Shërbesa e leximeve

1 gusht, Shën Alfons Maria nga Liguori, ipeshkëv dhe Mësues i Kishës

 

Lindi në Napoli në vitin 1696. U diplomua në të drejtën civile e kishtare, u bë meshtar dhe themeloi Kongregatën e Shpërblyesit të Shenjtë. Iu kushtua predikimit për t’i dhënë gjallëri jetës së krishterë në mes të popullit. Ai shkroi libra veçanërisht të teologjisë morale për të cilën është mbajtur si mësues. I zgjedhur si ipeshkvi i shën Agatës të Gotëve pak më vonë dha dorëheqjen dhe vdiq në vitin 1707 pranë të afërmve në Nour të Paganëve në Kamjani.

 

   Nga Përbashkorja e barinjve ose e mësuesve të Kishës (fq. 1588).

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   O Krisht, kryetari e princi i barinjve,

   ty me gëzim në kremtimin e kësaj feste

   turma tërë shpirt këndon me këngë të shenjta

   lavdet e duhura.

 

   Grushtin e fortë për luftë të plotë ta leu

   Shpirti Shenjt me dhuratën e krizmës,

   dhe të ngarkoi për të kullotur grigjën

   tënde të shenjtë.

 

   Ky qe mësues edhe model i grigjës,

   ish dritë për të verbrit, lehtësim për të mjerin,

   për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si atë

   bëri gjithçka.

 

   O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën

   e merituar, bëj që në jetë të bindur

   të ndjekim mësuesin, e në fund të gëzojmë

   lumninë me shenjtin.

 

   I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm,

   dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret i përshpirtshëm,

   nëpër gjithë botën të ushtojë lavdia

   e Shpirtit Shenjt. Amen.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

   Psalmi 131 /130/ (1-3) Shpirti i fëmijërisë

 

   Pranoni t'ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë (Mt 11, 29).

 

O Zot, nuk krenohet zemra ime *

   as s’madhështohen sytë e mi,

as nuk jepem pas punëve të mëdha, *

   as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.

 

Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, †

   si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës, *

   si kërthi është shpirti im në mua.

 

Le të shpresojë Izraeli në Zotin *

   tani e për gjithmonë e jetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.

 

   Psalmi 132 /131/ Premtimet hyjnore që iu bënë Davidit

 

   Zoti Hyj do t'ia japë fronin e Davidit, atit të tij (Lk 1, 32).

 

   I (1-10)

 

Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi *

   e gjithë mirësia e tij,

si iu përbetua Zotit, *

   si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:

 

»Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, *

   nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,

nuk do t’u jap gjumë syve të mi, *

   s’do t’i lë të koten qepallat e mia,

 

pa e pasë gjetur një vend për Zotin, *

   një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.«

 

Ja, dëgjuam se është në Efratë, *

   e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!

Le të hyjmë në tendën e tij, *

   të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tij!

 

Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, *

   ti dhe arka e Pushtetit tënd!

Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, *

   shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.

 

Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, *

   mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

   II (11-18) Zgjedhja e Davidit dhe e Sionit

 

   Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e Pasardhësit të tij... që do të thotë Krishtit (Gal 3, 16).

 

Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, *

   assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:

»Bamin e kraharorit tënd *

   do ta vë mbi fronin tënd!

 

Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time *

   dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,

po edhe bijtë e tyre përgjithmonë *

   do të rrinë përmbi fronin tënd.«

 

Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, *

   e pëlqeu për banesë të veten:

»Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, *

   këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.

Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tij, *

   skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.

Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, *

   shenjtërit e tij do të brohoritin me galdim.

 

Atje do të bëj t’i ngallitë Pinjolli Davidit, *

   do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.

Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, *

   kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

   D Ejani dhe soditni veprat e Zotit:

   C ai bëri vepra të mrekullueshme përmbi tokë.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 12, 14 – 13, 13

 

   Apostulli lajmëron një vizitë të tijen të krishterëve në Korint për t’i korrigjuar.

