Shërbesa e leximeve

Java e gjashtëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tani është për ne ajo koha

   ku nga zëri ungjillor

   besohet do vijë dhëndri,

   Autori i mbretërisë qiellore.

 

   Rendin virgjëreshat shenjte

   kur t’vijë me i dalë përpara,

   duke mbajtë llamba t’ndritshme,

   me gëzim t’madh t’hareshme.

 

   T’marrat që s’luajnë nga vendi,

   të shuara i kanë llambat,

   pa dobi n’derë trokasin

   është mbyllë pallati i mbretit.

 

   Tani me urti t’rrijmë zgjuar

   duke i mbajtë mendtë të qarta,

   që kur të vijë Zotynë

   të denjë t’i dalim para.

 

   Na bëj të denjë, mbret i madhnueshëm,

   lavdia e mbretërisë s’ardhshme,

   që t’meritojmë me lavde

   ty të këndojmë t’amshueshme.Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Jeta e shenjtorëve, rruga, shpresa e shpëtimi,

   o Krisht, dhuruesi i mirësisë e i paqes

   autori i madh, ne ty me zëra e ndjenja

   himnim të qesim.

 

   Që ke virtytin tërësisht të dukshëm (njohur)

   që t’drejtët munden, kanë, e që me zemër

   me gojë e vepra i lakmojnë, të ndezur

   nga zjarri i dashurisë.

 

   Paqen e kohrave, e ruajtjen e besës,

   kujdes, përkrahje ndër shkarje të dobëta,

   jepu të gjithëve krahas me dhuratat

   e jetës s’lumtur.

 

   Lavdi e njëjtë lartësoftë Prindin e Epërm

   dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë n’përjetësi,

   e të buqasë lumnia e Shpirtit Shenjtë

   nëpër gjithë botën. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 I mirë është Zoti me të drejtët dhe të pastrit në zemër.

 

   Psalmi 73 /72/ Përse vuan i drejti

 

   I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua (Mt 11, 6).

 

   I (1-12)

 

Sa i mirë është Hyji për njerëzit e drejtë, *

   Zotynë për ata që janë të pastër në zemër.

 

E mua veçse nuk më rrëshqitën këmbët, *

   për pak që nuk më lëshuan këmbët,

sepse ua pata lakmi krenarëve *

   duke parë mirëqenien e keqbërësve.

Sepse për ta vuajtje nuk ka, *

   shëndoshë e plot dhjamë është trupi i tyre.

Nuk jetojnë në vuajtje të vdekatarëve, *

   nuk i rreh frushkulli i vështirësive të njerëzve.

 

Prandaj edhe gjerdan për qafë e kanë madhështinë *

   e dhunën për petk që i mbulon.

Nga zemra e majme u kullon e keqja, *

   dhelpëritë u shpërthejnë nga zemra.

 

Përqeshin e dijekeqas flasin, *

   me dhunë kërcënohen krenarisht prej së larti.

 

Vënë gojë edhe kundër qiellit, *

   gjuha e tyre e përshkon dheun.

Prandaj lart e vendosin veten *

   dhe ujërat e shumta nuk arrijnë tek ata.

 

Kështu edhe thonë: »Si mund ta dijë Hyji? *

   A mund të dijë gjë i Tejetlarti?«

Ja, këta janë mëkatarët: *

   gjithmonë të qetë e grumbullojnë pasuri.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 I mirë është Zoti me të drejtët dhe të pastrit në zemër.

 

Ant. 2 Keqbërësit që sot qeshin, nesër do të qajnë.

 

   II (13-20)

 

Atëherë thashë: »Vallë kot e paskësh ruajtur

   të pastër zemrën time *

   dhe në pafajësi i lava duart e mia,

kot e frushkullova veten përditë *

   duke bërë pendesë që herët në mëngjes!«

 

Të kisha thënë: »Do të flas porsi ata«, *

   unë do ta tradhtoja fisin e bijve të tu.

 

U mundova ta kuptoja këtë gjë: *

   porse disi mjerisht sytë m’u morën.

Derisa disi hyra në shenjtëroren e Hyjit: *

   atëherë pashë mbarimin e tyre.

 

Vërtet i vë në vend rrëshqitës, *

   i lejon të shkojnë në rrënim.

 

Oh, sa me vrap mbaruan, *

   u zhdukën, mjerimi i përpiu!

Po, sikurse ëndrra e atij që zgjohet, o Zot, *

   kur të zgjohesh e bën asgjë fytyrën e tyre.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Keqbërësit që sot qeshin, nesër do të qajnë.

 

Ant. 3 Kush largohet prej teje do të birret: kënaqësia ime është të qëndroj në praninë tënde, o Zot.

 

   III (21-28)

 

Kur shpirtin e kisha të trazuar, *

   mundohesha në brendinë e zemrës sime,

isha i marrë e nuk kuptoja, *

   isha bërë si bagëti para teje.

