcënohen me vdekje

   ata që ma dëshirojnë të keqen, *

   gjithë ditën përbluajnë dredhi kundër meje.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.

 

Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.

 

   III (14-23)

 

E unë si i shurdhët nuk dëgjoja, *

   si të isha i pagojë, një fjalë nuk e them,

u bëra njëmend si ai që nuk ndien, *

   si ai që në gojë përgjigje s’ka.

 

Pasi në ty, o Zot, e kam vënë shpresën, *

   o Zot, Hyji im, ti do të më dëgjosh.

 

Sepse thashë: »Deh, mos lejo të ngihen në mua, *

   kur të më merren këmbët,

   të mos krenohen kundër meje.«

 

E unë jam i gatshëm për t’u rrëzuar, *

   dhembjen time përherë e kam para syve.

Ja, unë e pranoj fajin tim, *

   jam i prishur për mëkatin tim.

 

E armiqtë e mi janë gjallë e të fortë, *

   u shumuan ata që më urrejnë dijekeqas.

Të mirën ma kthejnë me të keqe *

   e më shpifen pse mundohem të bëj mirë.

 

Mos më lër vetëm, o Zot, *

   Hyji im, mos u largo prej meje.

Nxito të më ndihmosh, *

   o Zot, Shëlbuesi im.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.

 

   D Sytë e mi po shkrihen duke pritur,

   C premtimin e Shëlbuesit tim.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të parë të Mbretërve 1, 11-35; 2, 10-12

 

   Davidi e zgjedh Salomonin si pasardhësin e tij.

 

   Në ato ditë Natani i tha Betsabesë, nënës së Salomonit: “A nuk dëgjove se u bë mbret Adonia, biri i Hagitës, dhe zotëria ynë Davidi nuk e di. Tashti eja të të këshilloj si ta shpëtosh jetën tënde dhe jetën e djalit tënd Salomonit. Shko e paraqitu te Davidi mbret dhe thuaj: 'Zotëri mbret, a nuk m'u përbetove mua, shërbëtores sate, e nuk më the: 'Salomoni, biri yt, do të mbretërojë pas meje dhe ai do të rrijë në fronin tim?' Pse atëherë po mbretëron Adonia? Dhe ndërkohë që ti ende do të jesh duke folur me mbretin, pas teje do të vij unë dhe do t'i vërtetoj fjalët e tua.”

   Kështu, pra, Betsabeja hyri në dhomë te mbreti. Mbreti vërtet ishte plakur shumë dhe Abisaga sunamite i shërbente. Betsabeja u përkul dhe ra përmbys para mbretit. Mbreti i tha: “Çka do?” Ajo iu përgjigj: “Imzot! Ti iu përbetove në Zotin, Hyjin tënd, shërbëtores sate e the: 'Salomoni, yt bir, do të mbretërojë pas meje dhe ai do të rrijë në fronin tim.' Por, ja, tani po mbretëron Adonia e ti, o mbreti im, nuk e di. Ai preu qe, viça të majmë, dele të shumta dhe i grishi të gjithë bijtë e mbretit si dhe Abiatarin prift dhe Joabin, kryetarin e ushtrisë, por nuk e thirri Salomonin, shërbëtorin tënd. Megjithëkëtë, imzot mbret, në ty i ka ngulur sytë e vet mbarë Izraeli që t'i dëftosh cili duhet të rrijë në fronin tënd, pas teje, imzot mbret! Sepse, përndryshe, kur imzot mbreti të ketë pushuar përbri etërve të vet, unë dhe im bir Salomoni do të jemi fajtorë.”

   Ajo ende po fliste me mbretin, kur qe, ia behu Natani profet. I lajmëruan mbretit e i thanë: “Këtu është Natani profet.” Pasi hyri te mbreti dhe pasi e nderoi duke u përkulur deri në tokë, Natani i tha: “Imzot mbret, vallë ti paske urdhëruar: 'Adonia le të mbretërojë pas meje dhe ai le të rrijë mbi fronin tim'? Sepse ai sot zbriti dhe flijoi gjedhë, bagëti të majme e shumë desh. Thirri edhe të gjithë bijtë e mbretit, prijësit e ushtrisë, madje edhe priftin Abiatar dhe ata, duke ngrënë e duke pirë para tij, po bërtasin: 'Rroftë mbreti Adoni!' Porse mua, shërbëtorin tënd, dhe Sadokun prift, Banajën, birin e Jojadës, dhe Salomonin, shërbëtorin tënd, nuk na thirri. A mos e ka dhënë këtë urdhër imzot mbreti e nuk më dëftove mua, shërbëtorit tënd, se cili do të rrijë mbi fronin e zotërisë tim mbretit pas tij?”

   Atëherë u përgjigj Davidi mbret: “Thirreni Bersabenë të vijë këtu tek unë!” Ajo hyri te mbreti dhe qëndroi para mbretit. E mbreti u përbetua e tha: “Pasha Zotin e gjallë që e shpëtoi jetën time prej çdo ngushtimi, se, sikurse të jam përbetuar në Zotin, Hyjin e Izraelit, kur të kam thënë: 'Salomoni, biri yt, do të mbretërojë pas meje dhe se ai do të rrijë mbi fronin tim, në vend tim, sot do të bëj ashtu!”

