Shërbesa e leximeve

27 korrik, Shën Joakimi e Shën Ana, prindërit e shën Marisë Virgjër

 

Përkujtim

 

      Sipas një tradite të lashtë që i përket shekullit II, këtë emër kanë pasur prindërit e së lumes Virgjër Mari. Kulti i shën Anës ekzistonte në lindje që në shekullin VI dhe u përhap në perëndim në shekullin X. Më i vonshëm është kulti i shën Joakimit.

 

Shërbesa e leximeve

 

FTESA

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: lavdia e tij shkëlqen në shenjtër.

 

Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

      Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: lavdia e tij shkëlqen në shenjtër.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: lavdia e tij shkëlqen në shenjtër.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: lavdia e tij shkëlqen në shenjtër.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: lavdia e tij shkëlqen në shenjtër.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: lavdia e tij shkëlqen në shenjtër.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: lavdia e tij shkëlqen në shenjtër.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)

 

      Himni

 

      Për shërbëtorë në zë të Krishtit të këndojmë,

      që t’shquar për fé e bëma të shkëlqyeshme,

      në këtë ditë toka e shoqruar nga qielli

      stolis me lavde.

 

      Sigurisht t’urtët, t’thjeshtët e të pastrit

      kaluan një jetë që nuk e njohin fajin,

      derisa shpirti fluturoi prej toke

      i lirë ndër yje.

 

      Prandej tash gzohen që janë pranë të mjerëve,

      u terin lot atyre që qajnë e u shërojnë plagët

      t’smuarve në mend, e u kthejnë përsëri shëndetin

      gjymtyrëve t’liga.

 

      Ndaj lavdi ynë t’jehojë për kta fatbardhë

      shërbtorë të Zotit dhe t’i falnderojmë,

      që me punë t’drejtë të shkojnë për t’na ndihmuar

      n’gjëra t’vështira.

 

      Veç Hyjit i qoftë pushteti dhe shkëlqimi

      lavdi n’lartësi e nderi i përhershëm,

      që me ligje t’veta sundon duke udhëhequr

      mbarë rruzullimin. Amen.

 

Ant. 1 Më shpëto, o Zot, pash mëshirën tënde.

 

   Psalmi 6 (2-11) Njeriu në sprovë kërkon mëshirën e Hyjit.

 

   Tani shpirtin e kam të tronditur... O Atë, më shpëto nga kjo orë (Gjn 12, 27).

 

O Zot, mos më qorto në zemërimin tënd *

   as mos më ndëshko në hidhërimin tënd!

Ki mëshirë për mua, o Zot, se më shkatërroi sëmundja, *

   më shëro, o Zot, se u thërrmuan eshtrat e mi.

 

Shpirti im është tejet i shqetësuar, *

   e ti, o Zot - e deri kur...?

Kthehu, o Zot, më shëro, *

   më shpëto në saje të mirësisë sate!

 

Sepse ndër të vdekur kush të kujton, *

   në Nëntokë kush të këndon lavde?

 

Plasa duke gjëmuar, †

   natë për natë e laj shtratin tim, *

   me lotët e mi e laj shtrojën time.

 

Sytë e mi po shqimen nga vajtimi, *

   u plaka midis armiqve të mi.

 

Largohuni prej meje të gjithë ju që bëni keq, *

   sepse Zoti e dëgjon zërin e dënesës sime!

 

Zoti e dëgjon lutjen time, *

   Zoti e pranon uratën time!

U turpërofshin dhe tmerrësisht u hutofshin armiqtë e mi *

   e, të çnderuar, vrik u kthefshin mbrapa!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1. Më shpëto, o Zot, pash mëshirën tënde.

 

Ant. 2 O Zot, ti je strehimi i të varfrit në ditën e ngushticës!

 

   Psalmi 9 I (1-11) Falënderim për fitore.

 

   Dhe prapë do të vijë për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit.

 

Të lavdëroj, o Zot, me gjithë zemrën time, *

   i shpall të gjitha mrekullitë e tua.

Gëzohem dhe galdoj në ty, *

   i këndoj Emrit tënd, o i Larti Zot!

 

Armiqtë e mi u kthyen prapazi, *

   ranë përdhe e sharruan ndër sytë e tu,

sepse ti u kujdesove për të drejtën e çështjen time, *

   ti ndenje mbi fron, Gjykatës i drejtë!

 

Ti i qortove paganët, e shove të pabesin, *

   emrin e tyre e zhduke për jetë të jetës!

Armiqtë sharruan - rrënojë e përhershme, *

   gërmadha ua bëre qytetet, mbaroi kujtimi i tyre me ta.

 

Zoti sundon në jetë të jetës, *

   e vendosi fronin e vet të gjykojë;

Ai vetë me drejtësi gjykon mbarë botën, *

   ua jep popujve dënimin e drejtë.

 

Zoti është strehimi i të salvuarit, *

   vend i sigurt për ditë të vështira.