 

Por unë qysh tash gjithmonë do të jem me ty, *

   sepse më more për dorën time të djathtë.

Ti do të më prish me këshillën tënde *

   për të më marrë pastaj me lumturi.

 

Kë tjetër pos teje kam unë në qiell? *

   Edhe në tokë s’dua tjetërkënd veç teje!

 

Ligështuar më janë trupi dhe zemra: *

   ti je Hyji i zemrës sime, pjesa ime, Hyji i amshueshëm.

 

Po se do të sharrojnë të gjithë ata që largohen prej teje, *

   ti zhbin të gjithë ata që të tradhtojnë.

 

Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, *

   ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim,

që t’i shpall të gjitha veprat e tua *

   në dyert e Qytetit Sion.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Kush largohet prej teje do të birret: kënaqësia ime është të qëndroj në praninë tënde, o Zot.

 

   D Të ëmbla për gojën time janë fjalët e tua, o Zot,

   C më të ëmbla se mjalti i nxjerrë prej shkëmbit.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 1, 15 – 2, 11

 

   Përse Pali e ndërroi rrugën e tij.

 

   Vëllezër, me këtë mbushmendje bëra plan të vij më së pari te ju e, që ta kini hirin e dyfishtë, prej jush të kaloja në Maqedoni e përsëri, nga Maqedonia, të kthehesha te ju, që ju të më përcillni për në Jude. Kur mora këtë vendim, athua ndoshta qesh mendjelehtë? Ose, çka synoj e synoj sipas mendimit njerëzor që të jetë në mua: “Po, po” njëheri edhe: “Jo, jo”? Hyjin e kam dëshmitar: fjala jonë dhënë juve nuk është: Po, e jo! Sepse, Biri i Hyjit, Jezu Krishti, të cilin ne jua shpallëm ‑ unë, Silvani e Timoteu ‑ nuk ka qenë “Po e jo”, por në Të ishte “Po!” Dhe, për të vërtetë, të gjitha premtimet e Hyjit kanë gjetur në të “po”‑hën e vet, e prandaj nëpër Të edhe mund të themi: “Amen.”, në nderë të Hyjit. Dhe Ai që na forcon në Krishtin, ne edhe ju dhe na shuguron me vaj të shenjtë është Hyji. Ai gjithashtu na vulosi dhe na e dha në zemrat tona pengun ‑ Shpirtin Shenjt.

   Unë e thërras Hyjin për dëshmitar: pasha shpirtin nuk erdha në Korint për arsye se desha t'ju kursej. Ne nuk e përbuzim fenë tuaj, por jemi bashkëpunëtorë në gëzimin tuaj, sepse, për sa i përket fesë, ju qëndroni mirë.

   Prandaj vendosa në vetvete të mos vij prapë te ju me hidhërim. Sepse, në qoftë se unë do t'ju trishtoj ju, kush do të më gëzojë mua, përveç ai që trishtohet prej meje? Këndej edhe ju shkrova që, kur të vij, të mos ma prishin zemrën ata që duhet të më gëzojnë. E njëmend, jam i bindur në ju të gjithë se gëzimi im është edhe gëzimi i të gjithë juve. Prandaj ju shkrova në vështirësi të madhe e në ngushticë të zemrës e me shumë lot, jo për t'ju trishtuar, por që ta njihni dashurinë time tejet të madhe kundrejt jush.

   Nëse ndokush më ka trishtuar, nuk më ka trishtuar vetëm mua, por deri diku ‑ që të mos teproj ‑ edhe ju të gjithë. Mjaft është për atë njeri ndëshkimi që iu bë prej bashkësisë e prandaj, më mirë faleni e ngushëllojeni, që trishtimi i tepërt të mos e bëjë të tillin të sharrojë. Këndej ju bej lutje, të dëftoni dashuri kundrejt tij, e për këtë arsye edhe ju shkrova që ta shoh a jeni me të vërtetë njerëz të sprovuar, a jeni të dëgjueshëm në çdo gjë. Kë të falni ju, e fal edhe vetë; sepse edhe vetë, nëse fala ndokënd, e fala për dashurinë tuaj ‑ para Krishtit që të mos ngadhënjejë mbi ne djalli, sepse i dimë qëllimet e tija!

 

   Përgjigjja 2 Kor 1, 21-22; krh. Lp 5, 2. 4

 

   C Hyji vetë na forcon në Krishtin dhe na shuguron me vaj të shenjtë . * Ai na vulosi dhe na e dha në zemrat tona pengun, Shpirtin Shenjt.

   D Zoti, Hyji ynë, bëri me ne besëlidhje në Horeb dhe foli me ne faqe-faqas.

