Shërbesa e leximeve
22 korrik, Shën Maria Magdalenë
Përkujtim
E pranuar ndër nxënësit e Krishtit, qe e pranishme në vdekjen e tij, dhe në mëngjesin e Pashkëve meritoi të shihte e para Shëlbuesin e ringjallur (Mk 16, 9). Kulti i saj u përhap në Kishën e perëndimit sidomos në shekullin XII.
Shërbesa e leximeve
Ftesa
V. O Zot, hapi buzët e mia!
P. E goja ime do të shpall lavdinë tënde!
Ant. Në përkujtimin e Shën Marisë Magdalenë ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Në përkujtimin e Shën Marisë Magdalenë ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Në përkujtimin e Shën Marisë Magdalenë ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Në përkujtimin e Shën Marisë Magdalenë ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Në përkujtimin e Shën Marisë Magdalenë ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Në përkujtimin e Shën Marisë Magdalenë ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në përkujtimin e Shën Marisë Magdalenë ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)
Himni
Kjo grua e lavdërueshme
nderuar me merita,
siç gëzon zakone t’ shenjta
ashtu ngdhënjen me Engjëj.
Nga zemra shumë besnike
me lot duke lutë Hyjin,
përgjime e agjërim
këto nuk i ndan parreshtur.
Përbuz lavdinë e botës,
gjithnjë mendjen të pastër,
pas drejtësisë së përsosur
shkoi të banojë mbi yje.
Kjo me vepra shenjtërie
kaloi pragjet hyjnore,
kënaqet tash në t’ amshueshmet
çmime të shpisë qiellore.
Lavdi të vetmit Hyj n’ tre Vetë
që ne me lutje t’ saja,
kur t’ arrijmë n’cak të jetës,
na bashkoftë me banorë t’ qiellit. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një kë
ngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Në gojën e saj, biseda të urta; në buzët e saja, fjalë të mirësisë.
Psalmi 19 /18 A/ (2-7)
Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *
kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!
Dita ditës ia përsërit këtë gjë *
e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *
po as zë që do të mund të dëgjohet,
megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *
diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
Diellit në to ia ngrehu tendën: †
del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *
thua vigani pash më pash i bie sheshit!
Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †
udha e tij kapet në skajin tjetër, *
asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Në gojën e saj, biseda të urta; në buzët e saja, fjalë të mirësisë.
Ant. 2 Lum ajo grua që shpreson në Zotin: prej zemrës së saj një himn Hyjit tonë.
Psalmi 45 /44/ I (2-10)
Nga zemra më burojnë fjalët e këndshme, †
këngën time ia kushtoj mbretit: *
gjuha ime si lapsi i shkruesit të shpejtë!
Ti je i bukur, më i pashmi ndër bijtë e njerëzve, †
u zbraz hiri në buzët e tua, *
prandaj Hyji të bekoi për amshim.
Ngjeshe shpatën në ijë, o trimi i trimave, *
vishu me shkëlqim e me madhëri!
Për të mbrojtur të vërtetën, butësinë e të drejtën *
e të të mësojë të bësh emnesë e djathta jote!
Të mprehta janë shigjetat e tua †
në zemra të armiqve të mbretit! *
Popujt do të bien nën sundimin tënd.
Froni yt, o Hyj, në shekuj të shekujve, *
skeptër drejtësie skeptri i mbretërisë sate!
Ti e do drejtësinë, ti e urren padrejtësinë, †
prandaj të shuguroi Hyji, Hyji yt, *
me vaj gëzimi si çmoskëndin ndër shokët e tu.
U vjen era mirrë, aloejë e kasje petkave të tua, *
në pallate - asht elefanti, harpat të argëtojnë.
Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde, *
në të djathtë të qëndron mbretëresha,
në ar Ofiri e ngrirë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Lum ajo grua që shpreson në Zotin: prej zemrës së saj një himn Hyjit tonë.
Ant. 3 Me gëzim e brohori hyjnë në shtëpinë e Zotit.
