Shërbesa e leximeve

Java e pesëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Hy i mëshirës s’epër

   krijuesi i makinës së botës,

   një i vetëm me pushtet,

   tri veta në persona,

 

   prano me këngë të përshpirtshme

   mirësisht vajtimet tona,

   në mjerim me zemër të pastër

   të gëzojmë ty më tepër.

 

   Me zjarr të hijshëm dashurie

   ti na i ngroh mirë këllqet

   që të jenë gjithnjë të përveshur

   dhe gati n’ardhjet e tua.

 

   Që, disa orë të netëve

   ne tash me këngë i thyejmë,

   me dhunti t’atmes shenjte

   gjerësisht të gjithë të pasurohemi.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues në gjithë shekujt. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Autori i lavdisë së përjetshme,

   që besimtarëve Shpirtin

   u jep me hir shtatë formash,

   i butë qëndroju pranë të gjithëve.

 

   Dëbo sëmundjet prej trupave,

   hiqja pengesat mendjes,

   dërrmo fuqitë e krimeve,

   largo dhembjet e zemrave.

 

   Bëji mendjet të kthjellta

   kryeje veprën e ndershme,

   prano lutjet e lutësve,

   jepu jetën e amshuar.

 

   Në rrjedhat e shtatë ditëve

   tash çdo kohë shtjellohet,

   e teta ajo e fundit,

   do të jetë dita e gjyqit.

 

   Në të cilën Shëlbues, të lutemi,

   mos na padit me mllef,

   por na liro nga e majta,

   vendosna në të djathtën.

 

   Që kur shpirtmirë Ti lutjet

   t’ia pranosh turmës tënde,

   të gjithë lavdi t’i thurim

   për amshim Trinisë Shenjte. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për dashurinë e tij: për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve.

 

   Psalmi 107 /106/ Falënderim për lirim

 

   Kjo është Fjala që Hyji u dërgoi izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve (Vap 10, 36).

 

   I (1-16)

 

Lavdërojeni Zotin sepse është i mirë, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij.

Le të thonë të shpërblyerit prej Zotit, *

   që i çliroi nga kthetrat e armikut

 

dhe i bashkoi nga vendet e ndryshme †

   nga ku lind dielli e ku perëndon, *

   nga veriu e nga ana e detit.

 

U endën në shkretëtirë, në vend të thatë, *

   nuk e gjetën udhën drejt qytetit të banimit.

 

Të uritur e të etur *

   shpirti i tyre ishte mekur në ta!

 

Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *

   dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.

 

Ai i qiti në udhën e drejtë *

   që të shkonin në qytetin e banimit.

 

Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, *

   për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve,

 

që ngiu shpirtin e të eturit, *

   e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.

 

Banonin në errësirë e në hijen e vdekjes, *

   të lidhur në mjerim edhe në pranga,

sepse kishin kundërshtuar urdhrin e Hyjit *

   dhe kishin përbuzur këshillën e të Tejetlartit.

 

Prandaj zemrën ua mposhti me vuajtje, *

   rrëzoheshin e s’kishte kush t’u ndihmonte.

 

Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *

   dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.

 

I nxori nga errësira dhe nga hija e vdekjes *

   e i këputi zinxhirët e tyre.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *

   për mrekullitë e tij ndaj bijve të njerëzve,

 

sepse i theu dyert e bronzta *

   dhe i këputi shulat e hekurt.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për dashurinë e tij: për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve.

 

Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua, mrekullitë që ti bëre për ne.

 

   II (17-32)

 

Të marrë për shkak të jetës së paudhë, *

   të mjeruar pse ndoqën udhën e mëkatit,

shpirtit të tyre iu neverit çdo ushqim, *

   arritën në dyert e vdekjes.

 

Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *

   Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

 

E dërgoi fjalën e vet dhe i shëroi, *

   i shpëtoi nga gropa e varrit.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të mëshirës të tij, *

   për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve,

 

le t’i flijojnë flinë e lavdit, *

   me hare le t’i shpallin veprat e tij!

 

Ata që me anije lundruan deteve *

   që nëpër ujëra të mëdha të bënin tregti,

ata i panë veprat e Zotit, *

   mrekullitë e tij në thellësitë e detit.

Ai urdhëroi dhe u ngrit era e stuhisë, *

   lart u ngritën valët e stuhishme.

 

Ngrihen deri në qiell, †

   zbresin deri në pështjerrë: *

   shpirti i tyre mekej prej së keqes.

 

Çohu e rrëzohu si të ishin të dehur, *

   asgjë s’u ndihmonte mjeshtëria e tyre.

 

Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *

   Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

 

Stuhinë e shndërroi në puhi *

   e valët e detit e shuan gjëmën e vet.

Iu gëzuan qetësimit të valëve, *

   ai i qiti në portin e dëshiruar.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *

   për mrekullitë e tij ndaj bijve të njerëzve,

 

le ta madhërojnë në kuvendin e popullit, *

   le ta lavdërojnë në kuvendin e pleqve.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua, mrekullitë që ti bëre për ne.

