Shërbesa e leximeve

Java e shtatëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E martë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Pjesëtar i dritës atërore,

   ai vetë dritë drite e ditë,

   me këngë ne e thyejmë natën:

   kërkuesve gjendu pranë.

 

   Hiqi errësirat e mendjeve

   zhduki turmat e djajve,

   largo me forcë dremitjet,

   mos t’ua kalojnë përtacëve.

 

   Kështu, o Krisht, ne të gjithëve

   që në ty besojmë, mëshirona,

   të jetë për dobi të lutësve,

   që këndojmë duke prirë me këngë.

 

   Ty, Krisht, mbret krejt i shenjtë,

   me Atin të qoftë lavdia,

   dhe me Shpirtin Ngushëllues,

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Trini krejt e shenjtë,

   që urdhëron çdo gjë që krijove,

   ditën për punë caktove,

   natës prehjen ia fale.

 

   Si n’agim edhe në t’errur,

   natë e ditë për ty këndojmë;

   ti ne në lavdinë tënde

   na ruaj në të gjitha kohët.

 

   Pranë teje shtrirë për dhe

   të adhurojmë si robër,

   kushte e uratë të lutësve

   bashko me himnet e qiellorëve.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjtë,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëron në të gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.

 

   Psalmi 10 /Vlg 9, 22-32/ I (1-11) Lutje dhe falënderim

 

   Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit (Lk 6, 20).

 

Përse, o Zot, qëndron larg, *

   përse fshihesh në ditë të vështirë?

Me madhështi i patenzoni po e përndjek skamnorin: *

   le të zihet krenari në dhelpërinë që sheston!

I pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të vet, *

   lakmuesi shan Hyjin me përbuzje.

 

Me kreninë e vet mëkatari e përbuz Zotin: †

   »S’kërkon përgjegjësi! Perëndi nuk ka!« *

   Ja, gjithçka ai mendon!

 

Dhe prapë, udhët e tij janë plot suksese, †

   gjyqet e tua janë tepër lart për të, *

   të gjithë kundërshtarët e vet i bën asgjë.

 

Në mendjen e vet thotë: »Nuk do të bie poshtë, *

   brez pas brezi e keqe s’do të më gjejë!«

 

Goja e tij është plot shpifje, dredhi e gënjeshtra, *

   nën gjuhën e tij vuajtje e poshtërsi!

 

Rri në pritë ndër fshatra, *

   në moh e vret të pafajshmin.

 

Me sy e vrojton të vobektin, *

   në pritë porsi luani, i fshehur mirë në strofull,

përgjon për ta rrëmbyer të varfrin: *

   e rrëmben të varfrin duke e qitur në lak.

 

Sulet, struket në pritë *

   e dhunës së tij të mjerët i bëhen pre.

Tha në zemër të vet: »Hyji harron, *

   ai nuk këqyr, askënd nuk sheh!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.

 

Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot.

 

   Psalmi 10 /Vlg 9, 33-39/ II (12-18)

 

Ngrihu, o Zot, lartësoje dorën tënde, o Hyj, *

   mos i qit në harresë të mjerët!

Përse i patenzoni ta përbuzë Hyjin? *

   Sepse ai tha në zemrën e vet: »Nuk do të ndëshkosh.«

E pra, ti sheh, ti shikon mjerimin e vështirësinë, *

   me dorën tënde i peshon:

në ty mbështetet i mjeri, *

   ti ia jep bonjakut sigurinë.

 

Copëtoje krahun e dhunuesit e të bakeqit: *

   kërkoje fajin e tij derisa ta zhbish prej faqes së dheut.

 

Zoti është mbret në shekuj të shekujve: *

   do të zhduken paganët prej dheut të tij.

 

Vështroji, o Zot, dëshirat e të mjerit, *

   forcoja zemrën, ti prirja veshin,

për t’i dhënë të drejtën bonjakut e të salvuarit, *

   që njeriu - pluhur e dhe - tmerr kujt më të mos i shtjerë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot

 

Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.

 

   Psalmi 12 /11/ (2-9) Lutja gjatë salvimit

 

   Hyji Atë u denjua që ta dërgonte Birin e tij për ne, skamnorët (Shën Augustini).

 

Më shpëto, o Zot, se e pat shenjti, *

   sepse ndër bijtë e njerëzve u pakësuan besnikët!

