Shërbesa e leximeve

Java e tetëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tani është për ne ajo koha

   ku nga zëri ungjillor

   besohet do vijë dhëndri,

   Autori i mbretërisë qiellore.

 

   Rendin virgjëreshat shenjte

   kur t’vijë me i dalë përpara,

   duke mbajtë llamba t’ndritshme,

   me gëzim t’madh t’hareshme.

 

   T’marrat që s’luajnë nga vendi,

   të shuara i kanë llambat,

   pa dobi n’derë trokasin

   është mbyllë pallati i mbretit.

 

   Tani me urti t’rrijmë zgjuar

   duke i mbajtë mendtë të qarta,

   që kur të vijë Zotynë

   të denjë t’i dalim para.

 

   Na bëj të denjë, mbret i madhrueshëm,

   lavdia e mbretërisë s’ardhshme,

   që t’meritojmë me lavde

   ty të këndojmë t’amshueshme. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Jeta e shenjtorëve, rruga, shpresa e shpëtimi,

   o Krisht, dhuruesi i mirësisë e i paqes

   autori i madh, ne ty me zëra e ndjenja

   himnim të qesim.

 

   Që ke virtytin tërësisht të dukshëm (njohur)

   që t’drejtët munden, kanë, e që me zemër

   me gojë e vepra i lakmojnë, të ndezur

   nga zjarri i dashurisë.

 

   Paqen e kohrave, e ruajtjen e besës,

   kujdes, përkrahje ndër shkarje të dobëta,

   jepu të gjithëve krahas me dhuratat

   e jetës s’lumtur.

 

   Lavdi e njëjtë lartësoftë Prindin e Epërm

   dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë n’përjetësi,

   e të buqasë lumnia e Shpirtit Shenjt

   nëpër gjithë botën. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.

 

   Psalmi 31 /30/ Lutja në ditë vështirësie

 

   O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim (Lk 23, 46).

 

   I (2-9)

 

Në ty, o Zot, shpresoj: †

   mos lejo të turpërohem për amshim, *

   më liro me drejtësinë tënde.

Prire drejt meje veshin tënd, *

   nxito të më shpëtosh!

Ji për mua qetë shpëtimi, *

   kështjellë mbrojtjeje!

 

Sepse forca ime e strehimi im ti je: *

   pashë Emrin tënd më pri e më sundo.

Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, *

   sepse ti je fuqia ime.

 

Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, *

   më shpërble, o Zot, Hyji besnik.

Ti i urren shërbëtorët e idhujve të rrejshëm, *

   ndërsa unë shpresën e kam në Zotin.

 

Me gëzim do t’i brohoras mirësisë sate †

   se ti këqyre me dhimbje mbi mjerimin tim, *

   ti i ndihmove shpirtit tim në ditë të ngushtë;

 

nuk më dorëzove në thonj të armiqve të mi, *

   hapave të mi u prive rrugës së shpëtimit.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.

 

Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.

 

   II (10-17)

 

Ki mëshirë për mua, o Zot, *

   se ndodhem në ngushtim të madh!

Vuajtjet m’i ligështuan sytë e mi, *

   shpirtin edhe trupin.

 

Jeta më sharroi në dhembje *

   e vjetët më kaluan në dënesë,

fuqia më mbaroi nga mundi *

   e eshtrat m’u thanë.

 

Në sy të armiqve të mi u bëra tallje, †

   për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr *

   Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje.

Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur, *

   u bëra porsi enë e thyer.

 

Dëgjo pëshpëritjet e të shumëve: tmerr në çdo anë: †

   bëjnë mbledhje kundër meje, *

   pleqërojnë si të ma marrin jetën.

 

E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt, †

   unë them: »Ti je Hyji im, *

   në duart e tua fati im!«

 

Më shpëto prej duarve të armiqve të mi *

   dhe prej atyre që më salvojnë.

Kthjelle fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd: *

   më shpëto me mëshirën tënde.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.

 

   III (20-25)

 

Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot, *

   të cilën e ruan për ata që të druajnë,

e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty *

   në sy të bijve të Adamit.

 

Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate *

   larg nga ngatërresat e njerëzve,

i strehon në Tendën tënde *

   larg nga gjuhët ngatërrestare.