 

Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit, le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.

 

   III (33-43)

 

Ai i shndërroi lumenjtë në shkretëtirë, *

   në vende të thata burimet e ujërave,

tokën e pëlleshme në këneta *

   për shkak të veprave të këqija të banorëve.

 

Shndërroi shkretëtirën në liqen me ujëra, *

   tokën e thatë e begatoi me burime të gjalla.

Aty i vendosi njerëzit e munduar nga uria, *

   dhe themeluan qytetin e banimit.

 

Mbollën arat e vunë vreshtat *

   dhe u prodhuan fruta me shumicë.

Zoti i bekoi e ata u shumuan fort, *

   as grigjat e tyre nuk u pakuan.

 

Mandej qenë dhjetuar e munduar *

   nga vuajtjet edhe nga dhembjet.

Ai që e shfryn përbuzjen mbi princa, *

   i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë.

 

I shpëtoi skamnorët nga mjerimi *

   dhe i shumoi si grigjat familjet.

 

Shohin të drejtët e le të gëzohen, *

   kurse mbrapshtia le ta mbyllë gojën e vet.

Kush është i mençur le t’i kujtojë këto, *

   do ta shohë mirësinë e Zotit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit, le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.

 

   D Besnikëria jote, o Zot, është deri në re,

   C gjyqi yt, sikurse humnera e pafund.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të dytë të Mbretërve 2, 1-15

 

   Elia merret në qiell.

 

   Në ato ditë Zoti e ngriti Elinë në qiell në vorbull. Elia e Elizeu e lëshuan Galgalën. Elia i tha Elizeut: “Rri ti këtu, sepse mua Zoti po më dërgon deri në Betel.” Por Elizeu iu përgjigj: “Pasha Zotin e gjallë e pasha jetën tënde, unë nuk do të të lë vetëm.” Kur zbritën në Betel, bijtë e profetëve, që ishin në Betel, i dolën para Elizeut e i thanë: “A e di se sot Zoti do ta marrë zotërinë tënd përmbi kokën tënde?” Ai u përgjigj: “Edhe vetë e di, po heshtni!” Elia i tha: “Elize, qëndro këtu, sepse Zoti po më dërgon në Jerik.” Ai iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit e pasha jetën tënde, unë nuk do të të lë vetëm.” Kur arritën në Jerik, iu afruan Elizeut bijtë e profetëve që ishin në Jerik, e i thanë: “A e di se sot Zoti do ta marrë zotërinë tënd përmbi kokën tënde?” Ai iu përgjigj: “Edhe vetë e di, po heshtni!” Elia i tha Elizeut: “Rri këtu se mua Zoti po më dërgon deri në Jordan.” Ky iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit e pasha jetën tënde, unë nuk do të të lë vetëm.” Kështu shkuan së bashku.

   Pesëdhjetë vetë nga bijtë e profetëve shkuan pas tyre.

   Këta zunë vend përballë tyre, pakëz më larg, kurse ata të dy shkuan te Jordani. Elia e hoqi leshnikun, e mbështolli dhe me të i ra ujit. Uji u nda në dy pjesë dhe ata kaluan terikut. Kur kaluan matanë, Elia i tha Elizeut: “Kërko çfarë do që të bëj për ty para se të më marrin prej teje.” Elizeu iu përgjigj: “Të lutem të vijnë mbi mua dy pjesë të shpirtit tënd.”

   Ai u përgjigj: “Ti po kërkon një gjë të vështirë. Megjithatë, nëse do të më shohësh kur do të më marrin prej teje, do ta fitosh atë që kërkove, e në qoftë se nuk do të më shohësh, nuk do ta fitosh.” Ndërsa ata po vazhdonin rrugën duke biseduar, kur qe, një karrocë e zjarrtë dhe kuaj të zjarrtë i ndanë dhe Elia me anë të vorbullës u ngjit në qiell.

   Elizeu e shikonte e bërtiste: “Im atë, o im atë! Karroca e Izraelit e kalorësi i tij!” Dhe më nuk e pa; i kapi petkat e veta dhe i shqeu në dy pjesë. E mori leshnikun e Elisë, që i kishte rënë, u kthye dhe zuri vend në bregun e Jordanit. Me leshnikun e Elisë, që i kishte rënë, i ra ujit e tha: “Ku është tani Hyji i Elisë?” I ra ujit, uji u nda këndej e andej dhe Elizeu kaloi.

   Kur e panë bijtë e profetëve që ishin kundruall në Jerik, thanë: “Shpirti i Elisë pushoi mbi Elizeun.” Ata i dolën përpara në takim, ranë me fytyrë përdhe para tij.

 

   Përgjigjja Mal 3, 23-24; krh. Lk 1, 15. 17

 

   C Ja, unë do t’ju dërgoj profetin Eli para se të vijë Dita e Zotit e madhe edhe e tmerrshme. * Ai do ta kthejë zemrën e etërve kah të bijtë e zemrat e bijve kah etërit e tyre.

   D Gjoni do të jetë i madh para Zotit. Do të shkojë para tij me frymë e me fuqi të Elisë.