Le të shpresojnë në ty ata që e njohin Emrin tënd, *

   sepse ti s’i lëshon dore ata që të kërkojnë ty, o Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 O Zot, ti je strehimi i të varfrit në ditën e ngushticës!

 

Ant. 3 Do të të lavdëroj, o Zot, në kuvendin e popujve.

 

   II (12-21)

 

Këndoni Zotit që banon në Sion, *

   kumtoni ndër popuj mrekullitë e tij!

Sepse si ndëshkues gjakësorësh në mend i bie për ta, *

   e britmën e skamnorit nuk e qet në harresë.

 

Ki mëshirë për mua, o Zot, †

   shihe mjerimin tim ku më hodhën armiqtë e mi, *

   më shpëto prej derës së vdekjes

 

për t’i shpallur të gjitha lavditë e tua †

   para dyerve të qytetit Sion *

   i gëzuar për shëlbimin tënd.

 

U plandosën paganët në atë gropë që vetë hapën, *

   këmba e tyre u zu në atë lak që vetë vunë,

Zoti e dëftoi veten e çoi në vend të drejtën, *

   mëkatari u ngatërrua në veprat e duarve të veta!

 

Le të kthehen mëkatarët në Nëntokë, *

   të gjithë paganët që e harrojnë Emrin e Hyjit!

Sepse skamnori nuk do të harrohet për amshim, *

   shpresa e varfanjakut nuk do të mbarojë askurrë.

 

Zgjohu, o Zot, të mos mbizotërojë njeriu, *

   para teje le të gjykohen paganët!

Mbushi me frikë e tmerr, o Zot, *

   le ta dinë paganët se janë vetëm njerëz.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Do të të lavdëroj, o Zot, në kuvendin e popujve.

 

   D Bëj që ta kuptoj dhe do ta mbaj ligjin tënd,

   C do ta ruaj me gjithë zemër atë.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 8, 1-24

 

   Pali kërkon ndihmë për kishën e Jerusalemit.

 

   Tani, o vëllezër, dëshirojmë t'ju tregojmë hirin e Hyjit që u qe dhënë kishave të Maqedonisë: si me gjithë vështirësitë e shumta e nevojat, gëzimi i tyre është i madh dhe si varfëria e tyre e tepërt erdhën e u zbrazën në visarin e fisnikërisë. Them të vërtetën: ata vullnetarisht sipas mundësisë, dhe madje përtej mundësisë, na u lutën me gjithë shpirt ta kenë hirin të marrin pjesë në këtë shërbesë në dobi të shenjtërve. Madje, jo ashtu si shpresuam, por më së pari veten ia falën Zotit e, pastaj, edhe neve, sipas vullnetit të Hyjit. Atëherë i bëmë lutje Titit që, sikurse filloi, ta kryejë ndër ju këtë vepër bujarie.

   Prandaj, sikurse edhe në çdo gjë tjetër dalloheni në shenjë ‑ në fe, në fjalë, në dije e në çdo kujdes, në dashurinë tuaj ndaj neve ‑ veçohuni edhe në këtë bujari!

   Nuk po ju urdhëroj, por, duke ju treguar kujdesin e tjerëve, ju jap mundësi ta tregoni vërtetësinë e dashurisë suaj. Sepse, ju e njihni bujarinë e Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili, duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij. Me kaq vetëm po ju këshilloj: vërtetisht ju ka hije juve, të cilët vitin e shkuar filluat të parët, jo vetëm ta realizoni, por edhe të kërkoni që të bëhet. Tani, pra, çojeni në vend këtë vepër që, sikurse qetë gati ta propozoni, ashtu edhe plotësojeni sipas mundësisë. Sepse, në qoftë vullneti i gatshëm, është i pëlqyeshëm për aq sa ka, e nuk merret parasysh për çka s'ka. Porse, merret vesh se jo ju të ngushtoheni e tjerëve t'u lehtësohet, por ‑ për një lloj barazimi. Në këtë rast ‑ çka ju keni më tepër, të plotësojë sa atyre u mungon, kështu që, një ditë, teprica e tyre ta plotësojë mungesën tuaj ‑ që të bëhet barazi, siç thotë Shkrimi i shenjtë:

   'Asgjë nuk i teproi atij që bashkoi shumë, dhe asgjë nuk i mungoi atij që bashkoi pak.'