 

Qoftë bekuar Zoti që më pajisi *

   me mirësi të mrekullueshme në qytet të fortë!

 

Ndërsa në vështirësinë time mendoja: *

   »I përjashtuar jam prej syve të tu!«,

por ti e dëgjove zërin e lutjes sime *

   kur drejt teje lëshova kushtrimin.

 

Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij: *

   ai i ruan besimtarët e vet,

por edhe atë që vepron me madhështi *

   Zoti e shpaguan sipas meritave.

 

Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju *

   që shpresoni në Zotin.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.

 

   D Më drejto në të vërtetën tënde dhe më mëso:

   C Hyji im, ti je shëlbimi im.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Amosit profet 2, 4-15

 

   Gjykimi i Hyjit mbi Judën dhe mbi Izraelin.

 

   Kështu thotë Zoti:

   “Për tri keqbërjet e Judës e për katër s'do ta kthej prapa vendimin: pse e lanë Ligjin e Zotit e s'ia mbajtën urdhërimet ‑ mendjen ua morën idhujt e tyre ‑ pas të cilëve u shkuan etërit:

   do ta çoj zjarrin në Jude, Jerusalemit t'ia përpijë pallatet!”

   Kështu thotë Zoti:

   “Për tri keqbërje të Izraelit e për katër s'do ta kthej prapa vendimin: pse e shitën për argjend të drejtin e skamnorin për një palë të mbathura,

   pse shkelin mbi krye të skamnorëve porsi mbi pluhurin e tokës, e bëjnë të lënë udhën njerëzit e vegjël, pse djalë e babë flenë me të njëjtën vajzë, për ta dhunuar emrin tim të shenjtë;

   pse mbi petka peng të marra shtrihen përbri të çdo lteri, e pinë verën marrë për dënim në shtëpinë e Hyjit të vet.

   Para tyre unë e kisha shfarosur Amorreun të gjatë si cedrat për lartësi të fortë si lisat për fuqi: ua zhduka në ta frutat edhe rrënjët për nën ta.

   Unë ju nxora nga dheu i Egjiptit, u priva nëpër shkretëtirë gjatë dyzet vjetëve për të pronësuar dheun e Amorreut.

   Ngrita profetë prej bijve tuaj e nazirenj prej të rinjve tuaj. Pse a s'është kështu, bij të Izraelit?”, ‑ është fjala e Zotit.

   I bëtë përdhunë verë të pinë nazirenjtë e profetëve u urdhëruat: 'Mos profetizoni!'

   Mirë, pra, për tokë do t'ju shtrydh siç shtrydh qerrja me sanë e ngarkuar;

   i shpejti s'do të mund të ikë, të fortit gjë s'do t'i vlejë fuqia, s'do të shpëtojë veten i fuqishmi;

   shigjetari s'do të mund të qëndrojë, këmbëshpejti nuk do të shpëtojë, kalorësi s'do të shpëtojë jetën.

 

   Përgjigjja Krh. Am 2, 10. 11. 12; Ps 85 /94/, 10-11

 

   C Unë ju nxora nga dheu i Egjiptit, ju priva nëpër shkretëtirë gjatë dyzet vjetëve. E thashë: * Popull zemërluhatshëm është ky, që s’i njeh udhët e mia.

   D Ngrita profetë prej bijve tuaj e nazarenj prej të rinjve tuaj, e profetëve u urdhëruat: Mos profetizoni!

   C Popull zemërluhatshëm është ky, që s’i njeh udhët e mia.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga e ashtuquajtura "Letër" e Barnabës

   (Kap. 2,6 - 3,1. 3; 4, 10-14; Funk, 1, 7 - 9. 13)

 

   Ligji i ri i Zotit tonë.

 

   Hyji i ka nxjerrë jashtë ligjit flijimet e vjetra që ligji i ri i Zotit tonë Jezu Krishtit, i lirë nga zgjedha e detyrimit, të ketë një dhurim që nuk është vepër e njerëzve. Në fakt thotë: a u kam urdhëruar vallë etërve tuaj kur dolën prej Egjiptit të më ofrojnë holokauste apo flijime? Përkundrazi u kam dhënë këtë urdhër: Askush prej jush të mos ruajë inatin kundër të afërmit, dhe mos e kini për zemër betimin e rremë (krh. Jer 7, 22-23).

