Shërbesa e leximeve

11 korrik, Shën Benedikti, abat

 

Pajtori i Evropës

 

Festë

 

      Lindi në Norqa rreth vitit 480. I edukuar në Romë filloi jetën eremitike në krahinën e Subiakos, ku mblodhi rreth vetes disa nxënës. Nga Subiako kaloi në Kasino. Aty themeloi manastirin e njohur dhe shkroi Rregullën, që për shkak të përhapjes së saj të gjerë e bëri të meritonte titullin “Patriark i monakizmit perëndimor”. Vdiq më 21 mars të vitit 547; por në mbarim të shekullit VII në shumë krahina festa e tij kremtohej më 11 korrik. Me Letrën Apostolike “Pacis nuntius”, të 24 tetorit 1964, Pali VI e shpalli mbrojtës të të gjithë Evropës.

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

V. O Zot, hapi buzët e mia!

P. E goja ime do të shpall lavdinë tënde!

 

Ant: Në festën e shën Benediktit, Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë.

 

Psalmi 95 /94/

 

     Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

      Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant: Në festën e shën Benediktit, Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën.

 

Ant: Në festën e shën Benediktit, Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan.

 

Ant: Në festën e shën Benediktit, Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant: Në festën e shën Benediktit, Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant: Në festën e shën Benediktit, Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant: Në festën e shën Benediktit, Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë.

 

11 korrik, Shën Benedikti, abat

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)

 

      Himni

 

      Jezus, shëlbues i t’gjithve,

      kurorë e amshuar qiellorësh,

      në këtë ditë më i mëshirshëm

      përkrahi zërat tona.

 

      Me anë t’zërit tënd të shenjtë

      lajmtar hyjnor qartë foli,

      e çdo vit me madhshti

      kremton turma e devotshme.

 

      Për ato që janë t’shekullit

      kaloi me hap të qetë,

      ty besnik t’panderprerë

      të ndoqi n’udhë t’shëlbimit.

 

      Por ndër qejfet e mrazta

      t’botës s’e ngjiti zemrën,

      bashkë me engjuj të qiellit

      i lumtur gzon meritat.

 

      Çdo vit ndaj ktij mirëdashës

      na bëj të ndjekim gjurmët,

      nga lutja e tij ne robërve

      na shlyej fajin e krimit.

 

      Ty, Krisht, mbret shumë i drejtë

      lavdia t’qoftë dhe Atit,

      bashkë me Shpirtin dalëzotës

      ndër shekujt e përhershëm. Amen.

 

Ant. 1 T’u lut për jetë e ti i dhe madhëri e shkëlqim.

 

Psalmi 21 /20/ (2-8. 14)

 

O Zot, mbreti gëzohet në saje të fuqisë sate, *

      plot hare e mbush shpëtimi yt.

Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij, *

      nuk i përbuze lutjet e buzëve të tij.

 

Që më parë i dhe bekime të mëdha: *

      mbi krye i vure kurorë ari të kulluar.

T’u lut për jetë e ti i dhe *

      ditë të shumta - në jetë të jetës.

 

E madhe është lavdia e tij në shpëtimin tënd: *

      e stolise me madhëri e me shkëlqim.

Ti e bëre bekim përgjithmonë, *

      e kënaqe me gëzim në praninë tënde.

 

Sepse mbreti shpresën e ka në Zotin, *

      në saje të besnikërisë së të Lartit Zot s’do të trandet.

Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde, *

      e ne do të këndojmë

      e do të vallëzojmë për ngadhënjimin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 1 T’u lut për jetë e ti i dhe madhëri e shkëlqim.

 

Ant. 2 Udha e të drejtëve është si drita: rritet prej mëngjesit deri në ditë të plotë.

 

Psalmi 92 /91/    I (2-9)

 

Është punë e mirë ta lavdërosh Zotin, *

      t’i këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë.

 

Të shpallim dashurinë në mëngjes *

      e gjatë natës besnikërinë tënde,

me harpë dhjetëkordash e me lirë, *

      me këngë përcjellë me cetër.

 

Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, *

      kënaqem për veprat e duarve të tua.

 

Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, *

      sa të thella mendimet e tua!

Njeriu i pamend nuk i di, *

      dhe i marri nuk do t’i kuptojë.

 

Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, *

      e në lulëzofshin ata që bëjnë keq,

janë të caktuar për bjerrje të pasosur, *

      vetëm ti je i Tejetlartë për amshim, o Zot!

