Shërbesa e leximeve

Java e Tridhjetetretë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E diele

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë

 

   Himni

 

   Për të tjerët koha e dita

   e tetë shkëlqen më e shenjtë

   në ty që e shenjtëron, Jezus,

   i pari i të ringjallurve.

 

   Me ty ti shpirtrat tanë

   tash sa më parë bashkë ngjalli;

   për ty të ngjallën trupat

   të lirë në vdekjen e dytë.

 

   Dhe Ty ndër re së shpejti

   o Krisht të dalim para

   me ty në vazhdim fitues:

   ti jeta dhe ringjallja.

 

   Duke parë fytyrën tënde,

   të shëmbëllejmë lavdinë,

   të njohim ty siç je:

   drita e vërtetë, kënaqësia.

 

   Mbretërinë me shtatë mirosje

   të mbushur plot me Atin,

   tek ti ne gjejmë gazmim,

   Shenjtja Trini do t’i kryejë. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve lutet gjatë ditës:

 

   Në krye të gjitha ditëve

   kur u krijua tërë bota

   ja kur Krijuesi i ngjallur,

   mposht vdekjen, na liron.

 

   Duke flakur larg mpirjet

   më shpejt të gjithë të ngrihemi,

   të drejtin të kërkojmë natën,

   sikur njohëm Profetin.

 

   Lutjet tona të dëgjojë,

   të shtrijë dorën e djathtë,

   e ky selitë ndoshta

   me fli t’i pastrojë,

 

   Që ne secilit në kohën

   e shenjtë të kësaj dite

   psalim në orë të pushimit,

   të na falë dhunti të pasura.

 

   Hyjit Atë i qoftë lavdia

   dhe Birit të tij të vetëm,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   ndër shekujt e përhershëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Druri i jetës u shfaq në kryqin e Zotit.

 

   Psalmi 1 (1-6) Dy udhët e njeriut

 

   Lum ata që, duke shpresuar në kryq, zbritën në ujin e pagëzimit (nga një autor i shekullit II).

 

Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve, †

   që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve *

   e nuk rri së bashku me përqeshës,

 

por kënaqet në Ligjin e Zotit *

   dhe e kujton atë ditë e natë.

 

Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh, *

   e cila frytin e vet e jep në stinë

dhe gjethet kurrë s’i vyshken: *

   i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.

 

Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve, *

   por ata janë porsi byku që shpërndan era.

Prandaj të paudhët s’do t’i bëjnë ballë gjyqit *

   as mëkatarët bashkimit të të drejtëve!

 

Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve, *

   kurse udha e bakëqijve do të mbarojë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Pema e jetës u shfaq në kryqin e Zotit.

 

Ant. 2 Fjala e Hyjit, Krishtit të vet: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.

 

   Psalmi 2 (1-12) Mesia, Mbreti fitimtar

 

   Udhëheqësit e këtij qyteti u mblodhën së bashku, kundër Jezusit, të cilin ti e shugurove Mesi (Vap 4, 27).

 

Përse paganët çohen peshë *

   e përse popujt bluajnë punë të kota?

 

Mbretërit e tokës po ngrihen, *

   princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:

 

»Le t’i këputim vargjet e tyre, *

   le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«

 

Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *

   i Larti Zot i përqesh ata!

 

Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *

   me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:

»Unë e kam shuguruar mbretin tim *

   mbi Sion, malin tim të shenjtë!«

 

Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †

   Ai më tha: »Ti je im Bir, *

   unë sot të linda!

 

M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *

   nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.

Sundo mbi ta me skeptër hekuri *

   dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«

 

E tani pra, merrni vesh, o mbretër, *

   mësoni ju që gjykoni dheun!

Shërbejini Zotit me frikë të madhe, *

   nënshtrojuni Atij me nderim e dridhje,

 

bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *

   e të sharroni nga udha.

Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *

   Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Fjala e Hyjit, Krishtit të vet: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.

 

Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.

 

   Psalmi 3 (2-9) Zoti më ruan

 

   Krishtin e zuri gjumi në vdekje dhe u zgjua në ringjallje, sepse Hyji ishte mbështetja e tij (Shën Ireneu).

 

Sa shumë janë, o Zot, asi që më salvojnë! *

   Sa shumë asi që po më çohen kundër!

Shumë janë asi që thonë për mua: *

   »As Hyji më nuk do ta shpëtojë!«

 

Por ti, o Zot, je mbrojtësi im, *

   nderi im që lart ma mban kryet!

