Shërbesa e leximeve

15 korrik, Shën Bonaventura, ipeshkëv dhe mësues i Kishës

 

Përbashkorja për një bari:

 

      Lindi në Banjorexho, në provincën e Viterbos, rreth vitit 1218. Studioi filozofi e teologji në Paris, edhe, pasi mori diplomën doktorale, u dha mësim me sukses në këto disiplina bashkëvëllezërve të Urdhrit të Minorëve. I zgjedhur mbarështues i përgjithshëm i Urdhrit, e kreu këtë detyrë me maturi e mençuri. I bërë pastaj kardinal ipeshkëv i Albanos, vdiq në Lion në vitin 1274. Shkroi shumë vepra me karakter teologjik e filozofik.

 

SHËRBESA E LEXIMEVE

 

Ftesa

 

V. O Zot, hapi buzët e mia!

P. E goja ime do të shpall lavdinë tënde!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Psalmi 95 /94/

 

     Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

      Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

15 korrik, Shën Bonaventura, ipeshkëv dhe mësues i Kishës

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)

 

      Himni

 

      O Krisht, kryetari e princi i barinjve,

      ty me gëzim n’ kremtimin e kësaj feste

      turma tërë shpirt këndon me këngë të shenjta

      lavdet e duhura.

 

      Grushtin e fortë për luftë të plotë ta leu

      Shpirti Shenjt me dhuratën e krizmës,

      dhe të ngarkoi për të kullotur grigjën

      tënde të shenjtë.

 

      Ky qe mësues edhe model i grigjës,

      ish dritë për të verbrit, lehtësim për të mjerin,

      për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si babë

      bëri gjithçka.

 

      O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën

      e merituar, bëj që në jetë të bindur

      të ndjekim mësuesin, e në fund të gëzojmë

      lumninë me shenjtin.

 

      I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm,

      dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret i përshpirtshëm,

      nëpër gjithë botën të ushtojë lavdia

      e Shpirtit Shenjtë. Amen.

 

Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.

 

   Psalmi 89 /88/ (2-38) Mëshira e Zotit ndaj shtëpisë së Davidit

 

   Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin (Vap 13, 23).

 

   I (2-19)

 

Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj, *

   brez pas brezi goja ime

   do të shpallë besnikërinë tënde.

 

Sepse the: »Hiri im qëndron për amshim«, *

   në qiell është e themeluar besnikëria jote!

 

»Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim, *

   i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:

Farën tënde do ta ruaj për amshim, *

   froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.«

 

Qiejt i këndojnë veprat e tua, o Zot, *

   kuvendi i shenjtërve besnikërinë tënde!

E kush ndër re është i barabartë me Zotin? *

   Kush është i ngjashëm ndër zota me Zotin?

 

I tmerrshëm është Hyji në logun e shenjtërve, *

   i madh e i përfrigueshëm mbi të gjithë

   ata që i rrinë përreth.

 

O Zot, Hyji i ushtrive, kush është si ti? *

   I pushtetshëm je, o Zot, e besnikëria të rrethon!

 

Ti zotëron kreninë e detit, *

   ua ul kryet valëve të tërbuara.

Ti e copëtove Rahabin dhe e shqelmove, *

   me krah të fuqishëm armiqtë i shpërndave.

 

Yti është qielli, jotja është Toka, *

   ti e krijove tokën dhe gjithçka ajo përmban.

Veriun e jugun ti i krijove, *

   Tabori e Hermoni i brohoritin Emrit tënd.

 

Krahu yt është plot fuqi, *

   e fortë është dora jote, e lartësuar e djathta jote!

Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd, *

   dashuria dhe e vërteta gjithkund të shkojnë përpara.

Lum ai popull që di të brohorasë, *

   që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!

Përherë do të gëzojë në Emër tënd, *

   e do të mburret në drejtësinë tënde.

 

Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre *

   e me hirin tënd rritet fuqia jonë.

Sepse i Zotit është shqyti ynë, *

   mbreti ynë i Shenjtit të Izraelit!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.

 

Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.

 

   II (20-30)

 

Dikur, në një vegim, fole me miqtë e tu e u the: †

   »Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time, *

   e lartësova një djalosh nga populli.

