Shërbesa e leximeve
Java e shtatëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Nata e zezë mbulon ngjyrat
e çdo sendi të tokës:
duke u rrëfyer të lypim,
gjyqtar i drejtë i zemrave,
që të na shlyesh fajet
të na lash ndyrësinë e mendjes,
e të japësh, o Krisht, hirin
e të na shporren krimet.
Nga prapësitë mpihet mendja,
që e bren faji i dëmshëm;
lakmon të çrrënjosë t’errtat,
të kërkojë ty, Shëlbues.
Dëbo tymin e mjegullën
nga brenda sa më tepër,
të gëzohet duke u vendosur
në dritën e uruar.
Ty, o Krisht, mbret gjithë i shenjtë,
dhe Atit i qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
në shekujt e përjetshëm. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Krisht, jepu shenjën, lutemi
shërbëtorëve të tu që luten,
kjo mbrapshti e shekullit
të mos na robërojë fenë.
Të mos mendojmë pa mëshirë,
të mos kemi smirë askënd,
të fyer të mos marrim hak,
me të mirë ta mundim të keqen.
Qoftë larg nga zemrat tona
mëri, mashtrim, kreni;
të marrë fund koprracia,
rrënja e gjithë të këqijave.
Të ruajë lidhjet e paqes
dashuria pa mashtrime;
pa njolla qoftë pastria
që vuan nga mizoria.
Ty, o Krisht, mbret tërë i shenjtë,
dhe Atit i qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
në shekujt e përjetshëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Fjala jote, o Zot, është mburojë për të gjithë ata që shpresojnë në ty.
Psalmi 18 /17/ IV (31-35) Falënderim Hyjit shpëtimtar
Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? (Rom 8, 31).
Udha e Perëndisë është krejtësisht e pastër, †
fjala e Zotit është e sprovuar me zjarr: *
Ai është Mbrojtësi i të gjithë atyre që shpresojnë në të.
Sepse kush tjetër është Hyj përveç Zotit? *
Kush tjetër Qetë shpëtimi përveç Hyjit tonë?
Hyji që më ngjesh me fuqi, *
që e bën udhën time të pastër.
Ai m’i dha këmbët e shpejta si të drerëve, *
ai më vendosi mbi bjeshkët e larta.
Ai m’i ushtron duart për luftim *
e krahët e mi për të përdorur harkun e bronztë.
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Fjala jote, o Zot, është mburojë për të gjithë ata që shpresojnë në ty
Ant. 2 E djathta jote më ndihmoi, o Zot.
Psalmi 18 /17/ V (36-46)
Ti ma dhe mburojën e shpëtimit tënd, †
e djathta jote më ndihmoi, *
mirësia jote më rriti.
Ti i zgjeron hapat e mi nën mua *
e këmbët e mia më nuk më merren.
I ndiqja armiqtë e mi e i zija, *
prapazi nuk u ktheja derisa i shfarosja.
I dërrmoja e në këmbë s’mund të qëndronin, *
rrëzoheshin përnën këmbët e mia.
Ti më ngjeshe me fuqi për luftë, *
kurse armiqtë e mi i vure nën mua.
Armiqtë e mi i bëre të më kthejnë shpinën, *
kurse ata që më urrejnë i shpërndave.
Dhanë kushtrimin, por askush s’i shpëtoi, *
thirrën edhe Zotin - por ai s’u përgjigj.
I grimcova porsi pluhurin para erës, *
i shkela porsi baltën e rrugës.
Ti më shpëtove nga kundërshtimi i popullit tim, †
kryeparë më bëre ndër popuj paganë: *
më shërbeu populli që as nuk e njihja!
Fjalën time e dëgjojnë me poni, *
bijve të huaj u duhet të më përkëdhelin,
para meje të huajve ora u liget, *
u drodhën në strehimet e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 E djathta jote më ndihmoi, o Zot
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti, qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
Psalmi 18 /17/ VI (47-51)
Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim! *
Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
Hyji që ma bën të mundshme të shpaguhem! †
Ti i shtron popujt nën mua, *
ti që më liron prej armiqve të mi të hidhur,
ti më lartëson përmbi kundërshtarët e mi, *
ti më shpëton prej njeriut mujshar.
Prandaj, o Zot, do të të lavdëroj ndër paganë, *
himne gëzimi do t’i këndoj Emrit tënd!
Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet, †
e përkrah të shuguruarin e vet, *
Davidin e pasardhësit e tij deri në amshim!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti, qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
D Largoje velin prej syve të mi, o Zot:
C dhe unë do t’i shqyrtoj mrekullitë e ligjit tënd.
Leximi i parë
Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 11, 7-29
Kundër apostujve të rrejshëm.
Vëllezër, a mos bëra ndoshta faj pse e përvujtërova veten për t'ju lartësuar ju, duke jua predikuar falas Ungjillin e Hyjit? I rropa kishat tjera duke marrë prej tyre sa më duhej për jetesë për t'ju shërbyer juve. Po edhe kur isha në mesin tuaj e isha në nevojë, askënd prej jush nuk rëndova, sepse vëllezërit që erdhën nga Maqedonia më ndihmuan për nevojat e mia. Në gjithçka jam ruajtur ‑e do të ruhem ‑ që të mos ju bëhem barrë. Pasha të vërtetën e Krishtit që është në mua, s'ka lindur ai njeri që do të ma marrë këtë nder në Akajë! Përse? Ndoshta pse nuk ju dua? Vetëm një Hyj e di!
E çka bëj, një e një do të vazhdoj ta bëj, që t'ua heq dore shkakun atyre që kërkojnë edhe vetëm një arsye të maten me ne në atë gjë, për të cilën lëvdohen. Këta farë burrash janë apostuj me rrena, punëtorë gënjeshtar, që shtihen si apostuj të Krishtit. Dhe nuk keni pse të çuditeni. S'keni, pra, pse të çuditeni në qoftë se edhe punëtorët e tij marrin dukjen e jashtme të punëtorëve të drejtësisë. Mbarimi i tyre do të jetë sipas veprave të tyre.
Po e përsëris që askush të mos mendojë se jam i marrë. Por, ani më mbani për pak kohë edhe për të marrë, që edhe unë të mund të lëvdohem pakëz! ‑ Çka po them tani, nuk po e them si e thotë Zoti, por sikurse të më kishte lënë mendja: në guximin e tepruar të krenarisë! Pasi shumëkush krenohet nga ndonjë pikëpamje njerëzore, po lëvdohem edhe unë. E, mbasi ju jeni të urtë, lehtë i duroni të marrët! Jo po, ju duroni nëse kush ju robëron, nëse ndokush ju shfrytëzon, nëse ndokush ju grabit, nëse ndokush ju flakareshon! Flas për turpin tonë: kemi qenë kinse të ligshtë!
Megjithatë, për çkado që ndokush ka guxim të lëvdohet ‑ po flas si i marrë ‑ kam guxim edhe vetë!
A janë hebrenj? ‑ Jam edhe unë! A janë izraelitë? ‑ Jam edhe unë! A janë pasardhës të Abrahamit? ‑ Jam edhe unë!
A janë mbarështues të Krishtit? ‑ Si i dalë mendsh po flas: ‑ unë edhe më tepër!
Në lodhje ‑ më tepër!
Në burgje ‑ më tepër!
Në të rrahura ‑ më tepër!
Në rrezik të vdekjes ‑ unë më shpesh!
Prej judenjve mora pesë herë nga tridhjetë e nëntë frushkuj!
Tri herë kam qenë rrahur me thupër, një herë vrarë me gurë, tri herë e kam përjetuar anijembytjen, një natë e një ditë e kam kaluar në valët e detit!
Në udhëtime të shpeshta, në rreziqe lumenjsh, në rreziqe cubash, në rreziqe bashkatdhetarësh, në rreziqe paganësh, në rreziqe në qytet, në rreziqe në shkreti, në rreziqe në det, në rreziqe prej vëllezërve të rrejshëm!
Në mundim e të lodhura, në net të kaluara shpesh pa gjumë, në uri e në etje, në agjërime të shpeshta, në të ftohtë dhe i zhveshur!
Përveç këtyre: ngarendja e përditshme e njerëzve e kujdesi për të gjitha kishat.
Kush është i dobët, e unë të mos bëhem i dobët? Kush shkandullohet, e unë të mos përvëlohem?
Përgjigjja Krh. Gal 1, 11. 12; 2Kor 11, 10. 7
C Ungjilli që ju kam predikuar, nuk është vepër njerëzish; * sepse atë nuk e mora prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti.