 

   Vëllezër, ja, tani jam gati të vij te ju për të tretën herë dhe nuk do t'ju bëhem barrë, sepse unë nuk e kërkoj pasurinë tuaj, por ju. Sepse fëmijët nuk janë të detyruar të fitojnë për prindër, por, përkundrazi, prindërit për fëmijët. E unë me gëzim do të shpenzoj e do të shpenzohem për shpirtrat tuaj. Por, athua se, nëse ju dua më fort, do të duhem prej jush më pak? Ani, në dashtë! Unë nuk u bëra barrë për ju, por kështu si jam “dinak”, ju zura ju me “dredhi”. Athua ndoshta ju shfrytëzova me anë të atyre që i dërgova te ju? Unë iu luta Titit dhe e dërgova bashkë me një vëlla. A mos ju shfrytëzoi Titi? Athua nuk ecëm të njëjtës udhë? Athua jo të njëjtave gjurmë?

   Ndoshta kaherë mendoni se po mbrohemi para jush? Jo, por po flasim para Hyjit në Krishtin: të gjitha këto i thamë për ndërtimin tuaj, o fort të dashur! Sepse trembem të mos ju gjej ndoshta, kur të vij, ashtu si dëshiroj t'ju gjej dhe se ju do të më gjeni ashtu sikurse ju nuk do të dëshiroshit: që rastësisht të mos ketë grindje, smirë, zemërime, rivalitete, të përfolura, spiunime, kreni, kryengritje; që, përsëri, kur të vij ndër ju, Hyji im të mos më përvujtërojë e të më duhet të qaj për shumë asish që mëkatuan që përpara e nuk iu shporrën fëlligështisë, ndyrësisë e shfrenisë që bënë.

   Është e treta herë që dua të vij te ju. “Çdo gjë do të vendoset sipas fjalëve të dy ose tre dëshmitarëve.” Kur isha te ju, herën e dytë, u pata thënë atyre që kanë mëkatuar dhe të gjithë tjerëve ‑ po jua them edhe tani që jam larg jush ‑ po jua rithem qysh përpara: nëse do të vij prapë, nuk do t'ju kursej. Sepse ju kërkoni provën se në mua flet Krishti, i cili kundrejt jush nuk është i pafuqi, por i plotfuqishëm në ju. Vërtet, ai qe kryqëzuar për shkak të dobësisë, por jeton në saje të fuqisë së Hyjit. Po, edhe ne jemi të ligshtë në Të, por do të jetojmë në Të në saje të fuqisë së Hyjit për ju.

   Shqyrtoni mirë vetveten! Shihni a jeni në fe! Kontrolloni vetveten! Athua ndoshta nuk e njihni vetveten se Krishti Jezus është në ju? Nëse jo, atëherë nuk jeni besimtarë të vërtetë! Shpresoj se do të shihni se ne jemi të vërtetë. E tani ne i lutemi Hyjit që ju të mos bëni kurrnjë të keqe; jo, pra, që ne të dalim të drejtë, por që ju të bëni të mirën; ani se mendimi ynë del i gabueshëm. Sepse kurrgjë nuk mund të bëjmë kundër së vërtetës: pushteti ynë është vetëm në dobi të së vërtetës. Po, po, ne gëzohemi kur jemi të ligshtë e ju të fortë. Prandaj edhe lutemi që ju të bëheni të përsosur. Ja, pra, pse larg jush ju shkruaj kështu, me qëllim që, kur të gjendem pranë, të mos më duhet ta përdor me ashpërsi pushtetin që Zoti më dha për të ndërtuar e jo për të shkatërruar.

   Më në fund, o vëllezër, gëzohuni! Mos pushoni të përmirësoheni! Ngushëllohuni dhe jini në përkim njëri me tjetrin! Jetoni në paqe e Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju.

   Përshëndetni njëri‑tjetrin me puthje të shenjtë! Ju bëjnë të fala të gjithë shenjtërit.

   Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë.

 

   Përgjigjja Krh. 2 Kor 13, 11; Fil 4, 7

 

   C Vëllezër, gëzohuni! Mos pushoni të përmirësoheni! Jetoni në paqe * e Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju.