 

Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, *

   e leva me vajin tim të shenjtë.

Dora ime gjithmonë do të jetë me të, *

   dhe krahu im përherë do ta kërthndez.

 

Armiku askurrë nuk do të ngadhënjejë mbi të, *

   i paudhi nuk do të mund ta ndrydhë.

Unë do t’i thyej para tij armiqtë e tij, *

   do t’i zhbij kundërshtarët e tij.

 

Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të, *

   në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti.

Dorën e tij do ta shtrij mbi det, *

   të djathtën e tij përmbi lumenj.

 

Ai do të më thërrasë: ‘Ati im, *

   Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’,

kurse unë do ta bëj të Parëlindurin tim, *

   më të madhin ndër mbretërit e tokës.

 

Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën, *

   Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej.

Trashëgiminë e tij do ta bëj të amshueshme, *

   fronin e tij porsi ditët e qiellit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.

 

Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: fara jote do të qëndrojë për amshim.

 

   III (31-38)

 

Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim, *

   e në mos ecshin ligjeve të mia,

po nuk zbatuan vendimet e mia, *

   po i shkelën urdhërimet e mia,

 

me thupër do t’i ndëshkoj mëkatet e tyre, *

   me frushkull të rreptë paudhësitë e tyre.

 

Por nuk do ta këpus dashurinë me të *

   as nuk do ta prish besnikërinë time.

Nuk do ta thyej besëlidhjen time *

   as s’do t’i zhbëj premtimet e mia.

 

Një herë u përbetova me shenjtërinë time: *

   ‘Askurrë Davidin nuk do ta lë në rrenë!’

 

Fara e tij do të qëndrojë për amshim, *

   froni i tij para meje si Dielli,

do të qëndrojë për amshim si Hëna, *

   dëshmitare besnike mbi re.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: fara jote do të qëndrojë për amshim.

 

   D Dritë dhe urti për njeriun e thjeshtë

   C është zbulesa e fjalës sate, o Zot.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të parë të Mbretërve 21, 1-21. 27-29

 

   Elia, mbrojtësi i drejtësisë ndaj të varfërve.

 

   Në atë kohë ja se çfarë ndodhi: Naboti prej Jezrahelit kishte një vreshtë në Jezrahel afër pallatit të Akabit, mbretit të Samarisë. Akabi i tha Nabotit: “Ma jep vreshtin tënd, se dua ta bëj kopsht perimesh pasi e kam afër e pranë shtëpisë sime. Unë do të të jap për të një vresht më të mirë ose, në qoftë se ty të pëlqen më tepër, vlerën e tij ta jap në të holla.” Naboti iu përgjigj: “Zoti mos e thëntë që unë të ta jap trashëgimin e të parëve të mi!”

   Akabi u kthye në shtëpinë e vet i zymtë dhe i vranët për shkak të fjalës që ia tha Naboti Jezrahelas: “Nuk do të ta jap trashëgimin e të parëve të mi.” Ra në shtrojën e vet, u kthye me fytyrë nga muri dhe nuk dëgjoi të hajë bukë. Hyri tek ai Jezabela, gruaja e tij, dhe e pyeti: “Pse je prishur kështu? Pse s' afrohesh për të ngrënë bukë?” Ai u përgjigj: “Sepse bisedova me Nabotin Jezrahelas e i thashë: Ma jep vreshtin tënd e merri paratë; ose, nëse ti do, të të jap një vresht tjetër për të. Por ai m'u përgjigj: 'Nuk ta jap vreshtin tim.'“ Atëherë Jezabela, gruaja e tij, i tha: “Hajt, o njeri! Po a s' je ti mbreti i Izraelit? Çohu dhe ha e mos e vra mendjen, sepse unë do të ta jap vreshtin e Nabotit jezrahelas!”