D E vërteta e Krishtit është në mua, sepse ju predikova falas Ungjillin e Hyjit:
C sepse atë nuk e mora prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti.
Leximi i dytë
Nga “Katekezat” e shën Çirilit të Jerusalemit
(Kat. 18, 26-29; PG 33, 1047-1050)
Kisha, nusja e Krishtit.
Kisha “katolike”: ky është emri i vërtetë i kësaj nëne shenjte e të gjithë neve, e cila është në të vërtetë edhe nusja e Zotit tonë Jezu Krishtit, të njëlindurit Birit të Hyjit. Është shkruar: “Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të” (Ef, 5, 25), dhe gjithçka vijon. Ajo e mban në vetvete figurën dhe shëmbëllesën e Jerusalemit qiellor, që është i lirë dhe që është nëna e jonë (krh. Gal 4, 26). Ajo më parë ishte e pafrytshme, por tash ka lindur fëmijë të shumtë.
Hyji e lëshoi atë të mëparshmen, kurse në të dytën, domethënë në atë katolike, i vuri para së gjithash apostujt, sikurse pohon Pali, në rend të dytë profetët, në rend të tretë mësuesit, pastaj autoritetet, dhe së fundi dhuratat e shërimit, ndihmat, drejtimet, dhe llojet e gjuhëve (krh. 1 Kor 12, 18), dhe çdo lloj virtyti: urtinë dhe mençurinë, përkormërinë dhe drejtësinë, mëshirën dhe dashamirësinë dhe së fundi durimin e pathyeshëm përballë përndjekjeve. Kjo kishë, me anë të armëve të drejtësisë në të djathtë e në të majtë, në lavdi dhe në çnderim, në përndjekje dhe në sprova, i kurorëzoi shenjtërit martirë me kurora të thurura me lule të ndryshme dhe të shumëllojshme të vuajtjes. Ndërsa tash, në kohë paqeje, për hir të Zotit fiton nderimin që i përket prej mbretërve dhe prej njerëzve të shtresës së lartë, dhe së fundi prej çdo klase dhe shtrese të popullit. Dhe, ndërsa mbretërit e njerëzve, të shpërndarë në vende të ndryshme, e kanë pushtetin e tyre të kufizuar, Kisha e shenjtë katolike është e vetmja që në mbarë globin gëzon një pushtet të pakufishëm. Dhe vërtet, Hyji, ashtu si gjendet e shkruar, e vuri paqen si kufi të sajin (krh. Ps 147, 14).
Duke mbetur brenda kësaj Kishe katolike dhe të formuar prej urdhrave të tij dhe prej ligjeve të tij shëlbimprurëse, ne do të marrim në pronësi mbretërinë e qiellit, bashkë me trashëgimin e jetës së amshuar, dhe për ta fituar prej Zotit jemi të gatshëm të durojmë gjithçka. Dhe vërtet, pikësynimi ynë nuk është gjë e vogël, sepse ne priremi drejt jetës së amshuar. Për këtë arsye në dëshminë e fesë mësohemi të besojmë, përveçse në “ringjalljen e korpit”, domethënë të të vdekurve, edhe “në jetën e amshuar”, që duhet të jetë caku i të gjitha përpjekjeve të të krishterit.
Për këtë arsye, jeta, në vetë realitetin dhe të vërtetën e saj, është Ati që si një burim derdh mbi të gjithë ne dhuratat e veta qiellore. Është mirësia e tij e pakufishme që na i jep edhe neve njerëzve të mirat hyjnore të jetës së amshuar.
Përgjigjja Krh. Ps 33 /32/, 12
C Lum ai popull të cilit Hyji i gjithësisë i dha bekimin e tij dhe për të cilin Ai tha: * Krijesa ime je ti, o Izrael, ti je prona ime.
D Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin, populli që Zoti e zgjodhi për pronë.
C Krijesa ime je ti, o Izrael, ti je prona ime.
Lutja
O Hyj, ti je mburoja jonë dhe shpresa, pa ty asgjë s’është e vyeshme as e shenjtë, na pajis me mëshirën tënde dhe na prij e na drejto ashtu që t’i përdorim me urti të mirat e kalueshme, që qysh tani të jepemi pas atyre që kurrë nuk do të kalojnë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.