Shërbesa e leximeve
23 korrik, Shën Brigita, rregulltare
Pajtore e Evropës – Festë
Lindi në Suedi në vitin 1303. E martuar ende në moshë të re, pati tetë fëmijë të cilët i edukoi me një kujdes shembullor. E radhitur në Urdhrin e Tretë të shën Françeskut, pas vdekjes së të shoqit, iu dha një jete më shumë asketike megjithëse duke qëndruar në botë. Themeloi atëherë një urdhër rregulltar dhe, e vënë në ecje për në Romë, qe shembull virtyti për të gjithë. Ndërmori shtegtime me qëllim pendese dhe shkroi shumë vepra në të cilat tregoi përvojat mistike të jetuara prej saj. Vdiq në Romë në vitin 1373.
Shërbesa e leximeve
Ftesa
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Në festën e shën Brigitës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Në festën e shën Brigitës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Në festën e shën Brigitës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Në festën e shën Brigitës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Në festën e shën Brigitës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Në festën e shën Brigitës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në festën e shën Brigitës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
23 korrik, Shën Brigita, rregulltare
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)
Himni
Kjo grua e lavdërueshme
nderuar me merita,
siç gëzon zakone t’shenjta
ashtu ngadhënjen me Engjëj.
Nga zemra shumë besnike
me lot duke lutë Hyjin,
përgjime e agjërim
këto nuk i ndan parreshtur.
Përbuz lavdinë e botës,
gjithnjë mendjen të pastër,
pas drejtësisë së përsosur
shkoi të banojë mbi yje.
Kjo me vepra shenjtërie
kaloi pragjet hyjnore,
kënaqet tash në t’ amshueshmet
çmime të shpisë qiellore.
Lavdi të vetmit Hyj n’ tre Vetë
që ne me lutje t’ saja,
kur t’ arrijmë n’cak të jetës,
na bashkoftë me banorë t’ qiellit. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Psalmet fq. 1694
Ant. 1 Në gojën e saj, biseda të urta; në buzët e saja, fjalë të mirësisë.
Psalmi 19 /18 A/ (2-7)
Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *
kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!
Dita ditës ia përsërit këtë gjë *
e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *
po as zë që do të mund të dëgjohet,
megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *
diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
Diellit në to ia ngrehu tendën: †
del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *
thua vigani pash më pash i bie sheshit!
Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †
udha e tij kapet në skajin tjetër, *
asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Në gojën e saj, biseda të urta; në buzët e saja, fjalë të mirësisë.
Ant. 2 Lum ajo grua që shpreson në Zotin: prej zemrës së saj një himn Hyjit tonë.
Psalmi 45 /44/ I (2-10)
Nga zemra më burojnë fjalët e këndshme, †
këngën time ia kushtoj mbretit: *
gjuha ime si lapsi i shkruesit të shpejtë!
Ti je i bukur, më i pashmi ndër bijtë e njerëzve, †
u zbraz hiri në buzët e tua, *
prandaj Hyji të bekoi për amshim.
Ngjeshe shpatën në ijë, o trimi i trimave, *
vishu me shkëlqim e me madhëri!
Për të mbrojtur të vërtetën, butësinë e të drejtën *
e të të mësojë të bësh emnesë e djathta jote!
Të mprehta janë shigjetat e tua †
në zemra të armiqve të mbretit! *
Popujt do të bien nën sundimin tënd.
Froni yt, o Hyj, në shekuj të shekujve, *
skeptër drejtësie skeptri i mbretërisë sate!
Ti e do drejtësinë, ti e urren padrejtësinë, †
prandaj të shuguroi Hyji, Hyji yt, *
me vaj gëzimi si çmoskëndin ndër shokët e tu.
U vjen era mirrë, aloejë e kasje petkave të tua, *
në pallate - asht elefanti, harpat të argëtojnë.
Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde, *
në të djathtë të qëndron mbretëresha,
në ar Ofiri e ngrirë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 2 Lum ajo grua që shpreson në Zotin: prej zemrës së saj një himn Hyjit tonë.
Ant. 3 Me gëzim e brohori hyjnë në shtëpinë e Zotit.
II (11-18)
Më vështro, o bijë, shih e dëgjo: *
harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës tënd,
atëherë mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote. *
Ai është zotëria yt, nderoje atë!
Populli i Tirit vjen me dhurata, *
përkrahjen tënde e dëshirojnë princat e popullit.
E lavdishme është bija e mbretit përbrenda, *
e mbështjellë me petk të qëndisur me ar.
Në petka lara-lara ia sjellin mbretit, *
përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.
Me hare u prijnë e me brohori, *
ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!
Në vend të etërve të tu do t’i kesh fëmijët, *
do t’i vësh princa mbi mbarë dheun.
Do të bëj të përmendet emri yt *
prej breznie në brezni;
prandaj edhe popujt do të të lavdërojnë *
në amshim e në shekuj të shekujve.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3 Me gëzim e brohori hyjnë në shtëpinë e Zotit.