   Jezabela mori e shkroi disa letra në emër të Akabit, i vulosi me unazën e tij dhe ua dërgoi krerëve dhe njerëzve me rëndësi që ishin në qytetin e tij dhe banonin me Nabotin. Në letra ajo shkruante kështu: “Shpallni agjërim dhe caktoni që në krye të vendit në mbledhje të rrijë Naboti. Vini përballë tij dy vetë, njerëz të poshtër, që të dëshmojnë kundër tij e të thonë: 'Ti e ke mallkuar Hyjin dhe mbretin!'; atëherë qiteni jashtë e vriteni me gurë që të vdesë.”

   Qytetarët e Nabotit, pleqtë e krerët e tij, që banonin me të në qytet, bënë sikurse u kishte urdhëruar Jezabela dhe si ishte e shkruar në letrat që u kishte dërguar. Shpallën agjërimin, e vunë Nabotin në krye të mbledhjes, dolën dy njerëz të poshtër, u ulën kundruall tij dhe këta, si njerëz të pashpirt që ishin, bënë dëshmi kundër tij para bashkësisë: “Naboti e ka mallkuar Hyjin dhe mbretin.” Për këtë arsye e nxorën jashtë qytetit dhe e mbytën me gurë. Mandej i çuan lajmin Jezabelës: “Naboti u vra me gurë dhe vdiq.”

   Kur e mori Jezabela lajmin se Naboti ishte vrarë me gurë dhe se kishte vdekur, i tha Akabit: “Çohu e zotëroje vreshtin e Nabotit jezrahelas që nuk deshi ta shiste; Naboti nuk është më gjallë, na e mori të keqen!” Kur e mori vesh Akabi se kishte vdekur Naboti, u çua e zbriti në vreshtin e Nabotit jezrahelas për ta marrë në zotërim.

   Atëherë i qe drejtuar fjala e Zotit Elisë prej Tesbiut. I tha: “Çohu dhe zbrit për t'u takuar me Akabin, mbretin e Izraelit, që është në Samari. Ja, do ta gjesh në vreshtin e Nabotit, ku ka zbritur për ta marrë në zotërim. Fol me të e thuaj: Kështu thotë Zoti: Vrave dhe tani po plaçkit! Mandej shto: Kështu thotë Zoti: Në atë vend ku qentë lëpinë gjakun e Nabotit, do të llapin edhe gjakun tënd!” Akabi i tha Elisë: “A më zure në faj, o armiku im?” Ai iu përgjigj: “Të gjeta, po, sepse je shitur për të bërë të keqen para syve të Zotit. Ja, veçse ende nuk ta kam ngjeshur të keqen mbi ty, sepse do të fshij me të parë e të mbramë të Akabit gjithsa janë meshkuj, të madh e të vogël në Izrael!

   Kur i dëgjoi Akabi këto fjalë, i shqeu petkat e veta, trupin e vet e ngjeshi me grathore, agjëroi, flinte në grathore dhe ecte kokulur. Atëherë fjala e Zotit i qe drejtuar Elisë Tesbit. I tha: “A ke parë se si është përulur Akabi para meje? Pasi e ka përulur vetveten për shkakun tim, nuk do t'ia çoj të keqen sa të jetë gjallë, por familjes se tij do t' ia çoj të keqen gjatë ditëve të birit të tij.”

 

   Përgjigjja Krh. Jak 4, 8. 9. 10; 5, 6

 

   C Pastroni duart, o mëkatarë. Pastroni zemrat, o njerëz dy mendjesh. * Ofshani, vajtoni, bëni gjëmë: Përuluni para Hyjit.

   D E dënuat, e vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshton.

   C Ofshani, vajtoni, bëni gjëmë: Përuluni para Hyjit.

 

      Leximi i dytë

 

      Nga libërthi “Udhëtimi i mendjes drejt Hyjit” i shën Bonaventurës, ipeshkëv

      (Kap. 7, . 2. 4. 6; Opera omnia, 5, 312-313)

 

      Urtia mistike e zbuluar nëpërmjet Shpirtit Shenjt

 

