Shërbesa e leximeve
25 korrik, Shën Jakobi, apostull
Festë
I biri i Zebedeut dhe vëllai i apostullit Gjon, lindi në Betsaidë. Qe i pranishëm në mrekullitë kryesore të Zotërisë. Qe vrarë me urdhër të Herodit rreth vitit 42. Është i nderuar sidomos në Spanjë në Kompostella, ku ekziston bazilika e famshme e kushtuar atij.
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
O princa të mbretit t’Epër
të selisë s’amshueshme,
që duke i zgjedhur vetë Krishti
botës ia dha Apostuj.
Jerusalemi i lartë
që Qengji e shndrit me dritë,
ju ka inxhi të shkëlqyera,
dhe ju themel të palëkundshëm.
Ju kremton e përgëzuar
tash Kisha, Nusja e Krishtit,
që fjala juaj e nxiti,
që ju me gjak shenjtëruat.
Kur shekujt do të shemben
gjykatës do të rrijë Shëlbuesi,
me sa lavdi do të rrini,
senat i lavdisë s’epër.
Prandaj lutja juaj
na forcoftë në ndihmë prore
dhe fara që ju hodhët
lulëzoftë në fryte të qiellit.
Lavdi të përjetshme Krishtit,
që ju bëri lajmëtarë,
dhe ju me hir jetëdhënës
t’Atit dhe Shpirtit mbushi. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Në mbarë botën jehon predikimi i tyre; deri në skajet e botës, fjala e tyre.
Psalmi 19 /18 A/ (2-7)
Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *
kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!
Dita ditës ia përsërit këtë gjë *
e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *
po as zë që do të mund të dëgjohet,
megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *
diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
Diellit në to ia ngrehu tendën: †
del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *
thua vigani pash më pash i bie sheshit!
Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †
udha e tij kapet në skajin tjetër, *
asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Në mbarë botën jehon predikimi i tyre; deri në skajet e botës, fjala e tyre.
Ant. 2 I shpallën veprat e Hyjit, i kumtuan mrekullitë e tija.
Psalmi 64 /63/ (2-11)
Dëgjoje, o Hyj, zërin e vajtimit tim, *
ma ruaj jetën prej tmerrit të armikut,
më mbro nga përbetimi i të mbrapshtëve, *
prej grumbullit të atyre që veprojnë keq.
Prej atyre që e mprehën gjuhën e vet si shpatë, †
që vjellin si shigjeta fjalë të helmuara, *
për ta shigjetuar në moh të pafajshmin;
e shigjetojnë papritmas e frikë nuk kanë. *
Ata marrin guxim në synimet e veta të këqija,
shestojnë si t’i vënë fshehtas leqet e veta *
e thonë: »Kush mund t’i shohë?«
Synojnë paudhësi, i çojnë në vend synimet e parapara, *
humnerë është njeriu, greminë zemra e tij!
Por Hyji i shigjetoi ata, *
papritmas i mbuluan plagët.
Gjuha e vet ata i sharroi, *
kush i sheh, i habitur, luan kokën.
Të gjithë njerëzit do t’i kapë frika, †
do t’i kumtojnë veprat e Hyjit, *
mirë do ta kuptojnë ç’bëri Ai.
I drejti do të gëzohet në Zotin, †
në Të do ta ketë shpresën, *
me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 I shpallën veprat e Hyjit, i kumtuan mrekullitë e tija.
Ant. 3 Ia shpallën botës drejtësinë e Hyjit: mbarë popujt e sodisin lavdinë e tij.
Psalmi 97 /96/ (1-12)
Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *
le të gëzohen ishujt e shumtë!
Re e errësirë janë përreth tij, *
e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.
Zjarri shkon përpara tij *
dhe i djeg armiqtë e tij përreth.
Vetëtimat e tija e shndritin botën, *
sheh Toka e dridhet!
Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *
para fytyrës së Zotit të mbarë botës!
Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *
të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.
I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †
të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *
Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!
Dëgjoi Sioni e u gëzua, †
galduan bijat e Judës. *
për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.
Sepse ti je, o Zot,
i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *
ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.
Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †
Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *
i shpëton prej dorës së mëkatarit.
Lindi drita për të drejtin, *
e gëzimi për zemërmirët.
Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *
nderojeni Emrin e tij të shenjtë.
Ant. 3 Ia shpallën botës drejtësinë e Hyjit: mbarë popujt e sodisin lavdinë e tij.
D E shpallën fuqinë e Zotit,
C dhe mrekullitë që ai i bëri.
Leximi i parë
Prej letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 4, 1-16
Gjithkush le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit e për mbarështues të mistereve të Hyjit. Tashti, në fund të fundit, prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik. Sa për mua, aspak nuk jam në kujdes se më gjykoni ju apo çfarëdo gjyqi njerëzor. Por as vetë nuk e gjykoj vetveten. Vërtet, ndërgjegjja ime nuk më padit për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti. Prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti! Ai do të qesë në dritë çka është e fshehur në errësirë dhe do t'i zbulojë synimet e zemrave. Atëherë gjithkush do të marrë prej Hyjit lavdinë që i përket.
Me këto fjalë, vëllezër, e mora për shembull veten e Apolin për mësimin tuaj, që në ne ta kuptoni fjalën. 'Jo përtej se çka është e shkruar!' që të mos krenoheni me njërin kundër tjetrit. E njëmend, kush ta jep ty përparësinë? Çka ke që nuk e ke marrë? E, nëse e ke marrë prej tjetërkujt, pse krenohesh kinse s'e ke marrë? Tani u ngitë! Tani u bëtë të pasur! Pa ne u bëtë mbretër! Ku të merrej ai fat, se vërtetë u bëtë mbretër, që të mbretëronim edhe ne me ju!