D Zemra ime e mediton gjithmonë fjalën tënde.
C O Zot, shkëmbi im dhe shëlbuesi im.
Leximi i parë
Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve 3, 7 - 4, 1. 4-9
Vëllezër, të gjitha këto që i mbaja si përparësi, tani i çmoj si një bjerrje për shkak të Krishtit. Madje unë çmoj gjithçka si dëm në krahasim me më të madhen të mirë: me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim. Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin dhe të gjendem në Të ‑ jo me drejtësinë time ‑ me atë që vjen nga Ligji, por me atë që vjen nga feja në Krishtin, me drejtësinë që vjen nga Hyji, e themeluar në fe ‑ që ta njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij me pjesëmarrjen në vuajtjet e tija, që të bëhem i ngjashëm me Të në vdekjen e tij, që në ndonjë mënyrë të mund t'ia arrij ngjalljes së të vdekurve.
Jo, sikurse t'ia kisha arritur, as, sikurse të isha bërë i përsosur, por ‑ vrapoj që, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë zënë prej Krishtit [Jezus].
Vëllezër, unë nuk mendoj se ia kam arritur, di vetëm kaq:
harroj çka kam lënë pas dhe zgjatem drejt të së ardhmes,
sulem drejt qëllimit, drejt shpërblimit të thirrjes qiellore të Hyjit në Krishtin Jezus.
Ne, pra, që ia kemi arritur »pjekurisë«, ta kemi në mendje këtë gjë! Po, nëse e mendoni ndryshe, shi kështu Hyji do t'jua zbulojë. Ndërkaq, prej asaj pike ku kemi arritur ‑ të vazhdojmë të përparojmë asaj hullie.
Më përngjani mua, o vëllezër, dhe vëreni ata që jetojnë sipas shembullit që keni në ne. Sepse, sikurse ju kam thënë shpesh herë e tani po jua them me lot për faqe, shumë jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit! Mbarimi i jetës së tyre është dënimi, hyji i tyre është barku dhe lavdia e tyre në turp ‑ ata mendojnë vetëm gjërat tokësore. Kurse Atdheu ynë është qielli, nga presim se vjen si Shëlbues Jezu Krishti Zot. Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë në një trup të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm në saje të pushtetit që ka të nënshtrojë nën sundimin e vet gjithçka.
Prandaj, vëllezërit e mi të dashur që aq fort ju kam për zemër, gëzimi dhe kurora ime, kështu pra, ‑ qëndroni të fortë në Zotin.
Gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them: gëzohuni! Mirësinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit! Zoti është ngjat! Për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka ‑ me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim ‑ paraqitni Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlershme se mund ta mendojmë do t'i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus.
Së fundi, o vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt. Çka keni mësuar, çka keni marrë, çka keni dëgjuar dhe parë në mua ‑ atë bëni ‑ dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju.
Përgjigjja Ps 45 /44/, 2
C Më shumë se çdo mbretëri dhe çdo e mirë e tokës vlen për mua dashuria e Zotërisë tim Jezu Krishtit: * Atë e kundrova, e dashurova, i besova dhe e dëshirova.
D Nga zemra më burojnë fjalët e këndshme, këngën time ia kushtoj mbretit:
C Atë e kundrova, e dashurova, i besova dhe e dëshirova.
Leximi i dytë
Nga “Lutjet” të njohura si të shën Brigitës
(Lutja 2; Revelationum S. Brigittae libri 2; Roma 1628; fq. 408-410)
Ngritja e mendjes tek Krishti Shëlbues
Bekuar qofsh, Zoti im Jezu Krisht, që e paralajmërove vdekjen tënde, që gjatë Darkës së fundit në mënyrë të mrekullueshme e shndërrove bukën materiale në trupin tënd të lavdishëm, që ua shpërndave me plot dashuri apostujve në përkujtim të mundimit tënd të denjë, që ua lave atyre këmbët me duart tua të shenjta dhe të çmueshme, duke treguar kështu madhërinë e pafund të përvujtërisë sate.
Të qoftë nderi, Zoti im Jezu Krisht, që u djersite me gjak nga trupi yt i pafajshëm në frikën e vuajtjes dhe të vdekjes, duke e përmbushur kështu shëlbimin tonë të cilin ti dëshiroje ta plotësoje dhe duke treguar kështu në mënyrë të qartë dashurinë tënde për gjininë njerëzore.
Bekuar qofsh, Zoti im Jezu Krisht, që të çuan tek Kaifa dhe që lejove në përvujtërinë tënde, ti që je gjyqtari i të gjithëve, të viheshe nën gjykimin e Pilatit.
Lavdi ty, Zoti im Jezu Krisht, që u përqeshe kur, i veshur me mantel të kuq, u kurorëzove me ferra të mprehta e që lejove me një durim të pafund të mbulohej me pështymë fytyra jote e lavdishme, që fytyra jote të goditej rëndë nga duart e pabesa të njerëzve të këqij.
