Shërbesa e leximeve

Java e pesëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë natës apo shumë herët në mëngjes.

 

   Përtërirë në gjymtyrë nga gjumi,

   braktisur shtratin, ngrihemi:

   Neve, Atë, që ty të thërrasim

   na u gjend pranë të lutemi.

 

   Të parin ty këndoftë goja,

   ty të lakmoftë afshi i zemrës,

   ti, o i shenjtë, të jesh burimi

   për ndjekësit e tu ndër vepra.

 

   Terri t’ia lëshojë vendin dritës,

   dhe nata yllit të ditës,

   fajin që e sjell nata

   ta zbusë dhurata e dritës.

 

   Po ne lutësit të lypim

   na i fal të gjitha fajet,

   nga gojët që ty të këndojnë

   n’amshim të lavdërohesh.

 

   Na ruaj, Atë mëshirëploti

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëron në gjithë shekujt. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë ditës.

 

   Hyjni, drita e amshueshme,

   në Trini e njësuar,

   Ty të rrëfejmë ne të dobëtit,

   Ty nxehtësisht të lutemi.

 

   Besojmë Prindin e epërm,

   dhe të vetmin Bir të Atit,

   dhe Shpirtin që i bashkon

   lidhjet e dashurisë.

 

   O dashuri, o e vërteta,

   o qëllimi dhe mirësia,

   bëj të shpresojmë, të besojmë,

   na bëj të duam t’arrijmë.

 

   Ti je mbarimi e nisja,

   burimi i të gjitha sendeve,

   ti vetëm je ngushëllimi,

   shpresa e sigurt e besimtarëve.

 

   Vetëm ti i bën të tëra,

   veç ti u mjafton të gjithëve,

   për të gjithë je drita e vetme

   dhe çmimi i shpresëtarëve.

 

   Lusim Krishtin dhe Atin,

   e Krishtit e t’Atit Shpirtin;

   Trini, fuqia e vetme

   për të gjitha, ngrohi lutësit. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Hyji ynë po vjen, nuk fshihet dhe nuk hesht.

 

   Psalmi 50 /49/ Kulti që i pëlqen Zotit

 

   Krishti nuk erdhi për ta asgjësuar Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta asgjësuar Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).

 

   I (1-6)

 

Flet Zoti, Hyji i hyjnive *

   dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.

Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *

   Hyji ndriçon!

 

Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: †

   para i shkon zjarri që përpin, *

   përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.

 

E thërret qiellin prej së larti *

   edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:

 

»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *

   që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«

Qiejt shpallin drejtësinë e tij *

   sepse Hyji është gjykatës!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Hyji ynë po vjen, nuk fshihet dhe nuk hesht.

 

Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.

 

   II (7-15)

 

»Dëgjo, populli im, dua të flas, †

   o Izrael, dëshmoj kundër teje: *

   unë Hyji jam, Hyji yt!

 

Nuk të qortoj për flitë e tua, *

   flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!

S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *

   as cjap prej tufave të tua.

 

Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *

   me mijëra kafshë në malet e mia.

I njoh të gjithë shpendët e ajrit *

   dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!

 

Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *

   imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.

Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *

   e pi gjak cjepsh?

 

Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *

   dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,

e më thirr në ditën e travajit: *

   unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.

 

Ant. 3 Dashuri dua, e jo therore: jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.

 

   III (16-23)

 

Mëkatarit Hyji i thotë: †

   »Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *

   Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,

 

kur ti e urren disiplinën, *

   pas shpine i hedh urdhrat e mi?

Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *

   e me lavire vazhdimisht merr pjesë.

 

Gojën tënde e përdor për fitme, *

   gjuha jote thur dredhi.

Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *

   çnderon djalin e nënës sate.

 

Kështu veprove e unë heshta. †

   A mendon ti se unë jam si ti? *

   Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë

   mëkatet e tua.«

 

Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †

   mos me bëni t’ju fut në thonj *

   se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.

 

Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †

   do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *

   atij që ecën udhës së drejtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Dashuri dua, e jo therore: jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.

 

   D Dëgjo, o populli im, dëshiroj të flas:

   C unë jam Hyj, Hyji yt.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të parë të Mbretërve 18, 16b-40

 

   Elia fiton kundër priftërinjve të Baalit.

 

   Në ato ditë Akabi erdhi të takohej me Elinë. Posa e pa, i tha: “Këtu qenke a, o ogurziu i Izraelit?” Ai iu përgjigj: “Unë nuk i sjell të keqe Izraelit, por ti dhe shtëpia e tët eti, që i keni lënë urdhërimet e Zotit dhe po i ndjek baalët! Por tani mblidhe para meje mbarë Izraelin në malin e Karmelit si dhe katërqind e pesëdhjetë profetët e Baalit, edhe katërqind profetët e Aserës që ushqehen prej tryezës së Jezabelës.”