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 2 Udha e të drejtëve është si drita: rritet prej mëngjesit deri në ditë të plotë.

 

Ant. 3 I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si cedri i Libanit.

 

      II (10-16)

 

Sepse qe, o Zot, armiqtë e tu, †

      sepse qe, o Zot, armiqtë e tu do të birren, *

      do të shpërndahen të gjithë keqbërësit.

 

Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, *

      më shugurove me më të pastrin vaj.

 

Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë, *

      veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi.

 

I drejti lulëzon si palma, *

      rritet porsi cedri i Libanit.

Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit *

      lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.

 

Japin fruta edhe në pleqëri, *

      janë të kërthndeztë e plot shëndet,

për të shpallur se Zoti është i drejtë: *

      Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 3 I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si cedri i Libanit.

 

      D Zoti e udhëheq të drejtin udhës së mirë,

      C dhe ia shfaq mbretërinë e Hyjit.

 

      Leximi i parë

 

      Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve 4, 1-24

 

      Vëllezër, ju përbej, unë i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri‑tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S'ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm ‑ sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes tuaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë.

      Edhe secilit prej nesh i qe dhënë hiri me atë masë me të cilën Krishti deshi të na e dhurojë. Këndej edhe thuhet:

      'Kur u ngrit në lartësi i mori me vete robërit dhe u dha dhurata njerëzve.'

      E ajo fjalë: 'U ngrit', çfarë do të thotë tjetër, por se më parë »zbriti« këtu poshtë, përmbi tokë? Ai që »zbriti, është po Ai që »u ngrit« mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë. E Ai i 'dha' disa apostuj, disa tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, do të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t'i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, deri që të gjithë t'ia arrijmë njësisë së fesë dhe njohjes së Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit: që të mos jemi më foshnja me të cilët luajnë tallazet dhe i çon e i rrëzon çdo erë mësimesh në këtë lojë letrash të njerëzve që me dredhi i hapin udhën gabimit. Por, duke e dëshmuar me dashuri të vërtetën, të rritemi në çdo pikëpamje drejt Atij që është Kryet ‑ Krishtit. Prej tij, Trupi i tërë, si një cope, mirë i lidhur në një, ashtu që çdo gjymtyrë ndihmon sipas funksionit që iu dha veçanërisht secilës pjesë dhe e mundëson rritjen e Trupit në ndërtimin e vetvetes në dashuri.

      Pra them këtë dhe përbej në Zotin: mos jetoni sikurse jetojnë paganët ‑ në tytësinë e mendjes së tyre: me mendje të errësuar, larg nga jeta e Hyjit, për shkak të paditurisë që është ndër ta për arsye të trashamanisë së zemrës së tyre. Vetveten e kanë bërë të pandjeshëm, u dhanë pas shfrenisë, në mënyrë që, të shtyrë prej lakmimit, të bëjnë çdo poshtërsi.

      Ju veç nuk keni qenë mësuar kështu mbi Krishtin, në qoftë se keni dëgjuar për të dhe në qoftë se keni qenë mësuar sipas së vërtetës që është në Jezusin: në fuqi të së cilës u duhet ta flakni tej mënyrën e mëparshme të jetesës ‑ njeriun e vjetër, të cilin prirjet e prujta e çojnë në bjerrje, dhe duhet të përtëriheni me shpirtin e mendjes tuaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Hyjit në drejtësi e shenjtëri që vjen prej së vërtetës.

 

      Përgjigjja    Mt 19, 29. 27

      C Kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, * do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur.

      D Ja, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas tëje, çka, pra, do të fitojmë.

      C do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur.

 

      Leximi i dytë

 

      Nga “Rregulla” e shën Benediktit, abat

      (Hyrja 4-22; kap. 72, 1-12; CSEL 75, 2-5. 162-163)

 

      Para Krishtit mos të vihet asgjë

 

      Para çdo gjëje tjetër duhet t’i kërkosh Hyjit me lutje të vazhdueshme që ai t’i udhëheqë deri në fund veprat e mira që ti ke filluar, që të mos trishtohet nga veprat tona të këqija, pasi që u denjua të na thërrasë të jemi bijtë e tij. Si shpagim për dhuratat e tija, ne jemi të detyruar të kemi dëgjesën e vazhdueshme. Nëse nuk bëjmë kështu, ai, si atë i çnderuar, do të jetë i detyruar të mohojë një ditë bijtë e tij dhe, si zotëri i tmerrshëm, i hidhëruar për shkak të fajeve tona, do të dënojë me dënim të amshuar ata njerëz të këqij që nuk deshën ta ndjekin në lavdi.

