Shërbesa e leximeve

Java e pesëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E enjte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Nata e zezë mbulon ngjyrat

   e çdo sendi të tokës:

   duke u rrëfyer të lypim,

   gjyqtar i drejtë i zemrave,

 

   që të na shlyesh fajet

   të na lash ndyrësinë e mendjes,

   e të japësh, o Krisht, hirin

   e të na shporren krimet.

 

   Nga prapësitë mpihet mendja,

   që e bren faji i dëmshëm;

   lakmon të çrrënjosë t’errtat,

   të kërkojë ty, Shëlbues.

 

   Dëbo tymin e mjegullën

   nga brenda sa më tepër,

   të gëzohet duke u vendosur

   në dritën e uruar.

 

   Ty, o Krisht, mbret gjithë i shenjtë,

   dhe Atit i qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   në shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Krisht, jepu shenjën, lutemi

   shërbëtorëve të tu që luten,

   kjo mbrapshti e shekullit

   të mos na robërojë fenë.

 

   Të mos mendojmë pa mëshirë,

   të mos kemi smirë askënd,

   të fyer të mos marrim hak,

   me të mirë ta mundim të keqen.

 

   Qoftë larg nga zemrat tona

   mëri, mashtrim, kreni;

   të marrë fund koprracia,

   rrënja e gjithë të këqijave.

 

   Të ruajë lidhjet e paqes

   dashuria pa mashtrime;

   pa njolla qoftë pastria

   që vuan nga mizoria.

 

   Ty, o Krisht, mbret tërë i shenjtë,

   dhe Atit i qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   në shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Shikoje, o Zot, përvujtërimin e popullit tënd.

 

   Psalmi 89 /88/ (39-53) Ankimi mbi gërmadhat e shtëpisë së Davidit

 

   E ngriti Shpëtimtarin tonë në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet (Lk 1, 69).

 

   IV (39-46)

 

Por tani e flake dhe e përbuze, *

   u zemërove kundër të shuguruarit tënd.

E prishe Besëlidhjen me shërbëtorin tënd, *

   në llom e hodhe kezën e tij.

 

I rrënove të tërë muret e tij, *

   rrënoja të frikshme kështjellat e tij.

Pre po e bëjnë gjithsa udhës kalojnë, *

   për të gjithë fqinjët u bë i neveritshëm.

 

E lartësove të djathtën e armiqve të tij, *

   i gëzove të gjithë armiqtë e tij.

Tykë ia bëre tehun e shpatës së tij, *

   e nuk deshe në luftë t’i jepje ndihmë.

 

I dhe fund shkëlqimit të tij, *

   e përdhe fronin ia rrëzove.

Ia shkurtove ditët e rinisë, *

   e mbulove me poshtërim e turp.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Shikoje, o Zot, përvujtërimin e popullit tënd.

 

Ant. 2 Krishti është filizi i rrënjës së Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit.

 

   V (47-53)

 

Po deri kur, o Zot, do të fshihesh kështu, *

   flakë do të ndizet hidhërimi yt?

 

Të të bjerë në mend sa e shkurtër është jeta ime! *

   Vallë, thua kot i krijove njerëzit?

 

Kush i gjallë vdekjen s’do ta shohë, *

   prej Nëntokës kush do të shpëtojë jetën?

Ku janë, Zot, mëshirat e dikurshme të tuat *

   që me be ia premtove Davidit?

 

Të shërbëtorëve të tu, Zot, kujto çnderimin; *

   në zemër e mbaj poshtërimin e paganëve,

që na bënë armiqtë e tu, o Zot, *

   çnderojnë gjurmët e të shuguruarit tënd.

 

Qoftë bekuar Zoti për amshim. *

   Amen! Amen!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Krishti është filizi i rrënjës e Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit.

 

Ant. 3 Ditët tona kalojnë si bari: por ti, o Zot, je përgjithmonë.

 

   Psalmi 90 /89/ (1-17) Mirësia e Zotit qoftë mbi ne

 

   Te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme (2 Pjt 3, 8).

 

O Zot, ti u bëre strehimi ynë *

   nga breznia në brezni.

