Shërbesa e leximeve
Java e gjashtëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
E premte
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Nëpërmjet këngës së gjelit
tashmë errësirë e natës
dhe të natës së pangopur
duke hequr tmerrin e zi,
Hy jetëdhënës, po të lusim
dhe të lypim me gjithë shpirt.
Dritë e fortë, syhapët, erdhe
dhe mbikëqyrës i njerëzimit,
ndërsa mbanin të gjitha sendet
bashkërisht heshtje të zakonshme,
madje e nxirrnin krejt të vdekur
përfytyrimin e të vdekurit.
Ti, o Krisht, ne të na zgjoje
nga gjumi i prapësisë,
dhe falas të na libroje
nga burgu i natës sterrë,
edhe dritën të na ktheje
shoqëruese gjithnjë e jetës.
Ty e Atit ju qoftë nderi,
po ashtu Shpirtit të Shenjtë,
Hyjit në tre vetë dhe një të vetëm,
paqes, jetës, edhe dritës,
mbi të gjithë emrit të ëmbël
dhe vullnetit të hyjnueshëm. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Na mbro, krijuesi i sendeve,
lavdi e dritës s’Atit,
pa hirin e të cilit
dridhen kraharorët tanë.
Dhe me Shpirtin tënd të mbushur,
duke mbartur Zotin me vete,
asgjë e grabitësit të pabesë të mos duket
me mashtrime shkatërruese.
Që ndër punët e shekullit,
si e lyp nevoja e jetës,
zhveshur nga çdo lloj krimi
të rrojmë me ligjet e tua.
Ty, o Krisht, mbret krejt i drejti,
Ty e Atit ju qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Mos e përbuz, o Hyj, lutjen time, që ta drejtoj ndërsa më shkelin mëkatarët.
Psalmi 55 /54/ (2-15. 17-24) Miku që tradhton
O Judë, a me të puthur po e tradhton Birin e njeriut? (Lk 22, 48).
I (2-9)
Vështroje, O Hyj, lutjen time, †
mos u fsheh para uratës sime, *
më prano e më vështro,
se në mjerimin tim u shkriva në vaj, *
prej britmës së armikut, prej ndrydhjes së mizorit.
Hedhin mbi mua paudhësi, *
më sulmojnë me tërbim.
Dridhet zemra ime në mua, *
më përshkoi tmerri i vdekjes.
Frikë e tmerr erdhën mbi mua, *
më mbuloi një rrëqethje e rëndë.
Thashë: »Kush do të më japë krahë porsi pëllumbit *
për të fluturuar e për të gjetur pushim?
Larg, larg do të fluturoja, *
në shkretëtirë do të banoja.
Do ta prisja atë që më shpëton *
nga furia e erës dhe e stuhisë.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Mos e përbuz, o Hyj, lutjen time, që ta drejtoj derisa më shkelin mëkatarët.
Ant. 2 Zoti na liroi prej sulmit të armikut.
II (10-15)
Shpërndaji, o Zot, pështjelloju gjuhët, *
sepse shoh dhunë e grindje në qytet.
Ditën, natën qarkullojnë mbi mure, †
në qytet paudhësi, vuajtje e prita, *
nuk mungojnë në sheshe mujshi e tradhti.
Sepse po të më shante armiku, *
disi do të duroja,
të ishte ngritur kundër meje ai që më urren, *
disi do të fshihesha para tij,
por qe ti, o njeri, shoku im, *
miku im, i njohuri im,
me të cilin bëra shoqëri të ngushtë: *
bashkë me turma shkonim në Shtëpinë e Hyjit!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti na liroi prej sulmit të armikut.
Ant. 3 Lërja kujdesin tënd Zotit e ai do të të shpëtojë.
III (17-24)
Por unë do ta thërras në ndihmë Hyjin, *
Zoti do të më japë shpëtim.
Në mbrëmje, në mëngjes, në mesditë
do të dënes i trishtuar *
e ai do të ma dëgjojë zërin.
Ai do të më shpëtojë, paqe do të më japë †
prej atyre që më sulmojnë: *
sepse të panumërt janë kundërshtarët e mi.
Hyji do të dëgjojë, do t’i përvujtërojë ata *
Ai që është para të gjitha jetëve.
Për ata kthim nuk ka *
e Hyjin s’e druan!
Secili ngre dorën kundër miqve të vet, *
shkel e thyen besën e dhënë.