   D Paqja e Hyjit, që është më e vlershme se mund ta mendojmë do t’i ruajë zemrat tuaja në Krishtin Jezus.

   C E Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Praktika për ta dashur Jezu Krishtin” i shën Alfons Maria nga Liguorit, ipeshkëv (Kap. 1, 1-5)

 

   Dashuria e Krishtit

 

   E gjithë shenjtëria dhe përsosmëria e një shpirti qëndron në dashurinë ndaj Jezu Krishtit Zotit tonë, të mirës sonë më të madhe dhe Shpëtimtarit tonë. Dashuria është ajo që i bashkon dhe i ruan të gjitha virtytet të cilat e bëjnë njeriun të përsosur?

   A thua Zoti nuk e meriton tërë dashurinë tonë? Ai na ka dashur që nga amshimi. “O njeri, thotë Zoti, kujtohu se jam unë që të kam dashur i pari. Ti nuk kishe ardhur akoma në botë, bota ende nuk ekzistonte e unë të doja. Që kur jam Hyj, unë të dua”. Duke parë Zoti se njerëzit tërhiqen nga të mirat, deshi që me anë të dhuratave të tija t’i lidhte ata me dashurinë e tij. Për këtë arsye tha: “Dua ti tërheq njerëzit, në mënyrë që ata të më duan, me ata litarë me të cilët njerëzit tërhiqen, do të thotë me lidhje të dashurisë”. Të tilla kanë qenë dhuratat që Hyji i ka bërë njeriut. Ai pasi e pajisi njeriun me një shpirt me aftësi sipas shëmbëllesës së tij, me një kujtesë, me një inteligjencë dhe vullnet, dhe me trup të pajisur me ndjenja, e krijoi për të qiellin dhe tokën dhe shumë gjëra tjera, të gjitha për dashuri ndaj njeriut; në mënyrë që t’i shërbejnë njeriut, ndërsa njeriu ta donte Hyjin si mirënjohje për aq shumë dhurata.

   Por Zoti nuk ishte i kënaqur të na jepte të gjithë këto krijesa të bukura. Ai për ta kapur tërë dashurinë tonë arriti të na e dhurojë tërë vetveten. Ati i amshuar arriti të na dhurojë Birin e tij të vetëm. Duke parë se ne ishim të gjithë të vdekur dhe pa hirin e tij për shkak të mëkatit, çka bëri? Për dashurinë e pakufi, apo ashtu siç shkruan Apostulli, për dashurinë e tepërt që ai e kishte e dërgoi Birin e tij të dashur që të paguante për ne, e kështu të na e dhuronte atë jetë të cilën mëkati na e kishte hequr.

   Dhe duke na dhuruar Birin (jo duke falur Birin për të na falur edhe ne), bashkë me Birin na dhuroi çdo të mirë: hirin e tij, dashurinë e tij dhe parajsën; meqë të gjitha këto të mira janë me siguri më të vogla se Biri: “Ai as Birin e vet nuk e kurseu, por e dorëzoi të flijohet për të gjithë ne, e si atëherë, bashkë me Të, nuk do të na japë çdo gjë?” (Rom 8, 32).

 

   Përgjigjja Krh. Ps 145 /144/ 19-20; 1 Gjn 3, 9

 

   C Zoti e plotëson dëshirën e atyre që e druajnë, ua dëgjon përlutjen dhe i shpëton. * Zoti i ruan të gjithë ata që e duan.

   D Kushdo është i lindur prej Hyjit, nuk bën mëkat, sepse fara e Atij mbetet në të.

   C Zoti i ruan të gjithë ata që e duan.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti i jep Kishës sate gjithherë shembuj të rinj të jetës së krishterë, bëj të ecim gjurmëve të shën Alfonsit Maria ipeshkëv në zell për shëlbim të shpirtrave, që ta fitojmë si ai shpërblimin në qiell. Nëpër Zotin.

 

  

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.