   Akabi çoi e thirri të gjithë bijtë e Izraelit e i bashkoi profetët në malin Karmel. Atëherë Elia doli para mbarë popullit e tha: “Deri kur do të çaloni në të dyja anët? Nëse Zoti është Hyj, ndiqeni atë, po në qoftë se është Baali, ndiqeni atëherë atë!” Por populli nuk iu përgjigj me asnjë fjalë. Atëherë Elia vazhdoi: “I vetmi kam mbetur unë si profet i Zotit, kurse profetë të Baalit janë katërqind e pesëdhjetë vetë! Le të na jepen dy mëzetër. Ata le ta zgjedhin njërin mëzat, le ta ndajnë pjesë‑pjesë e le ta vënë mbi dru, por të mos i shtien zjarr. Edhe unë do ta përgatis mëzatin tjetër dhe do ta vë mbi dru; zjarr s'do t'i shtie. Thirreni në ndihmë emrin e hyjit tuaj dhe unë do ta thërras në ndihmë Emrin e Zotit. Hyji që do të përgjigjet me anë të zjarrit, është Hyji i vërtetë.” Mbarë populli u përgjigj: “Mirë e ke!”

   Elia u tha profetëve të Baalit: “Zgjidheni ju njërin mëzat, e filloni ju, sepse jeni më shumë. Thirreni në ndihmë emrin e zotit tuaj, por mos shtini zjarr.”

   Ata e morën mëzatin që u takoi, dhe e përgatitën. E thirrnin emrin e Baalit prej mëngjesit e deri në mesditë e thoshin: “Dëgjona ne, o Baal!” Por s'dëgjohej zë as s'kishte kush të përgjigjej. E vazhdonin duke kërcyer rreth lterit që kishin ndërtuar.

   Kur u bë mesditë, Elia zuri t'i vërë në lojë e u thoshte: “Bërtitni më të madhe, sepse ai është Hyj: do të jetë i zënë me punë, do të jetë ndokund për rrugë ose sigurisht e ka zënë gjumi e zgjojeni.” Ata zunë të bërtisnin me zë më të madh dhe, sipas ritit të tyre, thereshin me thika e me shigjeta derisa i mbuloi gjaku.

   Por, pasi kaloi mesdita e, ndërsa ata ende po profetizonin, erdhi koha kur është doke të kushtohet flija, e nuk dëgjohej zë as s'ishte askush që t'u përgjigjej e t'i dëgjonte këta që po luteshin, Elia i tha popullit mbarë: “Afrohuni tek unë!” Mbarë populli iu afrua; Elia, si e ndreqi lterin e Zotit që kishte qenë rrënuar, mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të dymbëdhjetë fiseve të Jakobit, të cilit i kishte qenë drejtuar fjala e Zotit: “Ti do të quhesh Izrael!” Me gurë ndreqi lterin në Emër të Zotit, hapi përreth lterit një kanal të gjerë aq sa të mund të nxërë dy masë grurë, i vendosi drutë, e ndau gjymtyrë ‑ gjymtyrë mëzatin dhe e vuri mbi dru e tha: “Mbushni me ujë katër shtamba dhe derdhni mbi flinë e shkrumbimit e mbi dru.” Përsëri foli: “Bëni kështu edhe një herë!” Këta, pasi bënë ashtu edhe herën e dytë, ai u tha: “Bëni po ashtu edhe herën e tretë!” Bënë ashtu edhe të tretën herë e ujët rridhte rreth e rreth lterit, saqë u mbush kanali me ujë. Pasi erdhi koha që të kushtohej flija, si u afrua Elia profet, tha: “O Zot, Hyji i Abrahamit, i Izakut dhe i Izraelit, dëftoje sot se ti je Hyji në Izrael, se unë jam shërbëtori yt dhe se të gjitha këto i kam bërë me urdhrin tënd. Më dëgjo, o Zot, më dëgjo, që ky popull ta kuptojë se ti, o Zot, je Hyj dhe se ti je ai që e kthen nga vetja zemrën e tyre përsëri!”

   Dhe ra zjarri i Zotit dhe e përpiu flinë e shkrumbimit, drutë, gurët, pluhurin, e thithi deri edhe ujin në kanal.

   Populli, posa e pa këtë gjë, ra përmbys me fytyrë përdhe e tha: “Zoti është Hyj, Zoti është Hyj!”

