Shërbesa e leximeve

Java e pesëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E premte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Ti, Njëni e Trinisë,

   që me pushtet sundon gjithë botën,

   mbaj vesh këngët e lavdeve

   që këndojmë në përgjime.

 

   Pse ne nga shtrati ngrihemi

   në kohë të qetë të natës,

   nga ti me ngulm të lypim

   shërimin e të gjitha plagëve.

 

   Ku gjithçka që gabuam

   ndër net nga gënjeshtra e djajve,

   atë e shleftë nga qielli

   pushteti i lavdisë sate.

 

   Me besë të shpirtit të lusim,

   na mbush me dritën tënde,

   për çka në rrjedhë të ditëve

   të mos ngelim pa asnjë vepër.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues për të gjithë shekujt. Amen..

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Krisht, gjendu pranë zemrave,

   dashuri e lartë e të shpërblyerve,

   diko ndër zërat tonë

   vajtim të zjarrtë, të lutemi.

 

   Ty, Jezus, krejt i shenjti,

   me fe t’i drejtojmë lutjet,

   shlyej, o Krisht, me vepra,

   të keqen që bëjmë, të lutemi.

 

   Me shenjë të Kryqit tënd,

   me trupin tënd hyjnor

   na mbro ne si bij

   të gjithë, kudo, Ty të lusim.

 

   O Krisht, mbret i tërë shenjti,

   Ty e Atit ju qoftë lavdia

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim.

 

   Psalmi 69 /68/ (2-22. 30-37) Më përpin zelli për shtëpinë tënde, o Zot

 

   I dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth (Mt 27, 34).

 

   I (2-13)

 

Më shpëto, o Hyj, *

   sepse ujët më arriti deri në fyt!

 

Jam ngulur thellë në baltë, *

   s’kam ku ta vë këmbën time në të fortë:

kam rënë në pellgun e ujërave *

   e valët po më mbulojnë.

 

U këputa duke lëshuar kushtrim, †

   m’u tha krejtësisht gurmazi, *

   m’u mor drita e syve duke pritur Hyjin tim.

 

Më shumë se flokët e kresë sime *

   janë ata që më urrejnë pa të drejtë.

U forcuan ata që më salvuan,

   armiqtë e mi rrenacakë: *

   çka nuk vodha më duhej të ktheja?

 

O Hyj, ti e njeh marrëzinë time, *

   fajet e mia nuk janë të fshehura para teje.

 

Mos lejo të skuqen në mua *

   ata që shpresojnë në ty, o Zot, Zoti i ushtrive,

mos lejo të turpërohen në mua *

   ata që të kërkojnë ty, Hyji i Izraelit!

 

Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin, *

   marrja ma mbuloi fytyrën,

u bëra i huaj për vëllezërit e mi, *

   i panjohur për bijtë e nënës sime.

 

Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, *

   përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.

E ndëshkova veten me agjërim, *

   por kjo m’u kthye në çnderim;

 

për petk vesha grathoren, *

   përrallë e lodër u bëra për ta.

Kundër meje flasin ata që rrinë në derë, *

   pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim.

 

Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.

 

   II (14-22)

 

E pra, unë ty të lutem, o Zot, *

   në kohën e përshtatshme, o Hyj,

më vështro pashë dashurinë tënde, *

   pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!

 

Më nxirr nga lymi të mos humbas, †

   më shpëto prej atyre që më urrejnë, *

   prej ujërave të thella!

 

Mos lejo të më mbulojnë valët e ujërave, †

   mos lejo të më përpijë thellësia, *

   të mos e mbyllë pusi gojën e vet mbi mua!

 

Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt, *

   shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe,

 

mos e fsheh fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, *

   sepse jam tepër ngushtë, më shpëto pa vonesë!

Afroju shpirtit tim e shpaguaje atë *

   për shkak të armiqve të mi, më shpërble.

 

Ti e sheh çnderimin tim, †

   marrjen time e »nderimin« tim: *

   para teje janë të gjithë ata që më salvojnë.

 

Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, †

   prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, *

   ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.

 

Në ushqim më qitën vrer *

   e në etje më dhanë të pi uthull.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.

 

Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.

 

   III (30-37)

 

Mua të mjerin e të pikëlluarin: *

   më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt!

 

Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, *

   do ta lartësoj me këngë falënderjeje.

Kjo i pëlqen Zotit më tepër se mëzati, *

   më tepër se demi me brirë e me thundra!

 

Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen; *

   kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.

Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, *

   s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.

 

Le ta lavdërojnë qielli e toka, *

   detet dhe gjithçka lëviz në to.

 

Sepse Hyji do ta shpëtojë Sionin, †

   Ai do t’i rindërtojë qytetet e Judës, *

   aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.

 

Fara e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojë, *

   në të do të ngulë kush e do Emrin e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.

 

   D Zoti na i mësoftë udhët e veta:

   C dhe ne do t’i ndjekim shtigjet e tija.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të dytë të Kronikave 20, 1-9. 13-24

 

   Ndihma e madhe dhënë Jozafatit, mbretit besnik.

