Shërbesa e leximeve
Java e pesëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Për të tjerët koha e dita
e tetë shkëlqen më e shenjtë
në ty që e shenjtëron, Jezus,
i pari i të ringjallurve.
Me ty ti shpirtrat tanë
tash sa më parë bashkë ngjalli;
për ty të ngjallën trupat
të lirë në vdekjen e dytë.
Dhe Ty ndër re së shpejti
o Krisht të dalim para
me ty në vazhdim fitues:
ti jeta dhe ringjallja.
Duke parë fytyrën tënde,
të shëmbëllejmë lavdinë,
të njohim ty siç je:
drita e vërtetë, kënaqësia.
Mbretërinë me shtatë mirosje
të mbushur plot me Atin,
tek ti ne gjejmë gazmim,
Shenjtja Trini do t’i kryejë. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve lutet gjatë ditës:
Në krye të gjitha ditëve
kur u krijua tërë bota
ja kur Krijuesi i ngjallur,
mposht vdekjen, na liron.
Duke flakur larg mpirjet
më shpejt të gjithë të ngrihemi,
të drejtin të kërkojmë natën,
sikur njohëm Profetin.
Lutjet tona të dëgjojë,
të shtrijë dorën e djathtë,
e ky selitë ndoshta
me fli t’i pastrojë,
Që ne secilit në kohën
e shenjtë të kësaj dite
psalim në orë të pushimit,
të na falë dhunti të pasura.
Hyjit Atë i qoftë lavdia
dhe Birit të tij të vetëm,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Çdo ditë të lavdëroj dhe të bekoj, o Zot, aleluja.
Psalmi 145 /144/ Lavdi Zotit - Mbretit të gjithësisë
E pashqyrtueshme është pasuria e Krishtit. Del në dritë para të gjithëve me anë të Kishës të synuar qysh prej amshimit e të zbatuar nëpër Jezu Krishtin, Zotërinë tonë (Krh. Ef 3, 8-11).
I (1-9)
Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im, *
dhe do ta bekoj Emrin tënd përgjithmonë e jetë.
Çdo ditë do të të bekoj *
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
përgjithmonë e jetë.
Zoti është i madh e i lavdërueshëm, *
e pashqyertueshme është madhëria e tij!
Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua *
dhe do ta shpallin pushtetin tënd.
Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate, *
do t’i tregojnë mrekullitë e tua.
Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, *
do t’i kumtojnë veprat e madhërishme të tuat.
Do ta përhapin kujtimin e hirësisë sate të madhe, *
do t’i brohorasin drejtësisë sate.
Zoti është vetë butësia e mëshira, *
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë, *
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Çdo ditë të lavdëroj dhe të bekoj, o Zot, aleluja.
Ant. 2 Mbretëria jote, o Zot, është mbretëri e amshueshme, aleluja.
II (10-13)
Le të të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua *
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate, *
le të kuvendin për pushtetin tënd,
për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde *
dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.
Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme, *
pushteti yt prej breznie në brezni.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Mbretëria jote, o Zot, është mbretëri e amshueshme, aleluja.
Ant. 3 Besnikëri në të gjitha fjalët e Zotit, dashuri në të gjitha veprat e tija, aleluja.
III (14-21)
Besnik është Zoti në të gjitha premtimet e veta, *
i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti ua jep dorën atyre që u merren këmbët, *
i çon ata që rrëzohen.
Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty, *
ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ti e hap dorën tënde *
dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.
I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta *
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin, *
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.
E plotëson dëshirën e atyre që e druajnë, *
ua dëgjon britmën dhe i shpëton.
Zoti i ruan të gjithë ata që e duan, *
kurse të paudhët të gjithë do t’i shuajë.
Goja ime do ta shfaqë lavdinë e Zotit, †
çdo njeri do ta bekojë Emrin e tij të shenjtë *
përgjithmonë e jetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Besnikëri në të gjitha fjalët e Zotit, dashuri në të gjitha veprat e tija, aleluja.
D Biri im, dëgjoji fjalët e mia,
C vërja veshin fjalës sime.
Leximi i parë
Prej librit të parë të Mbretërve 16, 29 – 17, 16
Elia profet në tempullin e Akabit, mbretit të Izraelit.