      Të zgjohemi, pra, një herë para ftesës së Shkrimit që thotë: “Tashmë është koha të zgjoheni nga gjumi” (Rom 13, 11). T’i hapim sytë para dritës hyjnore, ta dëgjojmë zërin qortues që Zoti na e drejton çdo ditë: “Sikur ta ndienit sot zërin e tij: ‘Mos e bëni zemrën tuaj gur” (Ps 95 \94\, 8). Dhe prapë: “Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave” (Zb 2, 7).

      E çka thotë? Ejani, bij, dhe dëgjoni, do t’ua mësoj frikën e Zotit. Ecni derisa e keni dritën e jetës, që mos t’u befasojnë errësirat e vdekjes (krh. Gjn 12, 35).

      Zoti e kërkon punëtorin e tij në mes të një morie të popullit dhe thotë: A është dikush që dëshiron jetën dhe kërkon të kalojë ditë të lumtura? (krh. Ps 34 \33\, 13). Nëse kur t’i dëgjosh këto fjalë ti do të përgjigjesh: Dua! Zoti të thotë: Nëse dëshiron të keshë jetën e vërtetë dhe të amshuar, ruaje gjuhën tënde nga e keqja dhe buzët e tua mos të shqiptojnë gënjeshtra: ik nga e keqja dhe bëj mirë: kërkoje paqen dhe ndiqe atë (krh. Ps 34 \33\ 14-15). Dhe nëse do të bëni këtë, sytë e mi do të sillen përmbi ju dhe veshët e mi do të jenë të kujdesshëm ndaj lutjeve tuaja: para se të më thirrni unë do t’ju përgjigjem: Ja ku jam.

      A ka gjë më të ëmbël për ju, të dashur vëllezër, sesa ky zë i Zotit që na fton? Ja pra, pikërisht pse na do, na e tregon edhe udhën e jetës.

      Për këtë arsye, pra, me ijet e ngjeshura me fe dhe me praktikimin e veprave të mira, nën udhëheqjen e ungjillit të ecim nëpër udhët e tija, që kështu të meritojmë të shohim në mbretërinë e tij atë që na ka thirrur. Por nëse dëshirojmë të jetojmë në repartet e mbretërisë së tij, duhet ta kuptojmë se nuk mund të arrijmë, veçse duke u shpejtuar me vepra të mira.

      Ashtu siç është një zell i keq dhe i hidhur që largon nga Hyji dhe çon drejt ferrit, kështu ka edhe një zell të mirë që largon nga veset dhe udhëheq drejt Hyjit dhe drejt jetës së amshuar. Në këtë zell murgjit duhet të ushtrohen me dashuri të gjallë; dhe për këtë arsye t’i prijnë njëri-tjetrit në nderimin e dhënë, të durojnë me durim të madh vështirësitë fizike dhe morale të tjerëve, të bëjnë gara në dëgjesën ndaj njëri-tjeterit. Askush mos ta kërkojë dobinë e vet, por dobinë e të tjrëve, të duan vëllezërit me dashuri te pastër, ta druajnë Hyjin, ta duan abatin e tyre me një dashuri të sinqertë dhe të përvuajtur.

      Asgjë, pra, mos të vëmë para Krishtit dhe kështu ai, si shpërblim, do të na udhëheqë të gjithëve drejtë jetës së amshuar.

 

      Përgjigjja

 

      C Shën Benedikti, duke lënë shtëpinë dhe trashëgimin e vet për t’i pëlqyer Zotit, iu kushtua krejtësisht atij në jetën monastike. * Banoi vetëm, para syve ta atij që sheh gjithçka.

      D U tërhoq nga bota, me padijen e atij që e di shumë mirë, dhe me urtinë e atij që nuk dëshiron të dijë.

      C Banoi vetëm, para syve ta atij që sheh gjithçka.

 

      Lutja

 

      O Hyj, ti e bëre shën Benediktin abat mësues të shquar për ata që i kushtohen shërbimit tënd, bëj, të të duam ty mbi gjithçka e të vrapojmë me zemër të çiltër udhës së urdhërimeve të tua. Nëpër Zotin.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.