Shërbesa e leximeve
29 korrik, Shën Marta, Maria dhe Lazri
Përkujtim
Qe motër e Marisë dhe e Lazrit. Në Betani pranoi Zotërinë si mysafir, i shërbeu me delikatesë dhe me lutjet e saj fitoi ringjalljen e të vëllait.
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Në festën e shën Martës, Marisë dhe Lazrit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Në festën e shën Martës, Marisë dhe Lazrit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Në festën e shën Martës, Marisë dhe Lazrit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Në festën e shën Martës, Marisë dhe Lazrit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Në festën e shën Martës, Marisë dhe Lazrit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Në festën e shën Martës, Marisë dhe Lazrit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në festën e shën Martës, Marisë dhe Lazrit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Këto gra të lavdërueshme
nderuar me merita,
siç gëzojnë zakone t’ shenjta,
ashtu ngadhënjejnë me engjëj.
Nga zemra shumë t’devotshme
me lot duke lutë Hyjin,
përgjime e agjërime
këto s’i ndanë parreshtur.
Lavditë e botës përbuzën
gjithnjë me mendje t’ pastër,
pas drejtësisë s’ përsosur
shkuan të banojnë mbi yje.
Këto me vepra t’ shenjta
kaluan pragjet hyjnore,
kënaqen tash me t’amshueshmet
çmime të shpisë qiellore.
Lavdi të vetmit Hyj n’ tre Vetë,
që ne me lutje të tyre,
kur t’ arrijmë n’ cak të jetës
na bashkoftë me qiellorët. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime. †
Psalmi 18 /17/ I (2-7) Këngë falënderimi për shëlbimin dhe fitoren
Trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri. Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj (Lk 21, 26b-28).
Të dua, o Zot, fuqia ime! *
† Ti, o Zot, je Qeta ime, Kështjella ime,
Streha ime, Shpëtimtari im!
Hyji im, Ndihmëtari im, në Të shpresoj! *
Ai është Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!
Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm, *
dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
Më rrethuan valët e vdekjes, *
më tmerruan përrenjtë e Belialit,
më lidhën leqet e Nëntokës, *
po më shtrëngonin prangat e vdekjes:
atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit, *
kushtrim i lëshova Hyjit tim:
nga Tempulli i vet dëgjoi zërin tim, *
britma ime i mbërriti përpara në veshët e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime.
Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
II (8-20)
Toka u trand edhe u tund, †
u lëkundën themelet e maleve, *
vendit u shkundën, sepse Ai u zemërua!
Nëpër vrima të hundës tym gufoi, †
prej gojës zjarr e flakë buçiti, *
prush i gjallë prej tij flakëroi!
I uli qiejt, poshtë zbriti, *
nën këmbë re të murrme!
Kaluar mbi kerubin fluturoi, *
lundroi mbi krahët e erërave!
Si me vel me errësirë u mbështoll, *
ujëra të errëta dhe re të dendura e mbulonin,
para fytyrës së tij zhdukeshin retë *
me breshër e prush të gjallë!
zoti gjëmoi nga qielli: †
i Tejetlarti bëri t’i dëgjohej zëri: *
breshër e prush zjarri!
I lëshoi shigjetat dhe i shpërndau ata, *
i lëshoi rrufetë dhe i tmerroi ata.
Atëherë u dukën burimet e ujërave, *
u zbuluan themelet e rruzullit
prej qortimit tënd, o Zot, *
prej erës së frymës të hidhërimit tënd.
Shtriu dorën prej majës e më mori, *
më nxori nga ujërat e shumta,
më shpëtoi nga armiku i fortë, †
prej atyre që më urrenin, *
që ishin më të fortë se unë.
Më sulmuan në ditën më të keqen, *
por Zotin e pata krah,
Ai më qiti në vend të shpëtimit, *
më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.
III (21-30)
Zoti më shpagoi sipas drejtësisë sime, *
më shpërbleu sipas pastrisë së duarve të mia,
sepse unë i mbajta udhët e Zotit, *
nuk u largova prej Hyjit tim.
Të gjitha gjyqet e tija i kam para sysh, *
dhe urdhërimet e tija nuk i largova prej meje.
Jam i pastër para syve të tij, *
sepse ruhem vazhdimisht prej mëkatit.
Zoti më shpërbleu sipas drejtësisë sime, *
sepse e pa pastrinë e duarve të mia.
Ti je i mirë me njeriun e mirë, †
me të pafajshmin je i pafajshëm, *
me të mbrapshtin ti je i squet.
Ti e shpëton popullin e përvujtë, *
e krenarët i bën t’i ulin sytë.
O Zot, ti e ndez dritëzën time, *
ti, o Hyj, e ndriçon terrin tim.
Me ty do t’i sulmoj turmat e armiqve, *
me ndihmën e Hyjit tim do t’i kapërcej muret.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.