Akabi, biri i Amriut, u bë mbret mbi Izraelin në të tridhjetetetin vit të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës. Akabi, biri i Amriut, mbretëroi në Samari mbi Izraelin për njëzet e dy vjet. Akabi, biri i Amriut, bëri keq ndër sy të Zotit më tepër se të gjithë ata që kishin qenë para tij. Dhe nuk iu duk mjaft të ecë në mëkatet e Jeroboamit, birit të Nabatit, por edhe u martua me Jezabelën, bijën e Etbaalit, mbretit të sidonëve dhe zuri t'i shërbejë Baalit e të përkulej para tij. Ai ndërtoi një lter për nder të Baalit në tempullin e Baalit që kishte ndërtuar në Samari, madje ndërtoi edhe banirin, bëri edhe vepra të tjera të liga duke e fyer Zotin, Hyjin e Izraelit, më tepër se të gjithë mbretërit e Izraelit që kishin qenë para tij.
Në ditët e tija Hieli i Betelit e rindërtoi Jerikun. Mbi Abiramin, të parëlindurin e vet, i qiti themelet e mbi Segubin, djalin e vet më të voglin, i ndërtoi dyert e tija, sipas fjalës së Zotit, që e kishte pasë thënë me anë të Jozuehit, birit të Nunit.
Elia Tesbiu, nga Tesbiu, në tokën e Galaadit, i tha Akabit: “Pasha jetën e Zotit, Hyjit të Izraelit, në shërbimin e të cilit jam unë: në këto vite s'do të bjerë as vesë as shi, përveç në thënça unë.”
Atëherë fjala e Zotit i qe drejtuar Elisë. I tha: “Largohu prej këndej e shko në lindje dhe fshihu në përroin Kerit, që është kundruall Jordanit. Kështu do të mund të pish ujë nga përroi, kurse korbave u kam urdhëruar të ta sjellin ushqimin atje.”
Elia shkoi dhe bëri si i kishte urdhëruar Zoti. Shkoi e banoi në përruan Kerit, që është kundruall Jordanit. Korbat i sillnin në mëngjes bukë e mish e në mbrëmje po ashtu bukë e mish, kurse ujë pinte nga përroi. Pas do kohe, përroi shteri, sepse nuk binte shi.
Atëherë Elisë i qe drejtuar fjala e Zotit e i tha: “Ngrihu e shko në Sareptën e sidonasve dhe qëndro atje. I kam urdhëruar një vejushe të të ushqejë.” Elia u çua e shkoi në Sareptë. Kur arriti te dyert e qytetit, gjeti një grua të ve duke mbledhur dru. Elia e thirri e i tha: “Ma sill pak ujë në katrove që të pi.” Kur u nis ajo për t'i sjellë ujë, ky e thirri prapë dhe i tha: “Të lutem, më sill edhe një kafshatë bukë në dorë!” Ajo iu përgjigj: “Pasha Zotin, Hyjin tënd, unë nuk kam bukë, por vetëm një grusht miell në tinar dhe pakëz vaj në qyp. Ja, po i mbledh dy‑tri dru e do të shkoj në shtëpi për ta gatuar për mua e për djalin tim, do ta hamë e do të vdesim.”
Por Elia i tha: “Mos ki frikë aspak, por shko e bëj siç the; porse më parë ma piq mua një kulaç të vogël me atë miell që ke e ma sill, dhe pastaj gatuaj për vete e për djalin tënd. Sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit:
'Në tinar mielli s'do të mungojë, në qyp vaji s'do të mbarojë derisa të vijë dita që Zoti të falë shi mbi tokë.'“
Ajo shkoi e bëri si i tha Elia. Dhe u ushqye ajo, Elia dhe familja e saj për shumë ditë. Tinari i miellit nuk u mbarua as qypi i vajit nuk u pakësua sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të Elisë.
Përgjigjja Krh. Jak 5, 17-18; Sir 48, 1. 3
C Elia u lut me gjithë shpirt të mos bjerë shi dhe mbi tokë nuk ra shi. * Dhe përsëri u lut dhe qielli dha shi e toka dha frytin e vet.
D U ngrit profeti Eli, flaka e tij digjte si vravashka. Me urdhër të Zotit e mbylli qiellin.
C Dhe përsëri u lut dhe qielli dha shi e toka dha frytin e vet.