Lavdi ty, Zoti im Jezu Krisht, që me durim aq të madh lejove të të lidhnin në shtyllë, që të frushkullonin në mënyrë çnjerëzore, që të mbuluar me gjak të çonin në gjyqin e Pilatit, që u tregove porsi qengji i pafajshëm që e çojmë në flijim. Të qoftë nder ty, Zoti im Jezu Krisht, që lejove të dënojnë trupin tënd të shenjtë, tashmë tërësisht i mbuluar me gjak, me vdekje në kryq; që me plot dhembje e barte kryqin mbi shpatullat tua të shenjta, e që deshe të gozhdoheshe në drurin e vdekjes pasi të shpien me dhunë në vendin e mundimit dhe të zhveshën nga rrobat e tua.
Të qoftë nder, Zoti im Jezu Krisht, që me plot përvujtëri, në mes të vuajtjeve të tilla, i ngrite sytë e tu të mbushur me dashuri dhe mirësi drejt nënës sate shumë të denjë, e cila kurrë nuk e njohu mëkatin, dhe kurrë nuk pranoi as mëkatin më të vogël, e që e ngushëllove duke e besuar atë në kujdesin besnik të nxënësit tënd.
Bekimi i amshuar ty, Zoti im Jezu Krisht, që gjatë agonisë sate të vdekjes i dhe shpresën e faljes të gjithë mëkatarëve, kur me plotë mëshirë i premtove lavdinë e parajsës hajdutit që t’u drejtua ty.
Lavdi e amshuar ty, Zoti im Jezu Krisht, për çdo orë që për ne mëkatarët durove mbi kryq hidhërimet dhe vuajtjet më të mëdha. Vërtet dhembjet shumë të ashpra të plagëve të tua përshkonin në mënyrë të tmerrshme shpirtin tënd të lum dhe e përshkonin me dhunë të madhe zemrën tënde të shenjtë. Kur të plasi zemra, ti e lëshove lumnisht shpirtin dhe, duke e përkulur kokën, e dorëzove përvujtërisht në duar të Hyjit Atë duke mbetur pastaj i vdekur, tërësisht i ftohtë në trup.
Bekuar qofsh, Zoti im Jezu Krisht, që i shëlbove shpirtrat me gjakun tënd të çmueshëm dhe me vdekjen tënde të shenjtë, e që me plot mëshirë i riktheve nga mërgimi në jetën e amshuar. Qofsh bekuar, Zoti im Jezu Krisht, pse lejove që heshta të shporonte, për shëlbimin tonë, kraharorin dhe zemrën, dhe për gjakun e çmueshëm dhe për ujin që nga ai kraharor rrodhi për shëlbimin tonë.
Lavdi ty, Zoti im Jezu Krisht, pse deshe që trupi yt i bekuar të ulej nga kryqi me vepër të miqve të tu, të dorëzohej në duar të nënës sate të dhimbshme dhe nga ajo të mbështjellej në pëlhurë, e që të mbyllej në varrin e ruajtur nga ushtarët.
Nder i amshuar ty, Zoti im Jezu Krisht, që u ngjalle nga të vdekurit ditën e tretë dhe që u takove i gjallë me ata që ti i pate zgjedhur; që pas dyzet ditësh u ngjite në qiell, para syve të shumë njerëzve dhe që i vendose atje në lartësi, mes nderit dhe lavdisë, miqtë e tu që i pate liruar nga ferri.
Ngazëllim dhe lavdi të amshuar ty, Zot Jezu Krisht, që në zemrën e nxënësve e dërgove Shpirtin Shenjt e që shpirtit të tyre ia dhurove një dashuri të pafund dhe hyjnore.
Qofsh bekuar, nderuar dhe lavdëruar në shekuj, Zoti im Jezu, që ulesh në fronin e mbretërisë së qiellit, në lavdinë e madhërisë sate, fizikisht i gjallë me të gjitha gjymtyrët e tua të shenjta, të cilat i more nga mishi i Virgjërës. Dhe kështu ti do të vish në ditën e gjyqit për të gjykuar shpirtrat e të gjithë të gjallëve dhe të vdekurve: ti që jeton e mbretëron së bashku me Atin e me Shpirtin Shenjt në shekuj të shekujve. Amen.
Përgjigjja Krh. Zb 1, 5. 6; Ef 5, 2
C Krishti na deshi dhe na liroi nga mëkatet tona me gjak të vet, * na bëri Mbretëri, priftërinj për Hyjin, Atin e vet.
D Jetoni në dashuri, sikurse Krishti na deshi dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit:
C na bëri Mbretëri, priftërinj për Hyjin, Atin e vet.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Zot, Hyji ynë, ti ia zbulove shën Brigitës fshehtësitë qiellore ndërsa po i kundronte mundimet e Krishtit: bëj, që edhe ne, shërbëtorët e tu, të galdojmë plot gëzim në zbulimin e lavdisë sate. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.