Shërbesa e leximeve
Java e gjashtëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Është koha e mesit natës;
nxit zëri profetik
t’i këndojmë lavde Hyjit,
Atit gjithmonë e Birit,
Si edhe Shpirtit të Shenjtë:
Trinia e përsosur
e një gjëje të vetme
nga ne gjithmonë duhet lavdëruar.
Kjo kohë ka edhe tmerrin,
ku engjëlli shkatërrues
vdekjen i solli Egjiptit,
shfarosi të parëlindurit.
Kjo orë shpëtim qe për të drejtët,
pse atëherë po atje engjëlli
s’kishte guxuar t’ndeshkonte
nga frika e shenjës s’gjakut.
Egjipti rëndë vajtonte
nga shuarja e rreptë e djemve;
veç Izraeli gëzonte
mbrojtur nga gjaku i qengjit.
Izraeli i vërtetë ne jemi:
në Ty, o Zot, gëzohemi,
duke shpërfillë armikun dhe të keqen,
mbrojtur nga gjaku i Krishtit.
Na bëj të denjë, o mbreti i madhrueshëm,
lavdia e mbretërisë s’ardhshme,
që t’meritojmë me lavde
t’amshueshme ty t’këndojmë. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Falemi o ditë, lavdia e ditëve,
fatlume ditë fitore e Krishtit,
ditë e denjë gëzimi i zgjedhës,
dita e parë.
Dritë hyjnore u ndriçon të verbëtve,
në cilën Krishti shkreton ferrin,
vdekjen e mposhtë dhe pajton rishtas
t’ultat me t’lartat.
Vendimi i mbretit të amshuar
nën mëkat fund u dha të gjithave;
që hiri i lartë në ndihmë t’u vinte
njerëzve të dobët.
Virtyti i Hyjit e dija
mërinë me mirësi zbuti
atëherë kur bota në greminë
tërësisht po rrokollisej.
I lirë u ngjall përsëri nga ferri
restaurator i farës njerëzore
delen e vet mbi supa duke e mbartur
në vise t’epra.
Bëhet paqëtues i engjëjve me njerëzit,
rritet plotësimi i radhëve qiellore,
lavdi i ka hije Hyjit ngadhënjimtar,
lavdia e amshuar.
Harmonia e atdheut qiellor
përkoftë me zërin e Nënës Kishë,
“Aleluja” sot grumbulloftë me turma
grigjat besnike.
Me triumfin e mbretërisë mbi vdekjen,
të përfitojmë nga gëzimi triumfal:
paqe në tokë, dhe brohoritje
qofshin ndër qiej. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Kur psalmi që vijon është lutur në Ftesë, atëherë në vend të tij lutet psalmi 94 /93/ (fq. 499).
Psalmi 24 /23/ (1-10) Zoti hyn në Shenjtëroren e vet
Dyert e qiellit i janë hapur Krishtit Zot, kur u ngjit në qiell (Shën Ireneu).
E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete, *
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *
ai që nuk përbehet në rrenë.
Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †
Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!«
Kush është ky Mbreti i lavdisë? †
Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *
Zoti, Ngadhënjyes në luftë!
Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †
lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!
»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *
Ai, Zoti i Ushtrive,
ai vetë është Mbreti i lavdisë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë, ai e shpëtoi jetën tonë, aleluja.
Psalmi 66 /65/ Himn falënderimi në rastin e flijimit
Në lidhje me ringjalljen e Zotit dhe kthimin e paganëve (Esichio).
I (1-12)
Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit, †
këndoni lavdisë së Emrit të tij, *
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuani Hyjit: »Sa të mrekullueshme janë veprat e tua! *
Pse je tejet i fuqishëm,
armiqtë e tu të përkëdhelin.
Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë, *
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!«
Ejani e shikoni veprat e Hyjit: *
bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!
Ai e shndërroi detin në terik, †
këmbë e kaluan lumin *
për këtë galdojmë me gëzim.
Ai sundon për amshim me pushtetin e vet, †
sytë e tij vërejnë përmbi popuj *
që të mos çojnë krye njerëzit kryengritës.
Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë *
dhe shpalleni lavdinë e tij!
Ai i dha shpirtit tonë jetën, *
këmbët na i ruan nga hapat e gabuar.
Ti vetë, o Hyj, na vure në provë, *
porsi argjendin nëpër zjarr na kalove.
Ti vetë na qite në leqe, *
barrë të rëndë na ngarkove mbi shpinë.
Ti lejove të na hipin në qafë njerëzit, †
na përshkove nëpër zjarr e ujë, *
por më vonë na dhe pushim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë, ai e shpëtoi jetën tonë, aleluja.