D Të gjithë mrekulloheshin për fjalët e bukura
C që dilnin prej gojës së Krishtit.
Leximi i parë
Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 10, 1 – 11, 6
Apologjia e Apostullit.
Vëllezër, personalisht unë Pali ju përbej me butësinë e me mirësinë e Krishtit ‑ unë që, kur jam para syve tuaj, jam “i butë”, por, kur jam larg jush, jam “plot guxim”, ju bëj lutje, që kur të vij te ju të mos jem i ashpër me atë guxim, me të cilin dua të tregohem kundër atyre që mendojnë se ne jetojmë mbas parimeve të mishit. Në të vërtetë, edhe pse jetojmë në trup, nuk luftojmë sipas parimeve të trupit, ‑ sepse, armët e luftimit tonë, nuk janë armë lëndore, por armë të fuqisë së Hyjit të afta të shkatërrojnë kështjellat ‑ ne rrëzojmë e hedhin për dhe sofizmat e njerëzve si edhe çdo kreni që ngritet kundër pranimit të Hyjit e përkulim çdo njeri të arsyeshëm në dëgjesë ndaj Krishtit dhe jemi të gatshëm të ndëshkojmë çdo padëgjesë kur të përsoset dëgjesa juaj.
Vëreni gjërat ashtu si janë: nëse ndokush është i mbushur mendjeje se është i Krishtit, edhe një herë le ta mendojë në vete këtë gjë: sikurse ai është i “Krishtit” ‑ ashtu edhe ne jemi. Po edhe nëse do t'u lëvdoja pak tepër, për pushtetin që Zoti na e ka dhënë për ndërtimin tuaj ‑ e jo për rrënimin ‑ nuk do të kisha përse të skuqem. Megjithatë, nuk dëshiroj të duket kinse u shtie frikë me letrat e mia! Sepse: “Letrat dhe e tija ‑ thuhet ‑ janë plot rreptësi e fuqi, kurse prania e tij me trup e dobët e fjalët e pavlerë.” Le ta dijë mirë ai njeri se, sikurse jemi në fjalë me letra prej së largu, ashtu do të jemi të fuqishëm edhe me vepra, kur të vijmë atje.
Ne njëmend, nuk kemi guxim të barazohemi ose të krahasohemi me disa, të cilët e porosisin vetveten, porse, pasi ata vetveten e matin me vetvete dhe e krahasojnë vetveten me vete ‑ nuk duket se janë të mençur. Ne, përkundrazi, nuk do të lëvdohemi përtej masës, por me kufi, sipas masës me të cilën na e mati Hyji porsi masë, duke na mundësuar që të arrijmë te ju. Sepse, ne nuk kërkojmë përtej se na përket, thuajse nuk kemi arritur deri te ju. Pra, në të vërtetë, ne kemi mbërritur me Ungjillin e Krishtit më të parët te ju! Nuk po lëvdohemi përtej masës, me frytet e huaja, por shpresojmë se, me rritjen e fesë suaj në ju ‑ sipas rregullës sonë do të na rritet përherë fusha e veprimtarisë: madje edhe përtej kufijve tuaj do ta shpallim Ungjillin, e jo të lëvdohemi me atë që u krye në fushën e veprimtarisë së tjerëve. 'Ai që lëvdohet, le të lëvdohet në Zotin!'
Sepse nuk është i sprovuar ai që e porosit vetveten, por ai të cilin e porosit Zoti.
Oh, po të mund ta duroni pakëz marrinë time!
Vërtet, më duroni! Juve jua kam smirë, por me smirë që vjen prej Hyjit. Sepse, ju fejova për një burrë të vetëm dhe, porsi virgjëreshë të pastër, ju solla para Krishtit. Porse, po kam frikë se ‑ sikur gjarpri me dinakërinë e vet e gënjeu Evën ‑ mendimet tuaja të mos gabohen e të mos largohen prej thjeshtësisë (dhe pastrisë) ndaj Krishtit. E njëmend, nëse vjen tjetërkush dhe ju shpall një Jezus tjetër ‑ të cilin ne nuk jua kemi predikuar, ose, nëse merrni një tjetër Shpirt, të cilin nuk e keni marrë, ose, një Ungjill tjetër, të cilin nuk e keni marrë, ‑ atë e duroni fort mirë! E pra, unë mendoj se nuk jam në asgjë më i vogël se këta “kryeapostuj”! Sepse, edhe në qofsha i paaftë në gojtari, nuk jam në dije: këtë, përkundrazi, në çdo pikëpamje dhe para të gjithëve jua vërtetuam
Përgjigjja Krh. 2 Kor 10, 13-14; Ef 6, 16. 17
C Jetojmë në turp, por nuk luftojmë sipas parimeve të trupit; * armët e luftimit tonë, nuk janë armë lëndore.