II (11-18)
Më vështro, o bijë, shih e dëgjo: *
harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës tënd,
atëherë mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote. *
Ai është zotëria yt, nderoje atë!
Populli i Tirit vjen me dhurata, *
përkrahjen tënde e dëshirojnë princat e popullit.
E lavdishme është bija e mbretit përbrenda, *
e mbështjellë me petk të qëndisur me ar.
Në petka lara-lara ia sjellin mbretit, *
përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.
Me hare u prijnë e me brohori, *
ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!
Në vend të etërve të tu do t’i kesh fëmijët, *
do t’i vësh princa mbi mbarë dheun.
Do të bëj të përmendet emri yt *
prej breznie në brezni;
prandaj edhe popujt do të të lavdërojnë *
në amshim e në shekuj të shekujve.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Me gëzim e brohori hyjnë në shtëpinë e Zotit.
D Zemra ime e mediton gjithmonë fjalën tënde.
C O Zot, shkëmbi im dhe shëlbuesi im.
Leximi i parë
Prej letrës së parë të Shën Pjetrit apostull 3, 1-6. 8-17
Gjithashtu edhe ju, gra, dëgjoni burrat tuaj në mënyrë që, nëse ndoshta disa nuk e dëgjojnë fjalën e Ungjillit, të mund të fitohen pa nevojën e fjalës me anë të sjelljes së mirë të grave të veta, duke vërejtur sjelljen tuaj të pastër e të ndershme. Stolia juaj të mos jetë e jashtme ‑ flokë të gërshetuar, stolisje me ar, veshje petkash luksi ‑ por mundohuni të stolisni zemrën me shpirt bukurie të pakalueshme, të butë e të ëmbël, që është e çmueshme para Hyjit. Sepse kështu dikur u stolisën gratë e shenjta që shpresonin në Hyjin. Ato i dëgjonin burrat e vet. Sara aq iu bind Abrahamit sa që e quante »zotëri«. Jeni bijat e saja në qoftë se veproni mirë pa u trazuar nga asnjë frikë.
Më në fund, jini të gjithë një mendimi, të dhimbshëm, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm, të përvuajtur. Mos e ktheni të keqen me të keqe as fyerjen me fyerje! Por përkundrazi, bekoni, sepse për këtë edhe u grishët: që të trashëgoni bekimin.
E njëmend: »Kush do ta duajë jetën dhe të shohë ditë të mira, le ta ruajë gjuhën nga e keqja dhe buzët nga fjalët gënjyese,
t'i ikë të keqes e të bëjë të mirën, ta kërkojë paqen e të shkojë mbas saj«.
Sepse: »Sytë e Zotit priren mbi të drejtët dhe veshët e tij dëgjojnë me vëmendje lutjet e tyre, kurse fytyra e Zotit sillet kundër atyre që bëjnë të keqen.«
Kush do t'ju bëjë keq nëse do të jeni të zellshëm të bëni të mirën? Por, edhe nëse ndoshta do t'ju duhet të vuani për shkak të drejtësisë, të lumët ju! Frikësimin e tyre aspak mos e druani as mos u trazoni, veçse adhuroni me shenjtëri në zemrat tuaja Krishtin Zot! Jini gjithmonë të gatshëm t'i jepni përgjigje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, por me butësi dhe nderim të duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, shi në atë pikë, në të cilën juve ju shpifen, të mbesin të turpëruar. Përnjëmend është më mirë të hiqni keq ‑ nëse është vullneti i Hyjit ‑ duke bërë mirë se duke bërë keq.
Përgjigjja Krh. Fil 2, 2. 3. 4; 1 Sel 5, 14-15
C Kini në ju dashurinë e Krishtit, me përvujtëri mbani njëri-tjetrin më të madh se veten, * mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.
D Ndihmoni të ligshtët, jini bujarë me të gjithë dhe gjithmonë bëni të përparojë e mira ndër ju dhe kundrejt gjithkujt;
C mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.