 

Para se të lindnin malet, †

   para se të bëhej toka dhe rruzulli, *

   prej amshimit të amshimit ti je Hyj!

 

Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: *

   »Kthehuni, bijtë e Adamit!«

 

Sepse mijëra vjet për sy të tu †

   janë si dita e djeshme që kaloi, *

   porsi ndërresa e rojës së natës!

 

Ti i zhbin në ngjasim të gjumit *

   që në mëngjes kalon si bari;

lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, *

   në mbrëmje korret edhe vyshket!

 

Sepse na shkatërroi felgrimi yt, *

   na tmerroi furia e zemërimit tënd.

Para vetes i vure fajet tona, *

   të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.

 

Ditët na shkuan në hidhërimin tënd, *

   si një ofshamë mbaruan vitet tona.

 

Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, *

   po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,

por shumica me mundim e dhembje, *

   kalojnë shpejt e ne prej këndej fluturojmë.

 

Kush ia di fuqinë zemërimit tënd, *

   felgrimin tënd siç e lyp frika jote?

 

Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona *

   që zemra jonë dijen ta mbërrijë.

 

Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? *

   Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

Na e diko në mëngjes mëshirën tënde *

   e do të gëzohemi e do të galdojmë

   të gjitha ditët e jetës sonë.

 

Gëzona për ditët që na mundove, *

   për vjetët që i kaluam në mjerim.

Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu, *

   shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!

 

Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, †

   bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, *

   të përparojë vepra e duarve tona.

 

Ant. 3 Ditët tona kalojnë si bari: por ti, o Zot, je përgjithmonë.

 

   D Në ty, o Zot, është burimi i jetës;

   C në dritën tënde ne e shohim dritën.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të parë të Mbretërve 22, 1-9. 15-23. 29. 34-38

 

   Plani i Hyjit shfaqet mbi Akabin.

 

   Kaluan tre vjet pa luftë ndërmjet Sirisë e Izraelit. Të tretin vit zbriti Jozafati, mbreti i Judës, te mbreti i Izraelit. Mbreti i Izraelit u tha shërbëtorëve të vet: “A nuk e dini se Ramoti i Galaadit është yni? E ne nuk bëmë asgjë për ta marrë prej dorës së mbretit të Sirisë.” Atëherë i tha Jozafatit: “A do të vish me mua për të luftuar në Ramotin e Galaadit?” Jozafati iu përgjigj mbretit të Izraelit: “Ç'do të ndodhë me mua, do të ndodhë me ty: populli im e populli yt janë një, kuajt e mi janë kuajt e tu!”

   Jozafati i tha mbretit të Izraelit: “Kërkoje mu sot fjalën e Zotit!”

   Prandaj edhe i bashkoi mbreti i Izraelit profetët, rreth katërqind, e u tha: “A mund të shkoj të bëj luftë në Ramotin e Galaadit, apo të mos shkoj?” Ata iu përgjigjën: “Shko! Zoti e lëshon në dorën e mbretit!” Por Jozafati pyeti: “A mos ka këtu edhe ndonjë profet tjetër të Zotit që ta pyesim?” Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: “Është vetëm edhe një njeri, me anën e të cilit do të mund ta pyesnim Zotin, por unë atë nuk e duroj, sepse ai nuk më parakallëzon të mirën, por të keqen: është Mikeja, biri i Jemlës.” E Jozafati i tha: “Mos fol ashtu, o mbret!” Kështu, pra, mbreti i Izraelit thirri një nëpunës e i tha: “Shpejto e bjere këtu Mikenë, birin e Jemlës.”

   Erdhi, pra, te mbreti e mbreti i tha: “Mikè, a të shkojmë, a të mos shkojmë në Ramotin e Galaadit për të luftuar?” Ai iu përgjigj: “Shko e t'u priftë e mbara! Zoti do ta lëshojë në dorë të mbretit!” Porse mbreti i tha: “Prapë e prapë po të përbej të mos më flasësh tjetër përveç së vërtetës në emër të Zotit.”