Të gjithë po e gënjejnë të afërmin e vet: *

   flasin me buzë shtiracake, me zemër të paçiltër.

 

Thaji o Zot, të gjitha buzët shtiracake, *

   edhe gjuhën që flet fjalë të mëdha!

 

Ata thonë: »Fuqia jonë është gjuha, †

   buzët tona na mbrojnë! *

   Kush është zotëria ynë?«

 

»Për shkak të mjerimit të të varfërve, †

   për shkak të klithmës së të ndrydhurve

   tani do të ngrihem - thotë Zoti - *

   e do ta shpëtoj atë që e përbuzin.«

Fjalët e Zotit janë të pastra: †

   argjend i pastruar në zjarr, i ndarë nga balta, *

   i pastruar shtatë herë!

 

Por ti, o Zot na ruaj, *

   na mbro përherë prej kësaj breznie të mbrapshtë

e atëherë le të sillen rreth nesh bakëqijtë, *

   le të rritet, në dashtë, fundërria e njerëzve!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.

 

   D Zoti i udhëheq të përvuajturit në drejtësi,

   C të varfërve ua mëson udhën e tij.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 9, 1-15

 

   Frytet shpirtërore të ndihmës.

 

   Vëllezër, lidhur me ndihmat në dobi të shenjtërve s'është nevoja t'ju shkruaj më gjatë. Vërtet, e di gatishmërinë tuaj, për të cilën mburrem para maqedonasve: “Akaja është gati qysh vitin e shkuar!” Dhe gatishmëria juaj nxiti shumë të tjerë. Megjithatë po i dërgoj vëllezërit që të mos qitet poshtë në këtë pikëpamje mburrja jonë për ju, që të jeni të gatshëm, sikurse kam thënë që ‑ nëse me mua vijnë maqedonas e ju gjejnë të papërgatitur, të mos koritemi ne ‑ për të mos thënë ju ‑ pikërisht në këtë gjë, me të cilën u mburrëm. Prandaj, e kam çmuar për detyrë t'i dërgoj përpara vëllezërit që ta bëjnë gati dhuratën tuaj të premtuar që më parë e të jetë gati ‑ si dhuratë bujarie e jo koprracie.

   Sepse:

   “Kush mbjell me horrjati, pak do të korrë, e kush mbjell me begati, me begati do të korrë.”

   Secili le të japë aq sa i mbaston zemra, jo i prishur e përdhunë, sepse: 'Hyji e do atë që jep me gëzim.' Hyji mund t'ju dhurojë çdo të mirë që gjithmonë të keni gjithçka mjaft për vete e t'ju teprojë gjithnjë për të ndihmuar çdo vepër të mirë, sikurse është në Shkrimin e shenjtë: 'Ai ndan me bujari, u jep skamnorëve; drejtësia e tij qëndron në amshim.'

   Ai që mbjellësit i jep farën, ai do t'i japë edhe bukën për ushqim. Ai edhe juve do t'ju japë farë e do ta shumëzojë dhe do të bëjë të rriten frytet e drejtësisë suaj. Kështu do të pasuroheni me çdo bujari, e cila me ndërmjetësinë tonë do ta lartësojë te Hyji himnin e falënderimit, sepse kjo shërbesë ndihme nuk vlen vetëm për të përmbushur nevojat e shenjtërve, por edhe është plot falënderime të shumta ndaj Hyjit. Besimtarët, duke e parë ndihmën tuaj do ta lavdërojnë Hyjin për bindjen tuaj kundrejt Ungjillit të Krishtit dhe për bujarinë tuaj, me të cilën merrni pjesë me ta e me të gjithë. Ata do të luten për ju e do ta tregojnë dashurinë e madhe ndaj juve për arsye të begatisë së hirit që Hyji ka ndikuar në ju. Lavdi Hyjit për dhuratën e tij të patregueshme!

 

   Përgjigjja Krh. Lk 6, 38; 2Kor 9, 7

 

   C Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sqetull tuaj: * sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.

   D Secili le të japë aq sa vendosi në zemrën e vet, jo me zor a për dhunë.

   C Sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Predikimet” e shën Bazilit të Madh, ipeshkëv

   (Pred. mbi dashurinë 3. 6; PG 266-267. 275)

 

   Mbillni për të mirën tuaj sipas drejtësisë.

