Shërbesa e leximeve
31 korrik, Shën Injaci i Lojolës, meshtar
Përkujtim
Lindi në vitin 1491 në Loyola në Kantabri, në Spanjë. Jetoi në oborrin e mbretit i kushtuar jetës ushtarake. Më pas, duke iu shuguruar krejtësisht Zotit, kreu studimet teologjike në Paris dhe mblodhi rreth vetes shokët e parë, me të cilët, në Romë, hodhi bazat e Shoqërisë së Jezusit. Kreu një apostolat të frytshëm si drejtpërdrejtë, me shkrime, ashtu edhe nëpërmjet një radhe nxënësish, që, të formuar prej tij, ndihmuan shumë në ripërtëritjen e jetës së krishterë. Vdiq në Romë në vitin 1556.
FTESA
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
O Krisht, kryetari e princi i barinjve,
ty me gëzim n’ kremtimin e kësaj feste
turma tërë shpirt këndon me këngë të shenjta
lavdet e duhura.
Duke bërë këtë për ty mbarështues të zgjedhur,
dhe si meshtar duke e shoqëruar, e vure
prijës në popull besnik të qëndronte
dhe ushqyes i mirë.
Ky qe mësues edhe model i grigjës,
ish dritë për të verbrit, lehtësim për të mjerin,
për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si babë
bëri gjithçka.
O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën
e merituar, bëj që në jetë të bindur
të ndjekim mësuesin, e në fund të gëzojmë
lumninë me shenjtin.
I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm,
dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret i përshpirtshëm,
nëpër gjithë botën të ushtojë lavdia
e Shpirtit Shenjtë. Amen.
Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.
Psalmi 35 /34/ 1-2. 3c. 9-19. 22-23. 27-28 Hyji shpëton prej salvimit
Bënë mbledhje... dhe morën vendimin ta zënë Jezusin me tradhti dhe ta vrasin (Mt 26, 3. 4).
I (1-2. 3c. 9-12)
Dënoji, o Zot, ata që më padisin, *
luftoji ata që më luftojnë!
Merri armët e shqytin e çohu të më ndihmosh, *
thuaji shpirtit tim: »Unë jam shëlbimi yt!«
Kurse shpirti im do të galdojë me Zotin, *
do ta gëzojë shpëtimin e tij.
Të gjithë eshtrat e mi do të thonë:
»E kush është, o Zot, si ti †
që e shpëton të varfrin prej dhunëtarit, *
prej cubave të mjerin e skamnorin.«
U ngritën dëshmitarë të pashpirt, *
më pyesin për gjëra që s’i di,
të mirat m’i kthejnë me të këqija: *
vetmi për shpirtin tim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.
Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time, më mbro me fuqinë e krahut tënd.
II (13-16)
E pra, unë, kur ata ishin të sëmurë,
ngjishesha me grathore, †
me agjërim e mundoja shpirtin tim, *
lutesha për ta me gjithë afsh të zemrës.
Sikur ta kisha të afërm, sikur për vëllain *
kërrusesha i trishtuar porsi ai që mban zi për nënën.
E tani që vetë rrëshqita, ata po gëzohen, *
u bashkuan për të më salvuar papritmas,
vazhdimisht më shqyejnë e nuk pushojnë, †
më përqeshin duke më shpotitur, *
kundër meje dhëmbët i kërcëllijnë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time, më mbro me fuqinë e krahut tënd
Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë.
III (17-19. 22-23. 27-28)
O Zot, deri kur ti vetëm do të shikosh? †
Liroje shpirtin tim nga sulmet e tyre, *
prej luanëve të vetmen të mirë timen.
Do të të falënderoj në kuvendin e dheut, *
do të të lavdëroj midis popullit të shumtë.
Mos lejo të gëzohen mbi mua armiqtë e mi rrenacakë, *
që të mos bëjnë me sy ata që më urrejnë pa arsye.