Më të butë se tëlyeni e kanë gojën, *
zemrën e kanë të gatshme për luftim,
fjalët i kanë më të buta se vaji, *
e ata - shpatë të nxjerra nga milli!
Lëshoja kujdesin tënd Zotit †
e Ai do të të japë fuqi: *
kurrë s’do të lejojë të bjerë poshtë i drejti.
Ata, o Hyj, që janë gjakpirës e shpirtkëqij *
plandosi në gropën e varrit
që të mos jetojnë as gjysmën e ditëve të veta! *
Por unë do të shpresoj në ty, o Zot!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lërja kujdesin tënd Zotit e ai do të të shpëtojë.
D Dëgjoje, biri im, zërin e urtisë.
C vëri veshin mësimeve të mia.
Leximi i parë
Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 5, 1-21
Banesa e amshuar në qiell. Shërbesa e pajtimit.
Vëllezër, e dimë se, nëse shtëpia jonë tokësore ‑ kjo tendë, shkatërrohet, kemi godinën prej Hyjit banesë të përjetshme, qiellore, që nuk është e punuar nga duart e njeriut. Ne në këtë banesë dënesim e dëshirojmë përmbi të ta veshim banesën tonë qiellore, merret vesh, nëse do të gjendemi të veshur e jo të zhveshur. Sepse ne që gjendemi në këtë tendë dënesim porsi nën barrë të rëndë meqë nuk dëshirojmë të zhvishemi, por të vishemi mbi të me një tjetër që kështu jeta ta përpijë atë që është e vdekshme. E Ai që na krijoi për këtë qëllim është Hyji, i cili na dha kaparin ‑ Shpirtin Shenjt.
Kështu, pra, jemi gjithmonë plot shpresë edhe pse e dimë se deri të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit; sepse jetojmë në fe e jo në pamje të Zotit. Për këtë arsye edhe jemi plot shpresë e më fort dëshirojmë ta lëshojmë banesën e këtij trupi për të banuar te Zoti. Prandaj, edhe mundohemi me gjithë shpirt t'i pëlqejmë Zotit, qoftë duke qëndruar në banesën tonë, qoftë edhe duke e lëshuar atë, sepse të gjithëve na duhet të dalim në gjyq para Krishtit, që secili të marrë shpërblimin për veprat që ka bërë gjatë jetës së vet në trup, qoftë për të mira, qoftë për të këqija.
Pra, duke e njohur frikën e Zotit, bëjmë çmosin për t'i bindur njerëzit. Plotësisht na njeh Hyji e shpresojmë se na njohin edhe ndërgjegjet tuaja. Nuk po e porosisim përsëri vetveten te ju, por duam t'ju japim rast të mburreni me ne, në mënyrë që të keni çka t'u përgjigjeni atyre që mburren me bukurinë e fytyrës e jo të zemrës. Dhe njëmend, nëse jemi “jashtë mendsh” ‑ jemi për Hyjin, e nëse jemi “ndër mend” ‑ jemi për ju. Sepse dashuria e Krishtit na nxit kur mendojmë se: Njëri vdiq për të gjithë, prandaj, të gjithë vdiqën; e Ai vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta.
Kështu, pra, qysh tani nuk njohim më askënd në mënyrën thjesht njerëzore; po edhe nëse e kemi njohur Krishtin në mënyrën thjesht njerëzore, nuk e njohim më ashtu. Pra, nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja! Të gjitha e kanë burimin në Hyjin, i cili na pajtoi me vetvete me anë të Krishtit dhe neve na e besoi shërbesën e pajtimit. Sepse Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre e duke na e besuar neve fjalën e pajtimit. Jemi, pra, përfaqësuesit e Krishtit! Hyji ju qorton përmes nesh! Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin! Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit.
Përgjigjja Krh. 2 Kor 5, 18; Rom 8, 32
C Hyji na pajtoi me vetvete me anë të Krishtit * dhe neve na e besoi shërbesën e pajtimit.
D Ai as Birin e vet nuk e kurseu, por e dorëzoi të flijohet për të gjithë ne,
C dhe neve na e besoi shërbesën e pajtimit.
Leximi i dytë
Nga “Rrëfimet” e shën Augustinit, ipeshkëv
(Lib. 10, 43. 68-70; CSEL 33, 278-280)
Krishti vdiq për ne.