   C Ai na vulosi dhe na e dha në zemrat tona pengun, Shpirtin Shenjt.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Letra drejtuar të krishterëve të Manjezisë” e shën Injacit të Antiokisë, ipeshkëv dhe martir

   (Nr. 6, 1 – 9, 2; Funk 1, 195-199)

 

   Një lutje e vetme, një shpresë e vetme në dashuri, në gëzimin e shenjtë.

 

   Në personat që ju kam përmendur, unë e kam njohur në fe dhe e kam dashur mbarë bashkësinë tuaj. E tash dua t’ju jap një porosi: mundohuni të bëni çdo gjë në harmoni me Hyjin, nën udhëheqjen e ipeshkvit i cili zë vendin e Hyjit, të presbiterëve që përfaqësojnë kolegjiumin apostolik dhe të diakonëve që unë i kam fort për zemër, e të cilëve u është besuar ministeri i Jezu Krishtit i cili ishte para të gjithë shekujve pranë Atit dhe që u shfaq në këto ditë.

   Meqë merrni pjesë në vetë ndjenjat e Hyjit, kini një nderim të madh ndaj njëri-tjetrit. Askush mos ta e gjykojë të afërmin nga pikëpamja thjesht njerëzore, por duajeni gjithmonë njëri-tjetrin në Jezu Krishtin. Mos të ketë në ju asnjë shkak ndarjeje. Mbahuni të bashkuar me ipeshkvin dhe me ata që ju kryesojnë, në mënyrë që të mund t’u jepni të gjithëve një shembull dhe një dëshmi të jetës së amshuar në qiell.

   Zoti ynë Jezu Krishti, i cili është një bashkë me Atin, nuk ka bërë asgjë pa Atin, as vetvetiu as me anë të apostujve. Në të njëjtën mënyrë, as ju mos bëni asgjë pa ipeshkvin dhe presbiterët. Mos u mundoni të paraqitni si të mira ato gjëra që i bëni në mënyrë private dhe vetëm nga ana juaj, por duhet të parapëlqeni mënyrën e veprimit në bashkësi. Një e vetme le të jetë lutja, një i vetmi shpirti, një e vetmja shpresa në dashuri, në gëzimin e shenjtë, që është Krishti, më i çmueshmi ndër të gjitha. Vraponi të gjithë, porsi drejt një tempulli të vetëm të Hyjit, drejt lterit të vetëm, drejt Jezu Krishtit të vetëm i cili ka dalë prej një Ati të vetëm, duke mbetur pranë tij dhe duke u kthyer tek ai.

   Mos lejoni të ngashënjeheni prej mësimeve të rrejshme, as prej përrallave të vjetra të cilat nuk kanë asnjë dobi. Nëse jetojmë ende porsi judenjtë, duke u mbështetur në ligj, tregojmë qartë se nuk e kemi marrë hirin, ndërsa profetët, të frymëzuar prej Hyjit, që në atë kohë jetuan sipas Jezu Krishtit.

   Ata njerëz të shenjtë pësuan edhe përndjekje, të mbështetur prej hirit të tij, për të bindur ata që nuk besonin se ka vetëm një Hyj dhe se ai Hyj është shfaqur nëpërmes Mesisë, domethënë Jezu Krishtit, Birit të tij i cili është Fjala e tij që ka dalë prej heshtjes. Ky i pëlqeu në çdo gjë atij që e kishte dërguar.

   Ata të cilët jetuan në rendin e vjetër të gjërave, kanë përqafuar shpresën e re dhe nuk e mbajnë më të shtunën, por kremtojnë ditën e Zotit, në të cilën ne kemi filluar të marrim pjesë në jetën e Krishtit dhe në vdekjen e tij, këtë mister disa e mohojnë, por është burim i fesë sonë dhe i durimit me të cilin ne vuajmë, për të qenë nxënës të Jezu Krishtit, mësuesit tonë të vetëm. Nëse bëjnë kështu njerëzit e rendit të vjetër, atëherë si mund të jetojmë ne pa të, kur edhe profetët, nxënësit e tij në shpirt, po e prisnin si mësues? Për këtë arsye ai, i pritur prej tyre në mënyrë të shenjtë, pasi erdhi, i ringjalli ata prej të vdekurve.

 

   Përgjigjja Krh. 2 Kor 3, 4. 6. 5

 

   C E kemi këtë bindje nëpër Krishtin në Hyjin, * që na bëri të aftë të jemi mbarështues të Besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Shpirtit.

   D Ne nuk jemi të zotët prej vetvetes të mendojmë gjë, por zotësia jonë e ka burimin në Hyjin,

   C që na bëri të aftë të jemi mbarështues të Besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Shpirtit.

 

   Lutja

 

   Ji i butë, o Zot, me shërbëtorët e tu dhe shtoji në ta dhuratat e hirit tënd, që të zellshëm për kah shpresa, feja dhe dashuria, t’i zbatojnë vazhdimisht dhe për pikërisht urdhërimet tua. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.