Leximi i dytë
Nga “Predikimet mbi ungjijtë” e shën Gregorit të madh, papë
(Pred. 25, 2-1. 3-4; PL 76, 1189-1193)
Digjej nga dëshira për Krishtin
Maria Magdalenë, me të arritur tek varri, dhe pasi nuk e gjeti trupin e Zotërisë, mendoi se do ta kishin marrë nga aty dhe menjëherë shkoi dhe i lajmëroi nxënësit. Ata erdhën të shohin, dhe u bindën se gjërat ishin pikërisht ashtu siç u kishte thënë guraja. Për ata thuhet menjëherë: “Atëherë nxënësit u kthyen në shtëpi”; pastaj shtohet: “Maria qëndroi jashtë te varri dhe qante” (Gjn 20, 10-11).
Në këtë ngjarje duhet të mendojmë sa forcë e madhe e dashurisë e kishte pushtuar shpirtin e kësaj gruaje, që nuk shkëputej nga varri i Zotit, as pasi nxënësit u larguan. E kërkonte atë që nuk e gjeti, qante në këtë kërkim dhe, e ndezur me një dashuri të gjallë për të, digjej nga dëshira, duke menduar se e kishin marrë tinëz.
Por ndodhi që arriti ta shohë vetëm ajo që kishte qëndruar duke e kërkuar; sepse forca e veprës së mirë qëndron në qëndrueshmëri, siç pohon vetë zëri i së Vërtetës: “Kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet” (Mt 10, 22).
Kërkoi, pra, herën e parë, por nuk gjeti; ishte e qëndrueshme në kërkimin e saj, dhe iu dha mundësia të gjejë. Ndodhi kështu që dëshirat me zgjatje të kohës rriteshin, dhe duke u rritur ta arrinin objektin e kërkimit. Dëshirat e shenjta rriten me zgjatje. Por nëse në pritje ato dobësohen, kjo është shenjë se ato nuk ishin dëshira të vërteta.
Këtë dashuri të zjarrtë e ka ndierë kushdo që ka arritur tek e vërteta. Kështu Davidi që thotë: “Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë: oh, e kur do të shkoj e do të dal para fytyrës së Hyjit?!” (Ps 42 /41/, 3). Dhe prapë Kisha me anë të Këngës së këngëve thotë: Jam plagosur nga dashuria (krh. Kk 4, 9). Dhe prapë thotë: Shpirti im u ligështua (krh. Kk 5, 6).
“Grua, pse po qan? Kë po kërkon?” (Gjn 20, 15). I kërkohet shkaku i dhimbjes së saj, që dëshira të rritet, dhe duke e thirrur në emër atë që ishte duke e kërkuar, të digjet më shumë në dashurinë e tij.
“Jezusi i tha: Mari!” (Gjn 20, 16). Pasi e thirri me titullin e përgjithshëm të gjinisë, pa qenë i njohur akoma, e thirri në emër, sikur të donte të thoshte: Njihe atë i cili të njeh ty. Unë të njoh jo siç njihet një person dosido, por në mënyrë krejt të veçantë.
Maria, pra, e thirrur në emër, e njeh Krijuesin dhe menjëherë klith: “Rabbuni”, që do të thotë “Mësues”; ishte ai që ajo po e kërkonte jashtë, dhe ishte prapë ai që e udhëhiqte atë në kërkimin e saj të brendshëm.
Përgjigjja
C Duke u kthyer nga varri, Maria Magdalenë u shpalli nxënësve: e kam parë Zotërinë. * Lum ajo që e solli e para lajmin e jetës së ringjallur.
D Duke e qarë të dashurin e saj, e pa atë që po kërkonte; e pa dhe ua shpalli vëllezërve.
C Lum ajo që e solli e para lajmin e jetës së ringjallur.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm, dhe i amshuar, Jezu Krishti, Biri yt, ia besoi Marisë Magdalenë ta kumtojë e para gëzimin e Pashkëve: bëj, që edhe ne, me ndihmën e shembullin e saj, ta shpallim Krishtin e ngjallur e një ditë ta kundrojmë në lavdinë tënde. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.