Ti po sheh, o Zot, tani mos hesht, *
o Zot, mos më rri larg!
Zgjohu, ngrihu për të më mbrojtur, *
o Zot, Hyji im, mbroje ti çështjen time!
U kënaqshin dhe u gëzofshin, *
ata që e kanë për zemër drejtësinë time!
Thënçin përherë: »Qoftë madhëruar Zoti *
që e do paqen e shërbëtorit të vet.«
Gjuha ime do ta shpallë drejtësinë tënde, *
ditë për ditë lavdin tënd.
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë
D Biri im, ruaji fjalët e mia,
C mbaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.
Leximi i parë
Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 11, 30 – 12, 13
Pushteti i Hyjit shfaqet në dobësinë e Apostullit.
Vëllezër, nëse duhet të lëvdohem ‑ do të lëvdohem me ligështitë e mia. Hyji, Ati i Zotit tonë Jezusit, ‑ qoftë bekuar në amshim ‑ Ai e di se nuk rrej. Në Damask, qeveritari i mbretit Aret, e ruante qytetin e Damaskut për të më zënë. Porse, nëpër dritare, në një shportë, më ulën nëpër mur dhe u shpëtova duarve të tija.
Duhet të krenohem!? Punë kote! Pra, po ia nisi me vegime e zbulesa të Zotit. E njoh një njeri në Krishtin, i cili, para katërmbëdhjetë vjetësh ‑ a ishte në trupin e vet: nuk e di; a ishte jashtë trupit, nuk e di ‑ e di Hyji ‑ ky njeri qe ngritur në të tretin qiell. Dhe e di se ky njeri ‑ a ishte në trup, a ishte jashtë trupit, nuk e di ‑ e di Hyji ‑ ka qenë ngritur në parriz dhe ka dëgjuar fjalë të patregueshme, të cilat njeriu nuk guxon t'i përsëritë. Për atë njeri të tillë do të krenohem e jo për vetvete nuk do të lëvdohem, përveç me ligështi (të mia). Vërtet, po edhe të m'u mbushte mendja të lëvdohem, nuk do të isha i marrë, sepse do të flisja të vërtetën. Por nuk e bëj që ndokush të mos mendojë për mua më shumë se ç'sheh në mua ose ç'dëgjon prej meje.
Dhe që, të mos më rritet mendja për shkak të lartësisë së zbulesave, m'u dha në trup një ferrë ‑ engjëlli i djallit ‑ për të më rrahur që të mos krenohem. Për këtë gjë tri herë iu luta Zotit të largohet prej meje. Por Ai m'u përgjigj: “Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi.” Për këtë arsye me kënaqësi do të krenohem edhe më tepër me ligështitë e mia që të banojë në mua fuqia e Krishtit.
Prandaj kënaqem në ligështi, në sharje, në vështirësi, në salvime e ngushtica që më bëhen për shkak të Krishtit! Sepse, kur jam i ligshtë ‑ atëherë jam i fortë.
U bëra i marrë! Por ju më ngucët! E pra, u desh që ju të më porositni, sepse në asgjë nuk jam më i vogël se “kryeapostujt”, edhe pse nuk jam asgjë. E pra, shenjat dalluese të apostullit u vërtetuan ndër ju: duresë e vazhdueshme në çdo provë, shenja të mrekullueshme, vepra të bindshme. Dhe, njëmend, në çka mbetët pas kishave të tjera, përveç se unë nuk u bëra barrë për ju? Ma falni këtë “padrejtësi!”
Përgjigjja Krh. 2 Kor 12, 9; 4, 7
C Me kënaqësi do të krenohem edhe më tepër me ligështitë e mia që të banojë në mua fuqia e Krishtit. * Fuqia e tij shfaqet në dobësinë tonë.
D Ne e mbarim këtë visar në enë argjile, që kjo fuqi e pakrahasueshme të shihet se është e Hyjit.