      Krishti është udha dhe dera. Krishti është shkalla dhe mjeti i transportit. Është Pajtimorja e vënë mbi arkën e Hyjit (krh. Dal 26, 34). Është “misteri i mbajtur fshehur që prej amshimit” (Ef 3, 9). Kushdo që i drejtohet këtij pajtuesi me një përkushtim të plotë, dhe e ngulit shikimin e tij mbi kryq, Zoti nëpërmjet të fesë, shpresës, dashurisë, devotshmërisë, soditjes, brohoritjes, respektit, lavdisë dhe gëzimit të zemrës, do të bëjë Pashkën me të, do të thotë kalimin; me drurin e kryqit e kalon Detin e Kuq, duke dalë nga Egjipti për të dalë në shkretëtirë. Këtu e shijon manën e fshehtë, pushon me Krishtin në varr si i vdekur vetëm nga ana e jashtme, por megjithatë e ndjen, për sa është e mundur nga gjendja e tij si udhëtar, atë që në kryq i qe thënë cubit të mirë, i cili ishte aq afër Krishtit në dashuri: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë” (Lk 23, 43).

      Por që ky kalim të jetë i përsosur, është e nevojshme që, duke pezulluar veprimtarinë intelektuale, çdo dashuri e zemrës të shndërrohet tërësisht dhe të shpërngulet në Zotin.

      Ky është një fakt mistik dhe i jashtëzakonshëm, që askush tjetër nuk e njeh, veç atyre që e fitojnë atë. E fiton atë vetëm ai që e dëshiron, e dëshiron vetëm ai që ndizet me zjarrin e Shpirtit Shenjt, që Krishti e solli mbi tokë. Ja pse apostulli pohon se kjo urti mistike është zbuluar nëpërmjet Shpirtit Shenjt.

      Nëse pastaj ke dëshirë të dish si ndodh e gjithë kjo, pyete hirin, jo shkencën, dëshirën e jo mençurinë, psherëtimën e lutjes e jo lakminë e leximit, dhëndrin e jo mësuesin, Hyjin e jo njeriun, mjegullën e jo kthjelltësinë, jo dritën por zjarrin që ndez tërë qenien dhe e zhyt në Hyjin me vajimin e saj të ëmbël dhe me dëshirat më të zjarrta.

      Tani ky zjarr është Zoti dhe kjo furrë gjendet në Jerusalemin e shenjtë; dhe është Krishti që ndizet me nxehtësinë e mundimit të tij të zjarrtë. Mund ta kuptojë vetëm ai që thotë: Shpirti im... (krh. Job 7, 15).

      Kush e dashuron një vdekje të tillë, mund ta shohë Hyjin, sepse është gjithnjë e vërtetë se: “Njeriu nuk mund të më shohë mua e të mbetet në jetë” (Dal 33, 20). Të vdesim pra dhe të hyjmë në këtë mjegull; të bëjmë që të heshtin nxitjet, gjakimet dhe fantazitë. Të kalojmë së bashku me Krishtin e kryqëzuar, “nga kjo botë tek Ati”, sepse, pasi ta kemi parë, të mund të themi së bashku me Filipin “kjo na mjafton” (Gjn 14, 8); të dëgjojmë bashkë me Palin: “Të mjafton hiri im” (2 Kor 12, 9); të gëzohemi së bashku me Davidin, duke thënë: “Ligështuar më janë trupi dhe zemra: ti je Hyji i zemrës sime, pjesa ime, Hyji i amshueshëm” (Ps 73 \72\, 26). “Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, nga shekulli në shekull! Mbarë populli le të thotë: Amen! Amen!” (Ps 106 \105\, 48).

 

      Përgjigjja    Krh. 1 Gjn 3, 24; Sir 1, 9. 10

 

      C Kush i mban urdhërimet e tija, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të. * Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne: me anë të Shpirtit që na e ka dhënë.

      D Zoti e krijoi urtinë, e zbrazi mbi të gjitha veprat e veta dhe ua shpërndau atyre që e duan.

      C Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne: me anë të Shpirtit që na e ka dhënë.

 

      Lutja

 

      O Hyj i gjithëpushtetshëm, na shiko me mirësi ne që po kremtojmë ditëlindjen për në qiell të shën Bonaventurës ipeshkëv e, bëj të përfitojmë nga mësimi i tij i shquar e nga dashuria e tij e flaktë. Nëpër Zotin.

 

     Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.