 

   Përgjigjja Krh. 1 Mbr 18, 21; Mt 6, 24

 

   C Ai tha para mbarë popullit: Deri kur do të çaloni në të dyja anët? * Nëse Zoti është Hyj, ndiqeni atë.

   D Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve: Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.

   C Nëse Zoti është Hyj, ndiqeni atë.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga traktati “Mbi misteret” i shën Ambrozit, ipeshkëv

   (Nr 8-11; SC 25 bis, 158-160)

 

   Ne rilindim prej ujit dhe prej Shpirtit Shenjt.

 

   Çka ke parë në pagëzimore? Me siguri ujë, por jo vetëm atë: atje qëndronin levitët të cilët shërbenin dhe kryeprifti i cili merrte në pyetje dhe shuguronte. Para së gjithash, apostulli të ka mësuar se nuk duhet “të kemi për qëllim të fitojmë gjërat e dukshme, por ato që nuk shihen; sepse sendet e dukshme janë të përkohshme, kurse sendet që nuk shihen janë të përjetshme” (2 Kor 4, 18). Në një vend tjetër ti lexon se: “Përkryemëritë e tija të papashme: pushteti i tij i amshuar dhe hyjnia, që prej krijimit të botës, mund të shihen me anë të mendjes në saje të veprave të tija” (Rom 1, 20) dhe njihen me anë të veprave të tija. Për këtë arsye vetë Zoti thotë: “Po edhe nëse nuk më besoni mua, besojuni veprave” (Gjn 10, 38). Beso pra, se atje është prania e hyjnisë. A thua do t’u besosh veprave të tija e nuk do të besoje në praninë e tij? E nga do të vinte veprimi po të mos ishte më parë prania?

   Ndër të tjera, shqyrto se sa i lashtë është ky mister dhe si është paraqitur në shëmbëllesë që nga vetë fillimi i botës. Në fillim kur Hyji e krijoi qiellin dhe tokën “Fryma e Hyjit” thotë teksti, “endej përmbi ujërat” (Zan 1, 2). A thua nuk vepronte ai që endej përmbi ujëra? Pranoje se ai ishte në veprim kur po krijohej bota, ndërsa profeti thotë: “Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt, prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor” (Ps 33 /32/, 6). Të dyja këto gjëra janë të mbështetura në dëshminë profetike: edhe endej mbi ujëra edhe vepronte. Moisiu thotë se endej përmbi ujëra, Davidi dëshmon se vepron.

   Ja një dëshmi tjetër. Çdo njeri ishte i prishur për shkak të mëkateve të tija. Dhe shton: “Shpirti im nuk do të qëndrojë përherë në njeriun, sepse ai s’është tjetër, por mish” (Zan 6, 3). Me këtë gjë Zoti tregon se me ndyrësinë e mishit dhe me njollën e një mëkati shumë të madh, hiri shpirtëror largohet. Kështu Hyji, duke dashur të rivendosë atë që ai vetë e kishte dhënë, bëri që të vijë përmbytja dhe i urdhëroi Noehit, njeriut të drejtë, në hynte në arkë. Pasi u ndërpre përmbytja, dërgoi së pari korbin, e pastaj nisi pëllumbin, i cili, sipas asaj që është shkruar, u kthye me një degëz ulliri. Ti vetë e sheh ujin, e sheh arkën, e vëren pëllumbin, dhe prapë dyshon në mister?

   Uji është ai në të cilin zhytet mishi në mënyrë që të pastrohet çdo mëkat i tij. Në të varroset çdo trup. Druri është ai në të cilin qe varur Zoti Jezus kur pësoi për ne. Pëllumbi është ai në shëmbëllesën e të cilit zbriti Shpirti Shenjt, ashtu siç mësove në Besëlidhjen e vjetër: Shpirti Shenjt që të frymëzon paqe në shpirt dhe qetësi në mendje.

 

   Përgjigjja Dal 33, 22. 20; krh. Gjn 1, 18

 

   C Zoti i tha Moisiut: Kur të kalojë lavdia ime, do të të fus në plasën e shkëmbit e do të të mbroj me të djathtën time derisa të kalojë, * sepse njeriu nuk mund të më shohë mua e të mbetet në jetë.

   D Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet,

   C sepse njeriu nuk mund të më shohë mua e të mbetet në jetë.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti ua tregon dritën e së vërtetës sate atyre që të humbur enden andej e këndej, për t’i kthyer në udhën tënde: bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë të flakin çka i kundërshton këtij emri, e të pranojnë çka i përket. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.