D Në çdo gjë mbani në dorë shqytin e fesë dhe shpatën e Shpirtit Shenjt, d.m.th. Fjalën e Hyjit:
C armët e luftimit tonë, nuk janë armë lëndore.
Leximi II
Nga “Fjalimet” e shën Augustinit, ipeshkëv
(Fjal. 103, 1-2. 6; PL 38, 613. 615)
Lum ata që merituan të pranojnë Zotin në shtëpinë e tyre
Fjalët e Zotit tonë Jezu Krishtit dëshirojnë të na kujtojnë se ekziston vetëm një pikarritje drejt së cilës ne synojmë, kur lodhemi në angazhimet e ndryshme të kësaj bote. Ne synojmë ndërsa jemi shtegtarë dhe akoma të paqëndrueshëm; në ecje dhe akoma jo në atë dhe; në shkretëtirë dhe akoma jo në plotësim. Por nuk duhet të synojmë me përtaci dhe pa ndërhyrjen tonë, që përfundimisht të mund të arrijmë një ditë tek caku. Marta dhe Maria ishin dy motra, jo vetën në shkallën natyrore, por edhe në atë të besimit; te dyja e nderonin Hyjin, te dyja i shërbenin Zotit të pranishëm në mish me një harmoni të përsosur të ndjenjave. Marta e pranoi ashtu siç pranoheshin shtegtarët, e megjithatë e pranoi Zotërinë si një shërbëtore, Shëlbuesin si një e sëmurë, Krijuesin si një krijesë; e pranoi për ta ushqyer në trupin e tij, ndërsa ajo duhej ushqyer me Shpirt. Vërtet, Zoti deshi ta marrë formën e skllavit dhe të ushqehej në këtë natyrë nga skllevërit, për mirësi jo për kushtëzim. Vërtet edhe kjo ishte një mirësi, do të thotë të ofrohet për të qenë ushqyer: kishte një trup në të cilin ndjente uri dhe etje.
Kështu, pra, Zoti u pranua si një mysafir, ai që “erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit” (Gjn 1, 11-12). I adoptoi shërbëtorët dhe i bëri bij, i liroi të burgosurit dhe i bëri bashkëtrashëgimtarë. Megjithatë asnjëri prej jush mos të guxojë të thotë: “Lum ata që merituan të pranojnë Krishtin në shtëpinë e tyre!”. Mos ki keqardhje, mos të vijë keq që ke lindur në një kohë në të cilën nuk mund ta shohësh Zotin në mish. Ai nuk t’i mungon këto ndere, sepse ai ka siguruar: “Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25, 40).
Nga ana tjetër, Martë, për paqen e shpirtit tënd, ti, tashmë e bekuar për shërbimin tënd të lavdërueshëm, kërkoje si shpërblim pushimin. Tani je e zhytur në punë të shumëllojshme, dëshiron të këndellësh trupat e vdekshëm, edhe nëse ato janë trupat e personave të shenjtë. Por më thuaj: Kur të arrish në atë atdhe, a do të gjesh shtegtarin për ta pranuar si mysafir? A do ta gjesh të uriturin të cilit do t’i japësh bukën? Të eturin të cilit do t’i ofrosh për të pirë? Të sëmurin për ta vizituar? Ngatërrestarin për ta sjellë në paqe? Të vdekurin për ta varrosur?
Atje lartë nuk do të ketë vend për të gjitha këto. E atëherë çfarë do të ndodhë? Do të ndodhë ajo që zgjodhi Maria: atje do të ushqehemi, nuk do të ushqejmë. Për këtë arsye do të jetë e plotë dhe e përsosur ajo që zgjodhi këtu Maria: nga ajo gosti e pasur i mblidhte dromcat e fjalës së Zotit. A dëshironi vërtet të dini se çka do të ketë atje lart? Zoti vetë u thotë shërbëtorëve të tij: “Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshët, ata do t’i ulë në tryezë, do të afrohet dhe vetë do t’i shërbejë” (Lk 12, 37).
Përgjigjja Krh. Gjn 12, 1-3
C Në Betani, ku jetonte Lazri, të cilin Jezusi e ngjalli prej së vdekuri, i bënë gati darkën, * dhe Marta i shërbente Zotërisë.
D Maria i leu këmbët Jezusit me parfum nardi të pastër e shumë të shtrenjtë.
C e Marta i shërbente Zotërisë.
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, Biri yt e pranoi mikpritjen që në shtëpinë e saj ia bëri shën Marta: na mëso, me ndërmjetësinë e saj të Marisë dhe të Lazrit, që edhe ne t’i shërbejmë Krishtit duke u ndihmuar vëllezërve që edhe ti të na pranosh në banesën qiellore. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.