C Fuqia e tij shfaqet në dobësinë tonë.
Leximi i dytë
Nga “Veprat” të mbledhur nga Ludovik Konsalvo nga goja e shën Injacit (Kap. 1, 5-9; Acta SS. Iulii, 7, 1868, 647)
Sprovojini shpirtrat a janë nga Hyji
Duke qenë një gëlltitës i madh i romaneve dhe i librave tjerë plot fantazi mbi ndërmarrjet mahnitëse të personazheve të famshme, kur filloi të ndjente se po shërohej, Injaci kërkoi që t’i jepeshin disa prej tyre, sa për ta kaluar kohën. Por në shtëpinë ku ishte shtruar, nuk gjendej asnjë libër i llojit të tillë, dhe për këtë arsye iu dhanë dy libra të titulluar “Jeta e Krishtit” dhe “Antologji shenjtërish”, që të dyja në gjuhën amtare.
Filloi t’i lexojë dhe t’i rilexojë, dhe hap pas hapi që përvetësonte kuptimin e tyre, ndjente se brenda tij po lindte një lloj interesi për temat që trajtoheshin aty. Por shpesh mendja e tij kthehej tek gjithë ajo botë e imagjinuar, e përshkruar në leximet e tij të mëparshme. Në këtë lojë të ndërthurur të nxitjeve ndërhyri vepra e Hyjit të mëshirshëm.
Dhe vërtet, ndërsa lexonte jetën e Krishtit dhe të shenjtërve, mendonte brenda vetes dhe e pyeste vetën: “E po të bëja edhe unë atë që ka bërë shën Françesku; e po ta ndiqja edhe unë shembullin e shën Dominikut?”. Këto mendime zgjasnin mjaft gjatë duke u ndërruar me ato tokësore. Një kalim i njëpasnjëshëm i këtyre gjendjeve shpirtërore e kaploi për një kohë të gjatë. Por mes mendimeve të para dhe të dyta kishte një ndryshim të madh. Kur mendonte për gjërat e botës, ishte i kapluar nga një kënaqësi shumë e madhe; pastaj menjëherë pasi, i lodhur, i braktiste, kthehej i trishtuar dhe i tharë. Ndërsa kur imagjinonte të mbante edhe ai rreptësinë që kishte parë të vënë në vepër tek shenjtërit, atëherë jo vetëm se ndjente kënaqësi derisa mendonte, por gëzimin vazhdonte edhe më vonë.
Megjithatë ai nuk e kuptonte dhe nuk i jepte rëndësi këtij dallimi derisa, duke hapur një ditë sytë e mendjes, filloi të meditonte me kujdes mbi përvojat shpirtërore të cilat i shkaktonin trishtim dhe atyre që i sillnin gëzim.
Ishte ky meditimi i parë në lidhje me gjërat shpirtërore. Në vijim pastaj, duke hyrë tashmë në ushtrime shpirtërore, erdhi tek përfundimi se pikërisht nga këtu kishte filluar të kuptonte atë që iu ishte mësuar të tjerëve përmbi dallimin e shpirtrave.
Përgjigjja Krh. 1 Pjt 4, 11. 8
C Kush flet, le të flasë për të shpallur fjalën e Hyjit. Nëse ndokush ka dhuratën e shërbimit, le ta bëjë me fuqi që i jep Hyji, * që në gjithçka t’i jepet lavdi Hyjit nëpër Jezu Krishtin.
D Para së gjithash kini dashuri të vazhdueshme për njëri-tjetrin;
C që në gjithçka t’i jepet lavdi Hyjit nëpër Jezu Krishtin.
Lutja
O Hyj, ti në Kishën tënde e ngrite shën Injacin për të përhapur në botë më të madhin lavdinë tënde: bëj që edhe ne, me ndihmën e shembullin e tij, të luftojmë luftën e mirë të Ungjillit këtu mbi tokë për ta fituar si ai kurorën e shenjtërisë. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.