Zërin tim e lartësoj te Zoti *

   dhe më vështron prej malit të vet të shenjtë.

 

Unë bie në shtrojë e fle *

   e prapë zgjohem: sepse Zoti më ruan.

Jo, nuk i druaj njerëzit, edhe me mijëra në qofshin, †

   që përqark më rrethojnë porsi armiq. *

   Ngrihu, o Zot, më shpëto, o Hyji im!

 

Shputë ua pëlcet turinjve armiqve të mi, *

   dhëmbët ua thyen mëkatarëve!

Shpëtimi vjen prej Zotit: *

   bekimi yt mbi popullin tënd!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.

 

   D Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet;

   C mësojeni dhe këshillojeni njëri-tjetrin me plot urti.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 7, 2-16

 

   Gëzimi i Apostullit për pendesën e të krishterëve në Korint.

 

   Vëllezër, na bëni vend në zemrat tuaja! Askujt nuk i bëmë padrejtësi, askënd nuk dëmtuam, askënd nuk shfrytëzuam! S'po jua them këtë për t'ju dënuar, sepse ju thashë se jeni në zemrën tonë dhe se vdesim e jetojmë së bashku. E madhe është shpresa ime në ju, e madhe është mburrja ime në ju, jam plot ngushëllim; sepse, edhe me ngushticën tonë, prapë gëzimi ynë nuk ka masë.

   Dhe njëmend, edhe kur erdhëm në Maqedoni, ne të shkretët nuk patëm aspak kohë paqeje; gjithkah na kishin rrethuar vështirësitë ‑ jashtë luftime e brenda frika.

   Por Hyji, ngushëlluesi i të përvujtëve, na ngushëlloi me ardhjen e Titit. Por jo vetëm me ardhjen e tij, por edhe me ngushëllim që pati prej jush: na njoftoi për dëshirën tuaj të gjallë, për lotët, për dashurinë e flaktë tuajën ndaj meje, gjë që më dha një gëzim edhe më të madh.

   Dhe njëmend, edhe nëse ju kam trishtuar me anë të asaj letre, tani nuk më vjen keq... edhe pse më ka ardhur keq [po shoh se ajo letër ju ka trishtuar së paku edhe për një moment] ‑ tani gëzohem, jo pse u trishtuat, por për kthim që trishtimi ju prodhoi. E njëmend, trishtimi juaj qe sipas Hyjit, kështu që prej anës sonë nuk pësuat farë dëmi. Sepse trishtimi sipas Hyjit prodhon kthimin që sjell shëlbimin e nuk tërhiqet më prapa; kurse trishtimi sipas shekullit, sjell vdekjen. Shikoni, pra, çka prodhoi trishtimi sipas udhës së Hyjit: ç'kujdes, ç'shfajësim, ç'zemërim, ç'frikë, ç'dëshirë, ç'zell, ç'ndëshkim!

   Në çdo pikëpamje e dëshmuat se jeni të pastër në këtë punë. Nëse, pra, ju kam shkruar, nuk e bëra këtë gjë për arsye të fyesit e as të të fyerit, por që ju të bëheni të vetëdijshëm para vetvetes se sa kujdes keni për ne para Hyjit. Ja, pra, pse u ngushëlluam!

   E përveç këtij ngushëllimi, u gëzuam pa masë edhe për ngushëllimin e Titit, pasi ju të gjithë e përtëritët shpirtin e tij. E vërtet, nëse u mburra ndopak për ju në sy të Titit, nuk u turpërova, porse, sikurse juve ju kemi folur të vërtetën, kështu u vërtetua edhe mburrja jonë para Titit. Zemra e tij gjithnjë e më tepër ndizet në dashuri kundrejt jush, kur i kujtohet dëgjesa e të gjithë juve, se me ç'kujdes e nderim të bindshëm e pritët. Jam shumë i kënaqur që për gjithçka mund të llogaris në ju!

 

   Përgjigjja Krh. 2 Kor 7, 10. 9

 

   C Trishtimi sipas Hyjit prodhon kthimin që sjell shëlbimin; * kurse trishtimi sipas botës, sjell vdekjen.