   Atëherë ai i tha:

   “Po e shoh mbarë Izraelin të shpërndarë nëpër male porsi delet që s'kanë bari.

   E Zoti thotë: 'Këta njerëz nuk kanë prijës; secili le të kthehet në paqe në shtëpinë e vet!'“

   Prandaj edhe mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: “A nuk të thashë se ky nuk ma parakallëzon të mirën, por gjithmonë të keqen?”

   Mikeja shtoi: “Për këtë arsye dëgjo fjalën e Zotit: E kam parë Zotin ndenjur mbi fronin e vet dhe mbarë ushtria qiellore qëndronte në këmbë në të djathtë e në të majtë të tij. E Zoti foli: 'Kush do ta ngashënjejë Akabin që të shkojë e të mbesë i vrarë në Ramotin e Galaadit?' Dikush fliste në një mënyrë e dikush në një tjetër. Atëherë hyri një shpirt, qëndroi para Zotit e tha: 'Unë do ta gënjej!' E Zoti e pyeti: 'Në ç'mënyrë?' Ai tha: 'Do të shkoj e do të bëhem shpirt rrenacak në gojën e të gjithë profetëve të tij.' E Zoti i tha: 'Do ta gënjesh e do t'ia dalësh! Shko e bëj ashtu!'

   Kështu, pra, Zoti e ka futur shpirtin rrenacak në gojën e të gjithë këtyre profetëve të tu, që janë këtu; por Zoti lidhur me ty lajmëron kob.”

   Shkuan, pra, mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbreti i Judës, në Ramotin e Galaadit.

   Një njeri e tendosi harkun dhe pa shënuar e lëshoi shigjetën dhe i ra mbretit të Izraelit ndërmjet brezit e pancirit. Ai atëherë i tha karrocëtarit të vet: “Kthehu e më nxirr nga lufta se jam i plagosur rëndë.” Atë ditë lufta u ashpërsua shumë; megjithatë mbreti qëndronte në këmbë në karrocën e tij ballë për ballë me sirianët. Vdiq në mbrëmje. Prej plagës gjaku i ishte derdhur në karrocë. Në perëndimin e diellit nëpër mbarë ushtrinë u hap zëri: “Secili le të kthehet në qytetin e vet e në vendin e vet!”

   Mbreti, pra, vdiq dhe qe bartur në Samari. Mbretin e varrosën në Samari. Karrocën e tij e lanë në peshkoren e Samarisë dhe qentë e llapën gjakun e tij, po edhe laviret u lanë sipas fjalës së Zotit, që e kishte pasë thënë.

 

   Përgjigjja Krh. Jer 29, 8. 9. 11; Lp 18, 18

 

   C Mos lejoni t’ju bëjnë të gaboni profetët që janë në mesin tuaj, sepse ata parakallëzojnë rrena në emër tim. * Unë e di mirë synimin që e kam me ju, thotë Zoti.

   D Do të ngre ndër ta, prej vëllezërve të tyre, një profet të ngjashëm me ty.

   C Unë e di mirë synimin që e kam me ju, thotë Zoti.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga traktati “Mbi misteret” i shën Ambrozit, ipeshkëv

   (Nr. 29-30. 34-35. 37. 42; SC 25 bis, 172-178)

 

   Katekeza mbi ritet pas-pagëzimore.

 

   Pasi dole prej burimit pagëzimor, ti u ngjite tek meshtari. Mendo pak për çka që kanë ndodhur pastaj. A thua nuk ndodhi pikërisht ajo që tha Davidi: është si vaji më i miri në krye, që zbret në mjekër, në mjekrën e Aronit? (krh. Ps 133 /132/, 2). Edhe Salomoni ndërsa po lyhej me të tha: “Ti vetë je më e mira erë, ja përse vajzuket të duan!” (Kk 1, 3) dhe të kanë tërhequr kah vetja. Sa shpirtra të përtërirë të kanë dashur sot, o Zot Jezus, dhe kanë thënë: Na tërhiq pas vetes! Të vrapojmë pas aromës së veshjes sate (krh. Kk 1, 4). Ata dëshironin ta dëgjonin aromën e ringjalljes së Zotit. Mundohu të kuptosh se si ndodh kjo sepse “i urti i ka sytë në ballë” (Ksh 2, 14). Për këtë arsye zbret në mjekër që ti të kesh hirin e rinisë, dhe mbi mjekrën e Aronit, që ti të bëhesh “fis i zgjedhur”, priftëror, i çmueshëm (krh. 1 Pjt 2, 9). Dhe vërtet, ne të gjithë jemi bashkuar me hirin shpirtëror për të formuar mbretërinë e Hyjit dhe priftërinë e tij.