   Faleminderit Hyjit që ia dha Titit në zemër gjithë atë kujdes për ju! Ai e pranoi lutjen tonë e, prejse ishte shumë i zellshëm, erdhi vullnetarisht te ju. Me të dërguam edhe vëllain, të cilin për shkak të Ungjillit e nderojnë të gjitha kishat. Madje ai qe zgjedhur prej anës së kishave të jetë shoku ynë në këtë veprimtari bujarie, të cilës po i shërbejmë në lavdi të [vetë] Zotit tonë dhe për të çuar në vend qëllimin tonë të mirë, që të mund t'u shpëtojmë kritikave rreth këtyre ndihmave të mëdha, sepse na duhet të kujdesemi jo vetëm për atë që është e mirë para Hyjit, por edhe para njerëzve. Me ta po e dërgojmë edhe vëllain tonë, zellin e të cilit e kemi sprovuar në shumë raste, e tani po e dëfton edhe shumë më të madh për arsye të shpresës së madhe që ka në ju. Për sa i përket Titit, ai është shoku im dhe bashkëpunëtori im ndër ju. Për sa i përket vëllezërve, ata janë të dërguarit e kishave ‑ nderi i Krishtit. Tregoni pra, atyre dëshminë e dashurisë suaj faqe kishave, si edhe se ne me të drejtë mburremi për ju.

 

   Përgjigjja Krh. 2 Kor 8, 9; Fil 2, 7

 

   C Ju e njihni bujarinë e Zotit tonë Jezu Krishtit: Ai, duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, * që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij.

   D E mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz,

   C që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij.

 

Leximi i dytë

 

      Nga “Fjalimet” të shën Gjonit të Damaskut, ipeshkëv

      (Fjal. 6, për lindjen e Sh.M.V. 2, 4. 5. 6; PG 96, 663. 667. 670)

 

      Do t’i njihni nga frytet e tyre

 

      Meqë Virgjra Nëna e Hyjit do të lindte nga Ana, natyra nuk guxoi të dilte para farës së hirit; por mbeti pa frytin e saj, që në këtë mënyrë hiri të sillte frytin e tij. Vërtet, duhej të lindte ajo e paralindur, nga e cila do të lindte i paralinduri i çdo krijese, “në të cilin qëndron çdo gjë” (Kol 1, 17). O çift i lum, Joakim dhe Anë! Juve u është borxhli çdo krijesë, sepse përmes jush krijesa i ofroi Krijuesit dhuratën më të pëlqyer, atë nënë krejtësisht të pastër, që ishte e vetmja e denjë për Krijuesin.

      Gëzohu Anë “ti që nuk linde, shpërthe në hare, gëzo, ti që fëmijë s’linde” (Is 54, 1). Klith me hare, o Joakim, sepse nga vajza jote lindi për ne një foshnje, na u dhurua një djalë, dhe emri i tij do të jetë Engjëll i këshillit të lartë, i shëlbimit për të gjithë botën, Hyj i fortë (krh. Is 9, 6). Ky fëmijë është Hyj.

      O Joakim dhe Anë, çift i lum, vërtet të panjollë! Nga fryti i kraharorit tuaj ju u bëtë të njohur, siç tha një herë Zoti: “Do t’i njihni prej fryteve të tyre” (Mt 7, 16). Ju e formuat sjelljen e jetës suaj në mënyrë të pëlqyeshme për Hyjin dhe të denjë për atë që lindi prej jush. Vërtet në bashkëjetesën tuaj të pastër dhe të shenjtë i dhuruat jetën atij margaritari të virgjërisë që ishte virgjër para lindjes, në lindje dhe pas lindjes. Ajo, them që vetëm duhej ta ruante gjithmonë virgjërinë e mendjes, të shpirtit dhe të trupit të saj.

      O Joakim dhe Anë, çift krejtësisht i pastër! Ju duke e ruajtur pastërtinë e shkruar në ligjin natyror, fituat në saje të virtytit hyjnor atë që e tejkalon natyrën: i dhuruat botës nënën e Hyjit që nuk njohu burrë. Ju duke e jetuar një jetë të përshpirtshme dhe të shenjtë në gjendjen njerëzore, e nxorët në dritë një vajzë më të madhe se engjëjt dhe tani mbretëreshë e vetë engjëjve.

      O virgjër shumë e bukur dhe e ëmbël! O bijë e Adamit dhe Nëna e Hyjit. Lum kraharori, që ta dhuroi jetën! Lum krahët që të shtrënguan dhe buzët që të dhuruan puthje të pastra, ato të prindërve të tu të vetëm, kështu që ti në gjithçka e ruajte pastërtinë! “Mbarë toka le t’i brohorasë Zotit, le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë” (Ps 98 /97/, 4). Ngriteni zërin tuaj, bërtitni e mos kini frikë.

 

      Përgjigjja    Krh Lk 2, 37. 38; 7, 16

 

      C Natë e ditë me agjërim e me uratë i shërbenin Hyjit, * dhe e prisnin shpërblimin e Izraelit.

      D E lusnin Zotin që të vinte e të vizitonte popullin e tij,

      C dhe prisnin shpërblimin e Izraelit.

 

      Lutja

 

      O Zot, Hyji i etërve tanë, ti shën Joakimit dhe Anës u dhe hirin të jenë prindërit e Nënës së Birit tënd të mishëruar, bëj që, me ndërmjetësinë e tyre, të fitojmë shëlbimin që ia premtove popullit tënd. Nëpër Zotin.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.