   D Trishtimi juaj qe sipas Hyjit, kështu që prej anës sonë nuk pësuat farë dëmi;

   C kurse trishtimi sipas botës, sjell vdekjen.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Predikimet mbi letrën e dytë drejtuar Korintianëve” e shën Gjon Gojartit, ipeshkëv

   (Pred. 14, 1-2; PG 61, 497-499)

 

   Mbushem me gëzim në çdo vuajtje.

 

   Pali e nis përsëri fjalimin mbi dashurinë, duke e zbutur ashpërsinë e qortimit të tij. Pasi i qortoi dhe ua tërhoqi vërejtjen Korintianëve për faktin se, ndonëse të dashur prej tij, nuk i ishin përgjigjur dashurisë, por përkundrazi, qenë mosmirënjohës dhe ua vunë veshin njerëzve të këqij, e zbut rreptësinë e qortimit duke thënë: “Na bëni vend në zemrat tuaja!” (2 Kor 7, 2) domethënë, na duani. Kërkon diçka mjaft të lehtë, madje më të dobishme për ata se sa për vete. Nuk thotë “duani”, por me kujdes të ëmbël: “Na bëni vend në zemrat tuaja”. Sikur të pyeste: E kush na përzuri prej zemrave tuaja? Kush na përjashtoi? Për ç’arsye u dëbuam prej shpirtit tuaj? Meqë më parë kishte pohuar: “Zemra juaj është e ngushtë” (2 Kor 6, 12), këtu shpreh të njëjtën ndjenjë duke thënë: “Na bëni vend në zemrat tuaja”. Në këtë mënyrë i tërheq prapë tek vetja. Asgjë tjetër nuk e shtyn aq shumë në dashuri njeriun që është dashur, se sa vetëdija se i dashuri dëshiron në mënyrë të zjarrtë që t’i përgjigjet me dashuri.

   Ju thashë se jeni në zemrën tonë dhe se vdesim e jetojmë së bashku” (2 Kor 7, 3). Shprehja më e madhe e dashurisë së Palit: edhe pse i përbuzur, dëshiron të jetojë dhe të vdesë bashkë me ta. Ju jeni në zemrën tonë jo në mënyrë sipërfaqësore, jo në çfarëdo mënyre, por ashtu sikurse unë ju thashë. Mund të ndodhë që një njeri të dashurojë, por në çast të rrezikut të ikë: nuk është kështu për mua.

   Unë jam plot ngushëllim” (2 Kor 7, 4). Me çfarë ngushëllimi? Me atë ngushëllim që më vjen prej jush: duke u kthyer në udhën e drejtë më keni ngushëlluar me veprat tuaja. Është vetishme për njeriun që dashuron më parë të ankohet sepse nuk është i dashur, pastaj të frikësohet se u shkakton vuajtje të tjerëve me këmbëngulje të tepërt në ankim. Për këtë arsye shton: Jam plot me ngushëllim e gëzimi im nuk ka masë”.

   Me fjalë të tjera: më ka goditur rëndë keqardhja për shkakun tuaj, por më keni shpërblyer me mbushullim dhe me keni dhënë ngushëllim të madh; jo vetëm që e keni larguar shkakun e keqardhjes, por më keni mbushur me një gëzim edhe më të madh.

   Pali e shfaq shpirtmadhësinë e vet jo vetëm duke thënë “gëzimi im nuk ka masë”, por duke shtuar edhe “në çdo ngushticë timen”. Kaq i madh është gëzimi që më keni shkaktuar, saqë as vuajtja më e madhe nuk mund ta errësojë, madje, është një gëzim aq i madh saqë, me begatinë e pasurisë së tij, më bëri t’i harroja të gjitha problemet që më kishin rënduar sipër dhe ka penguar që të mbetesha i shtypur prej tyre.

 

   Përgjigjja Krh. 2 Kor 12, 12. 15

 

   C Shenjat dalluese të apostullit u vërtetuan ndër ju: * duresë e vazhdueshme në çdo provë, shenja të mrekullueshme, vepra të bindshme.

   D Unë me gëzim do të shpenzoj e do të shpenzohem për shpirtrat tuaj,

   C duresë e vazhdueshme në çdo provë, shenja të mrekullueshme, vepra të bindshme.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti je mburoja jonë dhe shpresa, pa ty asgjë s’është e vyeshme as e shenjtë, na pajis me mëshirën tënde dhe na prij e na drejto ashtu që t’i përdorim me urti të mirat e kalueshme, që qysh tani të jepemi pas atyre që kurrë nuk do të kalojnë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.