 

   Imitoje tokën, o njeri, prodho edhe ti frytet e tua që të mos jesh më i ulët se gjërat lëndore. Toka prodhon fryte, edhe pse nuk mund t’i shijojë ato, i prodhon për të mirën tënde. Kurse ti mund të mbledhësh për dobinë tënde gjithçka të prodhosh. Dhe në të vërtetë, shpërblimi dhe pagesa e veprave të mira u përkasin atyre që i kanë kryer. Nëse ti i ke dhënë të uriturit, bëhet e jotja çdo gjë që i ke dhuruar, madje kthehet tek ti e rritur. Sikurse kokrra e grurit që bie në tokë, është në dobi të atij që e ka mbjellë, kështu edhe buka që i jepet të uriturit, sjell shumë të mira.

   Çka është qëllimi i bujqësisë, le të jetë për ty kriter i mbjelljes shpirtërore. Mbillni për vete sipas drejtësisë (krh. Oz 10, 12), kështu thotë Shkrimi. Do të vijë çasti në të cilin do të duhet të braktisësh pasuritë, edhe pse kundër dëshirës sate, dhe do të sillesh para Zotit lavdinë që e ke fituar me vepra të mira. Kur të paraqitesh para gjykatësit të gjithmbarshëm, populli do të quajë bamirës dhe dhurues bujar dhe do të japë titujt më të mirë të dashurisë dhe të mirësisë.

   A nuk i sheh ata njerëz të cilët për shkak të një nderi të shkurtër ose për të bërë bujë dhe për t’u pëlqyer njerëzve, harxhojnë pasuritë e veta për të përgatitur shfaqje, gara atletike, komedi, luftëra të ashpra me bisha, luftëra që njerëzit, sa t’i shohin, fill i përçmojnë. Ndërsa ti kursehesh pikërisht në ato shpenzime që mund të të sjellin një lavdi të madhërishme.

   Puno me zell për të mirë. Atëherë do të të miratojë Hyji, do të të lavdërojnë engjëjt, do të të shpallin të lumtur të gjithë njerëzit që kanë ekzistuar që prej krijimit të botës e më pas, do të fitosh lavdinë e amshuar, kurorën e drejtësisë, mbretërinë e qiellit si shpërblim për përdorimit tënd të drejtë të gjërave të kalueshme tokësore.

   Por, me sa duket, për të gjitha të mirat e mëdha dhe të pashkatërrueshme, që janë pikësynimi i shpresës së lumtur, ti nuk kujdesesh aspak, grykës siç je vetëm për të mirat tokësore. Jo, mos bëj kështu.

   Jep pa kursyer çkado të kesh, ji bujar, madje dorëdhënë kur të ballafaqohesh me shpenzime në dobi të atyre që janë në nevojë. Le të thuhet edhe për ty: “Është dorëdhënë, u fal skamnorëve; drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve(Ps 112 /111/, 9).

   Sa mirënjohës duhet të jesh ndaj dhuruesit mirëbërës për nderin që të bëhet! Sa do të duhej të kënaqesh pasi nuk je i detyruar të trokasësh në dyert e të tjerëve, por të tjerët trokasin në derën tënde! Kurse ti je njeri i vështirë dhe i paafrueshëm. Ti u shmangesh atyre që mund të të kërkojnë ndonjë para të vogël. Ti nuk di tjetër përpos një fjalie: “Nuk kam asgjë dhe nuk mund të jap asgjë, sepse jam skamnor”. Me të vërtetë ti je i varfër, madje pa asnjë të mirë të vërtetë. Je i varfër në dashuri, i varfër në njerëzi, i varfër në fenë në Hyjin, i varfër në shpresën e njëmendësive të amshuara.

 

   Përgjigjja Krh. Is 58, 7-8

 

   C Ndaje bukën tënde me të uriturin, futi në shtëpinë tënde skamnorët dhe të pashtëpitë. Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, * para teje do të ecë drejtësia jote.

   D Vishe të zhveshurin dhe mos e përbuz farefisin tënd,

   C para teje do të ecë drejtësia jote.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti je mburoja jonë dhe shpresa, pa ty asgjë s’është e vyeshme as e shenjtë, na pajis me mëshirën tënde dhe na prij e na drejto ashtu që t’i përdorim me urti të mirat e kalueshme, që qysh tani të jepemi pas atyre që kurrë nuk do të kalojnë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.