Leximi i dytë
Fillimi i traktatit “Mbi misteret” i shën Ambrozit, ipeshkëv
(Nr. 1-7; SC 25 bis, 156-158)
Katekeza mbi ritet para-pagëzimore.
Çdo ditë kemi mbajtur një fjalim për temat morale ndërsa lexoheshin ose veprat e patriarkëve ose mësimet e Fjalëve të urta, në mënyrë që të formuar dhe të mësuar prej tyre, të mësoheshit të hyni në udhët e të lashtëve, t’i përshkonit rrugët e tyre dhe t’i dëgjonit fjalët hyjnore, kështu që të përtërirë prej pagëzimit, të mbanit atë sjellje që u ka hije atyre që janë pagëzuar.
Tash ka ardhur koha të flasim për misteret dhe të shpjegojmë natyrën e sakramenteve. Po t’ua kisha bërë këtë para pagëzimit atyre që nuk i njohin ende në sakramentet, më shumë do ta tradhtoja se do ta shpjegoja këtë mësim. Duhet shtuar se drita e mistereve është më përshkuese nëse godet në befasi, pa ardhur pas paralajmërimeve të ndonjë shtjellimi të përciptë paraprak.
Hapni, pra veshët dhe shijoni harmonitë e jetës së amshuar të shtëna në ju prej dhuratës së sakramenteve. Jua kemi shprehur atëherë kur, në çastin kur duke e kremtuar misterin e hapjes së veshëve, ju thonim: “Effatha – që do të thotë: Çelu!” (Mt 7, 34), kështu që çdonjëri prej jush, që po i afrohej hirit, të kuptonte se mbi çka do të merrej në pyetje dhe të kujtohej se çka do të duhej të përgjigjej. Krishti, sipas asaj që lexojmë në Ungjill, ka kremtuar këtë mister kur i ka shëruar shurdhmemecët.
Më pas të është hapur krejtësisht Shenjtërorja e shenjtëroreve, dhe ke hyrë në shenjtëroren e rilindjes. Kujtohu mirë se çka të kanë pyetur, dhe mendo mirë mbi përgjigjen që ke dhënë. I ke rënë mohit djallit dhe të gjitha veprave të tija, i ke rënë mohit botës, shthurjes dhe kënaqësive të saja. Fjala jote ruhet jo në një varr për të vdekur, por në librin e të gjallëve. Pranë burimit ti e ke parë levitin, e ke parë meshtarin, e ke parë kryepriftin. Mos ia vër mendjen dukjes së jashtme të personit, por karizmës së ministerit të shenjtë. Ti ke folur në praninë e engjëjve, siç është shkruar: “Buzët e priftit duhet ta ruajnë dijen, prej gojës së tij e mësojnë Ligjin, sepse është i dërguari i Zotit të Ushtrive” (Mal 2, 7). Nuk mund të gabohet, nuk mund të mohohet. Është engjëll, i dërguar i Zotit, ai që e shpall jetën e amshuar. Duhet ta gjykosh jo sipas dukjes, por sipas funksionit. Mendo mirë për atë gjë që të ka dhënë, peshoje mirë rëndësinë e detyrës së tij, pranoje atë që ai bën.
Dhe pasi ke hyrë përballë kundërshtarit tënd, të cilit supozohet se ti i ke rënë mohit me gojë, atëherë kthehesh drejt lindjes: sepse ai që i bie mohit djallit kthehet drejt Krishtit dhe e shikon atë drejt në sy.
Përgjigjja Krh. Tit 3, 3. 5; Ef 2, 3
C Edhe ne dikur ishim të pamend, të padëgjueshëm, robër të dëshirave dhe të prirjeve të ndryshme, kemi jetuar, në të këqija dhe në smirë kemi urryer njëri tjetrin, * por Hyji na shëlboi me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt.
D Edhe ne dikur jetonim në prirjet e prujta të mishit e të gjakut tonë duke i kënaqur epshet e mishit dhe ishim edhe ne bij të lëshuar në dorë të hidhërimit;
C por Hyji na shëlboi me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj, ti ua tregon dritën e së vërtetës sate atyre që të humbur enden andej e këndej, për t’i kthyer në udhën tënde: bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë të flakin çka i kundërshton këtij emri, e të pranojnë çka i përket. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.