Ant. 3 Dëgjoni të gjithë ju që e keni frikën e Zotit, sa shumë bëri Hyji për mua, aleluja.
II (13-20)
Me fli shkrumbimi në Shtëpinë tënde do të hyj, *
para teje do t’i çoj në vend kushtet,
që i premtova me buzët e mia, *
që i thashë me gojë kur isha në rrezik.
Do të kushtoj fli shkrumbimi të majme, †
bashkë me dhjamë të erëndshëm deshësh, *
do të të kushtoj qe edhe cjep!
Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin, *
do t’ju tregoj çfarë i bëri shpirtit tim.
Me gojën time e thirra në ndihmë, *
dhe me gjuhën time e madhërova.
Po të mendoja të keqen në zemrën time, *
Zoti nuk do të ma dëgjonte uratën.
Prandaj Hyji ma dëgjoi uratën, *
i vuri vesh zërit të lutjes sime.
Qoftë bekuar Hyji
që s’ma hodhi poshtë lutjen time *
e nuk ma mohoi mëshirën e vet!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Dëgjoni, të gjithë ju që e keni frikën e Zotit, sa shumë bëri Hyji për mua, aleluja.
D Fjala e Zotit është e gjallë dhe vepruese,
C më përshkuese se shpata dy teheshe.
Leximi i parë
Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 1, 1-14
Falënderimi në mes vuajtjeve.
Pali, apostulli i Krishtit Jezus për vullnet të Hyjit dhe vëllai Timote:
Kishës së Hyjit që është në Korint dhe të gjithë shenjtërve që janë në mbarë Akajën.
Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht.
Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i mëshirshëm dhe Hyji që jep çdo ngushëllim. Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t'i ngushëllojmë të gjithë ata që gjenden në vështirësi, me atë ngushëllim, me të cilin Hyji na ngushëllon ne. Dhe, vërtet, siç ndikohen pa masë në ne mundimet e Krishtit, po ashtu, nëpër Krishtin, edhe marrim ngushëllim pa masë të madh. Nëse ne jemi të ngushtuar nga vështirësitë, kjo ndodh për ngushëllimin e për shëlbimin tuaj. Nëse jemi të ngushëlluar ‑ është për ngushëllimin tuaj ‑ i cili ju bën të zotët t'i duroni edhe ju ato vuajtje, që edhe ne i pësojmë. Kështu shpresa jonë lidhur me ju është e palëkundshme: sepse e dimë se, mbasi jeni pjesëtarë në vuajtje, do të jeni edhe në ngushëllim.
Pra, nuk dëshirojmë, o vëllezër, të mos e dini vështirësinë që na ndodhi në Azi. Kemi qenë në vështirësi përtej masës ‑ përmbi fuqitë tona ‑ aq sa e humbëm edhe shpresën se do të mbetnim gjallë. Por në vetvete e pranuam vendimin e vdekjes, që shpresa jonë të mos themelohej më në ne, por vetëm në Hyjin, që ngjall të vdekurit. Ai na shpëtoi prej aso vdekjeje dhe do të na shpëtojë; në Të e kemi vënë shpresën, Ai edhe më tutje do të na shpëtojë. Po edhe ju do të na ndihmoni me uratë për ne që kështu shumë njerëz ta falënderojnë Hyjin për dhuratën që na u dha me ndërmjetësimin e shumë vetëve.
Dhe ja, kjo është mburrja jonë: dëshmia e ndërgjegjes sonë se sjellja jonë në botë ‑ sidomos kundrejt jush ‑ ka qenë me shenjtëri dhe me çiltëri që vjen prej Hyjit e jo me dijeni njerëzore, por me hir të Hyjit. Vërtet, ne nuk shkruajmë asgjë tjetër, përveç këtyre që po lexoni e po kuptoni. Shpresoj se do të na merrni vesh deri në fund, sikurse edhe na patët marrë vesh deri diku: Ditën e Zotit Jezus ne do të jemi mburrja juaj sikurse edhe ju mburrja jonë.
Përgjigjja Ps 94 /93/, 18-19; 2Kor 1, 5
C Dashuria jote, o Zot, ma ngjiti dorën, * Kur në shpirtin tim grumbullohen vështirësitë, ngushëllimet e tua ma gëzojnë zemrën.
D Siç ndikohen pa masë në ne mundimet e Krishtit, po ashtu, nëpër Krishtin, edhe marrim ngushëllim pa masë të madh.
C Kur në shpirtin tim grumbullohen vështirësitë, ngushëllimet e tua ma gëzojnë zemrën.