Ndërmjetësi i vërtetë, të cilin mëshira jote e fshehtë ua zbuloi njerëzve dhe të cilin e dërgove që sipas shembullit të tij, ndër të tjera, të mësonin vetë përvujtërinë, po ai “ndërmjetës mes Hyjit dhe njerëzve, njeriu Krishti Jezus”, u duk si element i bashkimit mes keqbërësve të vdekshëm dhe të të Drejtit të pavdekshëm, ai që ishte i vdekshëm me njerëz e i drejtë me Hyjin. Tashti, shpërblimi i drejtësisë është e vërteta dhe paqja. Për këtë arsye Krishti me drejtësi, e cila e bashkonte me Hyjin, e zhduku vdekjen e cila, prej të zgjedhjes së tij të lirë, e bashkonte me keqbërësit e shfajësuar.
Sa fort na deshe, o Atë i mirë, saqë nuk e kurseve Birin tënd të vetëm, por e dorëzove të flijohej për ne mëkatarët! (krh. Rom 8, 32).
Si na deshe, kur për ne “ai, që barazinë e vet me Ty nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por u bë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq” (krh. Fil 2, 6. 8)! Pikërisht ai, i vetmi i lirë në mes të të vdekurve, ai që “ka pushtet ta japë jetën dhe ka pushtet ta kthejë prapë atë” (Gjn 10, 18))! Për ne është fitimtar dhe viktimë para teje, fitimtar pikërisht pse është viktimë. Për ne është prift dhe fli para teje, prift pikërisht pse është fli. ai ne, që ishim robër, na bëri bij të tu, duke lindur prej teje dhe duke na shërbyer neve.
Me plot arsye vë në të shpresën e sigurt se ti, o Zoti im, do t’i shërosh të gjitha lëngimet e mia, nëpërmjet atij i cili qëndron në të djathtën tënde dhe “ndërmjetëson për ne” (Rom 8, 34). Përndryshe do të bija pre e dëshpërimit. Të shumta dhe të mëdha janë dobësitë e mia, janë të shumta dhe të mëdha, porse më i bollshëm është ilaçi që dhuron ti. Do të mund të mendonim se Fjala jote ishte larg prej bashkimit me njeriun dhe do të na duhej të dëshpëroheshim për vetveten, po të mos ishte mishëruar dhe po të mos kishte ardhur në mesin tonë (krh. Gjn 1, 14). I trembur prej mëkateve të mia dhe prej mjerimit tim të madh, e pata shqyrtuar dhe medituar në zemrën time tërheqjen në vetmi. Porse ti ma ndalove dhe më nxite me këto fjalë: “Ai vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta” (2 Kor 5, 15).
Ja, o Zot, unë po e hedh në ty çdo mendim timin që unë të mund të jetoj, “që të shikoj mrekullitë e ligjit tënd” (Ps 119 /118/, 18). “O Hyj, ti e njeh marrëzinë time” (Ps 69 /68/, 6), dhe të gjitha sëmundjet e mia. Më mëso të kryej vullnetin tënd dhe më shëro. I Njëlinduri yt, “në të cilin janë të fshehura të gjitha visaret e dijes e të kuptimit” (Kol 2, 3), më ka shëlbuar me gjakun e tij. “Të mos më shpifen krenarët” (Ps 119 /118/, 122), sepse para syve të mi unë mbaj çmimin e shëlbimit tim, ai është ushqimi dhe pija ime. Është një dhuratë që u bëj edhe të tjerëve. I varfër siç jam, kam dëshirë të ngihem me të në mesin e atyre që ushqehen me të dhe ngihen dhe “Do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkojnë” (Ps 22 /21/, 27).
Përgjigjja Krh. 2 Kor 5, 14. 15; Rom 6, 10
C Dashuria e Krishtit na nxit kur mendojmë se: Njëri vdiq për të gjithë, * në mënyrë që të mos jetojmë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ne.
D Vdekja e Krishtit qe vdekje njëherë e përgjithmonë për mëkatin; kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin,
C në mënyrë që të mos jetojmë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ne.
Lutja
Ji i butë, o Zot, me shërbëtorët e tu dhe shtoji në ta dhuratat e hirit tënd, që të zellshëm për kah shpresa, feja dhe dashuria, t’i zbatojnë vazhdimisht dhe për pikërisht urdhërimet tua. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.