   C Ai do ta kthejë zemrën e etërve kah të bijtë e zemrat e bijve kah etërit e tyre.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga traktati “Mbi misteret” i shën Ambrozit, ipeshkëv

   (Nr. 52-54. 58; SC 25 bis, 186-188. 190)

 

   Ky sakrament që ti po pranon kryhet me anë të fjalës së Krishtit.

 

   Ne vërejmë se hiri ka më shumë efekt se sa natyra, porse hiri i bekimit profetik është edhe më i madh. E po qe se fjala e profetit, domethënë e një njeriu, ka pasur aq fuqi sa të ndërronte natyrën, ç’të themi atëherë për bekimin e dhënë prej vetë Zotit, në të cilin veprojnë vetë fjalët e Zotit dhe Shëlbuesit tonë? Meqë ky sakrament që ti po pranon bëhet me anë të fjalës së Krishtit. Po qe se fjala e Elisë kishte aq pushtet saqë bëri të zbresë zjarri prej qiellit, a thua se fjala e Krishtit nuk do të jetë e aftë të ndërrojë natyrën e elementeve? Në lidhje me krijesat e mbarë gjithësisë ti ke thënë: “Ai foli e gjithçka u bë, ai urdhëroi dhe gjithçka u përftua” (Ps 33 /32/, 9). A thua pra se fjala e Krishtit, e cila krijoi prej asgjëje atë që nuk ekzistonte, nuk mund të ndërrojë gjërat që janë në çka nuk ishin më parë? Dhe vërtet, nuk është më pak e vështirë t’u japësh sendeve ekzistimin se sa t’i shndërrosh në të tjera.

   Por, përse të flasim me argumentime? Të flasim më mirë me shembujt e tij dhe ta dëshmojmë të vërtetën e misterit me vetë misterin e mishërimit. A thua u ndoq rregulli i zakonshëm i natyrës kur prej Marisë lindi Jezusi Zot? Nëse ne kërkojmë rendin natyror, zakonisht gruaja lind fëmijë prej bashkimit me burrin. Është e qartë, pra, se Virgjëra e lindi Jezusin jashtë rendit natyror. E po mirë, çka ne paraqesim është trupi i lindur prej Virgjërës. Përse e kërkon rregullin e natyrës në trupin e Krishtit, kur vetë Zoti ynë Jezu Krishti ka lindur prej Virgjërës jashtë rregullit natyror? Është vetë mishi i Krishtit ai që u kryqëzua dhe u varros. Me të vërtetë, pra, është sakramenti i mishit të tij.

   Vetë Zoti Jezus shpall: “Ky është korpi im” (Lk 22, 19). Para bekimit të fjalëve qiellore, fjala tregon një element të caktuar. Pas shugurimit tashmë tregon korpin dhe gjakun e Krishtit. Ai vetë e quan gjak të vetin. Para shugurimit thirret me një emër tjetër. Pas shugurimit quhet gjak. Ndërsa ti thua: “Amen”, domethënë, “Ashtu është”. Çfarë shqipton goja, le ta pohojë shpirti. Çka tregon fjala, le ta ndiejë zemra.

   Edhe vetë Kisha, duke parë një hir kaq të madh, i nxit bijtë e saj, i nxit ata që gjenden në brendinë e thellë të saj që t’u afrohen sakramenteve duke thënë: “Merrni, o miq, hani e pini, dehuni, o shumë të dashur!” (Kk 5, 1). Atë që ne hamë, atë që ne pimë, Shpirti Shenjt e ka sqaruar në një vend tjetër nëpërmjet Profetit duke thënë: “Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti! I lumi ai që shpreson në të” (Ps 34 /33/, 9). Në atë sakrament gjendet Krishti, sepse është korpi i Krishtit. Nuk është pra një ushqim material, por është një shujtë shpirtërore. Për shëmbëllesën e tij edhe apostulli thotë: “Etërit tanë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror” (1 Kor 10, 3). Dhe vërtet, korpi i Hyjit është një korp shpirtëror, korpi i Krishtit është korp i shpirtit hyjnor, sepse Krishti është shpirt, sikurse lexojmë: Krishti Zot është shpirt para fytyrës sonë (krh. Vaj 4, 20 sipas të LXX). Kjo shujtë e forcon shpirtin dhe kjo pije e “kërthndez zemrën e njeriut” (Ps 104 /103/, 15) sipas fjalëve që na i ka kujtuar profeti.

 

   Përgjigjja Krh. Mt 26, 26; krh. Jb 31, 31

 

   C Ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, i dha lavdi Hyjit, e theu, ua dha nxënësve të vet e tha: * Merrni, hani: ky është korpi im!

   D Njerëzit e çadrës thoshin: Kë me mish ai deri tash s’e ka ngopur?

   C Merrni, hani: ky është korpi im!

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti ua tregon dritën e së vërtetës sate atyre që të humbur enden andej e këndej, për t’i kthyer në udhën tënde: bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë të flakin çka i kundërshton këtij emri, e të pranojnë çka i përket. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.