Leximi i dytë
Nga “Letra drejtuar të krishterëve të Manjezisë” e shën Injacit të Antiokisë, ipeshkëv dhe martir
(Hyrja; Kap. 1, 1 – 5, 2; Funk 1, 191-195)
Nuk duhet vetëm të quhemi të krishterë, por duhet të jemi me të vërtetë të tillë.
Injaci, i quajtur edhe Teofor, kishës së bekuar prej hirit të Hyjit Atë, në Krishtin Jezus Shëlbuesin tonë: në të e përshëndes këtë kishë që gjendet në Manjezi mbi Meandër dhe i uroj që të gëzojë çdo të mirë në Hyjin Atë dhe në Jezu Krishtin.
Kam marrë vesh se dashuria juaj në mënyrë të përsosur është e rregulluar sipas vullnetit të Hyjit. U gëzova shumë dhe vendosa që t’ju drejtoj fjalën në fenë e Jezu Krishtit. I stolisur me një titull nderi shumë të lartë, që janë zinxhirët të cilët i mbaj me vete në çdo vend, i këndoj lavdet e kishave dhe u uroj atyre bashkim me mishin dhe shpirtin e Jezu Krishtit, jetës sonë të amshuar, në fe dhe në dashuri, e cila është me e dëshirueshme dhe e çmueshme se çdo e mirë. U dëshiroj atyre para së gjithash bashkim me Jezusin dhe me Atin. Në të do të qëndrojmë të pathyeshëm ndaj çdo sulmi të princit të kësaj bote, do t’u shmangemi duarve të tija dhe do të arrijmë te Zoti.
Pata hirin t’ju shoh në personin e ipeshkvit tuaj Damasit, njeri me të vërtetë i denjë për Hyjin, e të presbiterëve të shenjtë Basit dhe Apolonit dhe të diakonit Socion, mikut tim në shërbim të Zotit. Nxirrja përfitim prej pranisë së Socionit, sepse ai i është nënshtruar ipeshkvit porsi hirit të Zotit dhe kolegjiumit të presbiterëve porsi ligjit të Jezu Krishtit.
Nuk duhet të përfitoni prej moshës së re të ipeshkvit, por duhet të keni për të çdo nderim, duke mbajtur para sysh autoritetin që i është dhënë prej Hyjit Atë. E di se kështu bëjnë edhe presbiterët e përnderuar, të cilët nuk e keqpërdorin për moshën e tij të re, por, si njerëz të urtë në Hyjin, i rrinë të nënshtruar duke parë në të jo personin e tij, por Atin e Jezu Krishtit, që është ipeshkëv i të gjithëve. Në nder të atij që na dashuron, na përkon të bëhemi të dëgjueshëm pa asnjë fije trillimi sepse përndryshe nuk gënjehet ky ipeshkëv i pashëm, por kërkohet të gënjehet ai i papashmi. Këtu nuk kemi të bëjmë me gjëra që i përkasin mishit, por Hyjit, i cili i njeh fshehtësitë e zemrës.
Nuk mjafton të quhemi të krishterë, por duhet të jemi me të vërtetë të tillë. Është e vërtetë se disa e kanë emrin e ipeshkvit gjithmonë në gojë, por pastaj bëjnë gjithçka pa të. Më duket se këta nuk veprojnë me ndërgjegje të drejtë, sepse mbledhjet e tyre nuk janë të ligjshme, sipas urdhrit të Zotit.
Çdo gjë ka mbarim, e dy caqe qëndrojnë para nesh: jeta dhe vdekja. Çdonjëri do të shkojë në vendin që i përket. Në një farë mënyre, kemi dy monedha, ajo e Hyjit dhe ajo e botës dhe çdonjëra prej tyre mban të gdhendur mbi vete shenjën dalluese. Ata që nuk besojnë kanë të ngulitur mbi vete shenjën e kësaj bote, porse besimtarët që janë në dashuri bartin të ngulitur mbi vete figurën e Hyjit Atë nëpërmjet Jezu Krishtit. Nëse ne, me hirin e tij, nuk jemi të gatshëm të vdesim për t’u bërë pjesëmarrës në mundimin e tij, jeta e tij nuk është në ne.
Përgjigjja 1 Tim 4, 12. 16. 15
C Bëju shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në fe, në pastri; * duke vepruar kështu, do të shëlbosh veten dhe ata që të dëgjojnë.
D Kujdesu për këto gjëra, jepu tërësisht pas tyre, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë.
C Duke vepruar kështu, do të shëlbosh veten dhe ata që të dëgjojnë.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
Ji i butë, o Zot, me shërbëtorët e tu dhe shtoji në ta dhuratat e hirit tënd, që të zellshëm për kah shpresa, feja dhe dashuria, t’i zbatojnë vazhdimisht dhe për pikërisht urdhërimet tua. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.