   Atëherë Betsabeja u përkul me fytyrë përdhe, i dha nderim mbretit David dhe tha: “Rroftë imzot mbreti për amshim!”

   Atëherë Davidi mbret shtoi: “M'i thirrni këtu Sadokun prift, Natanin profet dhe Banajën, birin e Jojadës.”

   Kur hynë ata te mbreti, mbreti u tha: “Merrni shërbëtorët e zotërisë suaj me vete; Salomonin, tim bir, vëreni në mushkën time dhe çojeni në Gihon, atje Sadoku prift dhe Natani profet le ta shugurojnë për mbret mbi Izraelin, bjeruni borive dhe shpalleni: 'Rroftë Salomoni mbret!' Pastaj ngjituni këtu me të, le të vijë e le të rrijë mbi fronin tim dhe ai le të sundojë në vendin tim. Unë dua që ai të jetë prijësi i Izraelit e i Judës!”

   Kështu, pra, Davidi pushoi me etërit e vet dhe qe varrosur në Qytetin e Davidit. Mbretërimi i Davidit mbi Izraelin zgjati dyzet vjet: në Hebron mbretëroi shtatë vjet, kurse në Jerusalem tridhjetë e tri vjet.

   Salomoni ndenji në fronin e Davidit, babës së vet, dhe mbretëria e tij erdhi e u forcua shumë.

 

   Përgjigjja Kk 3, 11; krh. Ps 72 /71/, 1. 2

 

   C Dilni, bija të Sionit, shikoni mbretin Salomon me kezë, me kurorë që i vuri e ëma * në ditë të gëzueshme të zemrës së tij.

   D O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd, që të gjykojë popullin tënd me drejtësi,

   C në ditë të gëzueshme të zemrës së tij.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Letra e drejtuar Korintianëve” e shën Klementit I, papë

   (Nr. 50, 1 – 51, 3; 55, 1-4; Funk 1, 125-127. 129)

 

   Të lumët ne nëse do t’i zbatojmë urdhërimet e Zotit në harmoni të dashurisë.

 

   Shihni, o fort të dashur, se sa e madhe dhe sa e mrekullueshme është dashuria, dhe se si nuk arrihet të shprehet në mënyrë të përshtatshme përsosmëria e saj. Kush meriton të gjendet në të, në mos ata të cilët vetë Hyji deshi t’i bëjë të denjë? Të lutemi, pra, dhe t’i kërkojmë mëshirës së tij që të mund të gjendemi në dashuri, të lirë prej çdo shpirti të mënjanshëm, të pa të metë.

   Të gjitha breznitë, që prej Adamit deri tani kanë kaluar; ndërsa ata që për hir të Hyjit u gjetën të përsosur në dashuri, mbesin dhe fitojnë banesën që u është ruajtur të mirëve dhe do të shfaqen në ardhjen e mbretërisë së Krishtit. Dhe vërtet është shkruar: Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron ndër mëkatarë, në gojën e të cilit nuk ka dredhi (krh. Ps 32 /31/, 1).

   Kjo shpallje e lumturisë u takon atyre që Hyji i ka zgjedhur nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë. Atij i qoftë lavdia në shekuj të shekujve. Amen.

   Të kërkojmë, pra, falje për të gjitha të këqijat që i kemi bërë për shkak të ngashënjimit të armikut. Ata që qenë gërgasës të revoltës dhe të mosmarrëveshjes, duhet të kenë mirë parasysh atë që ne na bashkon në shpresë. Dhe vërtet, ata që e kalojnë jetën e tyre në druajtje dhe në dashuri më parë pranojnë të bien vetë në tundime, se sa të bjerë i afërmi i tyre. Shumë më tepër dëshirojnë ta pësojnë ata vetë dënimin se sa të rrezikojnë atë harmoni aq të bukur dhe të shenjtë që i përket traditës sonë. Është më mirë për njeriun të rrëfejë mëkatet e tija, se sa të bëjë gur zemrën e tij. Kush, pra, prej jush është zemërfisnik, i mëshirshëm, plot dashuri? Le të thotë: Nëse për fajin tim kanë lindur dashakeqësi, kundërshtime, mosmarrëveshje dhe ndarje, do të nisem, do të shkoj ku të dëshironi ju dhe do të bëj çfarëdo të më urdhërojë bashkësia, mjaft që grigja e Krishtit të jetojë në paqe me presbiterët e caktuar në mënyrë të ligjshme.

   Ai që do ta bëjë këtë gjë, do të fitojë një lavdi të madhe në Krishtin dhe çdo njeri do ta pranojë. “E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka” (Ps 24 /23/, 1). Këtë gjë e bëjnë dhe do ta bëjnë ata që jetojnë një jetë hyjnore, për të cilën nuk do t’u duhet të pendohen kurrë.

 

   Përgjigjja 1 Gjn 4, 21; Mt 22, 40

 

   C Prej tij e kemi edhe këtë urdhër: * kush e do Hyjin, duhet ta dojë edhe vëllain e vet.

   D Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët:

   C kush e do Hyjin, duhet ta dojë edhe vëllain e vet.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti me përvujtërimin e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu, pra, besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj t’i shijojnë gëzimet e amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.