 

   Në ato ditë bijtë e Moabit, bijtë e Amonit e me ta edhe maonitët, u bashkuan për të luftuar kundër Jozafatit. Erdhën disa lajmëtarë dhe e njoftuan Jozafatin kështu: “Po vjen kundër teje një shumicë e madhe prej vendeve që janë përtej detit: prej Edomit dhe ja, arritën në Asasonta‑mar, d.m.th. në Engadi.”

   Ndërkaq Jozafati i tronditur nga frika, u përqendrua krejtësisht në lutje Zotit dhe urdhëroi të agjërojë mbarë Juda. Të gjithë judenjtë u bashkuan për t'iu lutur Zotit. Erdhën nga të gjitha qytetet për t'iu lutur Zotit.

   Atëherë Jozafati u ngrit në këmbë para tubimit të Judës në Jerusalem, në Shtëpinë e Zotit, para tremes dhe tha:

   “O Zot, Hyji i etërve tanë! Ti je Hyji qiellor, ti zotëron me të gjitha mbretëritë e kombeve! Në dorën tënde është fuqia dhe pushteti! Askush s'mundet të të bëjë ballë ty! A s'qe ti, Hyji ynë, ai që i shrrënjosi banorët e këtij vendi para popullit tënd, Izraelit, e ia dhurove farës së Abrahamit, mikut tënd të përhershëm? Ata banuan në të dhe në të e ndërtuan në nder të Emrit tënd Shenjtëroren e u lutën: 'Nëse sulen kundër nesh të këqijat: shpata hakmarrëse, murtaja ose uria, do të qëndrojmë para kësaj Shtëpie, në praninë tënde ‑ sepse Emri yt banon në këtë Shtëpi ‑ dhe në vështirësitë tona do të kërkojmë ndihma prej teje e ti do të na dëgjosh e do të na shpëtosh!'

   Të gjithë judenjtë me foshnja, gra e fëmijë të vet qëndronin në këmbë para Zotit. Atëherë, midis kuvendit të dheut, shpirti i Zotit e pushtoi Jahazielin, birin e Zakarisë, të birit të Banajës, të birit të Jehielit, të birit të Matanisë, një Levit prej bijve të Asafit. Ky tha: “Më dëgjoni të gjithë, o judenj edhe ju banorë të Jerusalemit dhe ti, mbreti Jozafat! Kështu ju urdhëron Zoti: Mos u trembni as mos ia kini frikën kësaj morie të madhe, s'do të luftoni ju, por Hyji! Nesër zbritni kundër tyre! Ata do të ngjiten përpjetës që quhet Sis. Do t'i gjeni në krye të përroit të thatë, që është përballë shkretëtirës Jeruel. S'do të jeni ju ata që do të luftoni; ju vetëm qëndroni në këmbë dhe do ta shihni ndihmën e Zotit mbi ju, o judenj e jerusalemas! Mos u trembni as mos kini frikë! Nesër dilni ballë për ballë kundër tyre dhe Zoti do të jetë me ju!”

   Atëherë Jozofati ra me fytyrë për dhe si dhe të gjithë judenjtë e jerusalemasit ranë me fytyrë për dhe para Zotit dhe e adhuruan. Ndërkaq levitët ‑ bijtë e Kaatit dhe bijtë e Koreut ‑ u ngritën ta lavdëronin Zotin, Hyjin e Izraelit, me zë të lartë.

   Të nesërmen u çuan herët e dolën në shkretëtirën Tekue. Ndërsa po niseshin, midis tyre zuri vend në këmbë Jozafati e tha: “Më dëgjoni judenj e banorë të Jerusalemit! Besoni në Zotin, Hyjin tuaj, e do t'i përballoni, besojuni profetëve të tij dhe gjithçka do t'ju prijë për së mbari!” U këshillua me popullin dhe i caktoi këngëtarët e Zotit që, të veshur me petka të shenjtëruara, të ecnin përpara ushtrisë për ta lavdëruar Zotin e të thonë me zë të përkueshëm: 'Lëvdojeni Zotin, sepse e amshueshme është dashuria e tij!'

   Posa filluan të këndojnë lavde, Zoti i solli pritat e tyre kundër Amonit, Moabit e malësisë së Seirit, që kishin dalë të luftojnë kundër Judës dhe i goditi. Bijtë e Amonit dhe bijtë e Moabit u ngritën kundër banorëve të malësisë së Seirit për t'i zhbirë e shfarosur. Pasi i sosën ata, zunë ta sulmojnë njëri‑tjetrin dhe ta vrasin shoqishojn.

   Kur judenjtë dolën në majë të kodrës nga shihej shkretëtira, panë gjithkund mbarë ledinën të mbuluar me kufoma dhe se s'kishte mundur asnjë t'i shpëtojë vdekjes.