   Në vijim ti ke marrë petkun e bardhë si shenjë se je zhveshur prej veshjes së mëkatit dhe je veshur me petkat e dëlira të pafajësisë për të cilat profeti thotë: “Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, më laj e do të bëhem më i bardhë se bora” (Ps 51 /50/, 9). Dhe vërtet, ai që është pagëzuar, duket i pastër, sipas ligjit dhe sipas ungjillit. Sipas ligjit, sepse Moisiu e spërkaste gjakun e qengjit me një tufëz hisopi. Sipas ungjillit, sepse vetë ungjilli thotë se ndërsa Krishti po e shfaqte lavdinë e ringjalljes së tij, rrobat e tija ishin të bardha si bora. Ai të cilit i falet mëkati bëhet “më i bardhë se bora”. Kështu thotë Zoti nëpërmjet Isaisë: “Edhe në qofshin mëkatet tuaja kuq si gjaku, do të bëhen bardhë si bora” (Is 1, 18).

   Kisha, me këto petka që i ka veshur “me anë të larjes së rilindjes” (Tt 3, 5) thotë me fjalët e Këngës së këngëve: “Jam e zeshkët, porse e bukur, o bijat e Jerusalemit” (Kk 1, 5). E zeshkët për shkak të dobësisë së gjendjes njerëzore, ndërsa e bukur për shkak të hirit. E zeshkët sepse e formuar prej mëkatarëve, e bukur për shkak të sakramentit të fesë. Duke i parë këto petka, bijat e Jerusalemit klithën të mrekulluara: Kush është ajo që po ngjitet krejt e veshur me të bardha? Ishte e zeshkët, e si atëherë u bë papritmas krejt e bardhë?

   Krishti duke parë të veshur me të bardha Kishën e tij – për të cilën ai, ashtu sikurse lexon në librin e Zakarisë profet, kishte veshur petkat e tij të ndyta (krh. Zak 3, 3) – apo duke parë shpirtin e pastruar dhe të larë në enën larëse të rilindjes, thotë: “Sa e bukur je, mikesha ime, sa e hijshme: sytë e tu sy pëllumbeshe” (Kk 4, 1). Dhe në shëmbëllesën e pëllumbit Shpirti Shenjt zbriti prej qiellit.

   Le të të bjerë pra ndër mend se ti e ke marrë mbi vete vulën shpirtërore: “Shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit” (Is 11, 2), dhe ruaje atë që e ke marrë. Hyji Atë të ka shënuar me një shenjë, Krishti Zot të ka përforcuar dhe, ashtu sikurse e ke kuptuar nga leximi i apostullit, na e dha në zemrat tona pengun – Shpirtin Shenjt. (krh. 2 Kro 1, 22).

 

   Përgjigjja Ef 1, 13-14; 2 Kor 1, 21-22

 

   C Ju që besuat në Të, u vulosët me Shpirtin Shenjt, të Premtuarin, që është pengu i trashëgimit tonë: * për shpërblimin e plotë të atyre që u bënë pronë e Hyjit.

   D Hyji vetë na shuguron me vaj të shenjtë; na vulosi dhe na e dha në zemrat tona pengun, Shpirtin Shenjt,

   C për shpërblimin e plotë të atyre që u bënë pronë e Hyjit.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti ua tregon dritën e së vërtetës sate atyre që të humbur enden andej e këndej, për t’i kthyer në udhën tënde: bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë të flakin çka i kundërshton këtij emri, e të pranojnë çka i përket. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.