E pra, unë mendoj se Hyji ne, apostujve, na ka vënë në vendin e fundit, si të dënuar për vdekje: lojë për botën, për engjëjt e për njerëzit;
ne të marrë për shkak të Krishtit, ju të urtë në Krishtin,
‑ ne të dobët,
ju të fortë, ju të nderuar e ne të përbuzur,
deri tani s'ngihemi me bukë as me ujë, jemi të zhveshur e të shtypur, të paplang e të pashtëpi, lodhemi duke punuar me duart tona.
Na shajnë e ne flasim mirë për ta,
na salvojnë e ne durojmë;
na shpifen e ne ngushëllojmë.
U bëmë deri në sot porsi plehrat e botës, porsi të fshirat e gjithkujt!
Nuk po jua shkruaj këto që t'ju turpëroj, por që t'ju qortoj si fëmijët e mi të dashur. Sepse, edhe po t'i kishit në Krishtin dhjetë mijë mësues, nuk do të kishit shumë etër, sepse, me anë të Ungjillit, unë ju linda në Jezu Krishtin. Prandaj, ju përbej: më përngjani!
Përgjigjja Gjn 15, 15; Mt 13, 12
C Nuk ju thërras më shërbëtorë, por miq: * ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.
D Ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit: lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë:
C ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.
Leximi i dytë
Nga “Predikimet mbi Ungjillin sipas Mateut” i shën Gjon Gojartit, ipeshkëv
(Pred. 65, 2-4; PG 58, 619-622)
Pjesëtarë të mundimeve të Krishtit
Bijtë e Zebedeut i kërkojnë Krishtit: “Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde” (Mk 10, 37). Çka përgjigjet Zotëria? Që ata të kuptojnë se në kërkesën e tyre nuk ka asgjë shpirtërore e që, po të dinin çka po kërkonin, nuk do të kërkonin, përgjigjet: “Nuk dini çka lypni” – do të thotë, nuk e njihni vlerën, madhërinë dhe dinjitetin kësaj kërkese që janë më të larta se vetë pushtetet qiellore. Dhe shton: “A jeni të zotët ta pini gotën që unë e pi? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem?” (Mk 10, 38). Ju, duket se u thotë atyre, më flisni për ndere dhe për dinjitet; ndërsa unë ju flasë për luftë dhe për djersë. Nuk është kjo koha e shpërblimeve, as nuk shfaqet tani lavdia ime. Koha e tanishme është kohë e vdekjes së dhunshme, e luftërave dhe rreziqeve.
Vëreni, pra, se si duke u përgjigjur atyre me një pyetje tjetër, i nxit dhe i tërheq ata. Nuk i pyet ata a janë të aftë të vdesin, të derdhin gjakun e tyre, por i pyet: “A jeni të zotët ta pini” - e që t’u jep guxim u thotë “gotën që unë e pi?” në mënyrë që duke i bërë pjesëtarë të vuajtjeve të veta t’i bënte ata më të guximshëm. E quan vuajtjen e vet “pagëzim” për të kuptuar se gjithë bota do të pastrohej nga ajo. Dy nxënësit përgjigjen: “Jemi të zotët!”. Premtojnë menjëherë, pa ditur se çfarë kërkojnë, me shpresë se kërkesa e tyre do të plotësohej. E Jezusi përgjigjet: “Vërtet do ta pini gotën që unë e pi dhe do të pagëzoheni me pagëzim me të cilin unë pagëzohem” (Mk 10, 39). U premton atyre të mira të mëdha: Ju do të jeni të denjë të pësoni martirizimin dhe do të vuani bashkë me mua; do të përfundoni jetën tuaj me një vdekje heroike dhe do të merrni pjesë në dhimbjet e mia. “Por të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën ose në të majtën time – kjo nuk është në pushtetin tim ta jap – kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati” (Mk 10, 40).
Pasi e përgatiti shpirtin e dy nxënësve dhe pasi i forcoi kundër dhimbjes, atëherë e përmirëson kërkesën e tyre.
“Dhjetë tjerët u hidhëruan në Jakobin e në Gjoni” (Mk 20, 40). Vini re se si të gjithë apostujt janë akoma të papërsosur, si ata të dy që dëshironin të viheshin mbi dhjetë të tjerët, ashtu edhe të tjerët që i kishin zili ata. Por, siç ju thash, vërejini më vonë, dhe do të shihni se ata janë të përjashtuar nga të gjitha këto mjerime. Vetë Gjoni, i cili del para Jezusit edhe ai me ambicie, do t’i jap në çdo rrethanë parësinë Pjetrit, si në predikim, si në bërje të mrekullive, siç duket qartë në Veprat e Apostujve. Ndërsa Jakobi nuk jetoi gjatë pas këtyre ngjarjeve. Pas Rrëshajëve zelli i tij do të jetë i tillë saqë, duke lënë anash çdo interes tokësor, do të arrijë një virtyt kaq të lartë, saqë u gjet i denjë të pranonte menjëherë martirizimin.
Përgjigjja Krh. Ps 19 /18/, 5
C Me gjakun e vet e themeluan Kishën e Hyjit. * Pinë në kelkun e Zotërisë dhe u bënë miq të tij.
D Nëpër mbarë tokën shpërndahet jehona e tyre, diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës.
C Pinë në kelkun e Zotërisë dhe u bënë miq të tij
Në të kremte dhe në festa: Te Deum (fq. 554).
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti deshe që shën Jakobi i pari ndër apostujt e tu ta flijonte jetën për Ungjill: forcoje Kishën tënde me dëshminë e tij dhe mbaje në mbrojtjen tënde. Nëpër Zotin.
P ërfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.