 

   Përgjigjja Krh. Ef 6, 12. 14; 2 Kro 20, 17

 

   C Nuk kemi luftë vetëm kundër njeriut, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër shpirtrave të këqij. * Në këmbë, pra! Ngjeshni ijët me të vërtetën.

   D Ju vetëm qëndroni në këmbë dhe do ta shihni ndihmën e Zotit mbi ju.

   C Në këmbë, pra! Ngjeshni ijët me të vërtetën.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga traktati “Mbi misteret” i shën Ambrozit, ipeshkëv

   (Nr. 43, 47. 49; SC 25 bis, 178-180. 182)

 

   Mbi Eukaristinë drejtuar posa të pagëzuarve.

 

   Kështu e larë dhe e pasur me një veshje të tillë, aradhja e të posa pagëzuarve afrohet pranë lterit të Krishtit duke thënë: “Do të hyj te lteri i Hyjit, tek Hyji i gëzimit të galdimit tim” (Ps 43 /42/, 4). Dhe vërtet, e hoqi veshjen e gabimit të vjetër, dhe e ripërtërirë në rini të shqiponjës, shpejtohet për të arritur tek ajo gosti qiellore. Vjen pra, dhe duke parë lterin e shenjtë të stolisur, klith: “Ti ma shtron tryezën përpara” (Ps 23 /22/, 5). Davidi bën që në këtë mënyrë të flasë çdonjëri prej posa të pagëzuarve: “Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon. Më mballon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta”. Dhe në vijim: “Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua: thupra jote dhe kërraba për mua janë ngushëllim. Ti ma shtron tryezën përpara ndër sy të armiqve të mi, me vaj erëmirë kryet ma lyen, gotën ma mbush plot e përplot” (Ps 23 /22/, 1-5). Është gjë e mrekullueshme që Hyji bëri të bjerë prej qiellit mana për etërit në mënyrë që të ushqeheshin me një ushqim të përditshëm që kishte zbritur prej qiellit. Për këtë arsye edhe qe thënë: “Njeriu hëngri bukë engjëjsh” (Ps 78 /77/, 25). Porse ata që e hëngrën atë bukë “vdiqën të gjithë”në shkretëtirë; kurse ky ushqim që ti po e merr tani, kjo “bukë e gjallë që zbriti prej qiellit” (Gjn 6, 51) e pajis mbajtjen e jetës së amshuar, dhe kushdo që ta ketë ngrënë, “nuk do të vdesë kurrë” (Gjn 11, 26) sepse është korpi i Krishtit.

   Tash mundohu të kuptosh a ishte më e mirë buka e engjëjve e që e hëngrën hebrenjtë në shkretëtirë, apo mishi i Krishtit, i cili pa dyshim është një trup që jep jetë. Ajo manë zbriste prej qiellit, ndërsa ky trup qëndron përmbi qiejt. Ajo ishte prej qiellit, kjo është e Zotëruesit të qiejve. Ajo, po të ruhej për ditën e nesërme, do të prishej. Ky nuk mund të shkatërrohet assesi. Kushdo që ta shijojë me nderim të thellë dhe të shenjtë nuk do t’i nënshtrohet kurrë shkatërrimit. Për hebrenj buroi uji prej qetës, ndërsa për ty gjaku i Krishtit. Uji ua shuajti etjen atyre për një çast, ndërsa ty, gjaku të pastron përgjithmonë. Judeu pi dhe ka prapë etje, ti kur të kesh pirë, nuk do të mund të kesh më kurrë etje. Ajo ndodhi ishte shëmbëllesë, kjo është realitet.

   Nëse ajo që ti sodit është hije, atëherë sa i madh është realiteti i tanishëm, hijen e të cilit ti po e sodit! Dëgjo se si është hije ajo që ndodhi me etërit: “Të gjithë pinë”, thotë, “të njëjtën pije shpirtërore: pinin nga qeta shpirtërore që i përcillte: qeta ishte Krishti. Por shumica nuk i pëlqeu Hyjit, mbasi qenë vrarë në shkreti. Të gjitha këto ndodhën si shembull për ne” (1 Kor 10, 4-6). Ti e njohe atë që vlen më shumë: është më e mirë drita se sa hija, është më e mirë e vërteta se sa shëmbëllesa, është më i mirë trupi i Shëlbuesit se sa mana e qiellit.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Kor 10, 1-2. 11. 3-4

 

   C Etërit tanë të gjithë qenë nën re, të gjithë kaluan nëpër det dhe të gjithë qenë pagëzuar në Moisiun me re e me det. * Të gjitha këto u ndodhën atyre që të shërbejnë si shembull.

   D Të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror, dhe të gjithë pinë të njëjtën pije shpirtërore.

   C Të gjitha këto u ndodhën atyre që të shërbejnë si shembull.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti ua tregon dritën e së vërtetës sate atyre që të humbur enden andej e këndej, për t’i kthyer në udhën tënde: bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë të flakin çka i kundërshton këtij emri, e të pranojnë çka i përket. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.