   Pra, nëse nuk jemi të pamend, duhet ta kuptojmë ndjenjën e mirësisë së Atit tonë; ai në fakt na flet sepse do që ne, duke u munduar t'i afrohemi atij, të mos gabojmë si hebrenjtë e lashtë. Neve pra na thotë kështu: flije për Zotin është një zemër e penduar, erë e këndshme për Zotin është shpirti që i jep lavdi atij që e ka krijuar (krh. Ps 51 /50/, 19).

   Prandaj, o vëllezër, duhet t'i kushtojmë vëmendje të madhe shëlbimit tonë, që i Ligu të mos shtiret në ne për të na joshur dhe për të na shkaktuar humbjen e së mirës së jetës.

   Zoti ka thënë edhe këto fjalë: Mos agjëroni më sikurse bëni sot, saqë të dëgjohet deri lart zhurma juaj. Mos vallë është i tillë agjërimi që dëshiroj ditën kur njeriu vetmohohet? (krh. Is 58, 4-5) Zoti tregon qartë cili është vullneti i tij duke thënë: Ja agjërimi që unë dëshiroj: zgjidh çdo zinxhir padrejtësie, thyeji lidhjet e kontratave të fituara me dhunë lëri të lirë të shtypurit dhe falu atyre çdo borxh, shfuqizo çdo detyrim të padrejtë. Ndaje bukën tënde me të uriturit dhe kur të shohësh ndokënd që është lakuriq, vishe, dhe pranoi në shtëpinë tënde ata që janë pa çati (krh. Is 58, 6-10).

   T'i ikim, pra, kotësisë dhe të përbuzim çdo të keqe dhe çdo sjellje të paudhë. Mos u izoloni duke u mbyllur në vetvete, sikurse të ishit tashmë të shfajësuar, por bashkohuni së bashku dhe kërkoni atë që është në të mirë e të gjithëve. Prandaj Shkrimi thotë: "Mjerë ata që anë sytë e vet e mbajnë veten se janë të urtë, që për të mençur e çmojnë veten" (Is 5, 21).

   Le të bëhemi shpirtërorë, le të bëhemi tempull i kushtuar Hyjit. Aq sa të mundemi le të meditojmë mbi druajtjen ndaj Hyjit dhe le të mundohemi të zbatojmë urdhërimet e tij për të gjetur gëzim në ligjin e tij.

   Zoti do ta gjykojë botën pa parapëlqime njerëzish (krh. 1 Pjt 1, 17). Secili do të marrë në bazë të asaj që ka bërë: nëse ka qenë i mirë, drejtësia e tij do të ecë përpara tij; nëse ka qenë i keq, do të gjejë përpara shpërblimin e paudhësisë së tij. Të mos ndodhë të jemi të plogësht ndërkohë që jemi të thirrur dhe të mos përgjumemi në mëkatet tona duke lejuar që princi i së keqes të fitojë kështu pushtet mbi ne dhe të na shkëpusë nga mbretëria e Hyjit.

   Merreni vesh edhe një herë mirë këtë, vëllezërit e mi: nëse pas shumë mrekullish të bëra për të, populli i Zotit ka qenë braktisur, le të kemi kujdes që të mos vërtetohet edhe për ne thënia: "Shumë janë të grishur, por pak të zgjedhur" (Mt 22, 14).

 

   Përgjigjja Krh. Lk 22, 19; Gjn 6, 58

 

   C Jezusi mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: Ky është korpi im që flijohet për ju; * bëjeni këtë në përkujtimin tim.

   D Kjo është buka e zbritur prej qiellit: nëse ndokush ha prej kësaj buke, do të jetojë për amshim;

   C bëjeni këtë në përkujtimin tim.

 

   Lutja

 

   Na ndihmo, o Zot, ne shërbëtorët e tu dhe përherë tregohu i mirë me ne, e pasi mburremi se je Krijuesi dhe Sunduesi ynë, përtërij në ne çka ty të pëlqen e atë që përtërin bëje të qëndrueshëm. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.